Genciana Egro
Fjala “bejtexhi” është një fjalë problematike e shqipes. Ajo herë ka emërtuar në folklor poetët që thurrin bejte e herë në letërsi poetët e shekullit XVIII që shqipen e shkruan me alfabet arab, e shumë herë është përdorur edhe me ngjyrime negative e zhvlerësuese. Kjo ka ndodhur sidomos gjatë ‘50 viteve të fundit të shekullit të kaluar kur filloi të përdoret edhe si term në historinë zyrtare të letërsisë shqipe.
Së pari dua të theksoj se bejtexhi është një krijim i shqipes nga bashkimi i dy trajtave që i ka huazuar nga turqishtja, me fjalën bejte dhe prapashtesën xhi. Këtë fjalë nuk e hasim në turqisht.
Bejte do të thotë dyvargsh apo distik siç njihet në literaturën shkencore, dhe është njësia bazë mbi të cilën ndërtohet letërsia klasike orientale. Këto dy vargje shërbejnë për krijimin e formave poetike më të mëdha, ashtu sikurse mund të shfaqen edhe si poezi më vete. Në shqip kjo fjalë ka pësuar një modifikim kuptimor: ajo emërton një strofë katërvargëshe, ndërtuar kryesisht me vargje tetërrokëshe, mirëpo shumë herë përdoret edhe me kuptimin e një vjershe të plotë. Kurse -xhi është një prapashtesë shumë e përdorur në turqisht e cila ka kaluar dhe është bërë produktive edhe në shqipe dhe quhet prapashtesa e profesionit sepse në shumicën e rasteve si funksion kryesor të saj ka emërtimin e profesioneve. Prandaj formalisht mund të duket normale që shqipja ka bashkuar këto dy trajta, pasi ka emërtuar një mjeshtëri, mjeshtërinë e të thurrurit bejte. Por vetëm nga pikëpamja formaler është kështu. Them formalisht sepse historia e përdorimit të kësaj fjale në gjuhën shqipe më shtyn të mendoj ndryshe.
Bejtexhi fillimisht në shqipe janë quajtur vjershëtorët popullorë, kryesisht ata vjershëtorë që krijonin lehtësisht vargje me rimë, madje në shumicën e rasteve edhe të natyrës satirike. Me këtë kuptim e përdor edhe Ernest Koliqi në punimin e tij mbi Epikën popullore shqiptare (1937), madje ndër shembujt më të mirë të këtyre vjershëtorëve rendit Oson e Falltores, Zef Hilën nga Shkodra apo Ali Dinjën nga Gjirokastra. Edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 1954 vazhdon që me bejtexhi të quajë vetëm vjershëtorët popullorë që thurrin bejte. Madje ky Fjalor i ka dhënë vend edhe fjalës “bejtar” e cila prapashtesën nga turqishtja -xhi e ka zëvendësuar me prapashtesën shqipe të profesionit –tar.
Kurse poetët e shekullit 18 që shqipen e shkruan me alfabet arab u quajtën ‘zyrtarisht’ bejtexhinj në tekstin e Historisë së Letërsisë Shqipe, botuar në vitin 1959. Përdorimi i këtij termi përveç faktit se vendoste një lidhje analogjike të drejtëpërdrejtë me poetët popullorë,ishte jo normal edhe në kushtet e politikës gjuhësore që po ndiqej lidhur me pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja. Këtë mungesë normaliteti dhe këtë ‘risi’ e dëshmon qartë edhe mënyra se si ky term është përdorur në këtë tekst.
Në hyrjen prezantuese të punimit të shkruar nga Dhimitër Shuteriqi përdoret vetëm termi “bejtexhi” dhe letërsia e krijuar nga poetët e shekullit 18 quhet “letërsi e bejtexhinjve”. Kurse në pjesën ku trajtohet kjo letërsi, e hartuar nga Mahir Domi, ajo është quajtur “letërsi shqipe me alfabet arab” e krahas saj përdoren tek tuk edhe termat “bejtexhi” e “bejtar”. Madje nënkapitulli përkatës në këtë tekst është quajtur “Letërsia shqipe me alfabet arab”, duke ju referuar kështu termit që Osman Myderrizi, studiuesi kryesor i kësaj letërsie, kishte përdorur në studimet e veta.
Në të vërtetë ky tekst, përsa i përket përdorimit të termave paraqet një periudhë tranzitore në studimet letrare shqiptare. Në tekstin zyrtar pasues të Historisë së Letërsisë (1983), nuk shfaqet më asnjë lloj hezitimi në përdorimet terminologjike. Sikurse ishte paralajmëruar që në 1958 kjo letërsi tashmë pa asnjë mëdyshje quhet “letërsi e bejtexhinjve”, kurse poetët e saj “bejtexhinj”.
Ndërsa në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (1980) kjo fjalë vazhdon të emërtojë “Vjershëtarët popullorë, që thurrin vargje lirike e satirike, zakonisht aty për aty.” Ndërkohë që vihet re se gjatë kësaj periudhe ka fituar edhe një kuptim të dytë me një ngjyrim negativ “vjershëtarin e keq, që shkruan vargje pa vlere artistike,” për analogji me “kalemxhi”, apo me fjalën “ahengxhi” që kishte pësuar gjithashtu të njëjtin modifikim kuptimor.
Por në ditët tona si përdoret kjo fjalë? Të rinjtë e sotëm fjalën “bejtexhi” e njohin thjeshtë si një term që emërton disa poetë të shekullit XVIII, madje një pjesë prej tyre nuk dinë as shumë gjëra teknike, përfshirë këtu edhe faktin që shqipen e kanë shkruar me alfabetin arab. Kurse konotacionin negativ e ruan vetëm për brezin i cili ka jetuar mënyrën se si është lancuar dhe përdorur kjo fjalë nëpër tekstet zyrtare të historisë së letërsisë. Ndërsa në literaturën shkencore, ai vazhdon të jetë termi kryesor i përdorur, pavarësisht përpjekjeve të pasuksesshme në vitet ‘70 të studiuesit Hasan Kaleshi për ta zëvendësuar me termin “alhamijado”, të huazuar nga spanjishtja. Përdorimi pa konotacione dhe paragjykime në literaturën shkencore dhe zbehja e lidhjeve shoqërizuese me bejtexhijtë si një lloj grupim i caktuar i poetëve popullorë, ka bërë që kjo fjalë te fitojë statusin e një termi neutral. Prandaj mendoj se sot nuk përbën shqetësim përdorimi i kësaj fjale, për sa kohe që vetë fjala “bejtexhi” gradualisht ka fituar statusin e një termi, i zhveshur nga ngjyrimet që i janë veshur në një formë apo në një tjetër, gjatë periudhës komuniste. Por ajo që më shqetëson lidhur me këtë term, dhe që në të vërtetë reflektohet edhe në vetë mënyrën se si konceptohet letërsia e bejtexhinjve është fakti se ai emërton një grup poetësh të cilët vështirë se mund të klasifikohen të gjithë në të njëjtin grup. Dhe kjo është një çështje që kërkon një vëmendje të veçantë.
No comments:
Post a Comment