Saturday, October 30, 2010

Biografia në gjermanisht, si shkëlqeu dhe u kryqëzua këngëtarja Alida Hisku


Ajo që ka ndodhur me artisten e famshme, u ngjan atyre historive të trishta, të cilat harrohen me të njëjtën forcë që kujtohen. Alida Hisku u nda me skenën në kulmin e shkëlqimit, duke lënë pas dilema e mistere të shumta, që pavarësisht sqarimeve të ndryshme, nuk u zbardhën asnjëherë të plota. Fillimisht u përqas me një goditje politike për adhurimin e këngëve italiane. Pastaj u fol për një ditar të fshehtë me refleksione reaksionare. U aludua për një lidhje agjenturore me grupin e Fiqirete Shehut. Pati zëra se refuzoi ofertën për t’u futur nuse në Bllok. Flitej sakaq për një histori rozë. E lënduar nga fluksi i rrëfenjave të tilla, aq sa nga goditja e beftë e verës ‘83, Alida Hisku bëri ccështë e mundur për të shkuar me mënyrën e vet te thelbi i së vërtetës. Sfida ishte e jashtëzakonshme, por këngëtarja e famshme ju përgjigj me një përkushtim shembullor. Me botimin së fundi në gjermanisht të librit “Biografi”, ndjehet disi e lehtësuar, pasi mendon se ka depërtuar në pjesën më të rëndësishme të dramës misterioze, e bindur se vulën përfundimtare e kanë dosjet e mbyllura. Sidoqoftë, kjo nuk e pengon të rrëfejë për “Panorama”, momentet kulmore të jetës e karrierës artistike dhe të hedh dritë në mjaft aspekte të panjohura të historisë së saj...

Zonja Alida, pas kaq kohësh larg artdashësve shqiptarë, mund të pohoni se jeni ndarë përfundimisht me skenën?
Po e keni fjalën për këngën, e kam shprehur dhe herë tjetër, se me të nuk kam për t’u divorcuar kurrë. Bile edhe vdekjen kur e mendoj, e përfytyroj me të në buzë. Kam munguar për artdashësit vërtet, po kjo është e kushtëzuar nga largësia fizike. Jetoj prej vitesh në Gjermani e rrethanat janë të tilla, që të vi gjithnjë e më rrallë në Shqipëri. Megjithatë, asnjëherë nuk e mendoj veten ndryshe, veç si një artiste shqiptare. Historia e suksesit dhe talentit tim është ngjizur pikërisht aty...
Së fundi keni botuar një libër, ku përshkruani në gjermanisht historinë tuaj në vitet e diktaturës...
Në fakt kam shkruar historinë e dramës sime, që nis me shkëlqimin si artiste dhe mbyllet me kryqëzatën e regjimit, e cila më shpalli të padëshiruar në kulmin e shkëlqimit...
Pse jo në shqip, apo mendoni se historia juaj tek ne është e njohur...
Ka folur për të disa herë media e Tiranës, duke shtjelluar nga vështrime të ndryshme metamorfozën e jetës dhe karrierën time. Në rrëfimet e saj ka të vërteta, por ka dhe mangësi e qasje jo reale. Ka mandej edhe trillime, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me ato që më kanë ndodhur. Pikërisht për këto arsye, kam menduar disa herë të gjej një mënyrë për të sqaruar biografinë time. Arsyeja pse kam nguruar, ka të bëjë me ndjenjën e racionalitetit dhe nderimin për korifenjtë e artit shqiptar, që kanë përjetuar një dramë të tmerrshme në vitet e diktaturës. Ç’mund të flisja unë para Sherif Merdanit, Visar Zhitit etj.? Kur gjykova ta hidhja në gjermanisht historinë time, kisha parasysh demonstrimin para të tjerëve të sjelljeve paradoksale të komunizmit ndaj artistëve e shkrimtarve. Fakti që lexuesi këtu e ka pritur mirë, tregon se kjo materie ka qënë katërcipërisht e paperceptueshme për të....
Ju thatë se historia juaj ende nuk është zbardhur e plotë...
Këtu kam parasysh mistere të veçanta të saj, të cilat vazhdojnë të mbeten të pazbuluara...
E keni fjalën për rrethanat që kanë lidhje me penalizimin si e padëshiruar për të kënduar para publikut...
Ato të plota nuk i di as vetë. Ma do mendja se kjo ka për të vazhduar gjatë, për aq kohë sa të famshmet dosje do qëndrojnë të mbyllura. Misteret janë aty. Së paku pjesa që mbart logjikën e goditjes, absurdin e kryqëzimit dhe mekanizmin e persekutimit. Hezitimi për të hapur arkivat është brengosës. Më saktë, frika që i mban ato të kyçura edhe pas 20 vjetësh. Një situatë e tillë favorizon vetëm inkuizitorët e dikurshëm. Ne viktimat e tyre kemi të drejtë të pyesim: Kush investon ende për ta në shoqërinë shqiptare? Dilema është jo pak e ngatërruar. Sidoqoftë, një ditë e vërteta do dalë në dritë...
Për dramën e Alida Hiskut qarkullojnë disa opsione. Thonë se jeni penalizuar për interpretimin e këngëve italiane. Aludohet për një lidhje të fshehtë me grupin e Fiqrete Shehut. Ka zëra se jeni goditur pas refuzimit të ofertës për t’u futur nuse në Bllok. Flitet se ju ka kryqëzuar ditari ku mbanit shënime. Ka ndërkaq dhe një histori rozë ...
Të lutem deri këtu. Në një mënyrë a në një tjetër, i kam dëgjuar të gjitha. Ka prej tyre që qëndrojnë. Ka mandej dhe intriga. E vërteta është krejt tjetër, të paktën nga mënyra si e kam përjetuar unë. Diçka rreth thelbit të saj jam përpjekur ta shtjelloj në librin që botova në Gjermani. Pjesën tjetër jam duke e kompletuar për një botim të dytë. Gjithsesi, presektutimi në optikën time është vetëm një fragment i historisë së Alidës, sado dramatik qoftë...
Ta lëmë për një moment këtë aspekt e të kthehemi te fillesat e karriereës artistike. Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?
Eventi i parë kombëtar ka qënë Festivali i Pionierëve në Shkodër, në vitin 1969. Aty jam vlerësuar me Medalje të Artë për këngën e Tonin Dajisë “Vjelset e portokalleve”. Duhet thënë se me skenën isha njohur më herët, nëpërmjet debutimeve në festivale lokale dhe anketa muzikore. Kur isha në shkollën 8-vjeçare mora pjesë në Festivalin e Nëntë të Këngës në RTSH. Për vite me radhë pastaj kam qënë pjesë e pandarë e këtij aktiviteti të rëndësishëm...
Madje memoria e artëdashësve ju ka fiksuar si një prej këngëtareve që keni koleksionuar më shumë çmime...
Po ti numëroj trofetë e festivaleve të këngës në RTSH, deri tek i 20-ti, vetëm çmime të para bëhen pesë, shumë të tjera janë të dyta dhe të treta. Mjaft të tjerë i kam marrë në Festivalin “Studenti”, Festivalin e “Ushtarit”, atë të këngës popullore, në dekadat e majit etj.
E gjitha kjo kur nuk vinit në art nga auditoret e shkollës artistike, por nga radhët e punonjësve të tipografisë...
Në rastin tim, debutimi në art nuk vinte nga radhët e klasës punëtore, siç cilësohej atëherë, por nga një familje me talent artistik. Nëna ime për më shumë se 20 vjet ka kënduar në korin e TOB. Motra, Arjana Hisku, ka kënduar aty rreth 30 vjet. Po kështu edhe vëllai, Artani, i cili ishte një nga solistët bas-bariton në këtë institucion. Në këtë kuptim vetëm babai nga gjitha familja ishte jashtë botës së këngës. Ai ishte një nga tipografët e njohur të Tiranës. Sa për profesionin e tipografit, duhet thënë se e zgjodha si bazë jetese. Ndërkaq, hobi im mbeti kënga. Të dyja i ushtrova njëherazi për vite me radhë. Kjo më jepte kënaqësi e ndjehesha e lumtur...
Pra, Alida Hisku është produkt i një familje artistësh...
Këtë më së shumti ia dedikoj nënës, e cila ka qënë pjesë e filarmonisë së TOB-it, që në vitet e para. Nuk kishte konservatorin, por një shkollë muzike dy vjeçare. Ajo ka interpretuar në disa opera klasike si “Madam Batërflai”, “Peshkataret e Perlave”, “Rigoleto”, “Traviata”,”Karmen”, “Mrika” etj. Kur ishim të vegjël na merrte me vete jo vetëm në shfaqje, por edhe gjatë provave. Në një farë kuptimi, TOB-i për ne ishte bërë si pjesë e shtëpisë. Madje jemi aktivizuar edhe në role episodike në opera të ndryshme. Kuptohet me dëshirën e nënës, por edhe me kërkesën e mjeshtërve të mëdhenj si Avni Mula, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Hysen Koçia, Ibrahim Tukiçi, Nina Mula, Rozmari Jorganxhi, Hysen Kurti, Marie Kraja, të cilët na trajtonin si fëmijët e tyre...
Çfarë kujtimesh ruani nga këta artistë të mëdhenj të muzikës shqiptare?
I kam njohur që e vogël, pasi asokohe TOB-i ishte si një familje e madhe. Fëmijëria ime në pjesën më të madhe kaloi në shoqërinë e tyre, në mjediset e Pallatit të Kulturës. Madje jo vetëm kaq. Në sezonin e verës kur mbyllej teatri, shkonim bashkë në plazhin e Durrësit. Në zonën “Hekurudha” ishte caktuar një vilë për personelin e TOB-it. Aty jam takuar për herë të parë me Vaçe Zelën. Një ditë teksa pushoja me mamanë në rërë, nisa të këndoja “Valsin e lumturisë”. Në mos gaboj isha pesë vjeçe. Një çast u mblodhën të gjithë rreth meje dhe po dëgjonin. Sa mbarova, shpërthyen duartrokitjet. E para m’u afrua Vaçja. Më përqafoi dhe duke u kthyer nga grupi i artistëve, foli e ngazëllyer: “Nuk e mendoja kurrë që kjo këngë ishte kaq e bukur”. Unë nuk e dija se kënga ishte e saj...
Diçka për këngët e festivaleve. Artdashësit e shumtë veçojnë nga koleksioni juaj artistik “Vajzat e fshatit tim”. Në fakt, a është kjo më e bukura dhe çfarë kujtoni nga periudha kur e keni realizuar?
Për mua mbetet një këngë e dashur. Të të tillë veç të tjerave, e bëjnë rrethanat në të cilat është realizuar. Kam qenë 16 vjeçe kur e kam kënduar. Një komision me kompozitorë të njohur kishte përzgjedhur këngët, që do garonin në festival. Një komision tjetër me artistët më në zë bënin përzgjedhjen e këngëtarëve sipas këngëve. Me sa më kujtohet, në atë festival këtë e bënte Gaqo Çako me Vaçe Zelën. Kënga “Vajzat e fshatit tim” kishte mbetur e fundit. Mesa duket, fakti që dukej si këngë popullore dhe kishte për autor një kompozitor të pa dëgjuar, e kishte lënë jashtë vëmendjes. Dikush aty nga fundi propozoi me gjysmë zëri të ma jepnin mua. Ashtu u bë. Në fakt ma dhanë si këngë të dytë. Askujt nuk ia mbushte mendjen se mund të kishte sukses. Edhe unë fillimisht nuk isha shumë optimiste, por miqësia me Enver Shëngjergjin, më detyronte t’ia bëja shërbimin deri në fund. Ishte shumë e thjeshtë dhe e mësova menjëherë. E mësova dhe të them të drejtën u miqësova me të. Gjithsesi, nuk më shkonte mendja kurrë se mund të zinte ndonjë çmim në festival...
Në mos gaboj ka qënë Festivali i 16 i Këngës në RTSH dhe kënga “Vajzat e fshatit tim” u vlerësua me çmim të parë...
Në fakt ishte Festivali i 15 i Këngës në RTSH. Siç e thashë, nuk pretendoja për ndonjë çmim. Sa mbarova interpretimin, u largova.
Teksa po dilja jashtë, më thirrën për t’u kthyer mbrapsht. Më thanë se duhet të dilja prap në skenë. Ashtu bëra. Interpretova edhe një herë “Vajzat e fshatit tim”. Salla këtë radhë u ndez nga duartrokitjet. Pastaj më thanë se mora çmimin e parë. Më dukej si ëndërr dhe aty për aty thashë se ishte e pamundur. Po, po, ti je fituesja, m’u kthye udhëheqësi artistik duke më përqafuar. “Po Vaçja, çfarë do marrë?”, u shpreha me naivitet fëmije. Një moment mbeta si e ngrirë. Dikush më preku në sup dhe sakaq iu hodha në qafë Ferdinand Dedës. Ishin çaste të paharruara. Mbaj mend se si dhuratë për çmimin mora një termus dhe një orë tavoline “Made In Cina”...
A mund të themi se “Vajzat e fshatit tim” është kënga më e dashur për ju?
Nuk e di sa do të qëndronte një pohim i tillë, por e vërteta është se ajo më ka ngjitur më shumë. Mbaj mend se kur isha e izoluar në qelitë e Brakës, e këndoja shpesh nën zë për të zbutur sa të ishte e mundur trishtimin e tmershëm. Më thonë se të njëjtën gjë kam bërë edhe kur kam isha paciente e spitalit psikik. Fakti që i jam rikthyer në momentet më dramatike të jetës, tregon se “Vajzat e fshatit...” ka ngjizur thellë në shpirtin tim...
Kush kanë qënë njerëzit që ju kanë mbështetur në rrugën e artit dhe si i vazhdoni marrdhëniet me ta?
Kur dua t’i kthehem këtij momenti, më del përpara një listë e gjatë. Sidoqoftë, nuk mund të rri pa përmendur emrat e kompozitorëve të talentuar si Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Avni Mula, Enver Shëngjergji, Kujtim Laro, Kastriot Gjini, etj., pa kontributin dhe ndihmën e të cilëve nuk do të isha ajo Alidë që duartrokitej nga publiku. Të njëjtën mirënjohje adresoj për shumë nga këngëtaret e famshme të skenës shqiptare që më mbështetën e më mbajtën afër me shumë dashuri. Është vendi të veccoj këtu të madhen e brilanden Vacce Zela. Atë e kam patur idhullin e jetës time...
Alida Hisku është fiksuar në kujtesën e artëdashësve duke kënduar me sy mbyllur...
Ka qenë krejt spontan një veprm i tillë. Ma vinin shpesh në dukje këtë të gjithë udhëheqësit artistik e sidomos regjisorët, por asnjëherë nuk e riparova. Më dukej se kur mbyllja sytë isha më e qetë, më e afërt me publikun dhe më e sigurt në logjikën e këngës. Nuk di çtë them tjetër për këtë ves, nëse mund të quhet i tillë...

vijon nesër...

No comments: