Sunday, October 24, 2010

Enveri në Byro: Si më futi Mehmeti në krushqinë e Turdive


Fakti i panjohur zbulohet nga një dokument i arkivit privat të diktatorit, i bërë publik së fundi në emisionin “Opinion” të gazetarit të mirënjohur Bledi Fevziu, në TV Klan. Është një referim nga mbledhja e përfolur e Byrosë Politike e 17 dhjetorit 1981, e thirrur me urgjencë për të kryqëzuar numrin dy të regjimit për zbutje të luftës së klasave. Enver Hoxha, teksa bombardon bashkëpunëtorin e tij më të afërt me një mori akuzash, befason liderët e tjerë me deklaratën e papritur, se e ka bekuar edhe vetë fejesën e djalit të Mehmetit me një vajzë me biografi të keqe politike. Pavarësisht rrethanave që e kanë futur në krushqinë e Turdive, për të cilat kreu i partisë shprehet se ka rënë viktimë e hileve të kryeministrit, rasti mbetet i pafalshëm dhe korrigjimi i tij nuk mjafton vetëm për prishjen e fejesës. Pikërisht, ky moment i mbledhjes së Byrosë Politike është censuruar në procesverbalin zyrtar, në të cilin janë retushuar, siç konstatohet nga dokumentari i zbuluar në TV Klan, edhe mjaft nga lajthitjet e vulgaritetet e debatit maratonë në atë kuvend të rëndësishëm të partisë. Siç dihet, mbledhja e 17 dhjetorit 1981 mori në shqyrtim autokritikën e Mehmet Shehut, të depozituar më parë në sekretarinë e KQ dhe pasi e rrëzoi si një alibi shfaqësuese, u mbyll në mbrëmje për të vazhduar të nesërmen në pritje të një reflektimi të thellë nga ana e kryeministrit. Atë natë, sipas variantit zyrtar, në kushtet e një krize nervore, numri dy i regjimit vrau veten. Prej këtej i gjithë arsenali i propagandës partiake do ta stigmatizonte ish-kryeministrin si poliagjentin më të rrezikshëm të të gjitha kohëve...

MEHMET SHEHU: Jam përpjekur sa kam mundur për të realizuar shkaqet e ngjarjes, që çuan te zbutja e luftës së klasave në rastin e fejesës së djalit tim. Tani shokët ta vlerësojnë si ta gjykojnë të arsyeshme.
SIMIN STEFANI: Si mendoni ju shoku Mehmet, pse ka ardhur ky qëndrim mikroborgjez, siç e ka vlerësuar shoku Enver? Cila është përgjegjësia që ndjeni?
PALI MISKA: A jeni i bindur ju, se ky gabim i madh politik që keni bërë është rrjedhim logjik i gabimeve dhe dobësive që keni pasur në punë e në jetë?
MEHMET SHEHU: Unë mendova se nëse Partia nuk do ta aprovonte, do ta prishja fejesën, ashtu siç në fakt ndodhi.
RITA MARKO: A e kishit parasysh atë që tha shoku Simon në momentin që morët vendimin e fejesës së djalit tuaj?
MEHMET SHEHU: Unë, siç e kam shprehur në autokritikën që kam bërë me shkrim për shokët e Byrosë Politike, në atë moment nuk e gjykova drejt. Nuk u thellova sa duhet mbi rrethanat e kësaj fejese. Këtu, veç atyre që them në autokritikë desha të veçoj dy faktorë kryesorë, që më bënë ta pranoj atë fejesë. Arsyeja e parë ka lidhje me traumën psikologjike, që ka kaluar djali (Skënderi). E dyta ka të bëjë me një kuptim të ngushtë që i bëra familjes së Qazim Turdiut, duke u nisur nga ajo se çdo më bënte kjo familje, e cila i ka këputur marrëdhëniet me pjesën tjetër të saj që ndodhet jashtë shtetit. Në autokritikë kam dhe shkaqe të tjera, të cilat e shpjegojnë këtë.
RITA MARKO: Një pyetje kam unë shoku Mehmet. A tregon ky veprimi juaj, se vutë interesat e djalit para interesave të partisë?
MEHMET SHEHU: Unë nuk u nisa nga ajo shoku Pali, që të vija interesat e djalit mbi interesat e partisë dhe fakti është se me këtë gabim që bëra u prek jo vetëm interesi i partisë, por edhe interesi i familjes dhe i vetë djalit. Po të isha nisur nga ajo që të vija interesat e djalit mbi ato të partisë, unë do të isha një armik. Po unë nuk e gjykova në këtë mënyrë.
RAMIZ ALIA: Ju e pranoni që këtë gabim...
MEHMET SHEHU: Në këtë rast unë kam gabuar...
RAMIZ ALIA: E pranoni me ndërgjegje të plotë që këtë veprim e bëtë në kundërshtim me vijën e partisë?
MEHMET SHEHU: Jo.
RAMIZ ALIA: Pse? Ju në fakt e keni bërë me ndërgjegje të plotë, kur thoni se këtë nuk do ta bëja në asnjë mënyrë për ndonjë nga fëmijët e tjerë. Këtë ua them dhe për t’iu ndihmuar. Sa për autokritikën me shkrim që ke paraqitur, unë do të them mendimin tim. Kur thoni se për fëmijët e tjerë nuk do ta pranonit një fejesë të tillë, do të thotë se keni bindjen se është në kundërshtim me politikën e partisë? Pse menduat ju se do ta toleronte partia? Pse menduat se për këtë partia nuk do të reagojë? Se po të mendonit se partia do të reagonte, nuk do ta aprovonit fejesën. Pra keni gjykuar se partia do ta pranonte. Pse menduat kështu? Kjo ka lidhje me atë që thanë shokët këtu, se ju e ndjeni veten mbi partinë e normat e partisë për ju nuk kanë vlerë?
MEHMET SHEHU: Jo, unë nuk e vë veten mbi partinë.
RAMIZ ALIA: Atëherë si shpjegohet?
MEHMET SHEHU: Shoku Ramiz, unë kam gabuar në këtë çështje kështu siç e shpjegoj në autokritikë.
RAMIZ ALIA: Aty nuk shpjegohet ajo shoku Mehmet. Nga një anë aty thua që është në kundërshtim me vijën e partisë, nga ana tjetër nuk shpjegoni pse e pranuat. Ju ç’menduat? Ky është problemi, ky është kyçi i gjërave...
MEHMET SHEHU: Në kompleksin e gjithë këtyre çështjeve që shpjegova...
RAMIZ ALIA: Atëherë kanë të drejtë shokët të kërkojnë llogari pse vure interesin e djalit mbi interesin e partisë.
MEHMET SHEHU: Unë nuk e kam vënë me ndërgjegje interesin e djalit mbi interesin e partisë...
ENVER HOXHA: Këtu u bënë disa pyetje, të cilat vërtetojnë të kundërtën e atyre arsyetimeve që të shtynë ty të veproje. Pikërisht këtyre duhet me ju përgjigjur, që të mund... domethënë, që të shërohet plaga. Kështu jo vetëm ke menduar gabim, por edhe ke vepruar gabim, duke vënë para interesave të partisë ato të djalit..
MEHMET SHEHU: Shoku Enver, këtu ka...
ENVER HOXHA: Këtu ne gjykojmë faktet...
MEHMET SHEHU: Lidhur me faktet...
ENVER HOXHA: Në atë moment domethënë e vure djalin mbi partinë. Aty e humbe atë, si të them...
MEHMET SHEHU: Ekuilibrin.
ENVER HOXHA: Domethënë e shkele vijën e partisë. Kjo është më e drejtë, ndaj duhet pranuar. Mos u përpiq ta eliminosh me shprehjet “në atë kohë” “në ato rrethana mendova kështu”, etj. Tani të vijmë këtu: E mendon ti si shkelje?
MEHMET SHEHU: Në atë kohë nuk e mendova kështu shoku Enver. Tani e kuptoj drejt.
ENVER HOXHA: Si e konsideron këtë?
MEHMET SHEHU: Të drejtë e konsideroj.
ENVER HOXHA: Kjo bindje të largon nga e keqja. Ne këtë duam, të të të largojmë nga e keqja.
MEHMET SHEHU: Vërejtjet dhe mendimet e shokëve janë të drejta. Në atë moment faktik, konkret duke gjykuar ashtu si gjykova unë, por në fakt nuk gjykova drejt, u dëmtua njëkohësisht interesi i partisë, po dhe interesi i djalit dhe familjes sime...
ENVER HOXHA: Këtu ka një hap përpara. Tani kupton po të krahasosh përgjigjet e para me këto, ka ndryshim kupton...
RITA MARKO: Shoku Mehmet ka pasur dhe herë të tjera probleme me sjelljen e fëmijëve...
MEHMET SHEHU: Unë e them se qëndrimi ndaj fëmijëve nuk ka qenë në shkallën e duhur. Për këtë ka pasur dhe shokë që më kanë folur më parë. Unë i kam kritikuar rëndë djemtë për sjelljet e padenja dhe këto kohët e fundit kam vënë re një përmirësim të dukshëm tek ta. Po detyra ime është që t’i shkoj deri në fund...
RITA MARKO: Ka probleme me fëmijët. Djali vete jashtë shtetit i veshur si i huaj, e ne habitemi. Bredh djali tjetër nëpër rrugë si mos më keq, e çuditet mileti. Në festivalin e Gjirokastrës habiti njerëzit, që e shikonin me habi dhe pyesnin ç’është ky kosovar, njerëzit flasin. Ju shoku Mehemt, u keni krijuar vetë kondita fëmijëve dhe nuk ju shqetëson sjellja e tyre jo e denjë. Si ka mundësi që nuk keni ndërhyrë, ndërkohë që ne duhet të ndërhyjmë dhe për të tjerët, e jo më për fëmijët tanë.
KADRI HAZBIU: Unë kam folur dhe më parë me shokun Mehmet për punën e fëmijëve. Ka qenë prezente në publik sidomos paraqitja ekstravagante e tyre. Shoku Mehmet këtë e ka parë patjetër. E ka parë dhe është pajtuar në një formë a në një tjetër...
MEHMET SHEHU: Tani kjo puna e fëmijëve....
KADRI HAZBIU: Do të thoni se nuk i keni parë. Po makinat që kanë në dispozicion, nuk ua ka zënë syri? Po motoskafët shoku Mehmet që janë bërë problem disa herë në Durrës, nuk i quani si shqetësim ju? Si ministër i Brendshëm para disa kohësh më erdhi informacioni për një lloj kaosi, që kishin bërë djemtë tuaj në vilat e Durrësit, ku fusnin aty edhe derrin e dosën. Thirra urgjent komandantin e Gradës së Republikës dhe i thashë: Ç’ndodh te vila e Mehmet Shehut?! Ai më ka thënë se gjithçka bëhet me dijeninë dhe lejen e kryeministrit. Në shoku Mehmet kemi folur bashkë disa herë për këto probleme dhe deri diku i ke marrë masat, por këto kanë ndodhur.
ENVER HOXHA: Ti the shoku Mehmet se unë kam pasur dijeni lidhur me fejesën e djalit tuaj. Përsa i përket vënies sime në korrent, ti ke bërë një gabim, një hile desha me thënë. Mehmeti thirri djalin tim me nusen e djalit të priste për herë të parë nusen e Bashkimit (nusen e Skënderit e korrigjon një nga të pranishmit). Unë e mora vesh atë ditë dhe pyeta djalin: “Ku po shkon?”. - Shkoj te shoku Mehmet, më tha, se na kanë thirrur. Pse u kanë thirrur?, e pyeta prapë. Fejon çupën (djalin korrigjon dikush nga të pranishmit). Uuu, me kë?, i thashë. Me çupën e një profesori, më sqaroi. Po si e quajnë?, u interesova më tej. Filani, tha djali. Epo mirë, t’i trashëgohet, shtova unë. Dhe iku djali me gjithë nusen, shkoi në gosti. Djali i Enverit, në krye të krushqve të Turdive. Një hile kjo nga Mehmeti dhe Fiqiretja. Një hile për të kompromentuar djalin tim, familjen time. Një djallëzi e paramenduar që të thoshin të tjerët se te familja e Turdive ishte dhe djali i Enverit me të shoqen. Prandaj unë e quaj hile. Pastaj unë shkova për ta uruar për shtëpinë e re, por edhe për fejesën, për të cilën më kishte vënë në dijeni djali. Unë jam i bindur se Mehmeti, atë moment që vendosi për fejesën me hile, nuk më vuri në korrent. Po Mehmeti nuk më vuri në korrent dhe një çikë më vonë. Të më thoshte: - Shoku Enver, unë e bëra këtë, po tani si t’ia bëjmë?! Dhe me këtë vajtjen time për urim u vulos sipas Mehmetit gjithçka, se Enveri është dakord me fejesën. Mori fund kjo. U bë krushqia. Mbas gjithë kësaj, më vonë, erdhën dhe lajmet për atë që nuk shkonte në krushqi. Ç’është kjo që u bë? Dhe këtu ky ka ndjekur një taktikë të gabuar, shumë të gabuar. Kjo ishte e rrezikshme, po kështu u bë shumë e rrezikshme, pasi ka njerëz që e morën vesh se fejesa u miratua dhe nga Enveri. Të parët që u ngrohën nga kjo ishin familjarët e vajzës. Kështu që situata u bë shumë e rënduar...
