Saturday, September 10, 2011

Vrasja e gjyqtarit, 400 g tritol në makinën e gruas





Skerdilajd Konomi me gruan dhe vajzën


Anila Peçi / Lindita Çela
Një atentat mafioz me eksploziv të telekomanduar në makinë i ka marrë jetën mëngjesi e djeshëm një gjyqtari në Vlorë. Skerdilajd Konomi ishte duke udhëtuar me makinën e tij kur një sasi tritoli e vendosur në sedijen e shoferit shkaktuar shpërthimin që i ka marrë jetën. Shpërthimi është kryer në qendër të qytetit të Vlorës rreth orës 10.00 të paradites duke shkaktuar kaos dhe panik në të gjithë qytetin.
Sipas dëshmitarëve të vendin e ngjarjes, Gjyqtari Konomi kishte hipur në makinë vetëm pak çaste para shpërthimit dhe kishte ndezur mjetin. Ai kishte bërë vetëm pak metra dhe në momentin që ndodhej pranë rrethrrotullimit të Skelës makina është hedhur në erë.
Kalimtarët e shumtë që ndodheshin në atë moment në vendin e ngjarjes fillimisht kanë shtangur dhe askush nuk ka guxuar të afrohet. Më pas ata kanë tentuar që të nxjerrin gjyqtarin ende të gjallë nga makina, por kjo ishte e pamundur. Shpërthimi kishte dëmtuar strukturën e makinës dhe këmbët e gjyqtarit i kishin mbetur brenda. Sipas dëshmitarëve, ato pothuajse ishin këputur.
Vrasja dhe gjymtimi i gjyqtarit Konomi, sipas të dhënave nga grupi hetimor, mësohet se ka ardhur si pasojë e shpërthimit të rreth 200 gramëve tritol të vendosur poshtë sedijes së tij, nga brenda makinës. Bomba mendohet se është aktivizuar nga një distancë e afërt.
Dyshimet e para për shkakun e vrasjes, grupi hetimor, i ka ngritur në dy pista, atë të vrasjes për shkak të detyrës dhe konflikteve të mundshme të pronësisë të familjes Konomi. “Dyshohet që atentati ndaj gjyqtarit është kryer për shkak të ushtrimit të detyrës së tij dhe konflikteve të pronësisë që familja Konomi ka për disa prona në Qarkun Durrës”,- thanë burimet e policisë.
Sipas të dhënave të grupit hetimor, gjyqtari Konomi me të dalë nga banesa është drejtuar për tek një lokal në lagjen “Skelë” ku ka pirë kafen e mëngjesit me dy miqtë e tij. Makinën e kishte parkuar vetëm 20 metra nga vendi ku ndodhej vetë ai së bashku me dy miqtë në tavolinë. Aty nga ora 9:30 gjyqtari Konomi është ndarë nga shokët, ka marr makinën dhe është nisur drejt Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë për të vazhduar punën e përditshme. Në qendër të Vlorës makina e tipit “Benz” me të cilën po udhëtonte gjyqtari Konomi ka shpërthyer duke i dëmtuar rëndë sidomos këmbët. Skena vjen e ngjashme me atë të shpërthimit pranë rrethit në Skelë, pak muaj më parë, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën katër të tjerë. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar të tjerë.


Dy ditë më parë denoncoi sulmin ndaj makinës
Vrasja e Skerdilajd Konomit është cilësuar nga hetuesit si atentat tipik mafioz për ti marrë jetën gjyqtarit, por edhe për të mbjellë ndjenjën e frikës tek të tjerët. Banesa e gjyqtarit ndodhet në një nga lagjet periferike të qytetit të Vlorës (në zonën mbi tunelin) dhe ai mund të ishte bërë shumë lehtë objektiv i një atentati pa lënë gjurmë. Përkundrazi, vrasësit kanë preferuar të bëjnë shumë zhurmë dhe të terrorizojnë edhe qindra kalimtarë të rastit.
Hetuesit kanë zbuluar se eksplozivi që i ka marrë jetën gjyqtarit Konomi ishte vendosur brenda sedijes së makinës. Por duke qenë se gjyqtari kishte dy makina, vrasësit kanë gjetur një mënyrë për të shmangur njërën prej tyre. Dy netë më parë ata kanë hyrë në shtëpinë e gjyqtarit gjatë natës dhe i kanë çarë gomat e makinës që ndodhej e parkuar në oborr. Gjyqtari ka dalë në mëngjes, ka parë gomat e çara dhe ka vendosur të përdorë makinën tjetër. Një natë më pas, vrasësit mendohet se kanë hyrë sërisht në oborrin e shtëpisë së tij dhe këtë herë kanë vendosur eksplozivin me telekomandë.
“Gjyqtari Skerdilajd Konomi, dy ditë më parë ka njoftuar shefin e krimeve të zonës së banimit, se brenda oborrit të banesës së tij (brenda rrethimit) persona të paidentifikuar i kanë shpuar të katër gomat e makinës tip “Benz”. Pas shpimit të këtyre katër gomave, gjyqtari Konomi ka marr për të lëvizur makinën tjetër më të vjetër që kishte në oborr, brenda së cilës gjeti edhe vdekjen”,- thuhet nga të dhënat e para të Policisë së Vlorës. Hetuesit mendojnë se në vendosjen e tritolit në makinën e gjyqtarit kanë marrë pjesë tre persona. Dy prej tyre janë futur në shtëpi ndërsa i treti ndodhej jashtë duke bërë roje me armë.
Ndërkohë familja Konomi ka pohuar dje se ata nuk kanë pasur konflikte me njeri dhe se ngjarja ka ndodhur krejt papritur. “Ne nuk kemi konflikte. Nuk kemi as konflikte pronash siç kemi dëgjuar këto orë. Djali nuk merrej me çështje penale apo me kriminelë të rrezikshëm, ai ishte gjyqtar civil. Sjellja e tij gjatë këtyre ditëve ka qenë normale, nuk kemi vënë re shenja stresi apo shqetësime të tjera”,- thanë dje për “Shekullin” të afërmit e Konomit. Por sipas tyre, Skerdilajdi ishte njeriu që ishte marrë me të gjitha çështjet e pronave të familjes.


Dëshmitarët kanë frikë

Atentati mafioz që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi ka ndodhur në rrugë kryesore dhe më të populluar të qytetit të Vlorës. Ngjarja ka shkaktuar tmerr tek qindra kalimtarë të rastit dhe tek pronarët e punonjësit e bizneseve buzë rrugës.
Një vajzë e re, shitëse e një dyqani tregon se ka parë gjithçka, por e ka shumë të vështirë të tregojë pasi ende dridhet nga frika. “Makina Benz ishte duke lëvizur nga Skela drejt qendrës dhe u dëgjua një zhurmë aq e fortë sa tymi mbuloi gjithçka. Makina ishte në flakë, por vazhdonte që të ecte për inerci. Brenda në makinë ishte vetëm një burrë. Ai humbi gjysmën e trupit. Ne po e shikonim, por nuk dinim se çfarë të bënim. Më pas makina u përfshi e gjitha nga flakët”- tregon shitësja e një prej dyqaneve që ndodhen në trotuarin përballë vendit të shpërthimit.
Një tjetër nga gratë tregon se ka mbetur në tokë për minuta të tëra. “Disa kishin ngrirë në vend, pasi kishin edhe frikë se ç’mund të ndodhte më pas. Njerëzit kishin frikën e një shpërthimi. E para i është afruar një grua, e cila ngiste një makinë disa metra pas mjetit të tij. Pas saj u afruan edhe një nga punonjësit e dyqaneve përballë dhe dikush hodhi një kovë me ujë. Zjarrfikësja që erdhi pak kohë më pas përpiqej të shuante zjarrin që shpërtheu në makinë. Ai burri ka ndenjur minuta të tëra në tokë dhe dukej që lëvizte dorën. E kanë nxjerrë disa persona dhe e çuan në makinën e policisë. Nuk u duk asnjë ambulancë t’i jepte ndihmë. Nuk dinim si të vepronim, edhe frikë kishim të afroheshim. Kishim frikë se mos e dëmtonim më keq duke e tërhequr. Ai ishte i copëtuar. Ndihemi të terrorizuar dhe të pasigurt”,- thotë shitësja.
Gjatë gjithë ditës rruga kryesore ka qenë thuajse e bllokuar. Shiritat ishin vendosur në një pjesë të konsiderueshme të rrugës për të ndihmuar në ruajtjen e provave. Specialistëve të policisë së Vlorës u janë bashkuar disa orë më vonë edhe specialistë të ardhur nga kryeqyteti, të cilët kanë pasur veshje të bardha. Në orët e pasdites mjeti është hequr dhe është çuar në ambientet e drejtorisë së policisë së Vlorës ndërsa policia ka marrë në pyetje të gjithë njerëzit që ndodheshin aty.

Profil gjyqtari
Një pamje xhentëlmeni është ajo që binte në sy në prezantimin e parë me Skerdin. Miqtë që e njohin nga afër e perifrazojnë si njeri me horizont, me humor, i qetë dhe aspak konfliktual. Ai ishte pjesë e një familje intelektuale të njohur në Vlorë, Skerdi zgjodhi rrugën e drejtësisë. I diplomuar në magjistraturë në vitin 2004 ai punoi një vit në Vlorë e më pas u transferua në Fier. Më pas Skerdilajd Konomi u rikthye në Vlorë si gjyqtar. Ai ishte babai i dy fëmijëve të mitur, ku i vogli i familjes, djali i tij Fatjoni, është vetëm katër muaj.

Të rinjtë e Vlorës: Të ngrihemi në protestë
Atentati mafioz ndaj gjyqtarit Konomi ka sjellë reagime të ashpra në qytetin e Vlorës. Qindra qytetarë, të lodhur nga krimet e shpeshta që ndodhin në qytetin e tyre dhe sidomos akteve të tilla me tritol, janë ngritur në revoltë. Shumë të rinj vlonjate janë organizuar përmes faqeve të rrjeteve socialiale duke paralajmëruar një protestë ditën e sotme.
“Nesër (sot) në 18.00 të gjithë si qytetarë te Sheshi i Flamurit për të protestuar deri në Skelë kundër krimit. Ai që nuk proteston kundër krimit është frikacak ose bashkëpunëtor i krimit”,- është mesazhi që po përcillet përmes të gjithë vlonjatëve.
Ngjarja e djeshme vjen vetëm pak kohë pas një tjetër ekzekutimi të së njëjtës natyrë. Vrasja e Renato Abazit, ngjarje që ndodhi po në rrugën kryesore, pranë rrethit në Skelë. Kujtesa e vlonjatëve ka mbartur së fundmi kronologjinë e një sërë shpërthimeve tritoli, të cilat shumë herë janë hedhur si sinjale, ndërsa vite më parë edhe të tjera shpërthime me pasojë jetë njerëzish, si ajo pranë pallatit Riviera. Autorët mbeten anonimë për ngjarje të tilla, të cilat përjetohen me tmerr, por edhe pasiguri për jetën tek qytetarët.

No comments: