Shkruan:
Artur Zheji
Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka zgjedhur si metaforë paraelektorale një akt ekspresiv politik, shembjen e Piramidës, që rri kaq vjet si një puçërr përkujtimore, në qendër të kryeqytetit tonë tejet puçrranjos në beton dhe shëmtira.
Kjo është një zgjedhje e tij, një provokim politik, jo pa efekte dhe jo pa debate të ndezura.
Reagimi i Opozitës, tashmë reagimi Rama, pasi Partia e dikurshme Socialiste, partia e 1001 shkollave, është padyshim partia e Njëshit, reagimi Rama pra, krahasoi me lehtësi diletante, Piramidën me Reichtagun. Pra, pasi e hëngri esëll provokimin e Doktorit, kryebashkiaku shekullor bëri, me siguri pa dashje, një gafë historike.
Reichtagu është ndërtuar në Berlinin perandorak dhe është hapur në vitin 1894. Tullën e parë e ka vendosur perandori gjerman Wilhelmi i Parë, shndërruesi i Prusisë, së bashku me Kancelarin Otto von Bismarck, në një Reich të bashkuar.
Reichtag ishte, pra, në origjinë të vet, një seli parlamentare e Gjermanisë së Bashkuar, e cila nuk lidhet me emrin e Hitlerit dhe as ka qenë objekt kulti për të. Përkundrazi, komunisti bullgar, agjent i Internacionales staliniste, antifashisti Dimitrov dhe më pas Bertolt Brecht-i dhe të tjerë, akuzuan se ishte Hitleri ai që e dogji Reichtagun, për të akuzuar komunistët dhe më pas për t’i shfarosur ata. Kjo tezë akoma edhe sot, ngelet një hipotezë, pasi mungojnë provat. Kjo është e vërteta historike. Kryetari le ta konsultojë.
Po Piramida e mermertë?
I kujtoj Ramës, që shfaqet kujtesëhumbur në shumë gjëra tashmë, se kjo “vepër monumentale” u ngrit me vendim të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, për të përjetësuar jetën, veprën e përjetshme dhe fitorjet e Enver Hoxhës.
Dihet se kush është edhe grupi i arkitektëve, udhëhequr nga familja e diktatorit, dihet dhe kush ka qenë komisioni aprovues dhe grupi i punës. Pa dashur të thellohem më tej mbi emrat e “vizionarëve” që e ndërtuan, besoj është i qartë sfondi i kuq politik dhe enverist, në të cilën kjo Piramidë u konceptua, u përzgjodh, u ndërtua dhe u lartësua.
Do të vazhdojmë të falsifikojmë historinë?
Të themi se Piramida është një pasuri kombëtare arkitektonike? Një vlerë historike që duhet të mbetet? Një zgjidhje urbanistike e vlefshme?
Apo kemi të bëjmë me mishërimin e plotë të politikës së vjetër, në të gjitha poret e veta, në të gjitha detajet dhe madje në të gjitha “puçrrat” e shumta të kryeqytetit?
Në vendin tonë falsifikimi, falsifikimi i thellë, është me sa duket lëng jete, lëng karriere dhe lëng ekzistence. Ky është dukshëm, “borxhi“, një hap i detyrueshëm përbetues, për t’u bërë pjesë e sektit dhe të Kupolës së politikës shqiptare.
Sepse mund të diskutohet kostoja e operacionit, nevoja imediate ose jo, por pjesa tjetër më duket një mërziti retorike, një trishtim i thellë dhe një enverizim i neveritshëm.
Në të njëjtin emision, për koincidencë ose jo, tek fliste për dasmën e tij, dhëndri kryeopozitar, tregoi me mallëngjim dhuratën më të çmuar që mori atë ditë “magjike”, një pusullë nga Dritëro Agolli, shkruar me dorën e tij dhe palosur në kutinë e penës së tij…
Më vjen keq Dritëro, ndonëse më shkrove një paçavure arrogante dhe plot fyerje, si përgjigje të shkrimit tim të paradoditshëm në MAPO, nuk u përgjigja, për etikë.
Por si dhe të thashë në shkrimin e mëparshëm, është Rama që të tërheq në fokus, si një vulë të vjetër me dyll të kuq, si një certifikues të vetin dhe të partisë gjithmonë e më shumë kuqalashe.
Është neveria e falsifikimit të realiteteve dhe interioreve, që më shtyn të shprehem publikisht, për ty, ish-Kryecensorin e Përgjithshëm të ish-regjimit.
Poetin, anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ndërkohë që të tjerë poetë, dergjeshin burgjeve apo varreve pa emër. Sepse edhe poet edhe anëtar të Komitetit Qendror të Partisë, edhe Kryecensor edhe romancier, edhe këngëtar i Enverit (/Për Enver Hoxhën këngë thur tërë jetën/ Komunisët) edhe i “persekutuar”, vetëm ti mund të jesh dhe kjo besoj nuk është shpifje, apo jo.
Por nuk je ti, Dritëro, as kësaj radhe objekti i këtij shkrimi, është ish-“rebeli” antikonformist, që është futur në Kupolën e konformizmit dhe për këtë përdor edhe pusullën tënde edhe kutinë “historike“ të pendës tënde.
Ditën që vdiq Hoxha, së bashku me Edin, ikëm larg syve të botës, sepse nuk arrinim të fshihnim dot gëzimin tonë të ekzaltuar, që Oktapodi i madh, “Kuçedra” që kish zënë dhe pushtuar “burimin e lirisë“, ndërroi jetë.
Nga Zoti dhe jo nga robi. Dhe nuk i gëzoheshim vdekjes së njeriut, Enver Hoxha, por ndalimit të jetëve që ai merrte, të lirisë që ai vriste, të lirivrasësve që ai mbante përreth, nxiste dhe udhëhiqte.
Dhe tani, ti Dritëro, do t’më mërzitesh përsëri, sidomos Sadija fisnike, porse, në atë dasmë politike, me presidentë dhe kryepriftërinj, me ish-kryeministra dhe me plot njerëz puçrra, arlekinë, oborrtarë, klounë dhe hipokritë, shumë hipokritë, dhuratën më të madhe dhe më të shtrenjtë e paskëshe dhuruar ti.
Jo Lubonja, ish-i burgosur politik i regjimit komunist; jo Ali Oseku, piktor i madh i dënuar por jo i nënshtruar, si dhe të tjerë liridashës, sot larg tij, që e frymëzonin dikur Edi Ramën, pikturën dhe identitetin e tij alternativ.
Trishtim i madh, apo jo?
Në këtë sfond ti Dritëro, je padyshim shumë më koherent dhe ke lënë pas, aty këtu, ca vargje që do të t’i kishte zili edhe Heinrich Heine, ndërsa Rama, tashmë vetëm kryetar i Partisë Socialiste, me militantë që flasin me zërin e tij, arsyetojnë me sintaksën e tij, artikulojnë si sozitë e tij, nxjerr, jo ata, por ty, ty Dritëro, në tregun e mallëngjimit postkomunist, “penën” tënde dhe “pusullkën” e shkrojtur me dorën e dridhur.
Tani edhe një sqarim. Të gjitha këto, do të mund të mbeteshin një monolog i brendshëm, një gjykim i heshtur që kapërcehet poshtë me një gotë konjak të mirë apo raki nga e jotja, me ca fraza poetiko-filozofike të Edgar Allan Poe-s dhe me ca vargje të Charles Baudelaire-t, porse nuk rrimë dot në tapetin Persian të poezisë dhe artit, jemi mjerisht të katapultuar në një Metamorfozë kafkaiane, ku njeriu shndërrohet në buburrec…
Dhe si t’ia bësh kur dëgjojmë në Tv, nga Kryeministri hije, për dy Piramida? Për piramidën mauzole të Hoxhës dhe piramidën e pusullkës Tuaj, Dritëro?
Si do të jetë vallë, jeta dhe vdekja, qyteti dhe xhungla e kryeqytetit, shteti dhe qeverisja e tij, nga piramidëdashësi, kryetar aktual i Partisë Socialiste Shqiptare?
Që ngatërron, për hir të të vërtetës së inkoshientit të tij, Piramidën e Hoxhës me Reichstag-un e Wilhelmit?
Kjo është çështja, dhe kjo çështje është çështje e kalamanëve që duam të rrisim në këtë vend, sa të bekuar aq edhe të mallkuar.
Dhe sinqerisht nuk do të doja të jetoja dhe aq më tepër të rrisja fëmijët e mi, në një epokë restaurimesh postkomuniste.
Nëse shembja e Piramidës Puçërr, shërben për këtë, shërben për ndaljen e frymës restauratore, Piramida le të shembet!
Nuk është as Piramida e Keopsit dhe as Reichtagu, apo jo?
No comments:
Post a Comment