Fyle kërkon nga qeveria zgjedhje të ndershme dhe nga opozita të japë konsensus
Stefan Fyle ka folur qartë dje kur ka thënë se fati i integrimit të vendit në BE varet tashmë vetëm Sali Berisha dhe Edi Rama. Me një gjuhë të drejtpërdrejt Fyle deklaroi se Shqipëria nuk do të ketë një përgjiigje pozitive për statusin e vendit kandidat përsa kohë nuk ka dialog mes palëve. Sakaq Fyle nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së ngërçit politik duke implementuar rekomandimet e OSBE/ODHIR për zgjedhjet vendore të 8 majit. Ai e nisi axhendën e ngjeshur të takimeve në godinën e kryeministrisë, me kryeministrin Berisha, më pas në Presidencë me kreun e shtetit, Bamir Topi dhe për të përfunduar me një takim me liderin e opozitës, Edi Rama, në selinë rozë.
Deklarata e Fyles
Statusi i kandidatit të vendit ëe BE varet plotësisht nga zgjedhjet e 8 majit. Mesazhi është i komisionerit Stafan Fyle në Tirane pas seminarit me palën shqiptare ku janë diskutuar 12 pikat e vëna si kusht nga komisioni për statusin e kandidatit. “Pjesëmarrja ime në këtë seminar”, - tha Komisioneri i Zgjerimit “tregon se ne mbështesim Shqipërinë në përpjekjet për integrimin. Por menjëherë pas kësaj deklarate ai vuri në dukje se statusi i Shqipërisë është sërish në rrezik edhe këtë vit, në rast se palët nuk zgjidhin ngërçin për zgjedhjet e 8 Majit. “Ngërçi duhet të zgjidhet. Është përgjegjësi e përbashkët e udhëheqësve politikë në Shqipëri. Kjo është cka shqiptarët presin dhe kanë të drejtë ta kenë. Ngërçi përben pengesë serioze të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit dhe kritereve për integrimin në BE”- nënvizoi Fyle në mesazhin e tij në seminarin ku në fokus ishte integrimi i Shqipërisë.
Integrimi në BE
Komisioneri për Zgjerimin shkoi më tej duke i bërë thirrje partive: “Ndërmerrni hapa decizive në një afat të shkurtër kohor për të çliruar ngërçin politik. Nëse nuk gjeni asnjë zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje të bëjë asnjë vlerësim pozitiv në progres raportin tonë të ardhshëm dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejt rrugës europiane së bashku me vendet e tjera të Ballkanit por mund të ngelet prapa nga fqinjët e saj aspirues për në BE”. Më tej ai shtoi se “ka ardhur koha që të vendosim përafrimin me BE. Ta risjellim atë përsëri në një vend të rëndësishëm në axhendën politike të Shqipërisë. Rekomandimet e opinionit dhe në veçanti 12 prioritetet kyce ofrojnë një orientim të qartë si ta arrijmë këtë gjë”. Sa i përket zgjedhjeve vendore, Fyle vuri theksin në domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor sipas standardeve europiane, të drejtë, të lirë e demokratik, si një e drejtë e shqiptarëve. “Udhëheqësit politikë duhet të bisedojnë me njëri- tjetrin dhe të vendosin interesat e vendit mbi të gjithë konsideratat e tjera vetat”- tha Fyle- duke shtuar se BE është e gatshme të lehtësojë kalimin e këtij hendeku midis qeverisë e opozitës, por sinjalet e qarta për kompromis janë të nevojshme nga të dyja palët para se të ndërmerret ndonjë veprim. “Shpresoj se fryma e mirë në këtë seminar të mund të transferohet dhe ne parlament. E rëndësishme që diskutimet politike të vazhdojnë dhe procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe i fokusuar në çështjet kryesore”.
Fyle me Topin: Të rivendoset dialogu
Presidenti i Republikës Bamir Topi priti dje në një takim të veçantë në Presidencë, Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle.Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle në takim me kreun e shtetit shqiptar shprehu interesin e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi dhe rivlerësoi rolin e tij moderator e konstruktiv edhe në momente delikate të jetës politike dhe të institucioneve të pavarura të vendit. Komisioneri Fyle theksoi se për përmbushjen e duhur të standardeve për integrim evropian, para së gjithash, duhet të rivendoset dialogu institucional për kapërcimin e ngërçit politik dhe rikthimin e besimit mes palëve, të respektohet Kushtetuta, shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve të pavarura që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese. Duke sjellë në vëmendje rekomandimet e OSBE-ODIHR-it drejtuar partive politike për gjetjen dhe ruajtjen e dialogut politik mes tyre, Komisioneri Fyle, vuri në dukje se “sa më të qeta, të ndershme, objektive dhe ligjore të zhvillohen zgjedhjet lokale në vend, aq më pozitive dhe e dobishme do të jetë e ardhmja për Shqipërinë, pasi në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të vlerësojë plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, sidomos për çështje të lirive thelbësore të njeriut, të shtetit të së drejtës, të pronës, forcimit të demokracisë, lirisë së medias, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.”
Fyle-Berisha: Angazhim i plotë i qeverisë, për zgjedhjet e 8 majit
Anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha ndërsa priti sot në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin Stefan Fule, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri – KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së. Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri i rikonfirmoi Komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor. Komisioneri Fyle i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE.
Kryetarja e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli dhe homlogu i saj në krye të Asamblesë kombëtare të Hungarisë, vendit që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian apeluan ndaj opozitës socialiste të mos mbajë peng aspiratën e 96% të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Evropian, duke mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar. Në këtë linjë të shprehur nga Topalli, kreu i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Kover, do të theksonte se Hungaria nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, por si përfaqësues i një partie politike në parlamentin hungarez, solli në vëmendje sesi opozita socialiste hungareze në ’98-n dhe 2002-n do të mbante peng anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Europian, pikërisht duke mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar, një tjetër histori e ngjashme kjo e dy vendeve më të shkuar komuniste. Por Kover theksoi se për politikanët që nuk përmbushin aspiratën e 90% e qytetarëve për integrim se nuk njeh rregullat e demokracisë, ose është kundër këtij procesi, ndëshkimi vjen me votë. “Kjo ndodhi me socialistët në Hungari”, tha ai. Kover zhvilloi një takim të gjatë me kryetaren e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli ku e cilësua unik bashkëpunimi ndërparlamentar. Hungaria është vendi i parë që ratifikoi marrëveshjen e stabilizim-asociimit të Shqipërisë duke e bërë ndër të parët që ratifikoi protokollin për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, që njohu gjithashtu pavarësinë e Kosovës dhe mbështeti fort liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE.Kontributi i këtij vendi u premtua se nuk do të mungojë as në përpjekjen e vendit tonë e për të marrë statusin e vendit kandidat, por siç theksoi Kover së pari janë forcat politike të një vendi ato që duhet të japin kontributin në këtë drejtim
No comments:
Post a Comment