Friday, October 29, 2010

UEFA penalizon Serbinë: Itali-Serbi 3:0 në tavolinë gjobë për Federatat

NION- Serbia do të humbasë 3-0 ndeshjen në tavolinë, do të luajë një takim pa tifozë dhe një me kusht, ndërsa do të paguajë edhe 120 mijë euro gjobë. Ka qenë ky vendimi i Komisionit Disiplinor të UEFA-s për ngjarjet e dhunshme të 12 tetorit, kur në Xhenova të Italisë u dogj flamuri shqiptar, ndërsa ndeshja mes Italisë vendase dhe Serbisë u ndërpre për shkak të përleshjeve të huliganëve serbë me policinë. Këto akte, që shkaktuan një valë polemikash dhe akuzash mes dy vendeve, ndërsa ishin në qendër të vëmendjes së të gjithë opinionit futbollistik ndërkombëtar. Ndërkohë, penalizimit nuk i ka shpëtuar as Federata Italiane, e cila është dënuar me një ndeshje me kusht dhe 100 mijë euro gjobë për mosmarrje të masave të sigurisë. Në këtë rast, kushti është që nëse në Itali, nuk ndodh asgjë, dënimi do të hiqet.

Përfaqësuesit e Serbisë dhe të Italisë ishin të premten që në mëngjes në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, ku është zhvilluar edhe një ballafaqim mes palëve. Takimi ka zgjatur 4 orë dhe i pari që ka folur ka qenë arbitri skocez Tompson, i cili ka shpjeguar arsyet përse e mori vendimin për ndërprerjen e ndeshjes Itali-Serbi. Më pas ishte radha e delegatit të UEFA-s, që ka nënvizuar bashkëpunimin shumë të mirë me Federatën Italiane. Ndërkohë, pala italiane i ka mëshuar faktit se nuk kishte marrë asnjë lloj informacioni nga Serbia për rrezikshmërinë e ultrasëve në stadiumin e Xhenovas.

E ndërkaq, përfaqësuesit e Serbisë kanë akuzuar sërish Federatën Italiane për mosmarrje masash. Në fund, është marrë vendimi, që është zbardhur rreth orës 15. Përveç dënimeve të mësipërme, Serbia do të luajë një ndeshje tjetër me kusht, pra nëse ndodh diçka, fusha do të jetë automatikisht e pezulluar. Pas këtij vendimi, Federata Serbe ka kohë deri të hënën të bëjë apelimin, ndërsa ekziston edhe mundësia që çështja të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Ndeshja Itali-Serbi e 12 tetorit u ndërpre pas vetëm 6 minutash për shkak të akteve të dhunës të ndërmarra nga huliganët serbë. Një person i quajtur Ivan Bogdanov dogji flamurin shqiptar në sytë e gjithë botës, ndërsa më pas ai u arrestua në bagazhin e një autobusi. Ky akt i dha jetë një vale protestash në Shqipëri e Kosovë nga ana e shqiptarëve. Në Tiranë, para Ambasadës Serbe, u dogj dy herë flamuri i Serbisë.

(m.a/A.LatifiBalkanWeb)

No comments: