Gjatë dhjetra viteve kur ndaj tyre ushtrohej dhuna më e pashpirt që ka parë njerëzimi, shqiptarët qeshnin. Qarkullonte në atë kohë një llaf që thoshte; "Kërcen prifti nga belaja". Përsëritej e përsëritej kjo thënie me përmbajtje të pa përfytyrueshme me klerikë që kërcejnë, ndërkohë që ata të gjorë ishin të gjithë nëpër burgje.
Kjo pjesë e historisë s'onë me shqiptarë që qeshnin nga lumturia dhe priftërinj që vallzonin nga belaja, ndodhte në kohën kur shqiptarët s'kishin asgjë, as të hanin, as të pinin, as të visheshin, as të udhëtonin, asgjë prej gjëje.
Sot shqiptarët kanë edhe të hanë edhe të pinë edhe të vishen, edhe të mbathen, edhe të udhëtojnë. Dhe normalisht do duhej të qeshnin. Por jo ! Po ndodh e kundërta; Tani që s'kanë asnjë arësye për të qarë, ata që qeshnin kur duhej të qanin, po janë më të zymët se kurrë.
Kjo sjellje paradoksale e të dy kohëve, me të qeshura kur duhej të qanin, dhe të qara kur duhet të qeshin, ose së paku buzëqeshin, nxjerr disa pyetje; Qeshnin atëhere kur ishin cop' e çikë sepse duke qeshur shpresonim të kishin ? Duke qeshur mbanin veten me gajret që nga fukarallëku të mos vdisnin ? Ndjeheshin të lumtur që s'kishin, dhe prandaj qeshnin ? Qajnë tani ngaqë të mësuar me fukarallëkun nuk preferojnë të kenë ? Qajnë nga pangopja, si të thuash, nga tafmaja e tepërt ? E të tjera e të tjera pyetje, të cilat të çojnë tek kryepyetja;
Jemi qesharakë apo qaramanë, Historia jonë, është qesharakiste apo qaramaniste ?
Për t'i dhënë një përgjigje kësaj pyetje duhet gjetur një element lidhës mes të dyjave, të qeshurës, dhe të qarës. Për fat ky element ekziston. Është dhuna. Prandaj një vështrim mbi dhunën. Jo mbi dhunën e asaj kohe që ishte e përsosur prandaj edhe iku e vate. Mbi dhunën në përgjithësi së pari, pastaj mbi dhunën e sotme.
Ç'është e vërteta në një shoqëri pa dhunë, ose me zero dhunë, zor se jetohet. Se dhuna vërtet është e pakëndëshme, por edhe fare pa dhunë jeta do ishte tepër e rrafshët, pa emocine, pa lezet, një jetë ku rendiment ka, sepse punët bëhen, por në mënyrë të përsëritur, monotone, të mërzitëshme. Pra dhuna, e parë thellë në rolin e saj brenda mardhënieve njerëzore, nuk duhet shqyrtuar vetëm në aspektin cilësor, sepse si e tillë dihet se ajo është e keqe dhe e papranueshme, por edhe nga ana sasiore.
Ta nisësh këtë shqyrtim duke thënë se; "Dhuna është tejkalimi i së drejtës", mund t'i kënaqësh qejfllinjtë e definicioneve, por në fakt s'ke thënë asgjë. Çështja është shumë më e komplikuar. Për t'i rënë shkurt, për të jetuar i lirë, nuk mjafton që të mos dhunosh apo të mos dhunohesh, por edhe të dhunosh edhe të dhunohesh në një farë mase.
Sa është kjo masë ?
Sa është masa të qënit njëkohësisht dhunues dhe i dhunuar në një mjedis shoqëror të ekuilibruar, funksionues ?!
Meqënëse dhuna nuk matet as me metër as me termometër por me statistika vështirësisht të intepretueshme, shpesh dhunuese, duke bërë tkurrjet përkatëse në hapësirë dhe kohë, pa të cilat do binim në donkishotizëm të pastër, pra duke j'u referuar vetëm Shqipërisë dhe vetëm periudhës kohore që po kalojmë, le të përpiqemi të japim së paku një ide për masën e dhunës t'onë dhe protagonistëve të saj përmes disa shembujve.
A e dhunon shteti individin apo individi shtetin ?
Për definicion, që dhuna mes individëve të një mjedisi shoqëror të mos jetë tepër e madhe, është shteti ai që, kryesisht përmes ligjeve, dhunon individin. Kjo, në një masë deridiku të bezdisëshme, madje edhe të dhimbëshme, por gjithmonë pozitive, sepse të arsyeshme. Por ç'ndodh ?! Ndodh ajo që pothuaj të gjithë shqiptarët e sotëm, edhe veshi po t'u krruhet, edhe sqetulla po tu djersitet, edhe nëse hanë shumë e barku u rëndohet, edhe nëse kolliten në dimër a teshtiten në pranverë, për këto e plot të tjera si këto, mendja u vete menjëherë aq larg e aq lart, tek një vend e tek disa njerëz pa asnjë përgjegjësi për të tilla taksirate me të cilët kanë lidhje një herë në katër vite, ditën e votimit; Tek Shteti ! Të cilin e ngarkojnë me faj për të gjitha krruajtjet, djersitjet, dhimbjet, kollitjet, teshtitjet, belarat, bezdirat. Por jo thjesht tek shteti. Ç'ka edhe mund të kapërdihej. Duke e rrëzuar përtokë krejt katedralen e përgjegjësive, drejt e tek Kryeministri. Me të cilin luftojnë dit' e natë dhëmb' për dhëmbë pa u ndalur asnjë çast, në një luftë ku e ku më të egër se ajo e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Kjo dukuri e neveritëshme kobndjellëse është aq e përhapur ndër ne sa s'le asnjë dyshim se sot në Shqipëri, nuk është shteti që dhunon individin, por individi që dhunon shtetin.
Dhunon prindi apo fëmija ?
Do ishte fare lehtë, madje dhe pa asnjë pasojë, kësaj pyetje t'i përgjigjesh duke thënë se, si lule, apo kallëza, qeliza apo filiza të jetës që janë, janë fëmijët ata që duhen ruajtur nga dhuna e prindërve. Mirpo nëse do ta bënim këtë pohim, do ishim aq jashtë dhe aq larg realitetit sa do ushtronim një dhunë tejet të madhe informative. Sepse realiteti është krejt ndryshe. Unë vet', dhe të tjerë si unë që s'janë të martuar dhe fëmijë s'kanë, pra ne që kemi privilegjin ta shohim këtë çështje nga jashtë pa qënë të rrezikuar të ngatërrohemi nga hollësitë e brendëshme, shohim çdo ditë me sytë tanë një realitet të kundërt. Të thuash se sot në Shqipëri janë fëmijët që dhunohen nga prindërit, është krejt njësoj sikur të pohosh se jo dhelpra që ha pulën apo ujku që shqyen qingjin, por pula që hahet prej dhelpres dhe qingji që kullufitet prej ujkut, janë ato që dhunohen. Jo sepse në lagjen t'ime ndodhet një kopësht fëmijësh që quhet "Grerëzat". Ky emërtim jo fort larg së vërtetës, mund të jetë edhe teprim, po deshe edhe budallalëk i pronarit të atij kopështi, ndoshta edhe shaka. Por kam parë me sytë e m'i një numur të pafundëm prindërish të tmerruar para dhunës së fëmijëve uluritës me nofulla e grushta shtrënguar dhe sy të zgurdualluar. Vetëm hipokritët dhe gënjeshtarët mund të thonë se adoleshentët tanë që u bërtasin e ulërasin prindërve strukur nga frika e ndonjë rrahjeje potenciale, s'janë me mijëra. Pa folur këtu për pezmatimin deri në tmerr të prindërve tek shohin se si biri a bija që mbaron shkollën e mesme, pasi i ka marrë të tëra provimet, edhe atë të matematikës edhe atë të letërsisë, nuk di Teoremën e Pitagorës, nuk di sa herë më i gjatë është perimetri nga diametri i rrethit, dhe teksti më i gjatë që mund të shkruaj nuk i kalon kurrë një rresht e gjysëm, sepse pas atij rreshti e gjysëm, fytyra e djalit mbulohet e tëra nga djersët e...shkrimtarit të ardhshëm.
Dhunon mjeku apo pacienti ?
Është e pamundur të hysh në cilëndo ambulancë apo spital të mos dëgjosh të thirrurat kërcënuese të të afërmëve të pacientëve që u kërkojnë mjekëvë, jo rrallë edhe me kobure te koka, të bëjnë gjëra që Mjeksia ende nuk ka arritur t'i bëjë. Pacienti pra pacienti, ai është që ushtron dhunë ndaj mjekut dhe jo mjeku ndaj pacientit. Jo vetëm pse i bërtet dhe e kërcënon, por edhe sepse i jep ryshfet.
Dhunon Media apo shikuesit, lexuesit ?
Media është për t'i informuar, edukuar, zbavitur, shikuesit, lexuesit. Në teori po. Por në praktikën tonë është Media që dhunon gjithë të tjerët. S'ka gjë më të kollajshme se të arrish në këtë përfundim fatkeq. Qindra artikuj gazetash krejtësisht të palexueshëm dhe programe televizive për të qarë. Aq e vërtetë është kjo, sa vetëm një sy po tu hedhësh atyre shkrimeve e atyre programeve, menjëhehë të vjen pyetja; Në cilin dyqan ka ushqime për të zbatuar porositë e një dietologu, të tilla që pasi atyre artikujve dhe atyre programeve tu kesh hedhur vetëm një sy, të mos vijë të vjelltit, kockat të mos të dhembin, gripi të mos të zëri, dhe ftoma kurrë të mos të kapi. Medet ! Për t'i bërë derman dhunës së mediave t'ona nuk ekziston asnjë dietolog dhe asnjë supermarket. Ja vetëm një shembull mes qindrave; Transmetimi dhe ritransmetimi i asaj këngës për fëmijën e parë me atë vargun; "Trashëgimtari im jeton" ! Ajo këngë është kënduar para nja 40 vitesh. Cilën trashëgimi gëzohej se do t'i linte fëmijës nëna e kohës së kolerës ?! Atë të 50 gramëve gjalpë dhe 100 gramëve mish në muaj për familje ? Le pastaj që fill pas vargut me të ardhme dhe trashëgimi inekzistente këngëtarja ja plas; "Tralalala, ma t'lumtun s'ka". Unë them se karshi kësaj dhune të pocaqisur aq keq me moralitet, gënjeshtër dhe mediokritet, mund të ketë deri reanimator për të ta shpëtuar jetën, por dietolog dhe supermarket, kurrsesi.
Dhunon dhe persekuton, i pasuri të varfërin, apo i varfëri të pasurin ?
Për budallenjtë të cilët falë Zotit i kemi me mijëra, natyrisht është i pasuri ai që dhunon të varfërin. Por realiteti ulëret ndryshe. Sa di unë ata të cilëve u del gjumi dy, tre, apo edhe më shumë herë natën, ata që për të frenuar sadopak stresin nga frika e fukarenjve që ta mësyjnë biznesin ikin lënë miliona në bixhoz, ata që nuk dalin kurrë nga shtëpia pa marrë me vete nëpër xhepa dhe portofola turlilloj nishane, fotografi dhe piktura shenjtorësh për tu ndjerë të mbrojtur, ata që anksiolitikët dhe antidepresivat nuk i mbajnë kurrë nëpër kutia, por vetëm të derdhura nëpër xhepa, prej nga i nxjerrin dhe i gëlltisin me grushta, shkurt, të diskriminuarit e vërtetë socialë mbi të cilët ushtrohet dhunë e pa përmbajtëshme, nuk janë të varfërit, por të pasurit.
Dhunon inteligjenti dhe i kulturuari budallain dhe injorantin, apo e kundërta ?
Sigurisht e kundërta. Është mallkim Providencial. Po të ishte fenomen vetëm shqiptar, do ishte Fat.
No comments:
Post a Comment