Saturday, October 30, 2010

Shpluhurosen poezitë e rinisë së Robert Shvarc


Shtëpia Botuese “OMSCA-1” nxori në qarkullim librin “Vargje të pluhurosura”. Janë rreth 110 poezi, shkruar kryesisht në vitet ’50-’60 e që shumë pak syresh kanë parë dritën e botimit. Është folur edhe më parë për Shvarcin poet, janë botuar edhe pak poezi të tij, që datojnë fillimvitet ’90, si “Tingëllim për Shkodrën”, “Ma vranë Sarajevën”, apo “Vargje lamtumire për një shok rinie”, por këtë herë “Vargjet e pluhurosura” tregojnë se Shvarc nuk ishte një poet i rastësishëm. Janë poezi kushtuar dashurisë, ëndrrave, mikut, qytetit, Shkodrës, idealeve, trishtimit, mallit... Ai vetë i quan “vargje sirtari”, që në të vërtetë janë dëshmitë e një pene të rëndësishme në letrat shqipe. Por që vetë shkrimtari vendosi t’i mbyllë në sirtar, pasi e kuptoi se duhet të hiqte dorë nga idealet. Sepse në komunizëm, idealet shkonin veç në një kahje, atë të diktaturës. Ja si shkruan në një prej poezive të tij, Shvarc “Lamtumirë ideale, lamtumirë,/ ç’po më zbeheni si yjet ndër agime,/ ç’po ma lini n’errësirë veten time,/ në errësirë të një jete pis të nxirë”. Dhe vendosi të merret me përkthimin e të mëdhenjve të letërsisë botërore, çka nuk qe edhe aq e thjeshtë sa e pandehte. Heshtja nuk shihej me sy të mirë. Teksa kanë kaluar 7 vjet nga

vdekja e tij, heshtja thyhet dhe bëhet e gjallë krijimtaria e tij letrare. I lindur në Sarajevë, por i rritur në Shkodër, Shvarci e dashuroi dialektin shkodran, aq sa poezitë e tij i ka shkruar më së shumti në këtë dialekt. Gjithashtu, i ka shkruar disa poezi këtij qyteti. Teksa kalon nga njëra poezi në tjetrën, çuditshëm të mbulon një tis trishtimi. Nëpër vargje ndien pak fatalitet prej “brezi të humbur”, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të të cilëve do ta përkthente më vonë. Poeti nuk është qaraman, përkundrazi herë-herë rebelohet, por ndoshta ai e ndiente se idealizmi i tij shumë shpejt do të vritej.
Në duart e një miku
Për botimin e këtij libri poezish u kujdes përkthyesi dhe shkrimtari Amik Kasoruho, i cili i ka redaktuar ato me kujdesin dhe dashurinë e një miku të hershëm. Dikur Shvarc i ka dedikuar edhe një poezi miqësisë së tyre. “Gjithmonë bisedoj me Robertin si kam bërë kah mot, duke shfletuar letra tashmë të zverdhura që i kemi pas shkruar njëri–tjetrit, poezi të tij të hedhura netëve pa gjumë të rinisë së tij të trazuar, fotografi të shumë viteve më parë. Nëpërmjet tyre më flet shoku im i adoleshencës, mbushur me ëndrra të pafajme (ne kishim vetëm ëndrra, asgjë tjetër! - do të shkruante në vjershën “Vargje lamtumire për një shok rinie”, botuar në gazetën “Drita”, në maj 1991), miku i ngushtë në tërë hallet e gëzimet e mia, ai që më bënte të krenohesha që isha shok me të. Dhe ndërsa bëj kështu, e lë atë të flasë. Unë dëgjoj dhe kujtoj”, shkruan Kasoruho në pasthënien e librit, i cili ka jo pak për të treguar për Shvarcin. Në ditët më të zeza në jetën e një njeriu, çka nuk ka të paguar është mbështetja e një miku. I tillë kishte qenë Shvarc për Amik Kasoruhon dhe ky i fundit, nuk mundet që në çdo varg të shkruar nga ai, të lexojë diçka nga vetja, nga jeta e tij, nga shpirti i mikut. “Lexoj në vjershën “Dikujt” të shkruar në vitin 1950, dy vargjet e para: Në agimin pa ndriçim të jetës tënde - u mundove t’i afrohesh të vërtetës. Dhe m’u kujtuan vitet e burgut, rinia ime e dënuar, njerëzit që druheshin të më aviteshin pas lirimit, dyert e mbyllura. Pa mu kujtua se qe pikërisht Roberti ai që më mori në shtëpinë e tij - duke rrezikuar shumë - dhe më strehoi dhe më fali qetësinë që të jep një çati mbi krye, një shok aty pranë. Shumëkush asokohe u mundua t’i afrohej të vërtetës. Ata që nuk përcëlluan krahët në këtë përpjekje, që i përngjet pak edhe guximit të fluturës që i vjen rreth flakës së qiriut, u ndrynë në një heshtje të imponuar dhe sfilitëse, e cila e shtynte Shvarcin të klithte “të rrosh e prapë të jesh i vdekur fare, - të ndjesh e ndjenjën ta varrosësh thellë” (vjersha “Unë” -1956)”, vijon ai, duke shtuar se çka e karakterizonte atë më së shumti, veç gjenisë si përkthyes dhe talentit të poetit, ishte dashuria për njerëzit. Këtë dashuri që ai e shprehte në vargjet: “Gjithmonë i kam dashur lotët/Por në sytë e mij/Të tjerëve ua kam fshirë!”


Na vranë idealizmin...
“Janë vargje sirtari, të shkundura nga pluhuri i shumë e shumë viteve. Vargje thuajse të harruara, të ndrydhura, të frikësuara e, pse jo, edhe të ndjekura – sepse totalitarizmi edhe meditimet krejt personale e krejt pa të keq i quante “ideologji borgjeze me helm të sheqerosur kundër diktaturës së proletariatit”. Ekziston një thënie e një të mençuri: Ai që s’është idealist në moshën njëzetvjeçare, s’është njeri; ai që mbetet idealist edhe pasi i kalon të dyzetat, është idiot”. Idealizmi i brezit tim – me përjashtim të konformistëve të ndërgjegjshëm – mori fund në vitet ’60, kur u bindëm se në Shqipërinë “socialiste” s’ishte aspak puna për të mbrojtur një ideal të madh njerëzor, por vetëm e vetëm për të ruajtur një fron sundimtari…
Kam shkruar edhe unë, prozë e poezi, deri në fund të viteve ’50. Por pastaj vendosa të hesht, të hesht në mënyrën time: penën e vura në shërbim të penave të fuqishme të letërsisë botërore. Pa këtë ekuilibër që arrita të fitoj për vete, do të kisha marrë fund për së gjalli. Por edhe kjo punë ishte një punë me zarar, sepse diktatura nuk kënaqej vetëm të heshtje ndaj saj, por dëshironte edhe të flisje për të.
Brezat e rinj le të më falin, nëse vargjet e mia të dikurshme ndoshta s’do t’i ngrohin sa ç’duhet – fundja janë vargje të pluhurosura dhe tani jemi në fund të shekullit XX. Por për diçka duhet të jenë të sigurt: në çdo gjë që kam shkruar ose rikrijuar, kam menduar gjithmonë për rininë dhe për atë do të mendoj përsëri, deri sa të kem jetë”.
Robert Shvarc

Alma Mile

No comments: