Friday, October 29, 2010

Dasma Ramaiste me imazh beteje!





Written by Gazeta Sot
Thursday, 28 October 2010 00:00

Nga Edip SHIROKA

Që nga lashtësia vjen marrëdhënia njerëzore që pas çdo beteje të egër, të pamëshirshme dhe të përgjakshme, në mes forcash kundërshtare për territore, për influenca apo për përfaqësime të grupeve të ndryshme sociale, i jepej kohë kundërshtarit dhe vetes

për të mbledhur të plagosurit ose për të nderuar të vrarët, sipas zakonit respektiv. Kjo quhej armëpushim dhe nderim për të rënët, ishte kohë për grumbullim forcash, përpunim strategjish të reja urgjente dhe e domosdoshme për përgatitjen e betejës së radhës. Në ato vite, koha për përgatitjen e betejës së radhës, nuk ishte kohë për përgatitjen e dasmës së radhës. Falë zotit dhe faktorit politik botëror, betejat e atij lloji nuk ekzistojnë më, por betejat për dasmën e radhës mund të ndodhin shumë shpejt, kjo është e pesta herë, e ndoshta edhe pas 8 Majit 2011, mund të kemi të gjashtën. Edhe dasma Ramaiste, jo socialiste, kishte imazhin e një beteje. Dukej si një betejë, në mes dasmorëve Ramaiste e makinave luksoze mbi 800 syresh, në mes dasmorëve Ramaiste e lavazheve, për të qenë sa më të lustruar, pikave të karburantit, për të qenë full, që vetëm atë ditë patën një xhiro të rritur prej rreth 35 mijë litrash, në mes dasmorëve Ramiste e butikëve firmato, në mes dasmorëve Ramaiste e souvenirëve, se kush e kush të kompletojë garsonierën e marrë me “qira” te Rrapushi. Mbase dikush mendoi edhe për pagesën e qirasë për një vit aq sa çifti princo-politik të jetë pa trashëgimtar të përbashkët, se me të tretët i kanë nga një. Në kohët e lashta, të rënët apo të lënduarit kishin vështirësi në identifikimin e tyre. Në dasmë-betejën Ramaiste, kjo bëhej tejet e thjeshtë edhe falë teknikës HD, përkundër asaj të porositur nga princi i kaltër, medemek socialist, që u shpërnda kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, duke kujtuar se kurrkush nuk e merr vesh, se kush vritet e kush plagoset, apo lëndohet në këtë dasmë-betejë. Iku koha e privacisë, është koha e facebook-ut. Dasmë-beteja Ramaiste (prapashtesa ste, nuk ka lidhje me përkatësinë socialiste), si çdo betejë tjetër, pati edhe kjo të rënët dhe të lënduarit e saj. Të rënët ishin shumë, akoma më shumë ishin të lënduarit. Aq e vërtetë është kjo sa do ishte më mirë që kjo dasmë-betejë të hapej me frazën, “të dashur të lënduar e të lënduara”. Nuk është e udhës që ti japim vlerë se sa më shumë ishin të lënduara se të lënduar. Këtë e dinë mirë ato që e hoqën në shpinën e tyre, e për të tjerët e do një kohë, të paktën deri me 8 Maj 2011. Deri atëhere, që për këtë dasmë-betejë të shprehet sovrani, (sapo filloi me Trebinjën) besohet se do kemi edhe ndonjë dyzinë opinionistësh, paparacësh,qytetarësh, intelektualësh e pa dyshim edhe politikanësh për të bërë diferencën. Nuk ka nevojë për ekuacione matematike të shkallës së lartë të vështirësisë, pasi kemi të bëjmë me të “panjohurën” e vetme që e njohin të gjithë, Rama e fenomeni i tij. Pas kësaj besohet se nuk do kemi më justifikime trashanike apo pretendime foshnjarake. Terreni ku u zhvillua dasmë-beteja Ramaiste, është mjaftueshmërisht i njohur me klanin rreth princit të kaltër. Si një çiflig i vërtetë, sot duket si një fermë e pronë e përbashkët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Ramaiste. Kaq e vërtetë është kjo saqë anëtarët e asamblesë kombëtare Ramaiste, nuk kishin nevojë për ftesa, për guidë destinacioni. Është shumë i rëndësishëm fakti që kjo dasmë-betejë ndikoi fuqishëm duke përmirësuar koeficientët ekonomikë të zhvillimit të vendit. Ndihmoi në rritjen ekonomike për këtë tremujor duke rregulluar GDP dhe ulur inflacionin. Në zërin shërbime pati një rritje në masën 5 %, në zërin konsum 10 % (këtu futen të gjitha shpenzimet e dasmë-betejës, shpenzimet e transportit, hoteleri dhe akomodim, souvenire e dorovitje, si dhe shpenzime plotësuese të patatueshme). Organizimi ishte një qëllim në vetvete. Cifti princo-politik nuk e kishte për herë të parë, e kishin llogaritur mjaft mirë deri në detaj edhe se kush do “vritej” e kush do “lëndohej”. Në raport me të “vrarët” të “lënduarit” ishin me shumë. Të piketuarit për tu “vrarë” falë edhe intuitës dhe përvojës së tyre i kishin marrë masat mbrojtëse dhe u mjaftuan vetëm me përfaqësimin e tyre nëpërmjet buqetave të freskëta me karafila, apo dërgimit të mesazheve përshëndetëse. Kush nuk e kuptoi këtë, përfundoi në parkingun e “Xibrakut”, ku dukeshin qartë bodyguard-ët rreth targës 0001, që me thënë të vërtetën naiviteti i çiftit presidencial përzihej me lumturinë e çiftit princo-politik, e kur shijuan tortën e dasmë-betejës së pestë, të jepnin përshtypjen e fëmijëve të gëzuar që për hir të shijes së ëmbël të tortës ishin të gatshëm të shijonin edhe ndonjë tjetër diku pas një viti. Asgjë nuk është e pamundur pasi tashmë ja kanë zënë dorën, “Xibraku” është aty, te Rrapushi ka akoma garsoniere me qira, 2012 po vjen. Të lënduarit e të lënduarat e kësaj dasmë-beteje janë shumë, shumë shpejt pjesën kryesore të tyre koha do i shërojë, për ti kthyer në një jetë normale e pjesëmarrje aktive në jetën politike të këtij vendi, që ka shumë nevojë edhe për kontributin e tyre.

No comments: