Friday, October 29, 2010

UDHËTIM ME PERSONAZHET E MARUBËVE


“Kush je? Jo. Jo. Nuk dua. Hajd, nuk dua“. Këtu mbyllet kërkesa, shoqëruar me mirësjelljen telefonike drejt Znj. Terezina, pinjolles më të afërt të familjes së Marubëve. Zhgënjimi është i madh e bash edhe më i hidhur zëri i saj. Për fat, ajo është ajo, pasi të parët e saj tashmë i janë drejtuar historisë. “Dakord Zonjë. Dakord”, i gjegjem në përpjekjen e pafatë për të folur pak më afër me një nga njerëzit e mbetur të Dinastisë së njohur fotografike për trashëgiminë e MARUBËVE…Kjo është një nga përfaqësueset e gjalla të tyre në Shkodrën e sotme.

Në një ditë të sotme tetori, ngarkuar me shiun shkodran, shkojmë më kot për të folur me pasardhësit e mbetur të familjes MARUBI. Pas telefonatës së hidhur, rrugën e bëjmë pa shpresë sepse për fat kemi siguruar një takim me drejtoreshën e Fototekës MARUBI, Znj. Semiha Osmani. Është e disata herë që shkoj aty, ndërsa për miqtë e mi gjermanë është thjesht hera e parë. E adhurojnë Shqipërinë prej Shkodrës dhe këtë të fundit prej MARUBI-t dhe gjithçka e kanë të lidhur me të. Më duket sikur çdo mjedis apo çdo personazh e lidhin me trashëgiminë e imazheve të MARUBIT. Kjo më bën të druhem dhe mos t’ua sjell fjalë për fjalë bisedën telefonike të një dite më parë me Znj. Terezina. Si për ironi, Shkodra e shiut duket njësoj e dalë si nga ndonjë negativ i tyre. Shi i papushimtë (tipik shkodran); Rrugë të zëna; makina që nuk respektojnë asgjë, njerëz që s’pyesin për rregulla dhe kuptohet kaos. Shumë kaos. Shkodra, me gjithë ndryshimet e mëdha të viteve të fundit, është qyteti më i paorganizuar urban i vendit. Të gjithë nguten të futen në qerthullin e tyre, që nuk të çon askund. Mbase kjo duhet ta ketë ngacmuar italianin Pietro, të parin e Marubëve kur erdhi në këtë vend. Të ketë menduar se duhet t’i fiksonte? Kush e di? Nuk ka kujtime prej tij, ndërsa Marubët e kultivuar nuk lanë gjë për historinë e tyre. Vetëm se na dhanë gjithë jetën dhe temperamentin e Shqipërisë, që derdhet prej këtyre njerëzve. Kam fiksuar dy apo tre foto me shi të tyre, ku mbase ka pasur shi po kaq, por kuptohet qarkullimi ka qenë më i lirë. Atëkohë në vend të makinave në këtë vend lëviznin qytetarët vendas zhytur në të përditshmen e tyre, malësorë të drobitur, që shisnin ndonjë gjë dhe tregtarët aq të njohur…që e mbushën me nam vendin.

Në qytet
Edhe pse me zulmë të madhe, tregtarë, konsuj, ushtri ndërkombëtare dhe madje edhe varreza internacionale, kryeqendra e veriut është zhgënjyese. Shiu i tetorit 2010 të përcjell menjëherë në kohën e dy Marubëve të parë. Nuk e di pse ka një ndjesi të mbetur që Shkodra të njihet gjithmonë nga ajo kohë, por ai duket edhe si të jetë plazmimi më i mirë prej Marubëve për Shkodrën. “Ktu asht horrllëk. Kena mbet si n’at kohë. Shih ku shesim?“ Në fakt, ajo kohë është para viteve ’90, kur Dinastia e kishte mbyllur qarkun e saj. Jemi ngucur te një nga pallatet afër kishës katolike dhe s’mund të bësh asgjë më shumë. Të rrish dhe të këqyrësh. Burri, që na flet, ka një kafkë të madhe, me ekzagoma të kërcyera dhe është ngërthyer bashkë me një grua me veshje zadrimore, që nuk ia përcaktoj dot moshën. Asgjë më shumë sesa vazhdojnë të bëjnë një bisedë absurde. Gruaja s’ka blerë dot miellin. Me sa kuptoj: i shoqi, se kush i ka futur në kokë, që në kohën kur ajo shet të luajë me paratë e fituara te vendet e sportit. Kur ia shpjegoj miqve të mi, ata mbesin pak si të habitur. Nuk arrijnë të formulojnë as edhe pyetjen. Të varfër dhe shkojnë në loto?! Ani, e harrojnë shpejt, sepse e kanë mendjen te MARUBI. U bëj një rikonjicion të thjeshtë për Shkodrën nga streha ku jemi. Gruaja, nuk ruhet shumë nga shiu, kurse vetë, kur mbaroj sqarimin, mendoj se si mund të jetë burri i kësaj gruaje, që e ka transformuar komplet veshjen duke i lënë pak elementë tradite. E hamendësoj sesi mund të jetë ky personazh, që ndoshta paratë e miellit i luan në bastore për Chelsea apo Bayern-in. E kush e merr vesh.. Di vetëm që në darkë ka Champions League. Nuk po orientohemi dot mirë dhe ndërsa mundohemi t’i ruhemi pak shiut, muhabeti i gruas me burrin ka gjetur një tel ndërlidhje me njëri-tjetrin, dhe tashmë vijon i paqëm. Na thonë se nuk i bezdisin për taksa, por edhe qytetarët nuk po e çajnë shumë kokën për të blerë. S’kanë. Pozojnë si ato personazhet e qëmotit në Albume. Shiu është shtuar dhe makinat ngrenë valë të mëdha uji që tutje, kurse në strehën që korrespondon me pallatin, janë afruar dhe dy gra të tjera, por tashmë të veshura më me shije me rrobat e Zadrimës. Janë pothuaj njësoj: Kanë shaminë, futën dhe sipër një xhup, mbi rrobën poshtë, që s’është më aq e bardhë. Për të gjitha pyetjet ka përgjigje moskuptuese. “Jo. As edhe kjo. Jo dhe kjo…”. Me çfarë e siguroni jetën?-I pyes. “Shesim. Tanë të mirat i kemi”, më thotë me qesëndi njëra prej grave më të moshuara, që ka këpucë të stërmëdha burrash dhe që i ka bërë edhe transformimin më të çuditshëm rrobës së Zadrimës, teksa mban sipër këmishës një si T-shirt…Dhjetë minuta më vonë, kur largohemi tutje në rrugën që të çon në varrezat katolike, dy motorë bëjnë garë para syve të njerëzve se kush do të përshkojë i pari një distancë hipotetike, ndërsa i afrohemi një pijetore, ku të papunë të shumtë i janë ngulur në këqyrje boshe një stacioni me muzikë turbo-folk. Pinë me gllënjka të vogël rakinë, ndërsa një burrë me kokën e shtogët jep e merr pa folur mes tyre duke u shërbyer. Intensiteti i shiut jep apo merr dhe ngritjen e zërave, por burrat me pamjen e lodhur nga jeta dhe gjërat, flasin pak. Nga predispozita dhe varfëria e tavolinave janë të denjë për armatën shqiptare të të papunëve. Kuptohet, shumë të ngeshëm. Zëmë vend dhe ne tek një tavolinë e cepit, që ka një mbulesë të pistë. Burri me kokët e rrafshët na vjen menjëherë dhe me një shkodranishte të qetë, na e rreshton të gjithë menynë e tij. Gjithçka është mish dhe tym. Kuptohet raki dhe birrë. E pyesim për një adresë. Zhgënjehet, që se begenisim. E sigurojmë se do të marrim diçka. Ndryshon diçka, por dhe ne nuk mund të humbasim këtë mrekulli. Fytyrat e MARUBIT nuk ke nevojë që ti kërkosh në arkiva. Ata janë kudo në Shkodër…dhe një dorë duket se i ka mbledhur këtu. Muhabeti vazhdon i zvargur kudo dhe burrat ndërrojnë me njëri-tjetrin bisedën. Nuk flasin shumë, por në ato pak gjëra që më kap veshi, janë të njëjtat fjalë fjalori. “Ikum…S’kam. Shkume…S’kishte. E ndiva. A ku me gjet?” Në Shqipërinë e vitit 2010 vërtet s’mund të bësh apoteoza por kjo e varfërisë së këtyre njerëzve është e frikshme. Fytyra të mpita dhe pa asnjë shpresë prej 20 deri në 60 vjeç, zhytur në varfëri pa shpresë. Duhet të ketë ndërruar në këtë klub vetëm dekori. Një vajzë me një gjok të bëshëm dhe si shumë e stisur, na shikon indiferente nga një mur që është krejt i zverdhur…Përballë në titrat e ekranit, të rinj që ndajnë mesazhe me përshëndetje dhe vajza gjithë afsh…që kërkojnë afrime. Djem që reklamojnë potencën e tyre…Dhe këta burra, që i këqyrin, si të dalë nga studioja e vjetër e Marubëve. Nuk e di sesi mund të kenë qenë paraardhësit e këtyre që kanë pozuar te MARUBËT dhe çfarë kanë pasur në mëndje. Vërtetë, s’e di por edhe nuk e besoj të ketë qenë ndonjë gjë e madhe. Dy miqtë e huaj janë gjithë ngacmim sepse shpresojnë të takojnë pinjollët e MARUBËVE. Dikush ka sjellë t’i dhurojë dhe një album…”A ke me e nez?”, më pyet dikush. Jo, ia kthej…

Te Fototeka
“Jo, merr këtej”, më tregon një burrë. Dua të dal në një rrugicë dhe që andej pastaj të shkoj më shpejt te Dugajet e Reja. Shkodranët janë të ngeshëm dhe në një ditë natyrale, që ata e gëzojnë në më pak se një të tretën, unë konsiderohem si një karrem i mirë, për të më ngatërruar. Edhe ne i kemi të kufizuar lëvizjet tona. Shkodra, si asnjë qytet tjetër në Shqipëri, nuk do t’ia dijë fare për rregulla qarkullimi. Të gjithë ecin pa rregulla dhe të gjithë rrotullohen. Sikur Marubi të vendoste stativin e tij dhe aparatin nuk do mbetej larg imazheve të tij. Kushdo prej tyre: I pari. I dyti. I treti. Kur mbërrijmë te Fototeka, tashmë është rrebesh. Dy të huaj, njëri prej të cilëve me një mushama gati ushtarake, rrinë te shkallët dhe kanë gjetur formën e futur dhe gati të harruar të Fototekës të mbrohen. I përshëndetim, ndërsa ata me kortezi tërhiqen pas. Fototeka e Marubëve është vërtetë në qendër të Shkodrës por në një zgëqe, e cila mund të konsiderohet shumë larg ëndrrës së madhe që kemi të gjithë për MARUBËT. Për fat, Semiha Osmani, drejtoresha, është vetë gjithnjë në punë dhe madje në zyrën e saj bën dhe skanimet. Punë që e bën dhe kur shkojmë ne. Është punonjësja më e vjetër e këtij institucioni dhe ka nisur punë me të fundmin e Dinastisë fotografike, duke e ndihmuar që të skedonin të dy. Drejtoresha, me aq të huaj sa ka parë, vazhdon duke punuar dhe me çlirësinë e saj na bën thjesht vend të ulemi. E shikojmë me adhurim jo thjesht për punën që bën, por edhe për mënyrën sesi punon. Ka një shprehje të forti, që e mban të ngjitur me tiparet shumë të këndshme të fytyrës. Çuditet se ajo që duam prej saj është thjesht të shikojmë. “Si, të shikoni?-pyet. “Thjesht. Kaq.”-i themi Njëri prej nesh prek me kujdes negativat, ndërsa ajo i shpjegon teknikën e vjetër dhe mënyrën e punës. Na premton se do të na fusë dhe në arkiv. Pak minuta më vonë, vërtet kur mbaron është e disponueshme për të folur, por që kuptohet jo me shumë valë të gjata. Di të shpjegojë mirë dhe pak me ton irritomi, që është i zakonshëm për njerëzit që e kanë punën më tepër se punë, por edhe pasion. Miqve tanë të huaj, që janë ende të shushatur, u shpjegon thjesht dhe teknikisht procese të ndryshme, dhe gruaja që di gati përmendsh kutitë ku ruhen negativat, i orienton nëpër sallë. Semihaja ka punuar me ndërgjegje dhe se ka humbur kohë me fjalë, si në shumë institucione në vend. Ka krijuar dhe mban një mjedis në kushte optimale ku ruhen të gjithë negativat në xhama Në këtë fototekë ndodhen 500 mijë negativë të Marubëve, Picit dhe Jakovës dhe 250 poza të Nënshatit. Të gjitha ndodhen në gjendje tepër të mirë. Këto negativë janë nga vitet 1858 deri në 1959. Në këto negativë janë të paraqitura dy luftërat e mëdha botërore nga Kel e Gegë Marubi; foto të Kraj Nikollës, në Mal të Zi dhe të familjes së tij mbretërore realizuar nga Pjetër dhe Kel Marubi; janë negativët e Dedë Jakovës dhe të Shan Picit, të gjitha që konsiderohen si një pasuri e rrallë kombëtare. I shpjegon shoqes sonë me imtësi gjithçka ndërsa harron se përballë ka një mjeshtre të kamerës. Kjo është arsyeja që gratë e gjejnë shpejt gjuhën dhe komunikojnë tashmë lirshëm me njëra-tjetrën. Si punonin?; Si i mbanin dhe madje si vinin kutitë? “Hajde këtu”, i thotë befas mikes sonë. Semihaja afrohet drejt dritës dhe me dorë i tregon një nga negativat…Të gjitha fotografitë po punohen në një skaner special dhe imazhet dixhitale të negativëve do të jenë shpejt të kompjuterizuara. “Jena duke i këqyr një nga nji pasi secila prej tyre ka një element që të bën të ndjesh më shumë traditën, kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Për fat, në këtë fototekë po punohet shumë dhe për skedarin ose elementin informativ, që do ti orientojë më mirë studiuesit.”

Pak intermexo
Sipas studiuesve disa nga fotot e para në Shqipëri, ka të ngjarë të jenë, shumë të hershme. Pak vite pas fotos së parë të vitit 1858 të Pietro Marubit, që e themeloi dinastinë do të ishte në vitin 1863, fotografi vjenez Josef Székely, që udhëtonte me konsullin Johann Georg von Hahn (1811-1869), që na la një koleksion me pesëdhjetë pamje të Shkodrës, Prizrenit, Ohrit dhe Manastirit. Historia e “Marubit” fillon me Pjetër Marubin, (Pjetron). Ai lindi në Piaçenca të Italisë në vitin 1830. Garibaldisti dhe pjesëmarrës aktiv në luftën kundër pushtuesit austro-hungarez, ai u detyrua të ikte nga vendlindja e tij. Kërkoi azil politik pranë qeverisë osmane dhe gjeti si biznes të përshtatshëm fotografinë. Arkitekt, skulptor, piktor, Pjetri e kishte fillimisht artin e fotografisë një hobi, e më pas kjo do të bëhej profesioni i tij, duke hapur kështu jo vetëm të parën studio fotografike në Shqipëri, por ndoshta edhe në Ballkan në vitin 1858. Në po këtë vit, ai realizoi të parën fotografi në Shqipëri Hamza Kazazin. Disa prej tyre u botuan madje në The London Illustrated News, the La Guerra d’Oriente and L’Illustration. Marubi ndihmohej nga i riu Rrok Kodheli (1862-1881), që vdiq për fat të keq shpejt dhe pastaj edhe nga vëllai i tij Kel Kodheli (1870-1940), fëmijët e kopshtarit të shtëpisë së tij. Ky i fundit, më pas, mori të gjithë këtë biznes dhe pas vdekjes së Pietros. Ai arriti që të bënte fotografi jashtë studios me kamera shumë të avancuara. Thuhet se edhe piktori, arkitekti dhe fotografi Kolë Idromeno mësoi prej tij. Duke u kthyer te Marubët, që në atë kohë ishin shpirti i vërtetë i fotos shqiptare dhe që po përsosnin dora-dorës teknikën e tyre, brezi i tretë i tyre në familje ishte i biri i Kelit, Gegë Marubi që jetoi në tre sisteme në Shqipëri (1907-1984). Ai studio në Lion nga 1923 deri më 1927 në shkollën e parë të fotografisë dhe kinemasë, të themeluar nga vëllezërit Lumière dhe punoi në Shkodër si një fotograf profesionist. Ai ishte pionier i punës në celuloid dhe e zhvendosi punën e paraardhësve të tij që kishin punuar me pllakat e xhamit.

Pas Marubit
Gega ishte dhe njeriu që komunikoi gjithë kohën me Semihanë, atëherë atë vajzën e re simpatike që punonte në Fonotekë dhe që në një farë mënyre do të ishte dhe trashëgimtarja për ruajtjen institucionale të këtyre. Gruaja u rrit në Fototekë dhe në vitet e fundit ka bërë shumë punë për rritjen e saj cilësore dhe botimin, konform rregullave, të një pjese të trashëgimisë. Gruaja, që e kupton të ftohtin tonë tashmë në arkiv, prej kondicionerit, mundohet të ngutet. Na tregon një kuti bojë hiri dhe afrimin e një firme gjermane për të sistemuar sipas një projekti kutitë. Ka bërë luftë dhe ka lënë origjinalet dhe me dorë na tregon një mostër, e cila nuk mbyllet. “Dhëntë Zoti që kjo grua të jetë po kaq vitale gjithmonë, se vetëm kështu do t’ia dalë”, flasim me vete. I ftohti i Arkivës na është futur tashmë në asht dhe kjo na bën që tashmë realisht të ngutemi. Ajo që është e durueshme për negativat, s’është më për trupat tona. Ngrohemi disi në interiorin e Fototekës, dhe duke folur për fotot gati 150 vjeçare, mbledhim veten. E krijuar në vitin 1970, ajo është kthyer tashmë në simbolin e vërtetë të Shkodrës…Aty është edhe ndarja e fundit me Terezën, që tashmë edhe qesh me ne prej të ftohtit. S’ka më minuta për të. Duhet të kthehet.

Pak minuta më vonë jemi në shkallën e apartamentit të Terezinës. E fundmja direkte e Marubëve është krejtësisht e ftohtë. Shoqja jonë, një nga fotografet më të mira të 20 viteve të fundit në Shqipëri dhe një adhuruese e punës së tyre, dëshiron thjesht t’i japë dorën dhe t’i dhurojë një album të sajin. Jemi krejt të lagur, por gruaja është edhe më e prerë se në telefon. “Ti je ai që më more dje në telefon?”, po i përgjigjem. Tek dera ndërrojmë pak muhabet dhe përkthej në favor të shoqes sime. I them se ka ardhur thjesht për respekt dhe asgjë tjetër. Gruaja vendos pak buzën në gaz dhe kjo është shenja e vogël e kthesës së saj, por aspak e ndonjë mirëkuptimi të madh. Ikën pak dhe vjen me një kalendar të vitit të shkuar, stampuar me foto të MARUBIT. Kur mbyllet dera më fshihet çfarë mendoj për MARUBËT e gjallë. S’dua të prish kujtimin e tyre dhe profesionalizimin me sjelljen e saj arrogante. Këtë herë jam krenar për shtetin tim që po tregon kujdes për Fototekën e MARUBI-t dhe s’e ka lënë në dorën e saj. Mikja ime është e lumtur. Hapim pak rrugë në katin e parë, ku dy burra kanë sjellë gjithë mallin që s’kanë shitur dhe pozojnë drejt hiçit. Tutje, për herë të fundit me Shkodrën, tek Ura e Bunës, një peshkatar jep e merr me rrjetat. “Është kohë ideale, kur bie shi që të ketë peshq”, më thotë një burrë që mundohet i vetëm, të pastrojë vendin para klubit të tij. Ikim. Është vjeshta e dytë 2010.

*Shkrimi është mbështetur në të dhënat e nxjerra nga artikulli për historinë e fotografisë së Robert Elsie.

No comments: