Tuesday, October 26, 2010

Liri Begeja, gruaja që bekoi Ramën


Shekulli ONLINE

Emri i gruas që lidhi në martesë çiftin Edi Rama dhe Lindita (Basha) Rama, zë vendin e më të zgjedhurit ndër miqtë aq sa të jetë kumbarë dhe të kryejë ceremonialin e unazave.
Kush është kjo grua që shfaqet në momentet kyçe të jetës së Edi Ramës? Liri Begeja është mik shtëpie i dhëndrit, por edhe një mik me rrënjë në historinë e Tiranës. Sigurisht janë rrënjë të paraardhësve të saj, prej të cilëve ka trashëguar diçka që vetëm sa e lë të nënkuptohet nga vizitat e saj të rralla në Shqipëri.


Në prag të fushatës zgjedhore të vitit 2003 që e vuri Ramën përballë kandidatit të së djathtës për kreun e bashkisë së Tiranës në atë kohë, Spartak Ngjela, Liria erdhi nga Parisi për të realizuar diçka speciale për mikun e saj. Bashkë me tre të rinj të grupit "West Side Family" realizoi "filmin" e një kënge që kishte qëllim të fitonte zemrat e atyre që s'ishin bindur për punët e Edi Ramës.
Kush vëren me kujdes videoklipin e këngës "Tirona jonë" me regji të Liri Begesë, kupton që ajo e "ka krijuar" figurën e Edi Ramës. Aksidentet e ideve dhe përpjekjeve të tij - diku të lëna në mes, e diku të shtyra me mund në finish - për zhvillimin e qytetit e bashkë me të edhe për ndryshimin e një fije mentaliteti për të jetuar në një qytet tjetër, për Begenë kanë qenë pasojat e shtysave të forta dhe të kryeneçe të individit Rama. Kënga pati sukses, sepse nuk ishte imazh i kuruar i punëve të një njeriu. Në fjalët e këngës që Rama i pat shkruar vetë, ai flet për Tiranën me zhurmë dhe plehra.
Sigurisht që fitorja nuk i erdhi Ramës as nga një këngë, as nga të tjera që i ngritën aleatët. Rama sugjeronte magjinë e shëmtisë, që funksionon kur je i vërtetë. Ky ishte imazhi që i propozonte kjo mike politikanit, i cili tani ka hyrë në një fazë tjetër.


Ide më të mirë Rama nuk pati kur realizoi një klip të dytë, për zgjedhjet e 28 qershorit. Atij i mungoi prania e në njeriu që e di për çfarë dhe kë po tregon. Me një ndjeshmëri të tillë është i pajisur shpesh njeriu që kërkon gjithë jetës të tregojë një histori që e ruan ose që e nxjerr prej vetes në formën e artit po edhe të dhunës.
Liri Begeja ka një histori. Është lindur në Francë më 1955. Është vajza e një emigranti shqiptar me nënë franceze. I ati i saj, Jusufi, ishte djali i madh i Ali Begejes, avokat, deputet dhe kryetar i bashkisë së Tiranës më 1922-1923. Në radhën e atyre që drejtuan Tiranën prej themelimit kryeqytet deri në fund të luftë së dytë botërore, Ali Begesë i njihet kontributi i madh për zhvillimin e arsimit, tregut të lirë dhe punishteve të zejtarisë.
I biri, Jusufi, ndoqi shkollë ushtarake, bëhet oficer kavalerie në Mbretërinë Shqiptare.
Më 7 prill 1939 mori pjesë me pushtimin italian, largohet nga Shqipëria, me shpresën se do të rikthehej nga ky mërgim i shkurtër. Nga Anglia vendoset në Francë, në Paris dhe pret që të kthehet në atdhe.


Në Shqipëri kishin ardhur në pushtet komunistët që arrestojnë të atin. Për Ali Begenë thuhet se pati pas kësaj fund të tmerrshëm në burgun e Tiranës në 1947-ën
Dy djemtë e tij iu bashkuan vijës politike që izoloi vendin për gjysmë shekulli.
Jusuf Begeja mbetet jashtë. Nga martesa me një francez i lindin dy vajza. Njëra nga ato u quajt Liri ose Liria Begeja, siç njihet në botën kinematografike.
Jusufi erdhi në Shqipëri vetëm në maj 1991. Kthimin në atdhe të të atit Liria dokumenton në "Rendez-vous në Tiranë", dokumentar që u transmetua në kanalin franko-gjerman "Arté".


Liri Begeja kishte realizuar tashmë në vitin 1987, filmin "Prilli i thyer", prodhim frëng i bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Filmi u vlerësua me çmimin e publikut në Festivalin e Lokarnos, dhe hyri në finalen për Çmimet César për veprën e parë, çmimi më i rëndësishëm kombëtar për kinemanë që jepet në Francë.
Historinë e saj shqiptare, ajo e tregon në një film biografik për familjen e saj, "Larg barbarëve" (1994) quhet. Ekipi i aktorëve është një ushtri e tërë artistësh shqiptarë që jetonë në Shqipëri, Francë e gjetkë: Timo Flloko, Larg barbarëve: aktorët shqiptarë Timo Flloko, Sulejman Pitarka, Piro Mani, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Lec Shllaku, Xhevdet Ferri, Sesilja Plasari, Anisa Markarian etj.
Filmi u shfaq po atë vit në Festivalin e Venecias.
Kritika e vlerëson për ndjeshmërinë ndaj temave sociale, varfërisë, prostitucionit apo emigracionit që ajo trajton në dy filmat e fundit "Ndryshoma jetën" i pritur veçanërisht mirë (protagoniste Fanny Ardant) dhe "Pa ty" (2004).


Dasma e Ramës, batutat e deputetëve

Dasma e Linda dhe Edi Ramës ka qenë kryefjala e ditës edhe në komisionet e Kuvendit. Madje, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë është hapur pikërisht me batutat për damën e çiftit Rama. Në këtë rast ishte deputetja demokrate, ajo që ka marrë meritat e dasmës. Ja batutat e plota...

Albana Vokshi: Qenkeni të gëzuar se martuat kryetarin. E shihni, unë e detyrova atë të martohej.
Malaj: Albana, ti do të ishe mirë të merrje shembullin e kryetarit tonë, bashkëjetesën ta kurorëzosh me martesë (qesh).
Edmond Spaho: Ore, thuajuni atyre biznesmenëve të PS-së që t'i blejnë një shtëpi kryetarit se s'ka lezet të jetojë më qira, tani është edhe familjar.
Flamur Noka (u fut kur mbledhja kishte filluar): Hë si shkoi dasma?


Rama në mëngjes në zyrën e PS-së
Dje dhëndër, sot në tryezën e punës. Kjo është historia e Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste, i cili ditën e diel u martua, ndërsa të hënën në mëngjes ndodhej në zyrë. Burime pranë kryetarit të PS-së, Rama, pohuan se ai është paraqitur në punë si çdo mëngjes, duke mos munguar. Këtë herë ai mbante në dorën e majtë unazën e platiniumit dhe si gjithmonë në të djathtën unazën e Bashkisë së Tiranës. Kryesocialisti ka vazhduar si gjithmonë ditën e tij të punës, duke zhvilluar takime me kolegë dhe bashkëpunëtorë.


Linda dhe Rea, kafe në Tiranë
Bashkëshortja e kryetarit të PS-së, Linda Rama, e ka kaluar ditën e saj në shoqërinë e vajzës, Rea Xhillari. Ato janë parë së bashku në një nga kafenetë e kryeqytetit, duke konsumuar kafen e mëngjesit. Nënë e bijë kanë treguar edhe një herë afërsinë me njëra-tjetrën. Këtë afërsi Rea e tregoi edhe një ditë më parë me bashkëmoshatarin e saj, Gregori Rama.


Diplomacia e Linda Ramës
Që Linda Rama nuk do të jetë thjesht një bashkëshorte e heshtur e Edi Ramës, u vu re që në ceremoninë e dasmës. Pas emocioneve të fillimit të ceremonisë, Linda u pa të merrte në dorë frerët e situatës dhe të ndihmojë bashkëshortin në punët e partisë. Stafi i Ramës pohoi dje se kanë mbetur të mrekulluar nga afrimiteti dhe njohja që ajo kishte me të gjithë. Ata vetë nuk e kishin takuar Lindën, por gjatë ceremonisë ajo shkon në çdo tavolinë duke trokitur gota dhe duke biseduar shumë përzemërsisht. Edhe gjatë bisedës së shkurtër me presidentin Topi dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama tregoi një afrimitet të madh. Ajo i dha kreut të shtetit copën e parë të tortës dhe më pas qëndroi disa minuta duke biseduar me zonjën e parë, Teuta Topi.
Pas ceremonisë, Linda Rama tregoi aftësitë diplomatike teksa arriti të ulë Edin me deputetin që kërcënon të largohet nga PS, Vangjel Tavo. Linda Rama zhvilloi një bisedë shumë miqësore me Tavon dhe bashkëshorten e tij. Këtë kohë e shfrytëzoi edhe Edi për të diskutuar shkurtimisht me deputetin socialist për problemet e shfaqura kohët e fundit.
Edhe "Lëvizja për mendim ndryshe", nuk kishte asnjë mendim ndryshe për bashkëshorten e kryetarit Rama. Linda u pa të bisedonte përzemërsisht me deputetët Kastriot Islami dhe Andisa Harasani. Të dy këta deputetë, prej kohësh kanë shfaqur pakënaqësitë kundër politikës së kryetarit të tyre, por ditën e dasmës u treguan shumë të përzemërt.
Tashmë, Linda Rama duhet të shoqërojë Edin në të gjitha ceremonitë zyrtare dhe në të parën dha prova se do të jetë protagoniste. Burime pranë Ramës pohuan se ajo plotëson bashkëshortin në shumë detaje dhe për këtë arsye çifti do të ketë shumë sukses. Me martesën e dy ditëve më parë, Edi Rama i dha fund edhe akuzave dhe insinuatave të shumta të kundërshtarëve politikë, si dhe qetësoi socialistët e bazës që mendonin se kryetari i tyre duhet të kishte një bashkëshorte përkrah.



_________


Dasma e Linda dhe Edi Ramës
Pakkush mendonte se Edi Rama do të zhvillonte një dasmë me më shumë se 500 të ftuar ku do të dilte një tortë dhe ai do të puthte nusen. Ata që e njohin sadopak kryetarin e PS-së e dinë që ai është një njeri ndryshe nga të tjerët, që preferon gjërat jashtë tradicionales.


Por, dje ai zbatoi traditën duke ftuar në dasmë miqtë, shokët, por edhe shumë bashkëpunëtorë dhe kolegë të tij ndër vite. Rama me kostum serioz si gjithmonë ndërsa nusja, Linda Basha, me një fustan për mbrëmje gala. Linda Basha iu shmang tradicionales duke mos vendosur as vello dhe as fustan nusërie.


Rruga për në dasmën e Ramës ishte shumë e vështirë për të gjithë të ftuarit. Edhe pse policia e Tiranës ishte zotuar se do merrej me trafikun rrugor, kjo ishte e pamundur. Karvani i gjatë i makinave nisi nga zona e Liceut Artistik për të përfunduar tek "Xibraku" ku edhe zhvillohej dasma.


Në orën 16.00 të ftuarit e parë nisën të popullojnë ambientet e jashtme të lokalit ku kishte nisur të shtrohej koktejli martesor. Pak minuta më vonë aty u shfaq edhe çifti. Edi Rama takoi dhe trokiti gotën me të ftuarit që ndodheshin në ambientet e jashtme dhe më pas hyri brenda ku qëndroi me nusen.


Ndërkohë djali i tij Gregori u shfaq në hyrjen e lokalit në vendin e parë të një makine me shofer "VIP", xhaxhanë e tij. Olsi Rama ka një muaj që ka ardhur në Shqipëri nga SHBA. Në pjesën më të madhe të kohës Gregori i veshur me kostum dhe një kollare të kuqe është shoqëruar nga xhaxhai.


Pjesa e jashtme e lokalit ishte shndërruar në një vendtakimi për shumë personalitete të botës së politikës, medias dhe artit. Rreth orës 17.10 të ftuarit kanë hyrë në ambientet e brendshme të lokalit për të pritur ardhjen zyrtare të çiftit.


Në vend të "damixhelave të nderit" çifti Rama kishte punonjëset e Bashkisë së Tiranës. Të gjitha vajzat e reja ishin veshur me fustane rozë dhe shoqëronin të ftuarit si dhe ndihmonin çiftin.


Banketi ishte vendosur në të dyja anët e sallës dhe çifti i ri kishte vendosur që gjithçka të ishte shqiptare. Duke nisur nga vera dhe për të përfunduar tek "sushi japonez", gjithçka ishte përgatitur në Shqipëri për t'i dhënë dasmës një ngjyrë patriotike.


Pak minuta më vonë në sallë ka hyrë çifti Linda dhe Edi Rama, të cilët janë pritur me duartrokitje nga të gjithë. Ata kanë ecur në rrugicën e ngushtë duke u mbajtur për dore dhe tek të dy të sapomartuarit vihej re emocion i madh. Nusja është tip i ndrojtur dhe kjo u pa edhe në sallë, por habia ishte tek kryebashkiaku dhe kryetari i PS-së.


Edi Rama ishte shumë i emocionuar dhe pothuajse gjithmonë mbante për dore të shoqen.


E para që mori fjalën ishte mikesha e vjetër e Ramës, regjisorja Liri Begeja. E ardhur në Shqipëri enkas për dasmën ajo tha se Edi Rama ishte lidhja e saj e vetme me këtë vend.


"Unë po mbaj fjalën e nderit se po të mos më lejoje të beja këtë gjë, do të të vrisja!",- tha duke qeshur Begeja, e cila shkaktoi humor në sallë dhe hoqi pak tension nga shpatullat e Ramës. Regjisorja më pas i dha Ramës unazën dhe u largua në mënyrë që çifti të kryente ritualin e shkëmbimit të unazave.


Unaza e kryebashkiakut ishte një rreth i thjeshtë platini, të cilin e vendosi në dorën e majtë. Në të djathtën Rama mban unazën e vjetër të zezë me stemën e bashkisë. Në dorën e majtë të Ramës ndodhej edhe një byzylyk artizanal ndërkohë që edhe nusja mbante në dorën e djathtë një unazë me gurë dhe një byzylyk me hallka. Edhe për të unaza e martesës ishte e thjeshtë, një rreth i hollë platini.


Pas ndërrimit të unazave u kërkua puthja tradicionale e çiftit të ri dhe kjo vuri shumë në siklet Linda Ramën. Nusja iu afrua dhëndrit dhe e puthi në faqe, por Rama i tregoi me gisht buzën dhe kërkoi që puthja të ishte aty. Mes të qeshurave dhe duartrokitjeve të sallës Linda, e skuqur në fytyrë, u afrua tek Edi dhe me shumë turp e puthi lehtë në buzë.
Pas kësaj në podium u ngjitën djali i Edi Ramës, Gregori dhe vajza e Lindës, Rea Xhillari.


Linda, tepër e mallëngjyer, përqafoi dhe puthi vajzën e saj dhe më pas Gregorin. Për disa sekonda ajo i mbajti të dy fëmijët e përqafuar teksa sytë e saj u mallëngjyen. E njëjta gjë ndodhi edhe me Edi Ramën.


Njeriu energjik dhe i ngrirë ndryshoi si me magji. Akulli që rrethon kryebashkiakun u shkri kur përqafoi të birin dhe u duk sikur nga çasti në çast ndonjë lot edhe mund të shpëtonte prej syve të tij. Gregori Rama i qëndroi pranë të atit, të cilit tashmë ia kishte kaluar nga shtatlartësia.


Rama përqafoi edhe Rean 20 vjeçare.


Pas kësaj vendin e nderit në podium e mori Olsi Rama, vëllai i vogël i Edit. Ai bëri përshëndetjen në emër të familjes Rama dhe më pas i uroi çiftit jetë të lumtur. Gjithçka ishte perfekte dhe e vetmja gjë që u vonua ishte torta, të cilën çifti e preu dhe e ndau fillimisht me të parin e shtetit, Presidentin e Republikës Bamir Topi.


Pas ceremonisë, çifti dhe të ftuarit dolën në ambientet e jashtme ku u takuan dhe bënë fotografi me pjesën më të madhe të të ftuarve.


Mungesa e prindërve


Në dasmë mund të ishin më shumë se 500 njerëz, por munguan më të afërtit e çiftit. Edi shoqërohej nga djali Gregori dhe vëllai Olsi, por jo nga nëna e tij, Aneta. Njeriu që i ka qëndruar më pranë se askush tjetër në këto vite, kishte vendosur që ta linte vetëm teksa festonte me shoqërinë.


Të njëjtën gjë kanë bërë edhe prindërit e Linda Bashës. Ata kanë marrë pjesë tek ceremonia e organizuar dy ditë më parë në shtëpi dhe për këtë arsye kanë vendosur të lënë "rininë" të festojë me miqtë.


Tendat e çadrave të grevës


Greva e urisë së deputetëve ka qenë një moment shumë i rëndësishëm në jetën e Edi Ramës, aq sa e kishte marrë me vete edhe në dasmë. Tendat e përdorura nga deputetët gjatë grevës së urisë, dje ishin shndërruar në tendat e kokteilit të dasmës. Shumë nga të ftuarit nuk kuptuan asgjë në lidhje me tendat, por ishin grevistët ata që kishin një afeksion të veçantë me to.


Standardi i Asamblesë


Mes të ftuarve të shumtë të veshur më së miri binte në sy edhe një shtresë tjetër e popullsisë. Ata ishin anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së, të cilët kishin ardhur nga të gjitha rrethet për të marrë pjesë në dasmën e kryetarit Edi Rama. Së bashku me ta ndodheshin edhe të gjithë kryebashkiakët e majtë.


Linda Rama kthen Tavon në PS


Vangjel Tavo mund t'i lëshojë ultimatume PS-së por dje ai u dorëzua përpara thirrjes së veçantë të Ramës.


Nuk ishte Edi por Linda ajo që ktheu socialistin në gjirin e familjes së tij. Vangjel Tavo dhe e shoqja u panë dje në ambientet e dasmës duke diskutuar më kolegët e PS-së. Por kur doli përpara Linda Ramës, Tavo u shfaq shumë dashamirës dhe shfrytëzoi kohën edhe për të diskutuar me kryetarin e partisë në lidhje me problemet e Gjirokastrës.

Mendimi ndryshe në dasmë


Sa herë që Edi Rama merr një vendim për Partinë Socialiste, aq herë shfaqet edhe Kastriot Islami, i cili thotë mendimin ndryshe. Por dje Islami nuk kishte asnjë mendim ndryshe.


Teksa trokisnin gotën me kryetarin dhe bashkëshorten e tij, Kastriot Islami dhe Andis Harasani miratonin fjalët e tij. Gjatë ceremonisë Edi dhe Linda Rama u panë duke pirë verë të bardhë, por kur trokitën gotat me "Lëvizjen për mendim ndryshe", ata u shfaqën me verë të kuqe.

Ina Rama e vetmuar...


Kryeprokurorja Ina Rama është parë dje në ambientet e dasmës në shoqërinë e miqve të saj të prokurorisë. Ajo ka qenë e shoqëruar nga shoku i klasës, Olsi Çela, i cili është emëruar prej saj në krye të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Kryeprokurorja nuk kishte me vete bashkëshortin.


Familja Presidenciale


Bamir Topi dhe e shoqja Teuta kanë ardhur disi me vonesë në dasmën e djeshme, por për ta ishte rezervuar një vend nderi. Madje çiftit presidencial i ka takuar edhe copa e parë e tortës.


Linda ia ka dhënë tortën presidentin ndërsa Edi bashkëshortes së tij. Pas kësaj Teuta Topi ka biseduar për pak minuta me nusen e re, ndoshta duke i treguar se sa e vështirë është të jesh bashkëshortja e një politikani të profilit të lartë. Por mes dy grave është vënë re menjëherë një marrëdhënie shumë e mirë.


Ish-mbështetësit e Topit


Presidenti Topi u zgjodh në këtë post me mbështetjen e fuqishme të një grupi të madh deputetësh të PD-së. Pas kësaj grupi nisi të zvogëlohej në mënyrë të ndjeshme. Disa prej tyre lanë politikën ndërsa pjesa tjetër e pa veten jashtë PD-së. Dje presidenti ishte i shoqëruar vetëm nga dy deputetë, Besnik Mustafaj dhe Sali Shehu.


Nikolla bën mazhorancën


Mazhoranca ka treguar se dy kampet politike janë ende në luftë dhe askush nuk është i lejuar të ushqehet me tortën e armikut. Me këtë moto asnjë përfaqësues i mazhorancës nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e dasmës së kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por një përfaqësues i mazhorancës ka dalë nga radhët, Nikollë Lesi.


Zv.ministri i Kulturës ka pasur dje barrën e vështirë të bëjë i vetëm mazhorancën në një ambient të mbushur me socialistë. Ai këtë gjë e ka bërë shumë mirë teksa dëfrehej dhe hidhte batuta me të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë edhe çiftin.


Lulet e Berisha-Meta


Kryeministri Sali Berisha nuk mund të shfaqej në dasmën e çiftit Rama, por nga ana tjetër nuk mund të mungonte në të. Ai ka gjetur një mënyrë tjetër për të qenë i pranishëm në dasmë. Rreth orës 15.30 makina e kryeministrit Berisha është parë në hyrje të vendit ku zhvillohej dasma.


Për të qenë i sigurt se të gjithë do e kuptonin se ishte dasma e tij, kryeministri ka dërguar personalisht togën e tij të shoqërimit. Ata kanë dorëzuar një buqetë me lule në emër të kryeministrit dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha. "I urojmë çiftit të ri fat, shëndet dhe lumturi në jetën e tyre bashkëshortore",- thuhet në kartolinën që shoqëron buqetën.


Të njëjtën gjë ka bërë edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta nuk e dërgoi buqetën e tij me lule në rrugë zyrtare, por më pas njoftoi zyrtarisht përmes zyrës së shtypit se edhe ai kishte marrë pjesë, në mënyrën e tij, në gëzimin e Edi Ramës.


Turpi i nuses


Të gjithë e kemi vënë re se Linda Basha, tashmë Rama, është e ndrojtur dhe i kushton vëmendje jetës së saj private. Ajo e ka treguar këtë gjë gjatë ceremonisë së djeshme kur i është dashur që të puthë bashkëshortin e saj. Me gjithë insistimin e Edi Ramës, Linda e ka puthur fillimisht në faqe dhe më pas e ka puthur lehtas në buzë. Të ftuarit duartrokitën ndërsa Linda Rama u skuq e tëra.


Gregori & Rea


Gregori Rama ka kaluar 20 vjet të jetës si fëmijë i vetëm ndërsa dje është bërë me një motër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Rea Xhillarin që tashmë është bërë me vëlla. Afrimiteti mes tyre është vënë re që në fillim të ceremonisë, por më shumë u vu re kur Linda Rama i përqafoi të dy. Më pas Rea u vendos në krah të Edi Ramës ndërsa Gregori në krah të Lindës.



***


Ai i veshur me një kostum të zi e kravatë të kuqe. Ajo me një fustan elegant ngjyrë pana, i cili kombinohej hijshëm me kostumin e bashkëshortit të saj me lule të vockla të zeza. Kanë qenë veshjet, me të cilat Linda dhe Edi Rama i kanë dhënë fund mbrëmë beqarisë. Edhe pse jo ende zyrtarisht, kryetari i Partisë Socialiste sot është i martuar me gruan e familjes tiranase Basha.


Për hir të saj, duket se Rama ka pranuar gjithçka "made from Linda". Ka qenë pikërisht ajo që ka përzgjedhur veshjen dhe arredimin festiv të shtëpisë në Pezë, ku mbrëmë është mbajtur darka private me familjarët e Edi Ramës dhe Linditës. Sigurisht që ka qenë pak larg nga skenat klasike, ku nusja shfaqet në mënyrë pompoze dhe më pas i premton dashurinë e përjetshme bashkëshortit të saj.
Dasma


Publikisht e quajti gjysmën e tij, ndërsa mbrëmë Edi i ka premtuar të jetë përkrah saj në të mirë dhe në të keq. E dëshmitarë të vetëm të këtij premtimi kanë qenë njerëzit më të afërt të çiftit të ri. Ndoshta, rastësisht, shtëpia nga ka nisur udhën martesa e Lindës dhe Ramës është pikërisht strehëza historike në fshatin Pezë të Tiranës. Aty rreth orës 21 të darkës, çifti i ri ka pritur të ftuarit. Nuk kanë qenë njerëz të njohur të politikës kësaj here, por njerëzit e ngushtë të rrethit familjar: prindërit, vëllezërit dhe motrat e çiftit të ri. Më shumë se sa një ceremoni dasme duket se nata e mbrëmshme ka qenë një sebep për njohjen dhe afrimin e dy familjeve.


Darka ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nuk ka pasur orkestër, por biseda dhe trokitje gotash vere të shoqëruara në sfond nga një muzikë e lehtë. Të pranishëm në darkën e mbrëmshme kanë qenë prindërit e Lindës, vëllai dhe motra e saj. Nuk ka munguar Rea, vajza 20-vjeçare e nuses së mbrëmshme. Ndërsa në anën tjetër të tavolinës kanë qenë të ulur njerëzit e afërt të Edit, ku përveç Anetës, nënës së tij, kanë qenë të pranishëm Olsi, vëllai i Edi Ramës dhe Gregori, djali i tij. Pjesë e tryezës kanë qenë dhe "të zotët e shtëpisë", familja e Dashamir Pezës.


Persona jashtë familjes që kanë marrë pjesë në darkë ishin Liri Begeja dhe një mikeshë e huaj e Edi Ramës. Kjo ka qenë tryeza, më të cilën mbrëmë Edi Rama dhe Linda Basha i dhanë fund beqarisë për të quajtur tash e tutje çifti Rama.


Zonja e shtëpisë, gruaja e Dash Pezës, rrëfen darkën intime në shtëpinë muze në fshatin Pezë të Tiranës

Entela Peza: Si u martua Edi Rama në shtëpinë time

Është mesditë dhe ende ka shumë gjëra për të bërë. Entelës i zien koka dhe si zonjë shtëpie që është kujdeset që çdo gjë të jetë gati për darkën e madhe. Në fakt, dhe pse nuk do të jenë shumë njerëz, për Entela Pezën dhe të pranishmit e kësaj nate, kjo është një darkë e madhe. Entela kujdeset për çdo detaj, paçka se gjithçka që përmban menyja dhe arredimi i shtëpisë janë të ideuara nga Linda dhe Edi. Nga mesdreka Entela kishte ende shumë punë për të bërë. Mungonte servisi i përsheshit të gjelit të detit. I bie telefonit për të përzgjedhur pikërisht atë të duhurin, që është me ato tasat e vegjël e me pjatancat e zbukuruara. E pasi sigurohet disa herë që pas pak do të vijë pikërisht ai i duhuri, Entela i hedh një sy një punonjësi sanitar që rrekej t'i jepte dorën e fundit pastrimit të oborrit dhe shtëpisë në hyrje, të së cilës dy shandanë të mëdhenj flakëronin gjithçka përreth.
I kanë sjellë aty në orët e para të mëngjesit, me dëshirën e mirë që qirinjtë do të ndikojnë sado pak në krijimin e një atmosfere sa më romantike, por Entela të shpjegon se shandanët, (pak më tutje ndodhen edhe një dyzinë ca më të vegjël) nuk do të përdoren gjatë darkës.


Nga jashtë, askush nuk e kupton dot që gjatë mbrëmjes në atë shtëpi do të bëhet një dasmë. Shtëpia Muze e Myslym Pezës nuk ka asnjë zbukurim nga jashtë. Ndërsa në hollin e shtëpisë, gjithçka është vendosur me një shije të hollë. Tavolinat janë të stiluara me mbulesa të mëndafshta, ku mbizotëron ngjyra panë dhe bezhë, e cila shkon hijshëm me dekorin e ambientit përreth shtëpisë muze.


Gotat dhe servisi janë shtruar në tryezë. Entelës i mungon njëri syresh që është pikërisht ai me të cilin serviret një nga ushqimet karakteristike të "tironcave", përsheshi me gjel deti. Entela tregon se menyja e darkës do të jetë krejtësisht tradicionale shqiptare. Që fillon me antipastat dhe deri te torta të shoqëruara me verë, sigurisht nga ajo e një cilësie me të mirë. Por, në mesditë, ende asgjë nuk ishte gati. Ndaj, dhe çdo tik-tak i orës rriste ankthin e Entelës. Ajo e di fort mirë që Linda dhe Edi janë "të fiksuar" në çdo detaj dhe Entela duket se ka bërë gjithçka që çiftit Rama t'i dhurojë natën më të bukur të jetës. Dhe duke gjykuar nga pamja e hijshme që kishte marrë shtëpia, duket se ia kishte dalë mbanë...


Policia, masa për dasmën


Ndërkohë, burime të policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se pas një letre të dërguar nga familja Rama, ata kanë marrë masa të shtuara sigurie për orët e dasmës së kreut të opozitës. Veç masave të sigurisë ka një plan masash për të lehtësuar trafikun dhe kushtet e tjera të lëvizjes gjatë orëve të ceremonisë, - bëjnë të ditura burime të policisë së kryeqytetit.

Fajon, dhuratë dasme për Ramën

Tanja Fajon, gruaja e lidhur ngushtësisht tashmë me çështjen e vizave të shqiptarëve, ka qenë dje në Tiranë. Asaj iu dorëzua Çelësi i Tiranës nga kryebashkiaku Rama dhe jo vetëm kaq. Fajon dhe Rama kanë darkuar bashkë dhe Fajon e ka uruar Ramën për dasmën.


Ajo i ka bërë kreut socialist edhe një dhuratë. Fajon ka ardhur nga Prishtina në Tiranë në një vizitë që nuk ka pasur të bëjë me ndonjë ftesë nga qeveria. Ajo është shoqëruar nga Erjon Veliaj në rrugën nga Prishtina në Tiranë


Këshilla e munguar e Rudina Magjistarit


Çfarë do të thotë të jetosh me një politikan aktiv? E kush më mirë se gratë e politikanëve mund t'i jepnin një këshillë bashkëshortes së ardhshme të kryetarit të PS-së. Mirëpo, nuk ka qenë kaq e lehtë të merrje një këshillë për zonjën Basha nga zonjat e rivalëve politikë të Ramës.


Me përjashtim të Liri Berishës që pyetjes së "SH2"-it iu përgjigj me një urim të shkurtër, gratë e tjera të politikanëve më të njohur të sotëm në vend, i janë shmangur (gati-gati me alarm!!) deklarimeve mbi dasmën dje gjatë kontakteve me gazetaren e "SH2"-it.


Xhoana Nano, gruaja e ish-paraardhësit të Ramës në PS, Fatos Nano, tha se nuk dëshironte të jepte asnjë këshillë dhe asnjë deklaratë për këtë dasmë, ndërsa Monika Kryemadhi, bashkëshortja e kreut të LSI-së, Meta, u shmang gjatë gjithë ditës së djeshme.


Një tjetër këshillë e munguar ka ardhur nga gruaja, e cila shumë më tepër se të tjerat e njeh bashkëjetesën me z. Rama, Rudina Magjistari. "Mendoj se nuk jam personi i përshtatshëm për të folur mbi këtë martesë", - tha ajo.


E kursyer në fjalë, por gjithsesi e hapur, ka qenë ndërkohë bashkëshortja e Sali Berishës. "I uroj çiftit Rama mbarsi e shëndet!" - tha ajo e pyetur nga gazetarja e "Sh2"-it.

No comments: