Tuesday, March 29, 2011
Pjetër Gaci, Kompozitori që shiti pianon për gruan ruse
Besi Bekteshi Nga fondet e shumta familjare të arkivit të Muzeut të Shkodrës, një nga më prekësit, nga më lënduesit në konceptin e një jete e cila ka pulsuar midis muzikës dhe sakrificës familjare, është ajo e kompozitorit të madh shkodran Pjetër Gaci. Talenti dhe njohja e madhe e muzikës, por edhe përkushtimi janë një veçori e të qenit kompozitor, por Pjetër Gaci, në fakt, nuk e ka nisur shkollën dhe jetën e tij si një i tillë. Pjetër Gaci ka mbaruar në Moskë konservatorin për violinë, së bashku me shumë studentë shqiptarë të asaj kohe në Bashkimin Sovjetik. Në atë kohë, ai njohu edhe një vajzë ruse shumë të re, Tamarën, e cila me kthimin e studentëve dhe prishjen e marrëdhënieve me shtetin e madh komunist, vazhdoi jetën e saj familjare së bashku me Pjetrin në Shqipëri. Tamara është një nga gratë ruse e dashuruar me burrin e saj shqiptar, e cila duroi edhe kalvarin e persekutimit të qenies së saj ruse. Kjo edhe pse burri i saj ishte një gjeni i muzikës dhe pse burri i saj ishte një njeri tepër i dashur për publikun. Në të vërtetë, izolimi në katër dekada me familjen e saj dhe rropatjet shpesh herë nëpër katakombet e një shteti armik me të tilla bashkime, e kanë bërë këtë grua të devotshme një ruse të vërtetë besnike të bashkëshortit të saj, por edhe Pjetër Gacin një burrë i cili nuk harroi, nuk u përkul në dashurinë dhe respektin ndaj asaj vajzës së re, e cila u betua një herë dhe qëndroi deri në fund me njeriun e jetës së saj. Gjithsesi, në të mirë dhe në të keq, në frikën e regjimit dhe arritjet e sukseset në art, jeta e dy bashkëshortëve kaloi me mjetin që të jep postulati “kemi muzikën për të mos vdekur nga...”!! Gjithsesi, vjen momenti që Shqipëria nuk është më vendi i izoluar dhe patjetër që krijohet mundësia që Tamara të mund të udhëtojë për në Moskën e saj. Ajo aty kishte prindërit, por edhe vëllanë. Sikleti i madh dhe pamundësia e jashtëzakonshme e një kompozitori si Pjetër Gaci, janë vendosur edhe një herë në qendër të universit të tij jetësor. Tashmë rruga për njeriun e dashur të jetës së tij është e lirë, por mungojnë mjetet financiare për këtë udhëtim. Një gjigant si Pjetër Gaci, që nuk ka financa mbas një prodhimi dhe një suksesi të madh... po, kjo ka qenë në ato vite në përgjithësi edhe morali i shoqërisë dhe kështu dolën shumë e shumë gjeni të artit, kulturës, dhe pse jo të sportit dhe profesioneve, mbas një regjimi i cili i trajtoi në mënyrë të tillë. Një nga dëshmitë më të bukura në arkivin e Muzeut të Shkodrës për këtë moment është edhe ajo e zotit Qamuran Kaduku, një profesionist shkodran, i cili tregon sesi ka komunikuar kompozitori i madh, kur i ka shitur pianon me qëllimin e vetëm që e shoqja Tamara të shkonte në Moskë, të shkelte dheun e saj dhe të shikonte njerëzit e saj. Kaduku tregon: Në vitin 1991 Pjetër Gaci ka nxjerrë në shitje pianon e famshme të tij, atë me të cilën janë kompozuar kryevepra të muzikës shqiptare. Arsyeja e deklaruar dhe e pranuar plotësisht ka qenë blerja e biletës së avionit me të cilën do të udhëtonte për në Moskë e shoqja Tamara Gaci. Mirëpo kjo është vetëm pjesa e vogël e një tragjedie, që kishte filluar që në vitet kur Shqipëria dhe Rusia u prishën politikisht. Zoti Kaduku në vitin 2010-të ka dhënë si informacion në muze, pranë arkivit, edhe porosinë e Pjetër Gacit, që ia ka lënë blerësit. Kjo porosi është e shkurtër dhe e qartë. Ajo thotë: “Kur të vish me e marrë pianon, më njofto më parë orën, që të mos gjindem aty...!!” E kështu ka ndodhur, blerësi ka marrë tashmë mallin e tij, kurse Pjetër Gaci ka dalë për të mos qenë prezent në çastin kur pianoja e tij do të shkonte në tjetër vend. Në fondin për Pjetër Gacin ka shumë reperte interesante të tjera, ka letra nga miqtë e tij në kohë të ndryshme, personalitete nga më të mëdhatë si gjatë jetës dhe në momentin e vdekjes, e cila ndodhi shumë afër momentit të ndarjes nga pianoja. Por një nga më të bukurat është edhe një letër nga një nxënëse e prof. Papavramit si violiniste, e quajtur Isabelle Berquir, e cila që nga Argjentina e siguron se duke luajtur koncertin e prof Gacit në “si minor” ka pasur shumë sukses. E kjo letër ka ardhur në vitin 1992, si për ta gëzuar profesorin e madh të muzikës shqiptare, i cili vdiq vetëm pak vite më vonë.
Gjithsesi, Pjetër Gaci ka edhe një koincidencë tepër sinjifikative dhe të trishtme. Ai ka lindur më 27 mars të vitit 1931, dhe ka vdekur në pikërisht 27 mars të vitit 1995. Normalisht unë edhe në disa intervista me bashkëshorten e tij kam evidentuar kalvarin e jetës të njeriut të 300 veprave muzikore, për të cilin sot nuk janë kujtuar kaq shumë në përvjetorin e tij të vdekjes, dhe të lindjes, as në Shkodër dhe as në Tiranë. Jemi në 80-të vjetorin e lindjes, por asgjë nuk është bërë pikërisht në këtë përvjetor. Pasuria muzikore e këngës “Për Ty, Atdhe” i operave “Toka Jonë” dhe “Përtej Mjegullës”, i këngëve të mrekullueshme “Shqiponjë e Lirë”, “Gryka e Kaçanikut”, “Ky merak”, “Qytetit tim”, “Lahutari” etj. etj. është shumë, shumë e madhe, dhe normalisht nuk duhet të lejojë harresën e përvjetorit të lindjes, dhe të vdekjes, së autorit të madh shkodran. Sot luhen në botë veprat e autorit të parë të këtij lloji në Shqipëri, si ato për violinë e orkestër, që janë “Fushave” dhe “Elegji”. Tamara, e shoqja e kompozitorit të madh, ka lënë gati dy copa të një fotografie, të cilat do të jenë bashkë edhe në banesën e fundit. Ajo më demonstron edhe “Diskun e Artë”, të vetmin ndoshta në Shqipëri, të një viti mbas vdekjes, i cili është për Pjetër Gacin. Ky disk nuk është demonstruar dhe ndodhet në bibliotekën e çiftit Gaci, dhe Tamara e ruan me një dashuri të madhe. Mijëra dhe qindra reperte apo shirita, dhe pjesë origjinale, që ndodhen në fondin e tij, tashmë janë në rrezik dhe për këtë nuk është hera e parë që Tamara Gaci flet, por akoma nuk është i gjithë interesi në rrugë të mbarë. Kërkohet një ruajtje dhe hedhje e tyre në mënyrë profesionale në hard disk, e këtë e vetme Tamara Gaci nuk ka mundësi ta kryejë. Një harresë e tillë për një kompozitor kaq të madh nuk është aspak normale dhe për më tepër Shkodra nuk duhet t’ia lejojë vetes, duke qenë se ka edhe institucione me emrin e gjeniut të muzikës shqiptare. Pjetër Gaci është “Artist i Popullit”, por, më tepër se sa kaq, është një fenomen muzikor i artit shkodran dhe shqiptar.
(historian, studiues në Muezun Historik të Shkodrës)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment