Saturday, April 2, 2011

Edi Rama, Klaustrofobia e një slogani

Shkruan:
Alfred Lela

Poeti amerikan Robert Frost shkruan diku: “dy rrugë më dolën përpara në pyll dhe unë mora atë më të parrahurën. Prandaj jam ndryshe”. Rruga është parë përherë si bigëzim, si mundësi e njeriut për t’u ndarë me një prej mundësive në favor të tjetrës; si një dyzim, me sa duket i nevojshëm, për t’ia bërë individit apo turmave më të lehtë peshën e papërballueshme të totalitares. Për këtë vazhdimisht janë kërkuar, brenda makinës së demokracisë, forca të reja, doktrina të tjera, rrugë të treta. E tillë ka qenë edhe teoria e rrugës së tretë, sendërtuar te politikat e Demokratëve të Bill Clintonit në Amerikë dhe Laburistëve të Tony Blair-it në Britaninë e Madhe. Një rrugë e tretë ,pra, si pamjaftueshmëri e dy rrugëve e, më shumë se kaq, si përbuzje për një rrugë të vetme.

Partizan i kësaj rruge të tretë, në teori, ka qenë edhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama. Slogani i tij përtej së majtës e së djathtës, huazuar aty për aty nga kandidati presidencial i Demokratëve amerikanë, u bë për njëfarë kohe kryefjala e dogmës së të majtës shqiptare. Bartësi i saj e mori me vete në turin e tij “gju më gju” dhe e bëri mantra-n te e cila kishte varur shpresat e një triumfi elektoral në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Përtej së majtës e së djathtës bëhej kështu njëfarë rruge e tretë, njëfarë Triniteti politik, ku të majtët, të djathtët dhe të lëkundurit e zonës gri bëheshin bashkë në një Nirvanë politike.

Kur populli imagjinar i rrugës së tretë nuk e kapi, apo nuk e honepsi mesazhin e z. Rama, ilaçi u gjet sërish te fjala. Rruga e tretë u braktis dhe u preferua sërish dyrrugëshi i së majtës e së djathtës, ose turma gjysmë e gatshme e “popullit të majtë”.

Tani, tridhjetë e pak ditë para zgjedhjeve administrative të 8 Majit, z. Rama ka shpallur sloganin elektoral “E vetmja rrugë”. Intelektuali i dikurshëm sanguin, publicisti i llojit konician, ngjyrashumi Edi Rama, ka hedhur një kovë me bojë të zezë mbi peizazhin politik të së majtës dhe mbi atë shqiptar në përgjithësi. Një politikan që e nis me premtimin e tri rrugëve, për të hapëruar mbrapsht te dy rrugë e, për ta mbyllur me një të vetme rrugë; në prag të një gare që ai ka lënë të kuptohet se është e fundbotshme për të, ka një problem të madh. Problemin e një slogani të mbetur pa dogmë. Për të mos folur për klaustrofobinë që të ngjall rruga e vetme. Tani populli i majtë, i dalë duarbosh nga rrethrrotullimi pështjellues i rrugës së tretë, i ngjan atyre episodeve nga filmat australianë, ku grigja e prirë nga fermerët futet në rresht përmes një korridori, në dukje i gjatë, por që në fund ka një vathë robëruese.

E vetmja rrugë nuk mund të jetë kurrsesi një rrugë për të gjithë. Sepse është e ngushtë dhe sepse, mbi të gjitha, e bën ofertën e opozitës të varfër. Sepse nuk ofron horizonte as fizike dhe as imagjinare. Dhe në fund injoron atë masën gri të votuesve të kryeqytetit, të cilët, herëdo e kurdo, pëlqejnë të jenë nga pak frostianë e, ndër rrugët e hasura të zgjedhin atë më të parrahurën. Sepse atyre u pëlqen që, në mos të jenë, të paktën të hiqen si ndryshe. Dhe mençuria e kësaj veçantësie u thotë se rruga Edi Rama nuk ka pse rrihet për herë të katërt.

No comments: