Genti Kruja*
Prania dhe bashkekzistenca e dy besimeve më të mëdha monotesite në botë, Islamit dhe Krishterimit te populli shqiptar, ka bërë që toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar të jenë domosdoshmëri historike, për të shërbyer kështu si mjet dhe faktor që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën e kombit, duke i dhënë asaj vlerën e patjetërsueshme shekullore, atë më të çmuarën, që shumë vende të botës e kërkojnë medoemos, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare, madje edhe atë ndëretnike dhe ndërkulturore.
Gjykuar në pikëpamjen horizontale-sinkronike, shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë abrahamike, Krishterimi dhe Islami, të cilat ekzistojnë së bashku prej shekujsh me komunitetet e tyre përkatëse. Populli shqiptar me multifetarizmin e vet, ka qenë, është dhe duhet të jetë shembull i veçantë dhe simbol i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit, madje edhe më tej. Muslimanët, ortodoksët dhe katolikët kanë bashkëjetuar në harmoni dhe pa konfrontime përçarëse në mes tyre, përkundrazi ata kanë plotësuar njëri-tjetrin. Vetë ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive, kishave e teqeve, pranë njëri-tjetrit, simbolizon të kaluarën e përbashkët të vendit tonë.
Të gjithë në Shqipëri duhet ta kuptojnë se realiteti dhe fati jo vetëm i yni por i gjithë botës, që nga fillimi deri në mbarim të saj, është larmi besimesh e bindjesh. Shqiptarët nuk do të kenë përçarje fetare përderisa të besojnë se fetë në Shqipëri janë pasuri e jo fatkeqësi dhe se Zoti i vetëm është për të gjithë i njëjtë, për muslimanë e të krishterë.
Nisur nga këto, një nga përfaqësuesit e sotëm më të njohur të shkollës së dialogut ndërkombëtar, Fethullah Gylen, shprehet se “Dialogu ndërfetar sot shtrohet si një detyrë dhe hapi i parë për ta vendosur atë është të braktisen argumentet polemike dhe t’u jepet përparësi pikave të përbashkëta, të cilat janë disa herë më të shumta sesa pikat e dallimeve.”
Shqipëria ka qenë zona ku takoheshin dhe ndaheshin dy perandoritë më të mëdha të Mesjetës: Roma dhe Bizanti, ku takohej dhe ndahej autoriteti i dy kishave: katolike dhe ortodokse. Po ashtu, Islami në Shqipëri bashkëjeton me Krishterimin prej shekujsh dhe është një prej feve përbërëse të Europës që në fillesat e veta.
Nën çdo arsyetim, një komb që është në gjendje të sigurojë këtë lloj pasurie, siç është harmonia ndërfetare, patjetër që është i aftë dhe ka autoritetin e nevojshëm të rrezatojë edhe te të tjerët mesazhe paqeje, tolerance e mirëkuptimi. Harmonia ndërfetare e brendshme e një vendi, ka shumë pikë në procesin e vlerësimit të rolit të këtij vendi në bashkësi ndërkombëtare rajonale, kontinentale dhe botërore.
Mjaft studiues shqiptarë dhe të huaj kanë argumentuar se fetë në Shqipëri kanë luajtur edhe një rol të rëndësishëm kundërasimilues. Për shekuj me radhë patriotë të krishterë dhe muslimanë kanë qenë faktorë veprues kundër politikave shkombëtarizuese dhe antishqiptare.
Toleranca përbën gjithashtu edhe një tipar etnotipik të shqiptarëve. Ndoshta kjo cilësi është e lidhur edhe me pozitën gjeopolitike të shtetit shqiptar. Ndërsa Perëndimi e ka parë Ballkanin dhe portën e tij, Shqipërinë, si një Lindje ekzotike; përkundrazi, Lindja e ka parë atë si Perëndimin e saj. Në kryqëzim të dy botëve, shqiptarët kanë marrë e dhënë me të dyja, duke ruajtur thelbin e vet identifikues, duke shërbyer si urë kalimi ndikimesh dhe duke përvetësuar edhe vetë prej tyre.
Rruga e këmbimit të vlerave ndërmjet qytetërimeve është e pranishme edhe te populli shqiptar. Për këtë te shqiptarët mund të flasim për dy nivele të bashkëveprimit të kulturave: raportet e subkulturave shqiptare të ndikuara nga feja e krishterë e ajo islame dhe raportet e kulturës shqiptare me ato të popujve fqinjë, që fillojnë së bashku bashkëjetesën përbrenda popullit shqiptar, shekuj më parë, të pranishme në jetën e shqiptarëve. Atë bashkëjetesë e gjejmë në art, në arkitekturë, në gjuhë, në besime etj.
Në krijimin e një fryme tolerante, krahas feve dhe përfaqësuesve të tyre ndër vite, ka ndikuar edhe trashëgimia socio-antropologjike e shqiptarëve, sistemi shoqëror tradicional dhe ai i vlerave. Toleranca fetare ka kaluar nga përbërës i rëndësishëm i modelimit psikokulturor të shqiptarëve drejt një vetëdije kombëtare për këtë vlerë.
Nga të dhënat sociologjike që janë mbledhur gjykohet se në shoqërinë shqiptare përkatësitë fetare të besimtarëve të ndryshëm nuk i kanë mbyllur ata brenda një ndërgjegjeje dhe lidhjeje të ngushtë ekskluzive të përcaktuar nga feja e tyre.
Por natyrshëm shtrohet pyetja: Cilët janë disa prej fakteve historike që hedhin dritë mbi harmoninë ndërfetare në radhët e shqiptarëve? Kanë qenë pikërisht pyetje të tilla, që nxitën studiuesit shqiptarë dhe të huaj për të kërkuar vlera të ndritshme të identitetit shqiptar, siç ishte kjo e bashkëjetesës ndërfetare. P. sh. J. Barns shkruan: "Një tolerancë për t'u pasur zili karakterizon në të gjitha drejtimet e tjera marrëdhëniet ndërmjet muslimanëve dhe të krishterëve në Shqipëri". Kurse Papa Gjon Pali II, në vizitën e prillit 1993 në Shqipëri, e theksoi harmoninë fetare shqiptare si një shembull për të gjithë opinionin fetar. Të njëjtin kuptim leksikor kishte Zoti (Dio) i të krishterit e Allahu te muslimani, që në shqip thirren Zot ose Perëndi nga të dyja palët, pa dallim, prej shekujsh. Një misionar jezuit dëshmonte më 1896 se me rastin e Krishtlindjes muslimanët e qytetit të Shkodrës shkonin t'i uronin katolikët “për shumë mot”.
Kështu, studiuesi Karaman Ulqini shprehet në librin e tij “Faktorë kulturorë e fetarë”, se në vitet pesëdhjetë (të shek. XX) në Mat kishte shumë kisha të braktisura prej qindra vitesh, të cilat u lanë ashtu e askush nuk prekte një gur. "Janë vakuf", thonin banorët.
Sipas traditës, miku i panjohur mund të pyetej për gjithçka, por jo për përkatësinë fetare. Një misionar shkruante se "shpesh i kishte qëlluar të përshëndeste muslimanët e Iballës: “Kjoftë lëvdue Jezu Krishti!”, duke i kujtuar për të krishterë e ata pa u treguar aspak të fyer përgjigjeshin: “Gjithmonë qoftë lëvdue!”.
Kur Gruda po ngrinte kishën në Llofkë, për të kontribuan njëlloj si katolikët, ashtu dhe muslimanët e Dinoshës. Shtëpia e vetme muslimane në Selcë (Kelmend), ajo e Bajram Muçës, i fali famullitarit të Malit Kolaj vendin për ndërtimin e qelës së kishës. Gjithashtu, edhe amaneti i lënë për çështje fetare nga një besimtar i fesë tjetër, çohej deri në fund me këmbëngulje. Fan Noli kërkonte të mos ndryshohej asgjë, e kundërta do të ishte prishja e kombit. “Priftërinjtë e hoxhallarët do të ndihmonin Shqipërinë, duke punuar secili në ndriçimin e fesë së tij”, - do të thoshte ai.
Rilindësit u bënin thirrje shqiptarëve të bashkoheshin edhe në emër të Zotit. Sipas Çajupit, “të krishterë e muslimanë (Zoti) i gatoi nga një baltë”.
Në gjysmën e shek. XIX në fshatra të varfra ishte e zakonshme që po e njëjta hapësirë, po i njëjti lokal, shërbente të dielën si kishë, kurse në ditë feste si xhami. Gjithashtu, edhe Urdhrat muslimane të dervishëve, si tarikatet e ndryshme dhe Bektashinjtë, përfaqësonin një tolerancë shumë të përhapur ndaj jomuslimanëve, gjë që atyre u siguroi një dashamirësi të caktuar nga ana e popullsisë së krishterë.
Në kohën kur At Anton Harapi hartonte Memorandumin e famshëm të 1918-s drejtuar Fuqive të Mëdha, të nënshkruar nga të krishterë e muslimanë, kur Imzot Sereqi i shkruante Lidhjes së Kombeve se në Shqipërinë, që rrezikohej të zhbëhej, të krishterë e muhamedanë janë vëllezër dhe duan të jetojnë në të njëjtin shtet, pikërisht në këtë kohë, në mitingun madhështor organizuar në sheshin e Tiranës, kleriku dhe patrioti H. Vehbi Dibra deklaronte: "Jemi mbledhë këtu, që Kosova e Çamëria t'i ngjitet Shqipërisë plotësisht indipendente,…jemi të gjithë bij të një gjaku e të një trualli." Në pozitën e kryemyftiut, në Kongresin Musliman Shqiptar, mbajtur më 1923, përsëriste me sinqeritetin më të madh: “musliman, katolik dhe ortodoks, në pikëpamje të kombësisë kemi një lidhje vëllaznie të plotë e të patundshme...” Ai ka qenë gjithashtu edhe pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë, si dhe kryetar i parë i Pleqnisë (Senatit) më 1912. Kurse në dokumentin e arkivuar në Arkivin e Shtetit, gjendet edhe fetvaja (ligjshmëria islame) e tij, në lidhje me përdorimin e flamurit shqiptar me shqiponjë, si një simbol i bashkimit kombëtar.
Në rihapjen e kishës dhe xhamisë së parë në nëntor të vitit 1990, në Shkodër, pas ndalimit të gjatë gati një çerek shekulli, bashkëpunimi ndërfetar për hapjen e kishës dhe xhamisë së parë ishte shprehje e harmonisë dhe e vëllazërimit ndërfetar përballë regjimit komunist që ende ishte në fuqi. Kështu, bashkëpunuan djemtë e rinj katolikë e muslimanë, si në përgatitjen e meshës në varrezat katolike, ashtu edhe në Xhaminë e Plumbit, për faljen e xhumasë së parë më 16 nëntor 1990.
Ja pra, kështu ka vazhduar për shekuj me radhë bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare mes shqiptarëve, e sot ka mbërritur te ne nëpër shumë peripeci, si një vlerë e madhe kombëtare e një populli të vogël. Por këtë vlerë të rrallë, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë me të gjitha mënyrat, nëpërmjet arsimit, medias etj., kudo qoftë, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
* Dr. Genti Kruja është sociolog
No comments:
Post a Comment