Me marrjen e besimit të demokratëve për t’i përfaqësuar ata në betejën për Bashkinë e Tiranës, e cila prej 13 vitesh qeveriset nga socialistët dhe Edi Rama, Lulzim Basha shënon datën e pestë kyç në karrierën e tij politike. Dhe padyshim më të rëndësishmen. Ministri i Brendshëm deri dje, 38-vjeçari me profilin dhe karrierën më të kompletuar në politikën shqiptare, i ka thënë PO një sfide të re, sfidës së dytë më të rëndësishme që një politikan mund të ndërmarrë në Shqipëri, pas sfidës për t’u bërë Kryeministër i Shqipërisë. Deri dje, më 25 mars, karriera politike e Lulzim Bashës ka njohur së paku katër stacione pararendëse. Data e djeshme është e pesta dhe më e rëndësishmja.
Lulzim Basha, përfaqësues tipik i brezit të ri të politikanëve të së djathtës shqiptare, hyri në politikën tonë dhe vijon të kontribuojë aty me profilin e politikanit normal. Por duke i qëndruar natyrshëm këtij normaliteti, ai u shndërrua në “fenomen politik”, aq sa sot ai është jo vetëm ministri më i suksesshëm i kabineteve Berisha, por pa dyshim figura politike e shpresës dhe e së ardhmes së demokratëve shqiptarë. Sepse për të zënë vend parësor në politikën shqiptare, Lulzim Basha nuk ka patur nevojë të hyjë në “tribunën A”, duke përdorur zhurmën apo spektaklin e “çorapeve të kuqe”, të “vëthit në vesh”, “skandalet familjare dhe seksuale”, “me ekcentrizëm” edhe pse si i tillë bën lajm në epokën e sotme të komunikimit integral.
“Fenomeni Basha” në politikën shqiptare është ai i një të riu të mirëshkolluar në universitetet më të mira të Europës, me përvojën e punës në organizmat ndërkombëtarë në Kosovë, i cili shkëlqen fillimisht me performacën e një tipi të ri politikani, në debatet publike dhe më pas me një punë rigoroze dhe metodike në krye të ministrive dhe sektorëve më të rëndësishëm të qeverisjes së Shqipërisë.
Në ekipin më të lartë drejtues të Partisë Demokratike, Basha zë vend natyrshëm. Ai vjen nga një familje qytetare tiranase me traditë të djathtë, me origjinë nga Kosova, e zhvendosur në Shqipëri pas masakrave serbe atje. Adoleshent, i apasionuar pas politikës, kur ishte ende gjimnazist në “Sami Frashëri”, Lulzim Basha ishte ndër të paktët vëzhgues të opozitës së atëhershme demokratike, në një moshë të vogël, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, ato të 31 marsit 1991. Duke iu kthyer studimeve, Basha nis karrierën e juristit, profesion nga ku dalin natyrshëm shumica e politikanëve të suksesshëm perëndimorë, të cilën e teston që prej vitit 1999 në Kosovë, ku punon në ekipet e Kombeve të Bashkuara, që morën në administrim Kosovën dhe kontribuan në ngritjen e shtetit kosovar.
Duke përligjur, më shumë se njëherë, besimin dhe investimin e demokrateve dhe të liderit të tyre Sali Berishës, Lulzim Basha nga dita e parë kur u shfaq në politikë në krye të Komitetit për Orientimin e Politikave, në janar 2005 e deri sot, kur po mbyll portën, në ditën e fundit të detyrës si ministër i Brendshëm, Basha futet në betejën për Tiranën jo thjesht si kandidatura më e mirë e demokratëve, por dhe si një kandidat që i jep dinjitet garës për qeverisjen e qytetit më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
8 janar 2005 KOP – Promovimi në politikë dhe fitorja e betejës së parë politike
Në çdo strukturë kolektive ka një emër që simbolizon të gjithë strukturën. Më 8 janar të vitit 2005, kur lideri i PD-së, Sali Berisha, lançoi një prej lëvizjeve më të rëndësishme në politikën shqiptare të tranzicionit, krijimin e Komitetit për Orientimin e Politikave, një organizëm jashtëpartiak që mblidhte rreth 40 personalitete nga të gjitha fushat, që donin të kontribuonin në ndryshimin e vendit, Lulzim Basha spikat. Ai bëhet koordinator i KOP-it dhe si i tillë e përfaqëson këtë organizëm në një mënyrë mjaft bindëse në debatin publik dhe politik. KOP-i ishte një nga faktorët kryesorë pse shqiptarët i besuan më 3 korrik projektit të demokratëve të Sali Berishës dhe aleatëve të PD-së, për t’u kthyer në pushtet, të reformuar, bindës, me ide të qarta për qeverisjen e Shqipërisë. Kurse brenda KOP-it, Lulzim Basha luajti pa mëdyshje me shkathtësi dhe novacion rolin e një koordinatori dhe drejtuesi efiçent dhe karizmatik për publikun e gjerë. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 Lulzim Basha kandidoi në një prej zonave elektorale të kryeqytetit, duke fituar thellë ndaj rivalit socialist, megjithë investimin e gjerë të pushtetit të atëhershëm qendror dhe atij lokal të Bashkisë së Tiranës të kryesuar nga Edi Rama, për të pamundësuar fitoren e tij, përmes shumë manovrave të vogla politike me listat e zgjedhësve dhe të tjera truke elektorale.
Ministër i Punëve Publike, ministri i rrugës Durrës – Kukës
Krijimi i qeverisë së demokratëve më shtator 2005 e gjen Lulzim Bashën në krye të një prej ministrive më të rëndësishme, asaj të Punëve Publike, rregullimit të Territorit, ministria me sfidën e transformimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Në këtë sfidë spikaste një detyrë thuajse misionare, që demokratët e Sali Berishës e kishin premtuar: përfundimi përkundrejt të gjitha pengesave i rrugës Durrës – Morinë, e pagëzuar tashmë si “Rruga e Kombit”, vepra më e madhe infrastrukturore e të gjitha kohërave në hapësirat shqiptare. Në krye të kësaj ministrie Lulzim Basha e bën të mundur realizimin e projektit të rrugës Durrës – Kukës, megjithë pengesat e shumta që hasi ky projekt, që nuk kishte dashamirësinë as të shumë prej institucioneve ndërkombëtare me rëndësi në vendimmarrjen për Shqipërinë, as të opozitës socialiste të Edi Ramës, që e kundërshtoi, sulmoi, ndoti këtë projekt nga dita e parë e deri kur drejtësia shqiptare mbylli çdo çështje dhe dyshim mbi mënyrën e ndërtimit të kësaj rruge.
Me këtë vepër Basha bëhet në të njëjtën kohë edhe targeti kryesor i luftës politike të opozitës dhe Edi Ramës, e cila shenjon te figura e Lulzim Bashës kundërshtarin kryesor te mazhoranca menjëherë pas rivalit të vet, kryeministrit Berisha.
Ministri i Jashtëm, ministri i misionit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Në ndryshimet qeveritare të prillit të vitit 2007, kryeministri Berisha i beson Lulzim Bashës një detyre të re, atë ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Shqipëria është në një aktivitet diplomatik intensiv dhe me rëndësi të dorës së parë në proceset integruese të vendit, si dhe në fatin e zhvillimeve rajonale të lidhura me fatin e Shqiptarëve në Ballkan: Shqipëria ishte në përmbyllje të procesit të anëtarësimit në NATO dhe pavarësia e Kosovës ishte shtruar në axhendën e kohës së diplomacisë perëndimore. Basha si ministër i Jashtëm kryen më së miri pjesën që i takon kryediplomatit shqiptar në këto zhvillime me rëndësi përtej shqiptare. Basha është i pranishëm në takime dhe tryezat më të rëndësishme të diplomacisë perëndimore dhe ndërkombëtare, duke i dhënë përfaqësimit të Shqipërisë në këto evente dimensionin e një diplomati bashkëkohor dhe të barabartë me kolegët e vet rreth tavolinës. Vizita e presidentit Bush në Tiranë, në qershor të vitit 2007, ishte një nga kulmet e marrëdhënieve të Shqipërisë me Perëndimin, vizitë me mesazhe të mëdha që presidenti Bush i shpalli nga Tirana për herë të parë: pavarësinë e Kosovës si dhe një mbështetje më shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Një vit më pas, Kosova u shpall e pavarur në shkurt 2008, dhe në prill të 2008-s në Samitin e Bukureshtit NATO votoi “PO” anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Ministër i Brendshëm, përmbushja e “detyrave të shtëpisë” për liberalizimin e vizave
Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 Lulzim Basha kryesoi me shumë sukses listën e deputetëve të koalicionit të djathtë në qarkun e Elbasanit, tashmë kur gara zhvillohej në një sistem tjetër elektoral, si ai i “proporcionali rajonal”. Rezultati tepër i mirë në qarkun e vështirë të Elbasanit, meritë e kreut të listës, ministrit Basha, ishte një nga elementet bazë të fitores së demokratëve për një mandat të dytë për qeverisjen e Shqipërisë, e shenjon Bashën për postin me të rëndësishëm në qeveri, atë të ministrit të Brendshëm. Në këtë ministri ishte një dosje tepër jetike për fatin e qytetarëve shqiptarë në lidhje me liberalizimin e vizave, dosje të cilën Basha e merr përsipër me një metodikë që të impresiononte Brukselin skrupuloz ndaj plotësimit të kushteve nga ana e Shqipërisë. Bashkë me burokratët skrupulozë të Brukselit, Basha në krye të Ministrisë së Brendshme, mposhti edhe skepticizmin e kolegëve europianë, ministra të Brendshëm të BE-së, të cilët shihnin te trashëgimia e Shqipërisë shumë e shumë probleme. Në harkun e 18 muajve, të gjitha kushtet apo “detyrat e shtëpisë” u plotësuan me rigorozitet dhe Basha ishte udhëtari i parë, më 15 dhjetor 2010, në avionin me qytetarë shqiptarë pa viza drejt Brukselit. Dhjetëra studentë, në këtë udhëtim inaugurues të një brezi që tashmë doli plotësisht nga izolimi i prindërve dhe gjyshërve kundrejt Perëndimit, bashkë me ministrin Basha ishin kampioni i parë i asaj se Shqipëria e kishte merituar liberalizmin e vizave dhe se asnjë ekses nuk do të ndodhte për të vërtetuar hezitimin europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Pasi ka përmbyllur kryedetyrën apo misionin më të rëndësishëm në krye të kësaj ministrie, Lulzim Basha mund të mbyllë dosjen e fundit, në ditën e fundit të punës në këtë dikaster, me lehtësinë e një misioni të kryer më përpikëri.
Beteja për Tiranën, kthimi i djalit në shtëpi
Marrja përsipër e kandidimit për kryebashkiak i Tiranës, është data e pestë dhe më e rëndësishmja e Lulzim Bashës. Në fakt, duket si kthimi i “djalit në shtëpi”, pasi pas afër 16 vjetësh, kur si student u largua jashtë e deri në ditën që ai i ofrohet qytetit për të marrë detyrën e “Qytetarit të parë”, Basha ka qenë gjithnjë i lidhur me Tiranën. Jo thjesht për nostalgji, jo thjesht për prirjen e natyrshme të çdokujt, që kudo ku shkon, çfarëdo që bën, sërish mbetet një vend për qytetin, për vendlindjen e vet, por dhe sepse, në detyrat që ka patur Basha ka qenë gjithnjë mjaft i lidhur me Tiranës. Së pari, ai ka qenë deputet i Tiranës në mandatin 2005- 2009; së dyti, gjatë detyrave të tij të larta në krye të ministrive të ndryshme ai ka kontribuar në përmirësimin e të ardhmes së Tiranës apo të jetës së qytetarëve të vet, pa rënë në rivalizimin meskin politik për faktin se në krye të bashkisë ishte kryesocialisti Edi Rama. Shumë iniciativa e apo projekte mbajnë firmën dhe kontributin e Lulzim Bashës për projekte të mëdha për transformimin e Tiranës, edhe pse jo gjithmonë ato gjetën zbatim nga bashkia e deritashme e Tiranës.
Sot Lulzim Basha, “djali i qytetit”, djali i Tiranës, gjimnazisti basketbollist i “Sami Frashërit”, adoleshenti kureshtar për politikën, i kudogjendur nëpër protestat e studentëve të fillimit të viteve ’90, apo në vëzhgimin e zgjedhjeve të para pluraliste, djaloshi i përmbajtur i bordurave të qytetit, kthehet në shtëpinë e vet, me një projekt, me një ide. Të cilën ai do ta ndajë me qytetin këto 45 ditë të fushatës elektorale, duke kërkuar besimin e tyre për ta zgjedhur atë “Qytetarin e Parë të Tiranës”. Tamam si një kthim i lumtur në shtëpi.
Erion Bogdani: Une jam ne skuadren e Lulzim Bashes
Ne mbeshtetje te Lulzim Bashes, kandidat ne bashkine e Tiranes, foli edhe futbollisti i kombetares, Erjon Bogani, i cili tha se per sa i perket politikes, eshte ne skuader me Lulzim Bashen. “Une jam ne skuadren e Lulzim Bashes. Jam ketu, per dashurine per Tiranen. Kryeqyteti me Lulzim Bashen ka mundesi te jete ndryshe”, u shpreh ai.
Ndersa nipi i kryetarit te pare te bashkise se Tiranes, mjeku Zamir Ndroqi, shprehu besimin se Basha, do te dije te beje dicka per ndotjen ne kryeqytet, kancerin qe merr jeten e banoreve te tij.
Voten pro tij e deklaroi dje ne podium edhe studentja e pare, qe levizi lirisht me 15 dhjetor 2010, Ardita, duke e vleresuar Bashen per realizimin e levizjes se lire.
Nderkohe qe e para qe uroi kandidatin e PD-se per fitore ne 8 maj, duke i lene edhe porosi, ishte mesuesja e tij e fillores. “Jam krenare qe te kam pasur nxenes. Ti ke seriozitetin, vullnetin dhe punen per te dale fitimtar. Po te le porosi, si dikur detyrat e shkolles, me shume shkolla. Urime Luli, suksese jam e bindur qe do t’ia dalesh”, u shpreh mesuesja.
No comments:
Post a Comment