Sabri Godo flet në emisionin “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka, në UTV
"Nganjëherë, nipat e mi më thonë se do iki nga ky vend se nuk e durojmë më pisllëkun këtu. Dua një njeri që të fillojë ta çlirojë Tiranën ta bëjë të banueshme, ta bëjë të këndshme për njerëzit, për këtë e mbështes Lulin"
A duhet të kandidonte Edi Rama në Tiranë, pasi ai drejton edhe opozitën?
Rama duhet të heqë dorë nga Tirana. Unë them se me të vërtetë janë krijuar probleme në Tiranë të cilat kërkojnë zgjidhje. Janë arkitektët, ambientalistët që i kanë vënë më në dukje më mirë se unë se ku qëndrojnë problemet. Tirana ka probleme urbanistike që janë të rënda sot dhe që do vijnë duke u bërë më të vështira në vitet që vijnë, në rast se nuk i dilet punëve përpara. Më duket se Rama nuk ka mundësi ta përballojë këtë edhe për shkak të ngatërresës që i ka bërë vetes me funksionet politike. Tani nuk dihet sa përqind është kryetar Bashkie dhe sa përqind është kryetar i PS. Secila nga këto dy funksione veç e veç do kërkonte impenjimin e plotë të një njeriu të aftë. Nëse i merr të dy funksionet bashkë një njeri i vetëm, mua më duket se ai ngre një peshë më shumë se çdo burrë mund të mbajë. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, ai duhet të thotë mjaft me Tiranën se i bëri tre mandate.
Në këtë karrige që jeni ulur ju, jo më shumë se një muaj më parë zoti Rama u shpreh se kjo është Tirana që kam përfytyruar pak a shumë, dhe tha se Tirana nuk ka më nevojë për mua, çka la të kuptohej se nuk do të kandidonte, por në mënyrë krejt papritur Rama kandidoi sërish, tha që unë kam nevojë për Tiranën, për ti kthyer ato në zgjedhje politike sepse Shqipëria nuk e duron dot më Saliun. Tirana duhet të fitojë për Shqipërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme?
Ky është një qëndrim i pandershëm i Ramës ndaj Tiranës. Tirana është qendra e Shqipërisë jo vetëm për popullsinë ku banon gati një e treta, por edhe për mundësinë motorike që ka si qendër e lëvizjes së të gjitha sferave të ekonomisë, politikës etj, etj. Dhe duke patur këtë rëndësi të madhe, çdo gjë që i takon Tiranës duhet shikuar me seriozitetin më të madh dhe jashtë politikës e interesave personale. Këtu tani Rama nuk ka një qëndrim të pastër ndaj Tiranës. Dhe këto lloj manovrimesh, më duhet Tirana me domosdo, për të shkuar në zgjedhje të përgjithshme, më duhet Tirana për tu afirmuar unë si kryeministër, i ardhshëm etj etj, pra të gjitha këto llogari mund ti ketë bërë Rama, por Tirana nuk i ka asnjë borxh Ramës që ti vihet në dispozicion atij, që ai të arrijë synimet e veta. Kjo është një gjë e përbindshme. Kjo duhet ndaluar. Dhe në qoftëse se ai ka notuar në këto ujëra ai e tregon veten një politikan krejt te papjekur
Zoti Godo, po në vitin në 2007 notoi në ujëra të pastra?
Epo tani nuk kemi nge të hedhim vallen sipas daulles së Edi Ramës. Unë besoj se qytetarët e Tiranës kaq gjë e dinë. Ata duhet të shikojnë për veten e tyre si bëhet më mirë. Bindja ime e plotë është se më mirë bëhet me Lul Bashën.
Pse?
Tani unë nuk dua të numëroj gjithë ato gjëra që janë të njohura. Ti kthehemi një çikë më përpara se ka qenë tre herë ministër. Në transport në ministrinë e jashtme në ministrinë e brendshme. Basha ka qenë një ministër i suksesshëm. Ai çoi përpara rrugën, që ishte objektivi i parë i transportit, rrugën Durrës-Kukës, e çoi përpara. Si ministër i Jashtëm, unë zakonisht nuk përdor kësi termash, por kësaj here them që vërtet shkëlqeu. Ndërtoi një punë mjaft të dobishme për integrimin e Shqipërisë. Mund ta them me plot gojën edhe pse do i ngeli pak qejfi ministrave të mëparshëm, se ky punën si ministër i jashtëm e bëri më mirë se të gjithë. Kishte edhe një përgatitje për këtë. Punoi për një kohë të gjatë me këto organizmat ndërkombëtare në Kosovë, domethënë kishte një përvojë. Kishte kulturën e duhur politike dhe bindjen e duhur. Dhe inteligjencën për të çuar përpara Ministrinë e Jashtme. Tani si Ministër i Brendshëm. Unë shikoj një polici që është e gatshme të jetë brenda 20 minutave pranishme në vendin e krimit, unë shikoj që ka një organizim në pikat kufitare, që e kanë vlerësuar dhe të huajt, dhe ka qenë një nga kushtet për vizat dhe ecjen në rrugën e integrimit. Unë shikoj që kudo që ka shkuar ky njeri ka sjellë ndryshime pozitive dhe një njeri që ka përvojën administrative të tre dikastereve për të cilat ka nevojë një kryetar bashkie, se i takon në plan lokal të lidhet me secilën, qoftë me rendin qoftë me infrastrukturën etj etj, ka përgatitjen e duhur për të zgjidhur këto probleme ne miniaturë në Tiranë.
Mirëpo opozita e ka akuzuar Bashën për afera të rënda në të tre rastet që ju e përmendni. Për korrupsion në rrugën Durrës-Kukës, për çështjen e kufijve detarë, kur ishte Ministër i Jashtëm, për 21 janarin kur ishte Ministër i Brendshëm?
Tani vijmë te këto akuzat që bën opozita. Në qoftëse i marrim me tërë mend tërë ato që thuhen atëherë këtu jashtë akuzave për korrupsion sot për sot kemi mbetur vetëm unë dhe ti të papërfolur. Të tërë të tjerët janë të përfolur, treçereku i Qeverisë. Mazhoranca thotë se në kohën e saj, opozita ka qenë e korruptuar kokë e këmbë, prandaj jemi të tejngopur me këto akuza. Cili është qëndrimi im. Unë them që ka një rrugë të vetme të dalim nga kjo situatë, të vendosim organet kompetente gjyqësore se çfarë përgjegjësie ka Basha dhe çfarë përgjegjësie kanë të tjerët lidhur me ngjarjet që ju përmendët, jashtë kësaj çdo lloj debati nuk bën gjë tjetër, përveçse sjell më shumë acarim. Duhet të presim se çdo të thotë drejtësia për ngjarjet e 21 Janarit. Ishte një ngjarje shumë e rëndë, u vranë katër qytetarë, tani duhet që kjo drejtësi të thotë kush i vrau dhe me urdhër të kujt u vranë. Të bëhet transparencë e plotë. Por për këtë, se ç’përgjegjësi ka Basha, do shprehen organet gjyqësore. Ne kemi një kushtetutë që thotë se çdokush konsiderohet i pafajshëm deri në marrjen e vendimit nga gjykata, thotë dhe këtë që dyshimet shkojnë në favor të tij. Kështu që nuk mund ti bëjmë gjyqin Bashës, pa dhënë një vendim gjykata. Unë nuk kam të dhëna për të dhënë një njoftim, por them se Basha nuk ka gisht në këtë punë.
Meqë jemi tek 21 Janari duket qartë që emri i Lulzim Bashës ishte paralajmëruar si kandidatura e mazhorancës për Tiranën. Një protestë e paralajmëruar si e dhunshme, edhe një natë më parë. Kush mendoni sa ka përgjegjësi më shumë për 21 Janarin zoti Rama, apo zoti Basha?
Nuk është dita t’i rikthehemi 21 Janarit, përderisa është në proces. Nga ato që u transmetuan, u binda për një gjë, se ishte një grup, që ishin përgatitur për rrëmuja, kush e drejtoi si e bëri deri ku i drejtoi Rama apo jo, pasi edhe Ramën nuk mund ta bëj fajtor pa folur gjykata, e vë dhe atë në një plan me Bashën. Përsa i takon përgjegjësisë që mund të kenë të gjithë për ngjarjen e 21 Janarit që e përsëris se duhet sqaruar me çdo kusht, ndryshe duke lënë njolla të errëta, ne krijojmë një situatë qoftë dhe psikologjike krejt të pakëndshme.
Ju u shprehët qartë se jeni për Lulzim Bashën për të drejtuar Bashkinë e Tiranës. Mediat kanë publikuar se Bashkëshortja e zotit Lulzim Basha ka lënë shtetësinë shqiptare para pak kohësh?
Në merreni me gjëra të vogla me tituj të mëdhenj në gazetë, por çdo gazetë ka punën e vet. Në vend që të merremi me atë që është kryesore. Ky Lulzim Basha është njeriu që do të sjellë ndryshime në Tiranë? Përgjigja ime, pa asnjë hezitim është po. Ky njeri ka konceptet e duhura dhe kjo u pa që në shfaqjet e para në publik se çfarë do të bëjë që Tirana të marrë frymë dhe të zgjidhë problemet që ka. Se sa do t’ia dalë këtë do e provojmë, por të paktën ky niset me një mentalitet të tillë. Ka një botëkuptim perëndimor dhe këtë nuk mund t’ia mohojë kurrkush. Ajo që mund të vihet në dyshim është kjo, sa mund të tërhiqet ky njeri nga rrymat partiake ose rryma Berishiane, ose sa do të mbetet ky njeri rob i një fjalori politik që është bërë i padurueshëm, apo ky do ta lejë disi menjanë politikën dhe do i shtrojë vetes një pyetje, çfarë do të bëj unë për Tiranën. Unë kam krijuar këtë bindje se, nëse Basha do vihet në krye se si të mposhtë Partinë Socialiste në Tiranë, nëse do të merret me këtë, ai do jetë një kryebashkiak i dështuar. Në rast se ky do të thotë që socialistët janë një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës, se do të kenë vendin e tyre në Këshillin Bashkiak dhe se unë duhet të merrem me ta për hir të qytetit, dhe të zbatojë atë formulë klasike të politikës, që më në fund politika është art i marrëveshjes së qytetarëve për qeverisje të përbashkët, atëherë ai kështu mund të fitojë në Tiranë. Këtë ka ndërmend të bëjë Basha, duket qartë dhe unë besoj se ai do të ecë pa hezitim në këtë rrugë. Se si do ta bëj që ta lërë disi mbrapa politikën, sloganet e PD, dhe ti kushtohet tërësisht kësaj dhe të fillojë të konsultohet me urbanistët, arkitektët, ambientalistët, etj, se cilat janë problemet e si do zgjidhen, dhe mua më thanë që Basha e ka një plan të tillë dhe së shpejti do ta publikojë. Dhe kjo do i japë një dorë. Tani kthehem tek pyetja jote se nuk më del nga mendja ajo. Unë këtë Aurelën të shoqen e Lulzim Bashës e kam njohur personalisht që 15 vite më parë, që në kohën kur ishte ende çupë e re, që u fejua. Unë e pyeta ku e ke burrin, dhe më tha se punon në Kosovë. Që në atë kohë e kam njohur si një vajzë shumë të shkathët shumë të dashur, inteligjente, që punonte me holandezët. Me sa di unë kjo puna e nënshtetësisë është një spekulim në të vërtetë. Në atë kohë, ajo kishte blerë një shtëpi në Holandë, por ai vend ka ligje nuk është si ne, që mund të ndërtosh si të duash dhe të bësh si të duash dhe ta kthesh oxhakun nga të duash. Atje i thanë që të blesh shtëpi këtu, duhet nën shtetësia holandeze dhe ajo e mori nënshtetësinë holandeze. Dhe doli një ligj në vitin 2004 në Holandë, që thoshte se mund të marrësh nënshtetësi holandeze, në rast se lë nënshtetësinë e vendit nga vjen. Unë rastësisht e bëra këtë bisedë, ajo e kishte këtë siklet në atë kohë se është shqiptare, më duket se është vlonjate, ajo e ka për gjë të madhe të afirmohet në çdo çast, është një flamurtare e kombit përsa i takon. Kjo është një ngjarje e vjetër më duket e 91-92. Tani, ajo do ta rimarrë nënshtetësinë shqiptare, dhe do të venë prapë ta pyesin gazetarët pse e bëre. Në rast se do merremi tani të gërmojmë se sa qoshe ka në shtëpi Lul Basha, pa parë se çdo bëjë Lul Basha për Tiranën, neve merremi për fat të keq me gjëra të kota duke lënë atë që është kryesore.
U shprehët pak më parë se Tirana ka nevojë për një kryetar Bashkie që nuk ka retorikë të ashpër politike. Megjithatë, zoti Basha ka përballë zotin Rama njeri prej dy personave në Shqipëri që ka retorikën më të ashpër politike, së bashku me zotin Berisha. Në rast se Tirana nuk do një retorikë të ashpër, pse është votuar tre herë?
Unë kam respekt për Edi Ramën si njeri i kulturuar, si njeri i arteve etj etj. Doja t’i thoja miqësisht një gjë, tani është duke e reduktuar fjalorin e tij, në kusar hajdut, “Ik Sali”- “Hajde Sali”. Një politikan që del e flet duke përsëritur të njëjtat gjëra. Nuk është puna të bësh zhurmë me fjalë, të bësh xheste, t’i japësh fjalës më tepër peshë se ajo ka. Atëherë fillon e kthehesh në një lloj demagogu që kërkon të drejtosh të tjerët, po nuk thua asgjë. Unë mendoj se Ramës i ka ardhur koha të ndryshojë gjuhën. Mos të kujtojë se mund të arrijë aty ku do, me këtë fjalor që është duke përdorur. Unë shoh njerëz që thonë aman doli ky prapë ky, mbylle, se nuk ka ndërmend të na thotë gjë. Ajo çfarë kërkojnë njerëzit është t’u thuash diçka, të hedhësh në qarkullim një ide të re për këtë kanë nevojë njerëzit, jo për një retorikë politike që është bërë me të vërtetë e stërkonsumuar dhe e padurueshme. Tani Luli, unë e dëgjova kur foli në këtë mitingun që bëri Berisha dhe pash një Lul Bashë që filloi të nxehej dhe të fliste me një lloj toni si revolucionar, nuk i shkon, është jashtë natyrës së tij dhe e bën në mënyrë të sforcuar, ndoshta kjo u bë për të karikuar simpatizantët, por jo për të komunikuar me qytetarët.
Kemi dy fjalime të zotit Basha një me 22 Mars kur Basha u prezantua politikisht dhe ka një gjuhë të rëndë për profilin e zotit Basha. Kemi dhe fjalimin e fillimit të fushatës që është krejt e kundërta me fjalimin e 22 Mars?
Tani Luli mua më duket se ka kuptuar këtë gjë, se deri tani ka qenë një ministër i qeverisë Berisha, që ka një pazar të vetin për të komunikuar me publikun që unë nuk ia pëlqej, por është punë për ta. Dhe ky ka qenë i detyruar ti të konformohet kështu, tani Basha del në një plan tjetër, ky duhet të jetë njeriu i qytetarëve të Tiranës, qytetarët e Tiranës duan gjuhe për të arritur tek një marrëveshje, tek ta. Ai e ka kuptuar, jam i sigurt që do kemi një zhargon tjetër për të fituar.
Që të fitosh në Tiranë kundrejt zotin Rama duhet të marrësh më shumë vota se sa merr PD, a është zoti basha personi i përshtatshëm për të marrë më shumë vota në Tiranë se PD, kur është një promovim i zotit Berisha? Pavarësisht se ka drejtuar tre ministri që kanë pasur një performancë të mirë...
Jam i sigurt se zoti Basha do marrë vota më tepër se PD, këtu do jemi do takohemi prapë.
Edhe pse opozita e akuzon si promovim të zotit Berisha?
Zoti Berisha, një nga gjërat më me mend që ka bërë, është që vuri Lulin kandidat në Tiranë. Nuk mund të themi që nuk kishte asnjeri tjetër, po sipas meje ky ishte më i miri më i përshtatshmi. Do të uroja me gjithë zemër, të arrijë një fitore neto në Tiranë.
Në mënyrë figurative, ju jeni pjesë e ekipit të Lul Bashës?
Do më bëhej qejfi po të më thërriste, dhe kur të vijë në lagjen time unë do ta pres. I kam zët manifestimet, nuk kam moshën për manifestime, por për Lulin do të bëj një farë mundimi. Nëse do të dojë ndihmën time.
Keni prezantuar zotin Berisha në vitin 2005 në Kavajë...? Nuk jam i penduar. Atëherë duhet me domosdoshmëri të hiqej qafe Fatos Nanon, ishte bërë e padurueshme. Thash më mirë të hiqet qafe kjo qeveri. Le të vijë Berisha. Nuk jam penduar për ato që kam thënë në Kavajë për Berishën.
Ju jeni i gatshëm të prisni zotin Basha në rast se do vijë tek lagja juaj?
Po. Një gjë është e sigurt, nëse gruaja ime më parë kishte votuar për Ramën, kësaj radhe do ta bëjë pa hezitim për zotin Basha. Vajzat e mia, nipat e mi, e gjithë familja ime do ta votojnë, këtë i garantoj Lulit. Dhe do i them ndonjë fjalë edhe fqinjëve të mi, se shiko se po na troket fati në derë, kemi përpara një njeri që me të vërtetë do ta pastrojë më mirë Tiranën, do ta mbajë më mirë, do të na hapë perspektiva për më tej. Kaq i garantoj nuk mund të bëj më tepër, po të kisha para do ti jepja për fushatë
Po jepni lajmin zoti Godo, se pjesëtarët e një familje të djathtë kanë votuar për Zotin Rama?
Po e vërtetë. Ka votuar gruaja ime për Ramën se pastroi Lanën, se unë banoj buzë Lanës. Ore tha e bëri mirë ky. Unë i thashë me vërtetë jemi një familje, po secili ka bindjet e veta. Unë votova për Besnikun dhe ajo për Ramën.
Po kësaj radhe e keni bindur ju të votojë për Bashën?
Jo është bindur vetë, thotë mjaft Rama, tani dhe ndonjë ajër nuk po shohim, as dhe ndonjë ndryshim. Tani mua nuk më vjen mirë kur shoh të thonë se ajri është ndotur tre herë apo pesë herë më shumë, nuk kam më problemin tim, por kam hallin e nipave. Pastaj nesër do vijnë edhe fëmijët e nipave, ata këtu do jetojmë dhe duhet të jetojnë në një qytet që të mos kërcënojë shëndetin e tyre, kjo është një nga gjërat. Nganjëherë, nipat e mi më thonë se do iki nga ky vend se nuk e durojmë më pisllëkun këtu. Dua një njeri që të fillojë ta çlirojë Tiranën ta bëjë të banueshme, ta bëjë të këndshme për njerëzit, për këtë e mbështes Lulin.
No comments:
Post a Comment