KADRI HAZBIU: Gabimet tuaja shoku Mehmet nuk janë sporadike. Vetë metoda juaj, mbyllja juaj, nuk është e shpjegueshme lehtë. Rregulli jo normal i jetesës u ka shkëputur nga shoqëria. U ka çuar në atë që t’i shikoni gjërat me dyshim. Këtë e tregon dhe ajo që më keni thënë disa herë, se mos të përgjohen telefonat...
ENVER HOXHA: Si është kjo puna e telefonave?
MEHMET SHEHU: Kjo ka ndodhur kur kam konstatuar që më është prishur telefoni.
ENVER HOXHA: Pse prishen telefonat e tu dhe tanët nuk prishen? Si është e mundur të kemi dyshim se në sistemin e brendshëm të telefonave na përgjojnë?
MEHMET SHEHU: Kjo një rast ka qenë shoku Enver
PALI MISKA: Ka dhe diçka tjetër që nuk shkon shoku Mehmet. Në një Shkollë të lirë ushtarake në qytetin “Stalin”, në çdo qoshe shikon të afishuara me dhjetëra parrulla e citate me emrin tuaj. Kjo është e papranueshme. Për pikëpamjen time, ky është një lloj dualizmi që kërkoni të impononi në parti e në popull. Pse nuk ka dhe citate të shokut Ramiz e të udhëheqësve të tjerë...
MEHMET SHEHU: Ku ta di unë se çfarë është shkruar në një repart në qytetin Stalin?
PALI MISKA: Juve shoku Mehmet u bëtë disa kohë ministër i Mbrojtjes dhe nuk ma do mendja që nuk keni shkuar në reparte, ku ka me dhjetëra parrulla të tilla. Juve u vjen mirë që u lavdërojnë në këtë mënyrë. Ju vjen mirë të dëgjoni që shoku Mehmet Shehu bëri atë e bëri këtë. Jo shoku Mehmet nuk është kështu si thoni ju. Një gjë e tillë është një defekt serioz i karakterit tuaj...
MEHMET SHEHU: Tani desha të them se...
ENVER HOXHA: Një minutë shoku Mehmet. Le ta vazhdojmë nesër këtë mbledhje. Sot të gjithë shokët me zemër të hapur të vunë në dukje gabimin tënd të madh politiko-ideologjik dhe reflektuan gjithashtu nga rrodhi ky gabim. Kjo tregon nivelin e lartë marksist-leninist të shokëve për të ruajtur vijën e partisë të pastër dhe për të të ruajtur ty shoku Mehmet. Mendimi im shoku Mehmet është se ato që do të thuash nesër duhet të jenë të bazuara, jo të jenë si këto “jo “kështu, jo ashtu”. Ti merr esencën e gjërave, thelbin e tyre. Ajo na intereson ne. Të japim ndihmë me dashuri komuniste që të ndreqesh, por të na kuptosh si udhëheqës, si komunist dhe jo të biesh në pozita sentimentale për punën e djalit. Prandaj që të arrish në një konkluzion sonte natën, se sonte natën nuk duhet të të zërë gjumi, se veçanërisht për ty është shumë e rëndë kjo situatë. Të këshilloj që ta rrëzosh këtë autokritikë alibi që na paraqite në byro, se ke gjetur një alibi për të shfaqësuar gabimin politik që ke bërë. Përpara logjikës së fortë marksiste-leniniste të shokëve nuk mban kjo alibi. Shokët gjykuan e gjykojnë drejt. Çështja është e rëndë jo vetëm përsa i përket fejesës. Kjo e keqe u bë mirë që u hap. Ti e hape këtë. Ti je autor i saj! Ti reflekto! Kështu do ti bësh dhe një shërbim të mirë partisë. Pra, ta mbyllim sonte dhe le ta dëgjojmë dhe një herë Mehmetin nesër. Nesër do të flasë edhe unë për këtë çështje. Mirupafshim nesër!

Përgatiti. Af.Im

No comments: