Nga Nebil Çika
Humori na ka nxjerrë shpesh herë nga sikleti edhe kur bëhet fjalë për politikë. Por kësaj radhe duket se politika i është afruar humorit me tepër se kurrë me precedentin dhe modelin që po mundohet tu imponojë një pjesë e sajë votuesve shqiptarë
“Voto Edi Rama”. Një poster elektoral i kryetarit të PS-së në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë i transmetuar edhe si spot elektoral në TV-të që fton votuesit të votojnë për të është pa dyshim tallja më e rëndë me zgjedhjet dhe elektoratin shqiptar që nga viti 1913. Kë të votojmë?! Ku ta votojmë! Ai nuk kandidon për deputet! Me kë po tallet ky?! Këto janë reagimet e qytetarëve që nuk arrijnë dot ta përtypin këtë guxim të kreut të opozitës për t’u tallur me ta. Kam kërkuar me të gjitha mënyrat një precedent të ngjashëm në gjithë historinë botërore të zgjedhjeve, por nuk kam mundur të gjej një për ta justifikuar sadopak shefin e një partie që pas 18 ditësh kërkon të marrë pushtetin. Ky karagjozllëk i z. Rama ka vetëm një precedent. Jo në politikë, por në humor. Ai mund të krahasohet vetëm me personazhin e falshëm të estradës së Fierit, Lipe Shtogu, që e kishte emrin gjithmonë mbrapa liste.
Kjo sjellje politike e z. Rama natyrshëm i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe po çudit vëzhguesit dhe analistët që merren me zgjedhjet shqiptare, të cilët arrijnë ta besojnë vetëm kur shohin me sytë e tyre listat e kandidatëve për deputetë të PS-së. Tallja e z. Rama shkon në radhë të parë tek elektorati i majtë, pabesia ndaj të cilit i kalon dukshëm standardet e sjelljes të një njeriu normal. Por ndërsa dëmin politik dhe elektoral ia bën PS-së dhe të majtës, një sjellje e tillë politike përbën pa dyshim një fyerje për gjithë politikën dhe elektoratin shqiptar. Ky personazh politik, i ngjashëm vetëm me personazhin humoristik të Lipe Shtogut, përbën pa dyshim një precedent sa serioz, aq edhe komik në historinë e politikës shqiptare. Si mund ta trajtojë seriozisht media dhe publiku një precedent të tillë?! Mendoj se ky është halli më i madh, jo vetëm yni, por edhe i votuesve shqiptarë në këto prag zgjedhje. Ta trajtojmë seriozisht? A mund të trajtohet seriozisht Lipe Shtogu, qoftë ky edhe shefi i opozitës?! Ta trajtojmë me humor?! Por ai është shefi i opozitës dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, poste që ndikojnë në jetën e njerëzve? Bela e madhe. Hedh një i çmendur një gur në ferrë, mblidhen 40 të mençur nuk e nxjerrin dot? Por unë them t’i japim karar, ta trajtojmë duke i bashkuar hallin që na ka zënë dhe gazin që na kap sa herë kujtojmë precedentin e tij të vetëm, Lipe Shtogun. Vetë Rama me posterin dhe vendimin e tij na ka lënë vetëm një mënyrë trajtimi e këndvështrimi, tragjikomiken. Kemi të gjithë të drejtën ta shikojmë këtë sjellje të kryesocialistit si shprehje të perversitetit më shumë se politik, të manifestuar edhe më parë prej tij. Ka një fjalë në fjalorin e tij politik (përtej) që në të gjitha teoritë e praktikat filozofike dhe psikologjike kanë të bëjnë me perversitetin. Përtej nënkupton kapërcimin e normales. “Kapërcimi (përtej) i ylberit”, për shembull, nënkupton transformimin nga burrë në grua dhe anasjelltas. Si mund të quhet politika “përtej të majtës dhe të djathtës”?! Po edhe njeriu që e zbaton apo e beson atë?! Mbase edhe moskandidimi apo thirrja për votim pa qenë në listë, mund të jetë pjesë e precedentit apo e përtej normales që predikon, por edhe zbaton Edi Rama.
Por, të kthehemi edhe një herë tek argumenti kryesor, precedenti “Lipe Shtogu”, i vetmi që kemi mundur të gjejmë si ngjashmëri me Edi Ramën. Nëse si humor shqiptarët kanë të qeshurën reagim ndaj një fenomeni të tillë, na duhet gjetur një tjetër për të në fushën e politikës. Vrisni pa mendjen. Më duket se e gjeta! Mendoj se vetë Lipe Shtogu i humorit e ka dhënë zgjedhjen për precedentin apo binjakun e tij politik. Le të rrijë aty ku është, ku duket se ndihet më mirë në pozicionin që e ka zgjedhur vetë. Mbrapa... liste!
No comments:
Post a Comment