Thursday, March 31, 2011

Luan Zhegu: Ja pse ja besova këngën “ Let it be” Sherif Merdanit

Rezarta DHOGA
“Mjeshtri i madh i skenës” dhe “Artisti i merituar” Luan Zhegu rrëfen, jetën mes çmimesh dhe duartrokitjesh

Luan Zhegu ka mbaruar fakultetin e ekonomikut, por gjithë jetën e tij ia ka kushtuar skenës dhe muzikës. Ai tregon për debutimin e tij të parë në skenë, ku më pas do të vazhdojë dhe me debutime të tjera ku do të jetë fitues i disa çmimeve si në “Koncertin e pranverës” dhe në festivalet e RTSH-së. Ai shpjegon rrugën se si arriti të fitoj suksese në krijimtarinë e tij si këngëtarë dhe kompozitor i muzikës shqiptare. Ai tregon bashkëpunimet e tij më të suksesshme me autorët e teksteve, kompozitorëve si dhe këngëtarëve me të dëgjuar. Me trishtim ai tregon për këngën “Këngët e rinisë”, të cilën e mirëpriti spektatori, por që nuk mori vlerësimin e duhur duke e lënë jashtë natës finale të festivalit.
Çfarë dini ju për Tiranën në profilin muzikor dhe si ka ndikuar kjo traditë në krijimtarinë tuaj?
Për hir të vërtetës unë nuk është se jam shumë specialistë në fushën e muzikës popullore, por duke qenë dhe vetë tirans i kam të gjitha ato të ashtuquajturat motivet, që kur kam qenë fëmijë dhe ku jam bazuar në ato perla për kompozimin e muzikës së lehtë. Unë jam tirans dhe e mbroj me fanatizëm të qenit kryeqytetas. Po bisedonim një ditë me disa shokë dhe po thoshin “Juve Luan, keni kaluar në minorancë” dhe unë iu përgjigja, se sido që të jetë puna ne i kemi detyruar gati të gjithë, jo vetëm shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë, por edhe në të gjitha trojet që evenimentin kryesorë që ata kanë, dasmën ata ta bëjnë me “Napolonin” tonë dhe kjo është merita e jonë nuk diskutohet. Ose kur digjet shamia e beqarit është valle e Tiranës. Pra janë disa perla të pazëvendësueshme që i japin tonin e dasmës Shqiptare.
Dhe në këtë mënyrë ju jeni formuar si këngëtarë dhe si kompozitorë i këngës. A ju kujtohet se kur e keni ndjerë veten se mund të këndoni edhe për të tjerët?
Hera e parë kur jam ngjitur në skenë ka qenë në moshën 12 vjeçare, ka qenë një operetë për fëmijë me muzikë të Llazar Moçkës dhe me regji të të ndjerit Viktor Gjoka. Ishte një këngë shumë e bukur titullohej “Bilbili dhe kanarina”. Në qoftë se flasim për emocionet e mëdha të ngjitjes në skenë të festivaleve, në vitin ‘72 u futa në teatrin e varietesë së Tiranës dhe aty dola në skenë me debutime të njëpasnjëshme ku bëheshin 265 shfaqe në vit, gati çdo ditë dhe vetëm një të hënë kishim pushim. T’i shumëzosh me tre debutime ne natë imagjino se sa këngë këndoja në vit. Plus nuk diskutohen koncertet e majit “Kur vjen Pranvera”, festivalet dhe koncertet e ndryshme.
A mund të na thoni ndonjë kujtim nga ajo kohë kaq e vrullshme kaq energjike, kaq intensive të veprimtarisë tuaj?
Në lidhje me këngën “Këngët e rinisë” kjo është kompozuar në vitin 1976 nga Agim Krajka, teksti është i Xhuliana Jorganxhiut. Kjo këngë pati një sukses të paparë në Teatrin e Operas dhe të Baletit ku zhvilloheshin festivalet. Të gjithë mendojnë se kjo këngë ka marrë çmimin e dytë kurse në të vërtet kjo këngë nuk doli fare në natën e tretë. Unë isha i ri atëherë dhe u mërzita shumë, por më qëndroi pranë Krajka dhe më “tha se un jam mësuar me këto dhe ti nuk duhet të shqetësohesh”. Unë atëherë u zhgënjeva sepse nuk e dija se si funksiononin këto punë dhe kur spektatori e priti në mënyrë të paparë duke duartrokitur për të ridalë këngëtari dhe për të përshëndetur në skenë, sepse atëherë nuk të lejonin ta rikëndoje këngën. Kështu që spektatorët më rikthyen për katër herë dhe mendova ose pretendohej se do të merrja një çmim dhe kur erdhi puna kënga nuk hyri as në natën e tretë.
A mund te na tregoni diçka nga rruga juaj mes çmimeve dhe duartrokitjeve të publikut?
Kënga “ Alo, alo” i takon viteve ’87 është nderuar me çmimin e dytë të festivalit, ndërsa çmimin e parë në atë festival e ka marrë Agim Krajka me një këngë, të cilën e kënduan motrat Libohova dhe unë më shumë u gëzova për Agimin se për vetën sepse unë kam pasur disa bashkëpunime me Krajkën. Kjo këngë u bë si shprehje pasi njerëzit kur më përshëndesnin më thoshin “Alo, alo” madje kishte filluar të bëhej dhe si lajtmotiv për çifte të ndryshëm.
Një gjë është interesante në stilin tuaj të të kënduarit. Në skenë ju keni një qëndrim shik nëse mund ta përshkruajmë dhe kënga juaj përcillet mjaftë ngrohtësisht te publiku gjë që nuk mund të ndodhe dhe te këngëtarët e tjerë. Si e shpjegoni këtë fakt?
Çudi disa e marrin sikur është pak më e lehtë të mos lëvizësh se sa të performosh, është krejt ndryshe, për mendimin tim është më e zorshme të mos lëvizësh sepse përqendrimi i spektatorit dhe i telespektatorit është te ty dhe pret se çfarë fabule, ka çfarë mesazhi mund të ketë, çfarë interpretimi vokal po bënë. Por dhe performanca ka rëndësinë e vet. Megjithatë unë them se shkëputet pak vëmendja në qoftë se e keni vënë re p.sh më mirë dëgjohet Luani në një radio dhe aty dalin defektet e atij që bënë performimin.
Ju keni kënduar një këngë për Tiranën, por keni bërë dhe një këngë për Panajot Panon, legjendën e futbollit tonë. Ç’mund të na thoni në lidhje me këtë?
Tekstin “Këngën e Tironës” e ka bërë i ndjeri Alqi Boshnjaku, orkestracionin e ka bërë Markelian Kapedani, në saks është Osman Mula. Unë kam një shokë të ngushtë një mik të mirë një nga sportistët e mëdhenj të Tiranës Skënder Hykën dhe kur dëgjon Skënderin se kanë qenë shumë të varfër dhe ëndërronin një palë atlete “Adidas” dhe ai thotë se nuk e kishim idenë se si ishin këto lloj atlete dhe jo më t’i provonim. Me një shpirt të paparë, kanë qenë qoftë vitet e sportit, qoftë dhe të artit dhe të pasionit, nuk bëhej fjala sa do të fitoje, por sa do të jepje.
Ju në këtë këngë dhe në të tjera jeni kompozitorë. Kur e kuptuat faktin se ju mund të bënit dhe kompozimin e një kënge, pra si erdhën rrethanat dhe si e ndjetë vetën të tillë?
Krijimi ose kompozimi nuk është se mësohet, ai lind bashkë me njeriun, por në qoftë se nuk fillon të punohet dhe të kultivohet ai vdes aty në atë vatër dhe mund të vazhdosh në ndonjë fushë tjetër, pra po fillove të kompozosh rubineti duhet të rrijë gjithmonë i hapur. Gjithmonë kjo arrihet nëpërmjet punës ulesh në pianoforte merr motive të ndryshme, fillon e fantazon, përpunon temën që ke aty. Unë kompozoj mbi tekstin ose mbi fabulën që mua më serviret nga poetët më të mirë me të cilët kam pasur bashkëpunime. Për një këngë kompozitori mund të rrijë edhe me muaj dhe nuk mund të arrijë ta realizojë dot, ka pas raste kur unë i kam bërë jashtëzakonisht shumë shpejtë. Të marrim rastin, p.sh të këngës “Pse kënduam “Let it be”. Me Xhuliana Jorganxhi më erdhi teksti dhe i takonte tamam brezit të vuajtur, jo vetëm brezit tonë, por dhe atij të Sherif Merdanit dhe këtë këngë nuk ka kaluar as ora kur unë ja tregova dhe Sherifit dhe ai u përlot.
Pse nuk keni provuar që ta këndoni dhe ju këtë këngë?
Më tepër ja besova Sherifit pasi ishte dhe si një kërkesë e tij dhe them se do i shkonte Sherifit pasi këtë këngë ai do e këndonte dhe për veten e vet, ishte më tepër një përjetim. Ku ai kaloi një periudhë të vështirë dhe për çfarë? Për asgjë. Unë e përshëndes dhe e kam shumë mik. Kur ai ishte i dënuar unë vetëm nga respekti që kisha për të i kam kënduar gjithmonë këngët e tij edhe këngën e nënës e kam kënduar në Teatrin e Varietesë.
Ç’është një jetë për artistin në dy sisteme të kundërta politike?
Artisti ka qenë kudo në çdo sistem ai ka qenë artist, pra ka qenë i njëjti dhe i takon më tepër të gjithëve se sa vetvetes dhe nëpërmjet tekstit që ka bërë Arben Duka “ Artisti” ai thotë shumë bukur “nga kjo jetë s’u bëra dot i pasur” atij nga kjo jetë i kanë mjaftuar vetëm duartrokitjet.
Urdhri i Klasit të Parë” të para-‘90-ës, “Artist i merituar”, sërish para viteve ’90, ndërsa “Mjeshtri i madh i skenës” e keni marrë pas këtij viti, pra një njëtrajtshmëri e artistit në dy sisteme politike. Si e shpjegoni këtë fakt?
Artisti i shërben të gjithëve, unë jam përfshirë dhe në politikën lokale, ku kam qenë kryetar i minibashkisë, por aman dhe atje ku shërbeva unë kisha një batutë që e thosha gjithmonë “halli nuk ka ngjyrë partiake” ashtu është dhe kënga ajo shëron shpirtin.
Kur e keni ndjerë veten më zot të këndimit, të interpretimit, dhe të kompozimit para apo pas ’90-ës?
Në të vërtet më lirshmëri për sa i përket anës krijuese e pata pas viteve ’90, kjo pasi dolëm pak nga ajo guacka filluam të përqafojmë dhe pak erën evropiane sidomos në trajtimin e këngës. Mbasi bëra në ’92-shin këngën, e cila fitoi dhe çmimin e parë “Pse kënduam “Let it be”, në ’93-shin kompozoj këngën “Emocion” po me tekst të Alqi Boshnjakut dhe me orkestrim të Shpëtim Saraçit, që e këndon Aleksandër Gjoka ,e cila kishte një rrymë tjetër. Prandaj e vendosem dhe titullin “Emocion” pasi kujtuam ato emocione ne një aksion të rinisë. Unë kam mbaruar për ekonomi, ndërsa shkollën e këngës s kam kryer në skenë dhe këtë ia dedikoj Alqi Karecos. Për mua është dhe një luks i madh që më mësoi një mësues privat.
Ajo që ju dallon është fakti se ju nuk zgjidhni çdo lloj këngëtari për t’ia besuar këngën tuaj si e shpjegoni këtë?
Unë i kam dhënë këngë dhe Vaçe Zelës me tekst të Sulejman Matos, “Nusja e lirisë”dhe është pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. I është dedikuar heroinës Margarita Tutulani. Aty Vaçe Zela është veshur komplet si Margarita me një fund të zi dhe një bluzë të kuqe. Një tjetër këngë fitues e çmimit të parë ka qenë dhe kënga “Liria dhe e vërteta” e kënduar nga Arbërie Hadërgjonaj edhe kjo ka një histori sepse është bërë mbas ngjarjeve tragjike të ’97-ës me tekst të Arben Dukës dhe e regjistruar nga Miron Kotani.
Çfarë kërkon te një këngëtarë për t’ia besuar këngën pikërisht atij?
Kjo bëhet dhe me preferencën e vet kompozitorit, por edhe me preferencën e këngëtarit që vjen te krijuesi. Në festivali e pranverës ia besoj këngën “Sanvalentino” Ledina Çelos, e cila fitoi çmimin e parë.

No comments: