Ylli Polovina
Ndoshta koncepti “mehmetologji” është kurajë që del përtej arsyetimit të ftohtë, por këtë po e bëjmë si një mënyrë
figurative për të përcjellë deri tek lexuesi opinionin se për Mehmet Shehun tashmë ka në formim e sipër një letërsi të tërë. Ajo që duket edhe më shumë e sigurt është se ajo nuk premton të pakësohet apo dalëngadalë të fiket. Do të rritet. Debati do të ndizet prej kryqëzimit të argumenteve të njërës palë dhe hedhjes së tyre poshtë nga pala tjetër.
Siç deri tani rrjedha e mospërputhjeve ka vijuar ajo do gozhdohet në një kryetemë: u vetëvra apo e vranë. Kjo dilemë rrëmben deri tani shumicën e energjisë së mehmetshkruesve. Madje pjesën e luanit e zotëron çështja e dytë: varianti i vrasjes tinëzare e ish-kryeministrit. Këta interpretues janë aq kokëfortë në bindjen e tyre, aq të pathyeshëm e të pashkulshëm sa duket sikur u është shndërruar në fanatizëm ideologjik. Sipas tyre nata e 18 dhjetorit 1981 dhe pezullimi në orë të vonë i mbledhjes së Byrosë Politike që kishte marrë çështje të vetme shqyrtimin e fejesës së djalit kryeministror me një vajzë e cila gjykohej se nuk vinte nga sëra e tyre me “biografi të pastër”, nuk mund të mbyllej veç sipas traditës makbethiane: helm të nxehtë në vesh, thikë apo plumb në zemër.
Kurse vetëvrasja nga shumica e mehmetshkruesve refuzohet, madje ajo shpërfillet. Interpretuesve të tillë mënyra e vuajtjes njerëzore nëpërmjet dhënies fund të jetës nga vetë kryeministri i vendit duket sikur e zbut diktaturën, regjimin e saj shpirtmarrës. Vetëvrasja për ta nuk ka forcë intrige, nuk përmban plan e kurth të zi, nëpër të nuk endet asnjë fantazmë e nuk thuret asnjë pabesi komploti. Gjithçka duket punë e skenar i thjeshtë: shkon në zyrën tende, mbyll derën nga brenda, ulesh në poltronin para tavolinës, hap sirtarin dhe nxjerr pisqollën, e mbështet tytën e saj mbi tëmth, heq këmbëzën dhe këtu gjithçka mbaron. Në të anasjelltë vrasja në pritë, në shpinë, në terrin e një korridori apo në buzë të shtratit helm në gotën me çaj apo bar gjumi dhe pastaj një krismë të shurdhët në thellësi të gjoksit etj., etj., i ka brenda të gjitha joshjet e tërheqjes symbyllazi së lexuesve.
Kështu ka ndodhur që letërsia për Mehmet Shehun të priret jo nga analiza e rrethanave sociale a politike të kohës apo prej zhbirimit në psikologjinë e përplasësve të natës së 18 dhjetorit, por prej shijes së parazgjedhur për të bërë një subjekt trallisës, një spektakël, një fiction.
Tema tjetër ku ka nisur të zhytet mehmetologjia është çështja apo dilema e dytë: qe apo nuk qe agjent i të huajve kryeministri më kohëgjatë i Shqipërisë realkomuniste? Edhe këtu ndarja mes dy palëve është po aq e thellë dhe e çballancuar si tema e parë. Megjithëse Enver Hoxha dhe aparati kapilar i propagandës së sistemit të tij politik e shpërndau kudo akuzën e hidhët, ai nuk duket se ka hedhur rrënjë plotësisht. Edhe atje ku ato gjatë dekadës së fundit të diktaturës zgjatën e lëshuan të tilla, tashmë në njëzetë vitet e fundit, të hapjes së gojës, shumica kanë dalë mbi tokë e po thahen. Gjithnjë e më pak mes nesh besojnë se Mehmet Shehu qe një spiun i një fuqie të huaj antishqiptare dhe ca më shumë të dekurajuar janë ata që ende kapen pas degës se ai qe një poliagjent laraman që i ishte dhënë njëherësh dy apo tre zbulimeve të huaja dhe që e kishte nisur karrierën e shpirtshitjes që fëmijë shkolle apo më pas deri edhe Gestapos apo një farë kryepolici province të humbur shqiptare si Man Kukaleshi. Me tezën e Shehut si kryespiun mehmetshkruesit në të ardhmen mund të bëjnë fantashkencë, por më shumë do të shtojnë konsumatorët e sajimeve të tyre artistike se sa besimtarët për kauzën racionale që parashtrojnë. Nuk i ka bërë mirë tjerrjes së kësaj legjende libri i posaçëm e Nexhmije Hoxhës “Miqësi e tradhtuar”, e cila deri tani mbetet e vetmja mehmetologe që ngul këmbë në tezën e parashtruar nga bashkëshorti i saj tek “Tabloja sinoptike”. Shumë të vjetër në moshë, njohës të afërt të ish-kryeministrit, por edhe jo pak prej atyre që e kanë njohur sadopak Enver Hoxhën, ngrenë supet në mëdyshje dhe nuk janë asnjëherë gati ta pranojnë që Mehmet Shehu ishte një spiun. Mirëpo pranimi i tezës së mehmetspiunllëkut për hartuesit e akuzës ka një rëndësi të madhe sepse prej kësaj vjege mbahet kryeakuza: kryeministri donte të likuidonte fizikisht, pra të vriste nëpërmjet helmimit me veprim të ngadaltë, armës së zjarrit dhe aksidentit automobilistik vetë Enver Hoxhën. Ra poshtë teza e mehmetpoliagjentit bëhet copë e thërrime edhe ajo e marrjes së pabesë të jetës së të parit të dikurshëm të vendit.
Jashtë apo brenda të vërtetës letërsia me në qendër intrigën e vrasjes së mundshme të Enver Hoxhës tërheq po ashtu mjaft lexues, pa çka se ata që janë të bindur në këtë numërohen si më të paktit. Kështu fati letrar i personazhit Shehu do të jetë i varur përherë nga ai i Hoxhës. Siç të dy gjatë regjimit totalitar qenë çifti më ndikues, edhe më pas, dekada të tëra pas shembjes së tij, do të rrinë bashkë, të pandashëm.
Në letërsinë për Mehmet Shehun çuditërisht deri tani nuk është afruar një siluetë, ajo e Ramiz Alisë. Gjendet akoma larg ngjarjes ose jo aq afër sa ta përfshijë në gjeratoren e vet.
Tema tjetër rreth të cilës ka nisur të gjallojë përplasja e tretë e mehmetshkruesve ka të bëjë me dilemën e tretë: qe marksist-leninist radikal, ishte tërësisht stalinist lindor apo në të kundërtën qe një liberal properëndimor i maskuar? Në këtë katrahurë të re, ku sërish gjithçka është skajshmërisht e kundërt, fansat anojnë jo në zhgjëndrrën e parë por në krahët nanuritës të ëndrrës së dytë. Duke qenë se as për të parën tezë nuk ka ndonjë libër serioz e ca më pak për të dytën, në kushtet e dy dekadave të pas diktaturës ku u zbulua se kishim pasur aleat të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin ndërsa Enver Hoxha e akuzoi se Mehmet Shehu qe spiun i keq i tyre, kjo automatikisht, madje verbërisht, ka bërë të justifikueshme e të besueshme idenë se vërtet ish-kryeministri paska qenë një prej atyre që e kanë pasur kokën në demokracitë moderne. Kjo pamje e re e Shehut megjithatë nuk ka gjetur ende strehë në letërsi, jo vetëm në atë artistike, por as në kolegen e saj dokumentare. Dihatje të këtij opinioni ndihen nëpër intervista të veçanta me njohës së kohës të familjes kryeministrore dhe me këtë rast si pasqyrë e tërthortë e të atit, pse jo edhe si një lloj dëshmie, paraqesin njërin prej djemve, Bashkim Shehun. Jeta e tij gjatë diktaturës ka prirjen të përshkruhet si e një liberaldemokrati e jo thjesht i një të privilegjuari i cili duke qenë natyrë artistike dhe rebele, thyente pa merak të madh rregullat ngurtësuese dhe askete të kohës.
Këtë kahe të interpretimit të jetës dhe fatit të Mehmet Shehut ai, shkrimtar me talent, e ka inkurajuar edhe tek libri i tij “Vjeshta e ankthit”, botimi i parë që shënoi fillimin e letërsisë për kryeministrin jetëhumbur. Një pleksje e të vërtetës dokumentare me lirinë artistike, një teknikë rrëfimi që autori e ka zgjedhur në një masë të tij, personale, herë e nxjerr në dritë atë që ka ndodhur dhe herë e fundos në terr. Një dekadë e gjysmë pas tij ndërhyn me një libër dikur oficeri i lartë Duro Shehu, i vëllai i Mehmetit. Ky botimi i dytë nga rrethi familjar i kryeministrit ende nuk duket se do të pasohet prej ndonjë tjetri. Do të qe i mirëpritur ai i Skënder Shehut, protagonistit të ngjarjes që u bë shkak për ta goditur e përfunduar në vdekje jo natyrale, por ai, duke mos iu shmangur ndonjë interviste kur vjen në Tiranë, rikthehet e mblidhet në heshtjen e tij në Stokholm të Suedisë.
***
Punë mjaft e ndërlikuar kjo e kthjellimit të çështjes Mehmet Shehu. Copërat e saj si pas një shpërthimi të madh, janë shpërndarë kudo. Mbledhja e ngadaltë e tyre nuk do të reshtë, por gjithsesi vendimtare nuk do të jetë grumbullimi, madje as vendosja në vendet e caktuara për të krijuar më në fund tablonë reale të asaj që ka ndodhur. Çelësi për t’iu avitur të vërtetës ka të bëjë me kodin e interpretimit, çka do të thotë përpjekje këmbëngulëse për të dalë nga variantet e manipuluara prej politikës e deri edhe prej atyre të paragjykuara nga shtampat letrare dhe vetë rutina.
Një ngasje të tillë e patëm në njërën prej përpjekjeve të fundit për “mbledhje copëzash”. Këtë herë zgjodhëm Mine Gurin, në rrethin e Beratit ish-sekretarja e parë e atëherë partisë së vetme në pushtet. Biseda me të qe e kthjellët. Ajo e di që kujtimet, të cilat ia kërkojmë dhe i rrëfen hapët, madje me zërin e saj karakteristik si të mbushur me tinguj të butë, përbëjnë tashmë pjesë të historisë. Ish-tornitorja që shkoi gjer në anëtare të Komitetit Qendror dhe po ashtu deri në nënkryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor (por që ndërkohë mbante çizme fine dhe kjo ishte për kohën një lloj herezie), ka qenë në atë regjim të ashpër një politikane me shpirt të zbutur. Kodi i jetës së saj edhe tani mbetet “Në s’ke mundësi të bësh mirë, të paktën mos bëj keq”. Pikërisht prej kësaj dhuntie nëna e pesë djemve që kanë parë punët e tyre dhe bukën e gojës e nxjerrin me djersë, asnjëri emigruar, një çast tregon disa episode, sipas të cilave lë të nënkuptojë se për të bërë sa më pak dëm në një sistem politik që ishte krijuar shtrembër, e ka ndihmuar mënyra e sjelljes dhe e inkurajimit nga Ramiz Alia.
Gjithsesi autori i këtyre radhëve bisedën e orientoi më shumë tek Mehmet Shehu. Mine Guri tha se ndërtimin e ujësjellësit të tanishëm të Beratit e ka nismuar dikur kryeministri. Ngjarja me të cilën e dëshmon ka ndodhur në një kohë mjaft dramatike: njëzetë ditë para se ai të vdiste nga plumbi i një pistolete me në grykë një heshtuese. Qe 29 nëntor 1981, e diel. Shehu ishte caktuar të “zbërthente” në Berat vendimet e kongresit të porsambaruar të partisë. Erdhi që në njëzetë e tetë vetëm me makinën e tij, pa asnjë eskortë, siç edhe e kishte të zakonshme. Përveç shoferit qe edhe shoqëruesi i tij i parë Çeno. Bashkë me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mine Guri u ndodh në kohën e duhur para shtëpisë së pritjes në Qytetin Stalin, në mbrëmje. I ra në sy menjëherë që Mehmet Shehu nuk qe në humor të mirë. Diçka e mundonte. Në një çast pa se brenda makinës së kryeministrit mbi ndenjëse rrinin dy automatikë me karikatorë të mbushur. U trondit, madje nga befasia e pamjes ndjeu edhe frikë. Asnjëherë më parë nuk i kishin zënë sytë në ato sedilje armë. Mbase mbaheshin të fshehura. Këtë herë qenë sheshit, sikur për t’i hedhur në dorë e përdorur çdo sekondë dhe fraksion i saj ishte jetike apo fatale. Sapo Mine Guri hyri në dhomën në të cilën Shehu rrinte, pyetja e parë e tij qe se ku ndodhej ato çaste kryetari i degës së Punëve të Brendshme të Beratit. Ai ishte nga familja Kapo. Minia iu përgjigj se pati shkuar në Vlorë në përurimin e bustit të Hysni Kapos, por në zyrë gjithsesi e zëvendësonin “çunat”. Mehmet Shehu u shfaq mjaft mosbesues. Pyeti se cilët qenë ata “çunat”. Mine Guri përmendi emrin parë të zëvendësuesit të Kapos, pastaj edhe dy të tjerë. Për vendndodhjen e njeriut të parë të Sigurimit në Berat gjatë bisedës kryeministri i kërkoi sqarim edhe dy herë të tjera. “Epo mirë!”, tha më në fund sikur të mos donte ta ngiste më tej atë merak. Toni i tij qe i vrazhdë.
Ndërsa e kujton këtë moment të vështirë të dialogut me Mehmet Shehun dikur pushtetushtruesja e parë e qytetit të një mbi një dritareve, pyetjes tonë në se dinte çfarë po ndodhte ato kohë në udhëheqjen e lartë komuniste, i shqiptoi një “jo” të vendosur e të sinqertë. Por shtoi një fakt, i cili e pati vënë në mendime. Në kongresin e partisë të fillim nëntorit rrethi i Beratit qe vlerësuar me “Flamur” dhe kur do të bëhej ceremonialisht dorëzimi i tij, Mine Guri shkoi në podium dhe e mori. Ishte Mehmet Shehu që ia dha dhe ajo i shtrëngoi dorën në shenjë mirënjohjeje. Kur u kthye në presidium të ulej në vendin e vet, i cili prej protokollit partiak të kongresit qe afër Ramiz Alisë, ajo ca prej gëzimit e ca sepse e donte një urim prej këtij, ia zgjati pëllëmbën e saj të hapur hareshëm. Porse tjetri ia refuzoi. Fjalët që tha qenë “Nuk ta jap dorën se ta dha ai”.
Atë mbrëmje të 28 nëntorit 1981 biseda munduese e Mine Gurit me Mehmet Shehun pati vijuar njëlloj peshërëndë. Kryeministri e pati urdhëruar prerë “Ma trego programin!” Pasi ia shpjegoi mori prej tij një “Mirë!” Fjalëve të tjera të saj “Të vij këtu në mëngjes t’ju shoqëroj?” i erdhi përgjigja “Jo, mos hajde! Do të vij unë në Berat”. Kur u bë gati të ikte Mehmet Shehu e ftoi të darkonin bashkë. Shërbimi i Shtëpisë së Pritjes i vuri kryeministrit në pjatë arapash me bukë misri. Ndërsa përtypte ushqimin i tha Mine Gurit “E sheh ti si ha unë? Si qen”. Ajo qe shtangur dhe pati ndërhyrë me zërin e saj femëror e shumë dhelës “Si është e mundur shoku kryeministër që e quani veten qen!? Më vjen keq, por ne mezi ju kemi!” Megjithatë Shehu pak minuta më pas u nervozua sërish. Tha se kishte harruar të pinte ilaçet. Thirri punonjësen e shërbimit me në buzë qortimin përse nuk ia kishte dhënë, por tjetra ia kujtoi se jo vetëm ia pati lënë në dorë në orarin e caktuar, por edhe i kishte pirë fare rregullisht në sy të të gjithëve aty. Në të vërtetë pati ngjarë saktësisht ashtu. Ia pohoi këtë gjë edhe Mine Guri. Mehmet Shehu mezi u bind.
Në pasditen e të nesërmes, 29 nëntor, e diel, ai mbërriti në Berat dhe mori pjesë menjëherë në mbledhjen e zbërthimit të vendimeve të kongresit të partisë. Megjithatë foli shumë pak. Të pranishmit mbetën me blloqet e hapura dhe stilolapsat të pa harxhuar përveç disa rreshtave të thatë.
Kryeministri ishte pa qejf edhe gjatë darkës jubilare të shtruar në Hotel Turizmi për pavarësinë e çlirimin e vendit. Kjo gjendje e vuri në vështirësi Mine Gurin për t’i bërë një kërkesë urgjente: ujin e pijshëm për qytetin. Fjalët e pakta të kryeministrit në atë mbrëmje qenë disi të çuditshme. Tha se të nesërmen do të shkonte për gjah dhe se deri tani kishin shkuar gjer në rrëzë të Tomorit. Pas një pauze disi të mjegullt pati shtuar se tani e tutje gjahu i tij do të ngjitej e kapte majën e malit.
Pas kësaj Mine Guri kishte guxuar “Shoku Mehmet, njerëzit nuk kanë ujë të pinë dhe mua më vjen turp”. Ai i qe përgjigjur ashpër “Do të më lësh rehat apo të ngrihem e të iki”. “Jo, nuk do t’ju lë rehat”, kishte vijuar kokëkrisjen e saj tjetra, “Jua thashë këtu, por do të vij edhe në zyrë, sepse ujin e dua. Jemi shumë keq dhe juve ju kemi dhëndër Berati”. “Pse paratë me gërshërë i kam unë!?”, kishte pasuar Shehu. “Nuk i kini me gërshërë, por të popullit janë”, pati brofur Mine Guri. Pas kësaj biseda u këput dhe ra heshtja. Një çerek ore më vonë Mehmet Shehu i tha “Ju vazhdoni, kurse unë do të iki”. U ngrit dhe kur dolën jashtë panë se binte një shi i hollë, por këmbëngulës për të mos pushuar. Kryeministri ia nguli vështrimin natës së thellë dhe andej për nga ku me qiellin duhej të takohej maja e lartë e malit të Tomorit. “Nesër nuk do të vete për gjah”, foli pothuaj me vete. “Atëherë nesër po vij t’ju përcjell”, shqiptoi butë Mine Guri. “Jo”, preu tjetri, “Hajde mirë u pafshim!” I dhanë dorën njëri-tjetrit dhe u ndanë.
Sidoqoftë të hënën e kishte telefonuar zëvendëskryeministri Adil Çarçani dhe i pati thënë “Moj Mine, pse je qarë tek shoku Mehmet?” “Nuk kam qarë, por i thashë se jemi pa ujë”, qe përgjigjur ajo. “Mirë, mirë, do të vij pasdite aty, në orën pesë”. Dhe erdhi vërtet. Tha se do të bënin projektin e një ujësjellësi me ujë të ftohtë e të bollshëm nga Bogova. Fondin do ta gjenin duke ja shkurtuar sektorit të naftës.
Ndërkohë Mine Guri dhe Mehmet Shehu do të takoheshin sërish në të dielën tjetër, atë të 13 dhjetorit 1981. Pesë ditë më vonë në kraharorin e tij, saktësisht në zemër, do të gjendej një plagë e vogël me fare pak gjak rrotull. Për këtë vizitë të së dielës së dytë Mine Guri që dëshmon të njëjtën gjendje shumë nervoze të kryeministrit, ende nuk di se çfarë ka pohuar truproja e parë e Kryeministrit. Sipas tij në mbrëmjen e atij 13 dhjetori në shtëpinë e pritjes në Qytetin Stalin çifti kryeministror gjendej i vetëm në të dy dhomat kryesore të saj, kur rreth orës 20.30 centralistja e Beratit e pati telefonuar dhe i kishte thënë se njëri nga aparatet telefonikë të shtëpisë së pritjes, ai me numër interurban, të mbyllej, pasi jepte sinjal se qe i hapur. Pas kësaj truproja Çeno pati thirrur punëtoren e shërbimit duke i thënë të shkonte në dhomën ku rrinte çifti Shehu dhe t’u thoshte të vendosnin mirë dorezën e telefonit. Punëtorja bëri çfarë e porositën. Pasi ajo qe larguar nga dhoma kryeministri kishte thirrur menjëherë truprojën dhe me nervozizëm të dy burrë e grua nisën t’i bërtitnin “Kush të lajmëroi ty që telefoni qe i hapur?” Çeno sqaroi se këtë gjë e pati bërë kontrolli i telefonave i centralit të Beratit. “Po nga e di që ishte kontrolli i telefonave të Beratit?”, kishte përplasur fjalët Mehmet Shehu. “Fola vetë me ta”. “Jo”, pati brofur kryeministri, “Ky është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe na kanë dëgjuar të gjitha bisedat që unë kam bërë me Fiqireten”. “Ky nuk është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por është interurban me tre numra”, pati vijuar shpjegimin truproja parë, veç Mehmet Shehu qe ngulëkëmbës në të tijën. Atëherë Çeno kishte shkuar nëpër mëndje t’i tregonte numëratorin për ta bindur se Ministria e Punëve të Brendshme nuk kishte telefon në shtëpinë e pritjes, por Mehmet Shehu sërish pati bërtitur “Ik mbushu se nuk di gjë ti!” Pas kësaj truproja pati dalë nga dhoma. Nga vendi i tij i shërbimit çifti Shehu e kishte rithirrur duke i bërë të njëjtat pyetje si më parë: kush na ka përgjuar, cili e la hapur telefonin, ç’masa keni marrë ju për të mos ndodhur kjo. Më kot Çeno qe përpjekur t’i sqaronte. Ata nuk qetësoheshin. Me të njëjtin shqetësim dhe ton të alarmuar kryeministri dhe bashkëshortja e tij e patën thirrur atë natë truprojën e parë dhe tre herë të tjera. Vetëm në 21.15 kishte rënë përfundimisht heshtja dhe çifti kryeministror pati shkuar për të fjetur. Kur u kthyen né Tiranë ajo temë bisede nuk qe çelur më.
Mine Guri dëshmon edhe një “copëzë” tjetër të pazbuluar më parë nga jeta e Mehmet Shehut. Sipas saj kur vinte në shtëpinë e pritjes në Qytetin Stalin ai i mbyllte dritaret edhe me perdet e dyta, ato të zeza, të errësimit. Askush tjetër nga udhëheqësit e kohës nuk e bënte këtë gjë, pohon ajo.
Kjo rrethanë e fundit të shtyn më shumë se të parat drejt tundimit për ta interpretuar çështjen e tij si fragment pune agjenturore. Megjithatë nuk është aspak kështu. Mjeku Fejzi Hoxha, kuruesi i Enver Hoxhës por edhe jo për pak vite edhe i Mehmet Shehut, në kujtimet e tij tashmë të botuara thotë se kryeministri vuante nga fotofobia. Këtë gjë ai e pati diktuar në vitin 1958. Është një diagnozë që shkakton tmerr nga ndriçimi. Shehu në krizë të plotë ato çaste të para të shfaqjes së kësaj sëmundjeje ishte kyçur në dhomën e gjumit, pati mbyllur të gjitha dritaret bashkë me grilat dhe nuk pranonte të hynte jo vetëm mjeku, por as e shoqja.
Labirinth e kaluar labirinthit është kërkimi për të kuptuar se cili në të vërtetë qe Mehmet Shehu!
Ylli Polovina
Tiranë, më 12 tetor 2010
No comments:
Post a Comment