Sunday, March 27, 2011

Azem Shkreli nje prezantim i shkurter

Jeta dhe vepra e Azem Shkrelit(1938-1997)



Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.


Ka botuar këto vepra në poezi:

1.Bulzat (1960),
2.Engjujt e rrugëve (1963),
3. E di një fialë prej guri (1969),
4.Nga bibla e heshtjes (1975),
5.Pagëzimi i fjalës (1981),
6.Nata e papagajve (1990),
7.Lirikë me shi (1994),
6. Zogj dhe gurë (1997).

Në prozë:

1.Karvani i bardhë (1961),
2. Sytë e Evës (1975),
3. Muri përfundi shqipes
4.Shtatë nga at,

Dramat:

1.Fosilet (1968),
2.Varri i qyqes (1983) etj.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.
Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër…

Vendlindja, natyra dhe njeriu i Rugovës së Dukagjinit, portreti shpirtëror i tij, do të jenë frymëzimi kryesor i poezisë së Azem Shkrelit të shtrira brenda viteve gjashtëdhjetë. Frymëzimi që ngjizet mbi këtë hapësirë e që është kthim i shpeshtë i poetit, nuk është konvencional e aq më pak pozë: nuk ka në të patetikë malli dhe mallëngiimi që djeg, “më të bukurin vend”… Bota e vendlindjes së poetit është e pranishme si botë e njerëzve, si besim dhe parim etik, si ashpërsi dhe krenari, si individualitet i papërsëritshëm me hapësirat e tjera, si filozofi jetësore, si raport ndaj lindjes, jetës, vdekjes, dashurisë, si raport ndaj dasmës dhe festës, ndaj punës dhe natyrës, ndaj zotit dhe, sidomos ndaj fjalës. Në këtë frymë janë poezitë e ciklit “Këngë për vete” të shkruara në fund të viteve pesëdhjetë dhe që, së bashku me një tufë poezish të tjera, do t’i emërtojmë si autoportret poetik.

Tek poezitë e ciklit “Dukagjinçe” mund të përmendim disa poezi portrete të vendlindjes që shënojnë kulmin artistik të poetit si: “Dukagjinge”, “Vdekja e Malësorit”, “Bregu i mollës”, “Shkëmbi”, “Lumi” etj. Te poezia “Vdekja e malësorit”, përmes përqasies poetike vihen pranë e pranë tri majat: e malit, e lisit dhe e Malësorit.

S’ka lot, s’ka kujë në këtë vdekje, se atëherë rrëzohen lisat, shemben majat dhe shterrin krojet. Dhe, s’ka vdekje këtu: vetëm se harroi perëndimin dita në sytë e Malësorit, ndërsa mendimi i vrugët dhe i ftohtë ndër vetulla, është ai që shquhet.

Ndërsa poezia “Bregu i mollës” edhe si strukturë vargu, si frymëzim dhe poetikë, është realizuar fare ndryshe nga poezia e mësipërme. Ajo është konceptuar si një rrëfim që rrjedh përnjëherë dhe furishëm, thuajse pa të lënë rast të marrësh frymë. Eshtë njëri nga kthim-kërkimet më dramatike të poetit pas gjurmëve të dikurshme që, përfundimisht i ka fshirë koha. Të pashlyera, të njëjta në atë kthim janë vetëm retë shtegtare, të përjetshme në shtegtimin e tyre, sfiduese përballë shtegtimit kalimtar, përballë gjurmëve të fshira pamëshirshëm. Në këtë kontekst mund të përmendet dhe poezia “Lumi”, i cili sikur merr pjesë në këtë komplot kundër poetit, po dhe ai fsheh diç të kaltër dhe të urtë në thellësitë e veta, por që s’do ta thotë. Nga vargjet e poezisë “Shkëmbi” reflekton njëjëzimi maksimal në mes të portretit, natyrës së vendlindjes dhe individualitetit të Unit lirik.

Dashurinë për vashën, poezia e Azem Shkrelit e ka emocion, dhembje të brendshme, të pazëshme.

Fjala është për një cikël jovëllimor poezish, të zëna dhe të lindura, mbase nga një dashuri e pafat e poetit, që përjeton dramë dhimbjesh të thella. Vasha para një udhëkryqi dramatik zgjedh largimin përfundimtar. Vargjet e lindura nga ky detaj jetësor, ngarkohen kryesisht vetëm me një refleks emocional: dhimbjen e poetit pas ndarjes. Edhe për përmasat e emocionit, për figurën, portretin e vashës, poeti gjen ndonjë detaj të rrallë që s’është qëllim në vete, por në funksion të tendosjes dramatike të folësit lirik. Dhembjen e kësaj plage autori parapëlqen ta mbajë të heshtur, vetëm për vetveten dhe, kur ajo kërcënon të dalë jashtë kontrollit, e ndrydh brenda, si një therrje, plagë fizike. Në këto poezi ndjehet gjendja shpirtërore e poetit, supozohen rrethanat, mjedisi, si dhe një ecuri kronologjike se si dhe kur kanë lindur poezitë e ciklit në fjalë, që asnjëra nuk ka datë.

Fillimi do të ishte si një “Këngë e heshtur” një takim e gëzim rasti, po ashtu pa bujë, lindja e këngës si një “takim pa hiri”, përthithës në çast, por, njëkohësisht i mbështjellë dhe i përcjellë me një parandjenjë të kobshme që pëshpërit si Korbi i Po-së: do ta dua pa e parë.

Pason pastaj periudha e një dhimbjeje që therr thellë, duke u përplasur brenda gjirit të vet në një vetmi absolute të Unit lirik. Kjo fazë lidhet me bredhien e ankthshme të poetit përmes tri lirikave: “Liqeni”, “Nata në kështjellë” dhe “Në Shën Naum”.

Liqeni që depërton andej dhe këtej kufirit mbase dhe mund të ofrojë një sinjal, një hollësi për vashën, por ai, indiferent, luan me valët dhe, sikur s’është më as syri i tij as loti i saj, dhe Unit folës në çast, i vjen të zbresë në fundin e tij. Nuk ka ngjyrim patetik, as vaj ngushëllues në këtë dëshirë, ide e mendim, qoftë i një Basti fluturues, i një jehone të largët. I tillë është një trevargësh nga cikli i lirikës së realizuar si autoportret, konkretisht nga poezia me titull “ç’ka mësova unë”; -Me qeshë pelim me vuajtë, Me dashtë si me vdekë, Me vdekë si me luejtë. Dashuria dhe vdekja në poezinë e Azem Shkrelit nuk janë një fjalë goje. Përkundrazi ato qëndrojnë pranë e pranë fare natyrshëm.

Poezia “Në Shën Naum” është një tjetër faqe e bredhjeve të poetit rreth e rreth liqenit që e ndan aq mizorisht. Vargjet e poezisë “Nata në kështjellë” vinë si një fund dite e plumbtë, si një thirrje për strehim qetësues, si një refleks për ta heshtur, për ta vënë në gjumë dhembjen. E kjo nuk ndodh. Përkundrazi dhembja roit e përçudnuar dhe poeti, për ta mposhtur, therr faqen e shkëmbit me gishtat e duarve. Poezia kurorë e ciklit pa dyshim është “Në vend të përshëndetjes”. Para kësaj, një si këndellje, vërehet që në vargjet e poezisë “Para elegjisë”, ku uni lirik sikur e parandjen jehonën e qëndrimit nëpër kohët që vinë. Por përmes vargjeve të poezisë “Në vend të përshëndetjes” poeti do të shpërthejë si klithje dhe anatemë.

Në këtë poezi antologjike vihet re një përplasje e brendshme udhëkryqesh, përplasje përjashtuese, emocionesh në momente të kundërta, që rrjedhin furishëm. Vërehet një konflikt dramatik: aq sa zëri lirik përpëlitet të çlirohet nga kjo magjepsie totale, që kullon dhimbje e ankth. Aq më shumë e ndien ai praninë e saj, të shikimit të saj, “në shtegballin e vet”. Ndjehet se stuhia në këtë poezi, turret si e verbër, herë në një drejtim e skajshmëri, herë në të kundërtin.

Azem Shkreli është një nga lirikët më modernë në llojin e poezisë patriotike. Nuk ka eufori në atë poezi, as përbetime e dëshmi atdhetarizmi që, në këtë fund shekulli janë aq me tepricë në poezinë tonë. Brenda këtij harku tematik poeti me guxim denoncon cenet dhe veset shqiptare, dje dhe sot, duke e ruajtur besimin në substancën e shëndoshë të qenies.

Ndjenja e atdhedashurisë shtrihet gati në tërësinë e veprës poetike të Azem Shkrelit. Ajo dallohet thekshëm tek frymëzimet poetike të ngjizura nga drama kosovare dhe shqiptare, sidomos të viteve nëntëdhjetë. Në këtë tematikë sidomos shquhen dy veprat e fundit të poetit, “Lirikë me shi” dhe “Zogj dhe gurë”. Nga tërësia e vargjeve atdhetare reflektohet një urti e thithur nga e kaluara, nga tradita dhe lashtësia historike, nga bota shpirtërore kolektive, që i sfidon krizat aktuale morale dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Si poezi atdhetare, pjesërisht mund të konsiderohen edhe ato përsiatëse, të llojit “Meshë” apo “Dhiatë e re”.

Tek e para përmes një loje fjalësh që, vetëm duke i ndërruar vendet, tek tri vargjet e poezisë, shquhet zëri, në frymë biblike, i vendosur, i prerë në mbrojtje të Dheut dhe qëndrimi shpirtëror e intelektual i poetit ndaj tij. Ajo që e dallon poetin nga shumica e autorëve të lirikës patrioktike aktualisht është ndjenja ndaj fjalës dhe e shqiptimit poetik të përmbajtur në emocione; është ndjenja e masës, ndjenja për të mos u rrëmbyer nga brohoritja kolektive në çastet dramatike për fatin e kombit, siç janë vitet nëntëdhjetë. Këto tipare sidomos shquhen tek vëllimi i parafundit i poetit “Lirikë me shi”. Në këtë kontekst, do të veçojmë poezinë e poetit të lënë në dorëshkrim e që lidhet me ngjarjet e pranverës shqiptare të vitit 1997: “Këngë e turpshme”.

Cikli i kësaj lirike, në këtë përzgjedhje prezantohet me poezitë “Psalm për Kosovën”, “Origjina”, “Arkeologji”, “Meshë”, “Sogje”, “Zgjim”, “Motiv optimist”, “Ndërtimi i kullës”, të cilat dallohen për shtresime të rralla gjuhësore e poetike.

Në lirikën e Azem Shkrelit nuk mund të bëhet diferencim i prerë ndërmjet llojeve të lirikës. Substanca përsiatëse, refleksive është e pranishme dhe tek poezitë atdhetare dhe tek ato historike, intime, të vendlindjes, etj. Cilido qoftë frymëzimi poetik, në ecje, gjatë artikulimit gjuhësor të poezisë, vargu ngarkohet me reflekse kategorish nga ekzistenca dhe metafizika.

Çdo dukuri në këtë poezi është në lidhje me tërësinë e universit dhe ka kuptimin apo pakuptimësinë e kësaj tërësie. Në këtë lirikë është më i pranishëm synimi për të shtruar pyetje, përmes të cilave ndriçohen kategori metafizike të rëndësishme, jepen sugjerime të tërthorta drejt përgjigjeve që asnjëherë nuk janë të prera, përfundimtare.

Rëndom, në atë pjesë të lirikës ku substanca filozofike është më e theksuar, mbesin të hapura dilemat, udhëkryqet në jetë, duke e nxitur dhe pasuruar spektrin asociativ e meditativ të lexuesit.

Lindja e kësaj pjese të lirikës, lidhet me çaste dëshpërimi me çaste zhgënjimi poetik nga ligjshmëria e gjithësisë, nga njerëzit, ku s’pushon të gjallërojë një besim, sado i largët ndjehet ai, sia ndodh tek vargjet e poezive “Ajo që s’e them”, “Pagëzim i fjalës”, “Kafshë e zezë”, “Këngë e vrugut”… Një dëshpërim e zhgënjim i thellë i ditëve të fundit të poetit vërehet tek poezia “Përshëndetje me miq”, ndërsa poezia pak më e gjatë “Letër një miku” lidhet me një brengë më të hershme të poetit.

Vargjet tek të cilat rrezaton dhe besimi e shpresa për ndreqjen e botës dhe të njerëzve, pra dhe të shqiptarëve, janë më të shpeshta në këtë rreth tematik. Në çaste të tilla të rralla, poeti parapëlqen të tërhiqet, të strehohet tek hapësirat e pastra, të virgjëra, siç ndodh me llojin e poezisë “Motive të verdha”. Poezitë më të arrirra të kësaj natyre lidhen me trajtat e heshtjes dhe të fjalës, me përthyerjet e tyre në kontekste të ndryshme, qofshin këto sfiduese dhe provokuese, të përditshme dhe të përjetshme. Përshkohet, në këtë cikël lirik, urtia e fjalës dhe e heshtjes, kriza dhe shansi i tyre në rrethana të ndryshme, forca njëherëshe dhe shkatërruese e tyre.

Përmes fjalë-heshtjes, në lirikën e vet mendimtare, poeti portretizon kohën e fjalamanëve dhe të heshtakëve aktualë, portretizon njerëzit, bartësit e përditshëm të tyre. Po ashtu brenda këtij rrethi frymëzues Azem Shkreli arriti majat e artit poetik, për arsye se vetë natyra krijuese e tij është më pranë dhe më e prirur drejt meditimeve filozofike. Në këtë fushë, është pa dyshim poeti më i fuqishëm në letërsinë e sotme shqiptare.

Veti parësore e poezisë së Azem Shkrelit është dendësia e mendimit, ngarkesa dhe tendosja emocionale, të cilat nuk janë sajime mekanike, as rezultat i reduktimeve dhe i shkurtimeve sasiore të mjeteve shprehëse. Dendësia në të gjitha shtresimet poetike është në natyrën krijuese të poetit. Kjo natyrë krijuese e ka të mprehtë ndjeshmërinë ndaj fjalës, nga e cila shtrydh të pamundshmen.

Duke u vendosur në kontekste të caktuara, fjala, figura, fraza, në këtë poezi aftësohen maksimalisht për të zënë dhe për të bartur në rrjetën e tyre, mendime dhe nuanca mendimesh, emocione, imazhe përfytyrimi dhe imagjinate nga më të nuancuarat dhe nga më të ndërlikuarat. Karakteristikë tjetër është gdhendja mjeshtërore e vargut dhe e frazës poetike.

Duke qenë jashtë konvencioneve metrike dhe retorike, poeti, në vargun e lirikës së tij arrin të vendosë një ritëm, një harmoni të natyrshme, jo të imponuar dhe jo në dëm të thelbit përmbajtësor dhe estetik të saj. Nga kjo anë poezitë e Azem Shkrelit u përngjajnë skulpturave të gdhendura mjeshtërisht dhe të krijuara nga lënda kristalore, e tejdukshme. Saktësia e imazhit imagjinativ dhe figurativ, saktësia dhe tërësia e perspektivës dhe e filozofisë poetike, qëndrojnë në thelb të strukturës vargëzuese të A. Shkrelit. Është dhe një veçori, mbase e rrallë përgjithësisht, që e veçon vargun e Azem Shkrelit: mendimi, emocioni, nuk i robërojnë strukturat tërësore të vargut, strofës, frazës. Ato sipas nevojës derdhen lirshëm dhe arrijnë përpos efekteve estetike dhe elegancë të përsosur ritmi dhe mendimi poetik.

Kur u botua romani “Karvani i bardhë”, (1938), ishte ngjarje letrare në Kosovë, jo vetëm pse autori i tij ishte një gjimnazist i panjohur, por para së gjithash për faktin se përballë asaj pak letërsie (poezi) dhe kurrfarë proze, romani i Azem Shkrelit qëndronte su-perior si vlerë. Edhe për këto dy arsye: lufta e fundit që është tema e romanit, jehona e së cilës ndihej akoma, nga autori i ri shihej ndryshe dhe nuk përputhej aspak me parimet e pasqyrimit bardhë e zi. Ndërsa, njerëzit që e mbartnin atë luftë, bota e tyre rrëfehej me një gjuhë të avancuar, gjuhë që s’provonte aftësinë e një të rrëfyeri burimor, efikas për të dhënë situta dhe përfytyrime komplekse shpirtërore.

Aso kohe, romani mbi Dyl Mehmetin, siç njihet më shpesh “Karvani i Bardhë”, nuk arriti t’i hapë udhë një konflikti tragjik të brendshëm të botës shqiptare: si të ruhet profili pozitiv i Dyl Mehmetit nga njëra anë, dhe të kundërshtohet lufta e tij nazionaliste, antikomuniste nga ana tjetër; pra si të rezervohet simpatia e lexuesit, përkatësisht e autorit për të, dhe të refuzohet lufta që bën Dyl Mehmeti.

Autori i romanit, gjimnazist, e ndjeu thellë këtë mospajtim dhe konflikt të brendshëm të imponuar artificialisht nga jashtë: jo të gjithë ata, për të mos thënë pjesa dërrmuese që e bënë luftën e vet, edhe pse kundër shumicës, nuk ishin dreqër të zinj.

Autori shkon dhe më tej, jo të gjithë ata e donin më pak Kosovën dhe shqiptarizmin. Zgjidhja e brendshme e konfliktit në roman prandaj erdhi si rezultat nga jashtë: u desh që Dyl Mehmetit t’i vihet një njollë nga e kaluara. Edhe pse kështu, lexuesi asokohe e dalloi qartë mballomën artificiale që iu vesh kryepersonazhit.

Ndërkaq, pikërisht për tendencën e brendshme të romanit dhe të kryepersonazhit të tij, si dhe të pranisë së emocionit negativ që e përshkon luftën e Dylit, për mënyrën dhe gjuhën e rrëfimit, “Karvani i bardhë” me dekada vazhdoi të jetë njëra nga veprat më të kërkuara.

Afërsisht ky është version i botimit të parë të romanit. Në versionin e ri, të botuar në vitin 1996, Dyl Mehmeti del i pastruar nga shpifjet dhe sajesat denoncuese. Tani ai del i vërtetë, i vetvetes, dhe në përputhje me natyrën autoktone. Shëmbëllyeshëm me figurat e shquara të personazheve monumentale, Dyl Mehmeti arrin të shquhet në majat e një rrethi të ngushtë personazhesh, që e shtrijnë larg rrezatimin në kohë dhe në hapësirë.

Dyli bart me vete shtresime burrërore dhe tragjike të unit të vet, sublimon mpleksjen e së bukurës dhe së madhërishmes. Në tiparet e këtij personazhi, është koncentruar një frymë kombëtare e formës së filtruar moralisht.

Ai, duke qenë i bindur se bën luftën e vërtetë, në fund gjen forcë morale t’u kundërvihet të gjlthëve, për të cilët po ashtu ishte i bindur se nuk e kanë drejt. Ai e ndien se pozicioni dhe perspektiva e luftës së tij janë të drejta, por e sheh se kundër asaj lufte janë të gjithë, ose pothuaj të gjithë. Një perspektivë e tillë, thelbësisht kontradiktore, e bën edhe më komplekse figurën e Dylit, e sprovon atë në rrafshe dhe situata të ndryshme, e ballafaqon me situata që mund t’i mbajë mbi shpatulla vetëm ai.

Sprova e tij më e fundit dhe më e madhe, që e shpreh madhështinë e figurës, është ajo e ballafaqimit sy më sy me vdekjen, me të vetën dhe me vdekjen e të tjerëve. Përmes lidhjeve dramatike të episodeve të rrëfyera, që plotësohen dhe ndriçohen mes vetes, sajohet uniteti si shtrat i vizionit të Dylit, dëshmi e gjallë për një kohë dhe realitet.

Autori i këtij romani është i shkollës së rrëfimit të mirëfilltë klasik. Ai, llojin më të ndërlikuar letrar, romanin, e lidh me rrëfimin e një historie, pra është rrëfim i rrëfenjës.

Rrëfimi në romanin “Karvani i Bardhë”, lidhet me historinë e Dylit. Rrëfimtari është i gjithëditur, dhe nga kjo perspektivë rrëfen duke ndjekur kronologjinë kohore.

Lexuesi i Floart-Press-it e ka të qartë dhe të njohur fundin e luftës së Dylit, përqendrohet në shtytësa dhe thurrje, me motivime dhe tensionime dramatike të kryepersonazhit dhe të personazheve të tjerë. Pra, fjala është për një luftë të humbur që në nismë.

Luftën e Dylit duhet ta pranojmë si një metaforë dhe mesazh, në frymën që del nga bindja se lufta që fitohet pëfundimisht, vjen vetëm pas një vargu betejash të humbura. Në faqet e romanit është një pasazh i fuqishëm, ku përsiatet rreth luftës, por që vjen si digresion apo ndërhyrje jashtë rrjedhës së fabulës, ku njëri nga personazhet do të shprehet kështu: E kemi krisur kur duhei dhe kur sduhej, kahmos dhe për këmos. Por luftë për të fituar jo, nuk kemi bërë.

Gjuha e rrëfimit në këtë roman, në shërbim të shpalimit të një bote komplekse dhe të nuancuar, është ana më e fuqishme e veprës. Zhbiruese, ajo vepron duke e udhëhequr rrëfimin, rrëshqet sferave të thella, i ndriçon ato dhe ngarkohet që andej rishtazi.

Nga fjala e këtij rrëfimi, rrezatojnë impulse nga më kryesoret, duke nxitur përsiatje rreth kategorive madhore, siç është jeta, vdekja, lufta, frika, gëzimi etj. Është gjuhë rrëfimtare me fuqi të gjerë rrezatimi, me tiparet e të folurit të urtë, lakonik, dhe të kthjelltë deri në rreptësi.

Eshtë një observim burimor, i pasuruar me shtresime originale. Ndjehet në këtë rrëfim një komentator rrëfimtar impulsiv, i një gjallërie anekdotike, një praktikë e rrëfimit, dalë nga një traditë e lashtë, e gdhendur nëpër shekuj si shtresim urtie popullore. Në këtë roman kemi dy rrafshe komunikimi: të folurin dhe atë të heshturin, praktikë rrëfimtare kjo që gjallëron rrjedhën e rrëfimit dhe mbart një rrezatim shumështresor.

Nga ky kënd romani ka një strukturë të natyrshme: Tiparet themelore të narratorit dhe ato të bartësve të veprimit, janë në harmoni të plotë, meqë dalin nga i njëjti burim i filozofisë dhe i urtisë gjatë komunikimit. Mbresa që del nga leximi i romanit “Karvani i Bardhë”, është karakteristike.

Kur kemi pështypjen se fjalia që sapo kemi lexuar, është kurorë përmbyllëse në paraqitjen e nië situate apo të një gjendjeje, kur jemi të bindur se çdo lëvizje më tej veçse mund ta zbehë fuqinë dhe tensionimin e arritur, befasisht, përmes fjalisë apo frazës që pason, hapet një faqe e re që e shkallëzon më tutje rrjedhën narrative.

Gjatë gjithë kohës së leximit kemi përshtypje se udhëheq një rrëfímtar fjalëpak. Ndjejmë se çdo fjali e rrjedhës së jashtme tërheq dhe vë në lëvizje fjali dhe copa fjalish të brendshme, vizione e përfytyrime që trokasin nga paradhoma. Duke lexuar faqet e romanit, përkujtojmë autorin e poezisë sonë më të ngjeshur.

Dhe ekspresioni, dhe bota shpirtërore është e së njëjtës prejadhje në prozën dhe poezinë e Azem Shkrelit. Edhe registri i figuracionit stilistik e legjitimon poetin.

Romani “Karvani i Bardhë” i Azem Shkrelit sjell një vizion tjetër mbi luftën që ai e kishte përjetuar si fëmijë. Është po ashtu një shprehje e re e rrëfimit të artikuluar si roman. Është një realizim kompozicional që shmang klishetë e deriatëhershme dhe duke qenë një sintezë mes romanit të personazhit dhe romanit psikologjik, përbën veprën më komplekse në letërsinë tonë.

Dhjatë e Re

Sikur erdhën, panë e bënë e shkuan
Do bjerë edhe mbi ne njëherë këmbona
Vinë të etur tjerë. Njësoi afshëm duan
S’jemi ne. Por nuk mungon e jona

Thot njeriu dhe zbret i urtë ndër bimë
Djalli e di se në ç’vend u poqën të parat
Pemë të mendimit të mirë. Me urtinë
E kësaj dhjate ne stërpikim arat

Shollit të ditës s’i duhet spermë komete
Ky lloj Shën Njeriu don bibël të re
Një fe tjetër. Fe besimi në vete
Amen. Koha jonë s’guxon të kohosh pa ne

—————————————————
Kjo poezi brenda tri katrenave të rimuara artikulon një mozaik refleksesh mendore dhe emocionale. Këtu rrezaton ideja e vazhdimësisë së vlerave njerëzore, si dhe prania e tyre në përjetshmëri: S’jemi ne (nuk do të jemi ne një ditë) thotë poeti; por nuk mungon e jona (nuk do të mungojë), pra fjala është për veprat, bëmat njerëzore. Por vepra e madhe nuk mund të lindë përnjëherë dhe aq më tepër në boshësi. Vepra e madhe ka një lidhje sinonimike me mendimin e mirë, i cili dhe ai arrihet shkallë-shkallë, ngjizet ashtu i mirë që në embrion dhe zhvillohet vit pas viti, shekull pas shekulli, epokë pas epoke. Poeti kalon madje dhe në një mendim tejet të guximshëm. Ai mohon biblën (të kaluarën) në emër të së tashmes, e cila domosdoshmërisht kërkon një koncept të ri, një mënyrë jetese të re. Po ky mohim nuk është absolut, por një urë që lidh të tria kohët njerëzore dhe universale: të shkuarën, të tashmen, të ardhmen. Poezia mbyllet me një përbetim solemn (paçka se ka brenda farën e kërcënimit), Koha jonë s’guxon të kohosh pa ne … Dhe nënvetëdijshëm lind pyetja: Apo ne do ta lemë kohën të na shkasë nga duart ?.

Vdekja e Malësorit

Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat

Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet

Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita

Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje

Fjala është për një poezi-portret, portret i pamjes së jashtme dhe i botës së brendshme të malësorit – rugovas (Rugova është vendlindja e poetit). Përmes vargjeve me gjuhë eliptike, përshkruhet çasti i vdekjes së tij, duke nënvizuar disa tipare karakteristike të tij sa qe gjallë.

Mbi të gjitha shquhet krenaria, qëndrueshmëria jetike, pastërtia dhe bukuria e jashtme e shpirtit. Po të tillë malësori e ka dhe vdekjen, të tillë la bëjnë dhe përcjelljen e fundit bashkëvendasit, pa gjëmë e pa vaj, për të mos ia lënduar madhështinë karakterit të tij.

Nga ana tjetër malësori identifikohet me vetë vendin ku lindi, me malësinë si dhe kthehet në figurë simbol. Ai s’ka tipare të veçanta, dhe për poetin nuk ka nevojë t’i paraqesë ato. Poeti ka një qëllim final.

Malësori është një shkëmb i vendlindjes së tij, por një shkëmb me shpirt. Më shumë se sa personifikohet figura e tij, metaforizohet. Forca e tij bëhet më njerëzore nëpërmjet flalëve kyçe që përdor poeti si loti, kroi, perëndimi.

Nëpërmjet tyre çasti i vdekjes bëhet shumë njerëzor dhe prekës. Poeti i magjepsur nga kjo pamje ndien përbrenda se kështu do ta kishte dëshiruar dhe vetë vdekjen.

Sogje

Sonte ne të dy
jemi dy sy të kësaj sogje

Orët zgjuar
Do të rrinë, këmbanat zgjuar

Sonte unë e ti
jemi ai zgjim i zekthët

Ujqit në këmbë
Do të jenë, Kosova në këmbë

Natë që s’more
Pushkë, as të mori pushka

Sogje – në kuptimin në, roje, në zgjim. Është karakteristikë për Shkrelin mënyra koncize e të shprehurit. Shqetësimi krijues vjen në natyrën e lirikës personale për Kosovën. Poetit i mjafton vetja Unë dhe tjetri Ti që Kosova të mund të qëndrojë dhe të mbijetojë. Poezia është shkruar në mesin e viteve ’90 dhe poeti që vdiq pak para luftës që u zhvillua në Kosovë, sikur ta parandjente atë. Nuk ka gjumë për armiqtë (Ujqit), dhe si rriedhim nuk ka gjumë as për Kosovën; një lidhje varësie kjo e kushtëzuar nga historia famëkeqe e vendlindjes së poetit. Po kjo lidhje varësie qëndron ndërmjet natës dhe pushkës. Fundi i poezisë sugjeron një gjendje pritjeje të ankthshme … ashtu siç ishte dhe gjendja e Kosovës deri në ditën kur vdiq poeti.

Liqeni

Flas me ty
Ti hesht e luan me valë.

Ti s’je më syri
Im as loti i saj.

Flas me ty
Ti shikon pulëbardhat.

Për Shën Naumin
Paske zemër t’gjerë

Flas me ty,
Ti kotesh mrekullie.

Më vjen të zbres në fund t’fundit
Të vdes i gjelbërt me algjet.

Nata në Kështjellë

I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n’rrjeta
Po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur
Pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë
Hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.

Ja, tani kështjellës i kam hypë përmi
Vonë është terr. Nata, disi lëmekur
Merr frymë n’për vrimat që mezi shihen zi
Dhe ankthëm m’kundrojnë si sytë e prindit t’vdekur.

Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n’rrasë
E m’duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim
Por gjerbë e rigës s’motit gurin do ta plasë
T’parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.

Prandaj me dorë, drithtueshëm, pak’ nga pak’
Faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi
At marri t’vogël. Vesë? jo, por gjak
I vokët kullon gishtat t’mij.

Harroj përse, e si, e nga kam ardhë.
Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë
E ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë,
Një gur mbi gur që gurit s’don të ndarë

Bregu i Mollës

Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
As Lugu i Helmit as hijet Bregut të Mollës
Ku mollët veç i kujtonim të kuqe
E na kuqeshin faqet gjithë verën e lume
As mrizi degëbigë mes të cilave
Rrinte dielli në dymbëdhjetepesë
Kurrgjë s’qenka kurrgjë as ai zjarri i rnadh
Që ra shi i mbarë e na e fiku
Që ra shi i mlrë e na e fiku se digjen malet
Se digjen more malet e na flet Shaban Syla
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami o zot
Po kush i paska prekur
Po kush i paska prishur e ndërruar të gjitha
Si të mos kishin qenë asnjëher këtejpari
Unë e Lami me delesykat me bukë e djathë
Në gjeth paje dhe me fyell
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
As Shpella e Bli Hunit as turra e gurëve
Mbi të cilën hypnim të rritemi as lisat as
Gurra e Magjupit Ujëhollë
Gurra e Magjupit ujëmirë
Ku pinim në fletë kërsane
As gjollat e kuqe as
Kurrgjë s’qenka kurrgjë
Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
Veç toka e vjetër dhe era
Veç toka e vjetër dhe retë përherë shtegtarë
Të më thonë se rrodhi këtyre lugjeve koha
Rrodhi si s’rrodhi dhe asgjë nuk gjeti
Pos dy pushkëve të vogla shtogu lidhë me tojë
Ose të më thonë
Të gjitha janë këtu të gjitha janë
Pos fëminisë suaj e barit të njomë e qingjave

Dukagjinçe

Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë

Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita

Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës

Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj

Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën

Përshëndetje me Miq (Ismail Kadaresë)

Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës
Kudo e ngado është e juaja pos mohit, pos orës së prapë
Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se të ju zbukuroj
në baladë, o miq, me se, o dega ime e epër e fisit,
Atij tisi të hollë e tisi të rrallë, tri herë të zier
Në ashtin tuaj e timin, po unë me se të ju kem, me se-
Të ju përyjnoj, e vetëm ju e dini atë bar të mirë
Atë lëng rrëzë fjale me të cilin m’i mëkoni plagët
Ethet e qentë m’i përzeni kur kam zjarrmi, kur digjem
Ujë etjes m’i jepni bri kroit të Martinit e bri Kruje
Ullirin e moshës ma piqni, zotynë shëndet iu dhashtë
Nga jeta e vet e popullit, nga gjaku, nga shpendi ynë
Ju dhashtë, me se të ju di, me se të ju zbukuroi në baladë,
e jeni sa krip ka koka, sa fij bari, sa deti, Alkal
Me Alkal ju dëgjoj e më ktheni me mallë në shtizë

Psalme për Kosovën

Po Kur pikon gjak
Kalliu, kur piqet vera

Kur hyn në gjakun tim
Nusërore e të bëhem krushk

Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes bukur

Kafsha e Zezë

Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
Një langua leh e s’ik as lidhet

Ulurin përmotshëm mbase së ligës
Ja ndjen erën diku në gjakun tim
Ai rrëmbimit të vet i turret digë
Rreptas pastaj etur merr gufim

Tej durimit dhimshëm. Të trazuara
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara
Bredhin mëllefit të vet me zhauri

Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët

Ja që kështu na qenka kafshë e dehur
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera

Këngë e Vrugët

Mëtim i truar fshihu te pendimi
S’ka ndëshkim për mëkatet nga ligështia
Ky rrëmbim i çmendur është i imi
Apo lindi befas trimëria

Nga të errëtat e gjakut. S’di po fryma

Kërkon shkakun t’i vijë era dhe
Diç të kësaj koke do t’pëshpërisë bryma
Ime ndoshta. Do të jetë fjalë e re

Bari të egër. Fjollë e saj nga rrashta
Do të përvidhet me dhunë e pa hir
Sikur ç’linda. Do të kundrojë përjashta
I gjelbër e i qetë do të jem më i mirë

Dhe voglushë të verdhë do të therrin ditën
Me vaje të hollë dhe do të pushojnë së qari
Kur të kuptojnë se për nën këmbë u rriten
Dheu im. E hiri im. E bari.

Motive të Verdha

Po ikim nga gjaku im motive të verdha
Po ikim nga gjaku ose një herë tjetër
Po lindim mes bimëve tjera

Aty e tej janë poshat
Shtatgjata të vendlindjes janë delet
Të bardhat dele blegërore dhe bari
I njomë i qumështit po ikim
Nga gjaku im aty e tej janë zogjt
Pupëlvogël zogjt pupëlgjelbër dhe krojet
Të cemtat kroje ujëloti aty e tej
Janë vashat më të egrat vasha
Të bukurisë që falet dhe vetima
Po ikin nga gjaku im motive të verdha
Aty e tej nuk vdesin vetëm sytë
Na ngjethen dhe gishtat na ngjethen e fjalët
Po ikim nga gjaku im më mirë po ikim
Nga gjaku ose një herë tjetër
Një herë tjetër po lindim mes bimëve tjera

(Nga Flori Bruqi)

No comments: