Ridvan Dibra Një urdhër i vitit 2004 i Drejtorisë së Doganave për makinat që hyjnë nga pika e Hanit të Hotit, është kthyer në makth për qytetarët। Në rast se një shtetas shqiptar dëshiron të fusë një makinë me dokumente provizore në Shqipëri nga kjo pikë e kalimit kufitar dhe kërkon të bëjë zhdoganimin në Drejtorinë Rajonale të Shkodrës, sorollatja e tij dhe ecejaket janë aq të mëdha, saqë ai do të mallkojë veten që zgjodhi këtë rrugë për të futur mjetin në vend. Kjo ndodh për shkak të një urdhri të dalë që në vitin 2004, sipas të cilit, zhdoganimi i makinave do të bëhet vetëm në doganat qendrore dhe nga pikat e kalimit kufitar ato duhet të kalojnë tranzit, urdhër ky që edhe sot e kësaj dite nuk po merr guximin asnjë për ta përmirësuar ashtu siç ka ndodhur me pikat e kalimit të tjera të kufirit, siç janë ato të Morinit, Qafë-Thanës etj. E gjithë vështirësia qëndron në faktin se, në rastin më të mirë, një drejtues mjeti duhet të gjejë një garant apo një agjenci doganore që të ndërmjetësojë që drejtuesi i mjetit të lejohet të kalojë nga Hani i Hotit deri në doganën në Shkodër. Por kjo nuk mbaron me kaq, se ai përsëri duhet të bëjë edhe disa xhiro të tjera Shkodër-Hani Hotit e kthim, derisa të plotësohen dokumentacionet e nevojshme për zhdoganimin e automjeteve. Ndërkohë që sipas vetë drejtuesve të mjeteve, të cilët përballen me një fenomen të tillë, mësohet se dogana të tjera homologe si ato të Morinit në Kukës, të Qafë-Thanës etj., e kryejnë këtë shërbim, ndërkohë që Hanit të Hotit nuk i lejohet të bëjë veprime të tilla. Në këto kushte, kushdo që vjen me makinë nga jashtë dhe do të bëjë zhdoganim, duhet që të kalojë Hanin e Hotit, të gjejë një mik tek agjencitë doganore që këto të fundit të hyjnë garant që mjeti të regjistrohet atje dhe makina, pasi të marrë tranzitin për në doganën rajonale, duhet të udhëtojë drejt Shkodrës në pikat e zhdoganimit. Pasi përfundon punë këtu, sërish duhet të udhëtojë drejt Hanit të Hotit për të marrë një vërtetim tjetër për datën dhe orën e hyrjes së mjetit në Shqipëri. Të gjitha këto kryen mes radhësh e pritjesh të gjata. “Kam tri ditë që sillem për këtë veprim. Kjo është e tmerrshme. Ne i paguajmë të gjitha detyrimet dhe shteti duhet të përgjigjet. Aq më shumë që tarifat që paguajmë ne janë ndër më të lartat në Europë. E gjithë kjo rrëmujë zgjidhet me një sistem kompjuterik. Pse duhet të shkoj unë edhe një herë deri në Han të Hotit? Për qytetarin e thjeshtë nuk mendon askush. Rruga Hani i Hotit–Shkodër, që është në rikonstruksion e sipër, është tejet e dëmtuar dhe e papërfunduar. Mbi 30 kilometra bëhen në një rrugë me gropa pa fund dhe me pluhur. Si të mos mjaftonte kjo, duhet të shkojmë e të vijmë disa herë për një vërtetim që mund të merret shumë mirë me internet”, thonë qytetarët.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
No comments:
Post a Comment