Thursday, March 31, 2011

Rudina Magjistari, rrëfen gjithçka për jetën dhe karrierën artistike




Zj. Magjistari, jeni person shumë i njohur dhe keni shumë fansa, cilat mendoni se janë armët e tua më të forta që kanë goditur zemrat e fansave të tu; oratoria, bukuria, çiltërsia, inteligjenca, apo ëmbëlsia e zërit tënd?

(Qesh).Unë ju falënderoj dhe këto po i marr si komplimente, ndërkohë, shpresoj që të jetë kështu, që vërtetë të kem shumë fansa, fjalë, e cila mund të konvertohet fare mirë me shkëmbim dashurie. Është fitorja më e madhe për një njeri, i cili i hyn karrierës televizive dhe arrin të fitojë zemrat e njerëzve. Mendoj që, armët më të forta mund të kenë qenë thjeshtë të qenurit e vërtetë, padiskutim vetvetja dhe ndoshta komunikimi i sinqertë me njerëzit, pa falsitet, pa shtirje, por shumë i drejtpërdrejtë, shumë i natyrshëm.

Keni organizuar shumë aktivitete, jeni një profesioniste në degën që keni mbaruar, si dhe keni fituar disa çmime, ku më kryesori mendoj që është Çmimi “Personazhi i Vitit”, të cilin e keni marrë dy herë: Në vitin 2002 dhe 2004. Jeni e kënaqur?

Po, kanë qenë dy momente të rëndësishme për mua, shumë domethënëse, padiskutim që më kanë dhënë shumë kënaqësi.

Ka ndonjë dëshirë të paplotësuar Rudina Magjistari?

Në momentin që shpreheni në këtë formë duket sikur unë me një përplasje të duarve, e çdo gjë bëhet realitet. Ka edhe dëshira që thjesht mbeten të tilla. Por, një gjë është e sigurt: unë punoj dhe luftoj shumë për të realizuar dëshirat dhe objektivat e mia. Nuk mendoj se, ato mbarojnë ndonjë herë, njeriu sa të ketë jetë do ketë dëshira dhe jeta është një përpjekje për t’i realizuar ato.

Njiheni më shumë si prezantuese, keni ndonjë konkurrente që nuk do dëshironit ta kishit përballë?

Jo, jo, absolutisht jo, nuk do t’i quaja konkurrente. Mua më vjen mirë që kohët e fundit janë shquar shumë prezantuese, pasi ka qenë një periudhë që deri para pak vitesh konsideroheshin të suksesshëm vetëm prezantuesit meshkuj dhe strategjia e tyre ka qenë gjithmonë që në krah të kishin, jo një prezantuese, sepse vetëm prezantuese nuk kanë qenë, ishin thjeshtë valeta, ose vajza të bukura, të cilat, trajtoheshin më tepër aksesorë, si një shami e kombinuar mirë në xhepin e vogël të xhaketave të burrave. Kurse vitet e fundit janë shfaqur disa prezantuese të afta dhe mua më vjen shumë mirë për këtë. Ky fakt është një indikator shumë i mirë që shoqëria jonë po përparon. Pastaj, bota e televizionit është shumë e madhe dhe shumë e gjerë; është një botë që i jep shansin secilës të gjejë hapësirën e vet.

E vogël çfarë tipi keni qenë? E hedhur apo e qetë?

Kam qenë tip i qetë, nuk do thoja e hedhur, përkundrazi edhe pse shumë e llastuar, kam qenë e ndrojtur si natyrë, gjë që më karakterizon edhe tani. Megjithatë, vitet në ekran më kanë ndihmuar ta superoj, sepse të jem e sinqertë, është një karakteristikë që nuk më pëlqen dhe aq. Është një gjë e bukur, ndoshta kur e shikon tek dikush tjetër, por thellë-thellë për atë që e ka është më shumë pengesë në jetë.

Dëshirat në fëmijëri?

Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje, dëshira të çuditshme dhe interesante, saqë kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht dëshiroja të bëhesha mësuese, më pas aktore, ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore, (qesh), por edhe ministre.

Çfarë kujton tani nga vitet e shkollës së mesme dhe të viteve studentore?

Thonë, që vitet e shkollës së mesme janë vitet e periudhës më të bukur, por gjeneratës sime i qëlloi që në shkollë të mesme të ishim pikërisht në momentin e ndryshimit të sistemeve. Kjo na bëri, që në vend që të shkonim nëpër party, apo të dilnim shëtitje, ose të paktën të kishim vajtur nëpër ato aksionet aq bukur të përshkruara nga klasat më lart se ne, na qëlloi të shkonim mitingjeve nga njëra fushë në tjetrën e nga njëri shesh në tjetrin. Megjithatë, ishte një eksperiencë shumë e veçantë, një eksperiencë që nuk përsëritet më në histori, ndaj them që kam jetuar një kohë të rrallë. Ndërsa përsa u përket viteve të shkollës së lartë isha më e angazhuar me studimet, shoqëria ime ishte e përbërë kryesisht nga vajza. Kemi qenë një grup shoqesh që qëndronim gjithmonë bashkë dhe që vazhdimisht na shoqëronte një sens i bukur humori. Është një miqësi, të cilën e vlerësoj shumë dhe dua që të ruhet sa më gjatë.

Duke parë reputacionin tuaj të madh në publik, të ka kërkuar ndihmë ndonjë kandidate në këtë fushatë?

Edhe ka ndodhur, por është një nga principet e mia që me politikën nuk kam dëshirë të ngatërrohem, edhe pse në mënyrë indirekte jam e lidhur me të. Mua nuk më pëlqen që të merrem me politikë. Nuk i përshtatet natyrës sime. Por më pëlqen të jem gjithmonë e azhornuar me ngjarjet politike, ndjek me shumë interes edicionet e lajmeve dhe detyra si qytetare më bën që të shkoj gjithmonë në votime, gjë që duhet ta bëjnë normalisht të gjithë.

Po ndonjë forcë politike të ka kërkuar të kandidosh për siglën e saj?

(Qesh)Jo, jo.

Diçka mbi karakterin tënd? Çfarë të pëlqen dhe nuk të pëlqen tek vetja?

Më pëlqen këmbëngulja, një cilësi që më ka ndihmuar shumë në jetë. Jam një njeri që insistoj deri në momentin e fundit, nuk dorëzohem lehtë. Jam natyrë optimiste, dhe kam bindjen se njeriu e gjen gjithmonë zgjidhjen, po të ketë dëshirën dhe vullnetin. Përsa i përket asaj që s’më pëlqen, mund të ndodhë që ndonjëherë të jem gjaknxehtë.

E mbani gjatë inatin meqë jeni gjaknxehtë?

Gjaknxehtësia dhe inati janë dy gjëra që s’janë detyrimisht të lidhura me njëra-tjetrën. Unë nuk mbaj inat. Më pëlqen që gjërat t’i them shumë hapur, t’i sqaroj gjithmonë kur ka paqartësi dhe për më tepër nuk më pëlqejnë fare njerëzit që mbajnë inate.

Ta kanë treguar prindërit, përse të kanë pagëzuar me emrin Rudina dhe a të pëlqen?

Me ç’më kanë treguar, ka qenë kushërira ime 5- vjeçare që në momentin që kam lindur, ka këmbëngulur që unë të quhem Rudina. Ky emër i pëlqeu prindërve të mi, sepse rudinat janë ato lëndinat e maleve të mbushura me lule të vogla shumëngjyrëshe. Emri im më pëlqen.

Kur shikon trupin tënd ndiheni e kënaqur, apo shikoni ndonjë pjesë të trupit tënd që kërkon ta përsosësh përmes ndonjë operacioni plastik?

Ndjehem mirë me trupin tim, por nuk jam edhe kundra atyre që i bëjnë këto ndryshime, pasi mund të të ndihmojnë të ndjehesh më mirë, të ndihmojnë të superosh ndoshta komplekse të vogla apo të mëdha që mund të të kenë krijuar defekte të ndryshme fizike. Por gjithmonë pa kaluar limitin e humbjes së identitetit tënd.

Harxhoni shumë për lukun?

Nuk jam shumë e fiksuar pas lukut, varet nga periudha. Nganjëherë kur je e stresuar të ndihmon shumë kur del nëpër dyqane, sikur të ngre humorin. Mua më pëlqen të sodis dyqanet dhe vitrinat e tyre, por jo aq shumë ato të veshjeve, sesa dyqanet e gjërave të vogla të kinkalerinave, xhinglat siç i themi ndryshe, në të cilat kur futem mezi dal.

Të pëlqen të luash ndonjë film?

Ideja më pëlqen. Kam pasur dikur një propozim, por që nuk u realizua për shkak të fondeve që nuk u grumbulluan dot, por do më kishte pëlqyer, pse jo.

Sa fëmijë dëshiron të kesh dhe çfarë profesioni do dëshiroje të kishin?

Do dëshiroja të kisha dy fëmijë. Për të vajtur deri tek profesioni i fëmijëve është shumë larg, por që gjithsesi do doja të vendosnin vetë.

Si po shkon jeta juaj private?

Shkon shumë mirë.

Diçka më shumë mbi jetën, karrierën artistike dhe aktivitetet e tua më të dashura?

Unë kam lindur në Tiranë, kam mbaruar Fakultetin Ekonomik. Karrierën televizive e kam filluar që në moshën 15- vjeçare kur sapo kisha filluar vitin e dytë të gjimnazit. Tashmë janë bërë shumë punë, sa nuk i mbaj mend të gjitha. Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje, dëshira të çuditshme dhe interesante, saqë kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht dëshiroja të bëhesha mësuese, më pas aktore, ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore, (qesh), por edhe ministre. Me ç’më kanë treguar, ka qenë kushërira ime 5- vjeçare që në momentin që kam lindur, ka këmbëngulur që unë të quhem Rudina. Ky emër i pëlqeu prindërve të mi, sepse rudinat janë ato lëndinat e maleve të mbushura me lule të vogla shumëngjyrëshe. Emri im më pëlqen. Besoj që nisur nga këto karakteristika të emrit nuk i ke zhgënjyer prindërit dhe vajzën 5- vjeçare që ta ka vënë këtë emër të bukur? (Qesh).

No comments: