Friday, October 29, 2010

Martin Camaj, "Nderi i Kombit"


Nga Express

Shkrimtari Martin Camaj u vlerësua sot në mesditë me titullin “Nderi i Kombit”.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi me titullin e lartë personalitetin e shquar të letërsisë shqipe në një ceremoni zyrtare në Presidencë, me të ftuar familjarë, dashamirës e përkrahës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin propozuesit për këtë titull nderi për Camajn, familjarë e shoqata kulturore, të ftuar nderi si dhe botues e studiues të veprës së Martin Camajt.

Menjëherë pas dekorimit në ambientet e Qendrës së Studimeve Albanologjike u çel edhe një ekspozitë mbi Martin Camajn.

Ekspozita, e cila është realizuar në bashkëpunim me bashkëshorten e shkrimtarit, Erika Camaj dhe shoqatën kulturore “Camaj” në Mynih, sjell për shikuesit dokumente, dorëshkrime, botime të rralla, foto e objekte materiale të shkrimtarit.

Vetëm pak javë më parë, në 85-vjetorin e lindjes së Camajt, u promovua e gjithë vepra letrare e tij, gjithë sa kishte botuar më parë, si dhe veprat e lëna postume. Ato u mblodhën në dhjetë vëllime, që shterojnë veprën letrare të Camajt si poet lirik, prozator, tregimtar, dramaturg.

Botimi i plotë i veprës së Camajt ishte një projekt i Degës së Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, një trashëgimi për të cilën Camaj kontribuoi deri pak para se të ndërronte jetë. /noa/

No comments: