Saturday, July 2, 2011

Shorti, Kolegji do të mblidhet më 6 korrik për të dhënë vendimin e fundit

PS ankimon për herë të tretë rezultatin e Tiranës në Kolegjin Zgjedhor

Partia Socialiste i është drejtuar dje për herë të tretë Kolegjit Zgjedhor për të dorëzuar ankimimin e radhës për rezultatin e shpallur nga KQZ-ja pas numërimit të votave në 368 qendrat e votimit në Tiranë. Më datën 6 korrik Kolegji Zgjedhor do të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendrat e votimit në Tiranë. Pas dorëzimit të kërkesës nga PS-ja në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Kolegji u mblodh për të përcaktuar trupën gjykuese si dhe datën e zhvillimit të seancës. Kështu, në shortin e hedhur gjatë mesditës së djeshme është vendosur që relator i çështjes të jetë gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të trupës gjykuese do të jenë gjyqtarët Dhurata Haveri, Marie Qirjazi, Sashenka Jonuzi dhe Petraq Dhimitri.

Ankimimi i PS-së

Në ankimimin e tyre socialistët kërkojnë pavlefshmërinë e procesit zgjedhor për Tiranën. PS-ja në kërkesën e saj vëren se në 284 qendra votimi janë gjetur shkelje të shumta, që nga mosrakordimi i numrave deri te mungesa e kodit të pestë, apo zhdukja e zarfit me fletët e votimit të pavlefshme. Duke e vlerësuar vendimin e KQZ-së nr.1158, datë 25.06.2011 si të pabazuar në ligj, PS-ja i kërkon Kolegjit Zgjedhor që bazuar në nenin 158, pika 1, germa b, të gjykojë çështjen në themel dhe të vendosë “shfuqizimin e vendimit nr.1158, datë 25.06.2011 të KQZ-së si të paligjshëm dhe shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme në qendrat e votimit të cituara në objektin e padisë”, - thuhet në kërkesën e PS-së. Sipas opozitës, rezulton se “në rreth 30 për qind të kutive të hetuara u konstatuan dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vë në pikëpyetje të drejtpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor që ndodhet brenda tyre dhe për rrjedhojë bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vet vendimit të KQZ-së objekt të këtij ankimi.” Sipas socialistëve, KQZ-ja nuk i trajtoi pretendimet e PS-së, gjatë këtij procesi në mënyrë ligjore dhe të drejtë. Pasi “në zbatim të urdhërimit të Kolegjit detyra e KQZ-së ishte të hetonte 1472 kuti votimi. KQZ-ja hetoi 1793 kuti votimi. Prej këtyre në rreth 500 kuti të hetuara u konstatuan një sërë shkeljesh”, - thuhet në ankimimin e PS-së. Në vlerësimin e saj PS-ja thekson se tabela përmbledhëse e rezultatit për kryetar bashkie për Tiranën është një dokument i paligjshëm. “Diferenca ndërmjet votave të vlefshme dhe votave të pavlefshme me numrin e zgjedhësve për Bashkinë e Tiranës në 109 qendra votimi është 248 fletë votimi më shumë se zgjedhës. Pra, 248 vota që nuk i përkasin vullnetit të zgjedhësve. Diferenca ndërmjet votave të vlefshme dhe votave të pavlefshme me numrin e zgjedhësve për Bashkinë Tiranë në 175 qendra votimi të tjera është 506 fletë votimi më pak se zgjedhës. Pra, mungon vullneti i 506 zgjedhësve”, - thekson PS-ja.

Dështon miratimi i shpërndarjes së mandateve në Tiranë

PS kundër tabelës së rezultatit për Këshillin Bashkiak

Herion Mesi

Mungesa e kuorumit të nevojshëm prej 5 votash ka bërë që tabela përmbledhëse e rezultatit për këshillin e Bashkisë së Tiranës të mos miratohet nga KQZ. Kështu, në mbledhjen e djeshme Partia Socialiste nuk e ka miratuar tabelën e nxjerrë nga KQZ-ja për shpërndarjen e mandateve në këshillin bashkiak. Mungesa e vullnetit nga ana e opozitës ka bërë që dhe procedura e djeshme të votohej me shumicë të thjeshtë prej 4 votash pro dhe 2 kundër, ndërsa ajo nuk është përfundimtare, pasi duhet një shumicë prej të paktën 5 votash që të certifikohet si tabelë. Me sa duket, tani është radha e Partisë Demokratike të bëjë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për të kërkuar vlefshmërinë e kësaj tabele të nxjerrë nga numërimi i çdo vote në çdo kuti votimi.

Mbledhja e djeshme

Pavarësisht kundërshtive të opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tabelën e ndarjen e mandateve të këshillit bashkiak të Tiranës, ku mazhoranca ka marrë një këshilltar më shumë. Nga kjo tabelë e miratuar dje rezulton se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 28 këshilltarë, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” ka marrë 27.

Me anë të përfaqësuesit ligjor të selisë rozë në KQZ PS-ja ka pretenduar se në këtë tabelë nuk është përfshirë ndryshimi i tabelave pas numërimit të urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor më 13 qershor. “Me vendimin 709 ju keni pasqyruar disa shifra në tabelën përmbledhëse. Dhe më pas Kolegji ju detyroi që të numëroni të gjitha votat. Pra, edhe tabela e parë është ndryshuar. Pas numërimit të bërë nga KQZ-ja atëherë të gjitha votat duhet të paraqiten në tabelat përmbledhëse, gjë që ju nuk e keni bërë me tabelat e fundit, por keni lënë në fuqi tabelat e nxjerra nga numërimi i 117 kutive të para, që do të thotë se nuk keni bërë ndryshimin e duhur që vjen si rrjedhojë e këtij numërimi. Këtë standard e keni ndjekur vetëm për tabelën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Pra, kolegji ju kërkon që këtë standard ta zbatoni edhe në tabelat e tjera të Tiranës”, - u shpreh përfaqësuesi i PS-së në KQZ Eridian Saliani. Më tej në parashtrimin e argumenteve të tij për votën kundër nga anëtarët e forcës politike në KQZ, Saliani theksoi se “dhe në këtë tabelë nuk ka përputhje të numrit të fletëve të gjetura në kutitë e votimit me numrin e votuesve”. Pretendimeve të Salianit u është përgjigjur kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili theksoi se argumentimi i tij ishte i pabazë, por vetëm një ritual politik i radhës. “Ju nuk jeni të orientuar në atë çka po thoni. Ju jeni peshkatarë pa det. Dhe kur nuk ka det, s’keni çfarë peshkoni me këto që thoni. Je një djalë me perspektivë dhe duhet t’i kuptosh këto gjëra”, - tha Ristani. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, u shpreh se leximi i votës që u bë gjatë ditëve të numërimit në KQZ ka sjellë një tabelë shumë të qartë edhe për këshillin bashkiak të Tiranës. “Kështu që jam plotësisht dakord që ky akt të kalojë”, - deklaroi Kosovrasti, i cili shtoi se të gjitha vendimmarrjet që pasuan nga vendimi 709 i KQZ-së janë rrjedhojë e vullnetit për të lexuar çdo votë të qytetarëve.

Këshilli bashkiak i Tiranës

Numri i zgjedhësve që votuan 257 175

Fletë votimi në kuti 257 081

Fletë të vlefshme 248039

“Aleanca për të Ardhmen” 121 624 vota

Mandate për këshillin 27

“Aleanca për Qytetarin” 122 012 vota

Mandate për këshillin 28

Jashtë koalicionit 4399 vota

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 3944 vota (asnjë mandat)

Partia Komuniste e Shqipërisë 459 vota (asnjë mandat)

Ristani

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, në replikën e tij me përfaqësuesit e PS-së u shpreh: “Ju nuk jeni të orientuar në atë çka po thoni. Ju jeni peshkatarë pa det. Dhe kur nuk ka det, s’keni çfarë peshkoni me këto që thoni. Je një djalë me perspektivë dhe duhet t’i kuptosh këto gjëra.” Ndërsa vijoi replikën me anëtarin e KQZ-së Artan Laze, duke i thënë se “ti, Eridiani dhe Xhafa e ngatërroni detin me sheshin ‘Skënderbej’. Nuk është deti te sheshi ‘Skënderbej’ vëlla”, - tha Ristani.

Saliani

Në përgjigje të batutave të kreut të KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i PS-së në këtë komision, Eridian Saliani, iu përgjigj Ristanit: “Unë s’po peshkoj këtu apo të hedh grepin në tokë, e jo në det. Por duhet t’ju them se ju po notoni në ujëra të patrazuara. Ju me gjithë këto shkresa që keni sjellë këtu tregoni se keni reflektuar ndaj atyre çka u shqyrtuan sot paradite. Ju nuk keni për qëllim të riparoni ato çka keni shkatërruar deri tani.”

Kosovrasti

Sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrastit, vendimi 709 i KQZ-së ka shumë rëndësi. “Pasi ai udhëhoqi të gjithë punën e KQZ-së në këto zgjedhje, pasi u vendos për të numëruar dhe vlerësuar të gjitha fletët e votimit, duke respektuar vullnetin e zgjedhësve të kryeqytetit. Të gjitha vendimmarrjet që pasuan nga vendimi 709 janë të gjitha rrjedhëse të këtij vullneti”, - tha Njazi Kosvrasti në mbledhjen e KQZ-së.

No comments: