Mjeshtër me duar të arta, i papërtuar, një njeri me zemër të madhe.Kështu do ta kujtojnë të gjithë orkestruesin Alqi Kareco, i cili u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare të shtunën në mbrëmje. “Ai bëri ta falënderonin edhe ata që nuk e donin”, thotë kompozitori Aleksandër Lalo, si për të përmbledhur me dy fjalë gjithë çka përfaqësonte figura e mjeshtrit. Dje në mesditë, miqtë i dhanë lamtumirën e fundit. Kompozitorë, orkestrues, instrumentistë, këngëtarë e aktorë të humorit, që patën fatin të punojnë me të. Homazhet u zhvilluan në Teatrin e Metropolit, dikur Teatri i Varietesë, ku Alqi Kareco kaloi 40 vjet të karrierës së tij të mbushur e ku një dhomë aktorësh mban emrin e tij. Madje, një vit më parë ai i dhuroi Teatrit të Metropolit pianon e tij vjeneze të markës “Holzl”. Zakonisht këngëve u mbahet mend këngëtari apo kompozitori, ndërsa orkestruesi rrallë herë. E ndoshta shumë pak e dinë se janë plot 5 mijë këngë, kryesisht të para ’90-ës, të orkestruara nga Alqi Kareco. Madje ai ka meritën që ta themelojë këtë fushë të muzikës, që deri në vitet ‘50 ishte tërësisht e panjohur në Shqipëri. Kur ishte i ri, Kareco ëndërronte të bëhej pianist i madh. Kush e njihte, thotë se i kishte të gjitha mundësitë. Por ja që e kishte një njollë në biografi e për të nuk kishte të drejtë studimi. Por doli që, pavarësisht “njollave”, Kareco të fitonte dashurinë e të gjithëve, madje ia “rrëmbeu” ca vlerësime edhe regjimit komunist. Krahas ngushëllimeve dhe homazheve nga miqtë dhe kolegët që punuan me të, familjarët e orkestruesit morën ngushëllime edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. “Me kontributin e tij në themelimin e Teatrit të Varietesë, në Festivalet Kombëtare të Radio-Televizionit Shqiptar, me rreth 5 mijë orkestrimet si dhe me ndikimin e pamohueshëm në përgatitjen dhe përsosjen artistike të dhjetëra e dhjetëra këngëtarëve të talentuar, Alqi do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në kujtesën e muzikantëve dhe artdashësve shqiptarë për talentin e përkushtimin e tij të rrallë artistik, si dhe për vlerat e tij të rralla njerëzore e qytetare”, është shprehur në mesazhin ngushëllues Presidenti Topi. Pas një ore homazhi, kortezhi mortor u nis drejt varrezave të Sharrës, në banesën e fundit të muzikantit. Mbi fotografitë e mëdha të vendosura përpara Teatrit të Metropolit nuk ishte harruar të shkruhej: “Udhëtim të mbarë miku ynë!”
Luan Zhegu, kur për mikun fjalët nuk mjaftojnë
“Kur flasim për figurën e pedagogut Alqi Kareco nënkuptojmë Teatrin e Varietesë së Tiranës dhe, nëse themi Teatri i Varietesë, na kujtohet Alqi Kareco dhe muzika që bëhej në këtë institucion, por edhe më gjerë. Ai është një nga orkestruesit më të mirë shqiptarë, pianisti i parë i Festivalit të parë të Këngës në Radio Tirana. Unë kam shumë kujtime nga ai. Nëse sot jam ky që jam, kjo falë edukatës që më ka dhënë maestro i madh. E kisha mësues, dirigjent, shok, baba… E gjithë jeta ime lidhet me Alqi Karecon. Kemi punuar bashkë 40 vjet..”, kujton këngëtari dhe kompozitori Luan Zhegu, ndërsa i shquhen qartë lotët në sy. Në raste si këto, kur duhet t’i japësh lamtumirën një njeriu të dashur, duket sikur njerëzit bëhen patetikë, përpiqen të gjejnë fjalët më të mira për të lëvduar të ikurin, por, në rastin e Karecos, fjalët e mira do të ishin në çdo kohë. “Në qenien e tij kishte vetëm mirësi. Nuk e pamë ndonjëherë të mërzitej, të nxehej, por kishte një mirëkuptim dhe dashamirësi të jashtëzakonshme. Ishte një xhentëlmen në të gjitha aspektet. Ishte jo vetëm një mjeshtër i madh, por një njeri të cilin e donin të gjithë”, thotë Zhegu, teksa rendit emra pafund kompozitorësh e këngëtarësh që kanë bashkëpunuar me të, duke filluar që nga Pjetër Gjergji, Rudolf Stamolla, Xhavit Xhepa, Hafsa Syberi, Zan Zyberi, Anita Take, Pavlina Nikaj, Vaçe Zela, Sherif Nerdani, Tonin Tërshana, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Kozma Dushi, motrat Libohova, Mira Konçi e deri te më të rinjtë. Ka bashkëpunuar me Tish Dainë, Agim Prodanin, Avni Mulën, Osman Mulën, Hajk Zaharjan, Gazmend Mullain, Agron Xhungën, Kastriot Gjinin e shumë të tjerë.
Alaksandër Lalo: Alqi ishte një kompjuter
Kompozitori Aleksandër Lalo ka punuar 20 vjet me të. Dikur e kishte një idhull, pastaj koleg. “Ishte luks për Varietenë e Tiranës të kishte një muzikant si Alqi. Në fillimet e tij ai ka qenë një pianist që premtonte shumë, por, për shkak të një njolle në biografi, nuk ia dhanë të drejtën e studimit për piano. Ka pasur një jetë të vështirë, por më në fund u vendos në Estradën e Tiranës, duke u bërë një nga themeluesit e saj. Ai është një nga muzikantët më të mirë pas Luftës së Dytë Botërore, një nga arranxhuesit që u bë pikë referimi për të gjithë të rinjtë. Unë e kisha idhull asokohe. Ai ka një rol shumë të madh në muzikën e lehtë shqiptare. Shumë këngë që ne i njohim vetëm kompozitorin, kanë vulën e Alqi Karecos, si p.sh.: këngën e Agim Prodanit janë të gjitha të orkestruara nga ai. Ishte një muzikant shumë modest, nuk donte të dukej, shumë punëtor dhe gëzonte respektin e të gjithëve. Alqi ishte një kompjuter, punonte, punonte çdo ditë, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë. Por, nuk mund të rrojmë përgjithmonë, por kam mendimin se ka ikur me respektin më të madh, me dashurinë e njerëzve. Nuk ma merr mendja se dikush mund ta ketë urryer Alqin. Si të gjithë kishte edhe ndonjë ëndërr parealizuar, por me punën e madhe bëri që ta falënderojnë edhe ata që nuk e deshën”.
Ema Qazimi: Çdo notë e tij ishte një perlë
Në duar ajo shtrëngon një tufë lule. I dridhet zëri dhe nuk do të donte të fliste për një rast të tillë. “Ishte ende i ri”, thotë ajo, ani pse mjeshtri i kishte mbushur 79. Këngëtarja Ema Qazimi e ka të vështirë të fshehë hidhërimin. Ka bashkëpunuar me Alqi Karecon në sa e sa këngë e madje të gjithë e kujtojnë koncertin e saj recital, ku Kareco e ka shoqëruar në piano. “Është e vërtetë se kam punuar shumë me të dhe i jam shumë mirënjohëse, por jo vetëm unë, por i gjithë brezi im. Ka qenë një artist me përmasa botërore, i pari që hodhi bazat e orkestracionit shqiptar. Ka punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm në Teatrin e Estradës. Janë shumë të rrallë artistët që punojnë si ai. Janë me mijëra këngët që kanë orkestruar në Estradë, në teatrot e rretheve, në RTSH. Ishte shumë prodhimtar dhe i palodhur. Ishte edhe një pianist i shkëlqyer. Çdo notë e tija ishte një perlë”, thotë këngëtarja.
ALMA MILE
No comments:
Post a Comment