Wednesday, September 7, 2011

Bashkatdhetarët në SHBA ndihmojnë familjen e heroit Enver Zymberi


news
Aktiviteti bamirës për të ndihmuar familjen e heroit të Kosovës, Enver Zymberi, ka marrë hov edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan. Në Kishën e Shën Palit në Rochester të Miçiganit, famullitari i ri i kësaj kishe, Don Fran Kolaj, mbajti meshë për shpirtin e heroit dhe familjen e tij.

Gjatë meshës së mbajtur, Don Fran Kolaj tha se kriminelëve serbo-sllavë iu pengonte prezenca e Policisë së Kosovës në veri.

“Ta kujtojmë heroin më të ri të Kosovës, i cili ra në krye të detyrës për shtrirjen e integritetit territorial të Kosovës. Ai u vra nga kriminelët serbo-sllavë, të cilëve ju pengonte prezenca e Policisë së Kosovës në atë pjesë të Kosovës. Ne nuk jemi popull që urrejmë, por jemi popull që e duam atdheun tonë dhe mendojmë mirë për të gjithë”, tha në fjalët e tij Don Fran Kolaj.

Pas kësaj meshe, besimtarët dhuruan mjete financiare për të ndihmuar familjen e Heroit Enver Zymberi.

Po ashtu edhe në xhaminë e shqiptarëve të Çikagos janë mbledhur ndihma për familjen e Heroit të Kosovës. Këtë nismë e kishin ndërmarrë shoqata “Mitrovica” në Nju Jork, në bashkëpunim me shqiptarët që jetojnë në këtë rrethinë.

Xhevdet Januzi, në emër të shoqatës “Mitrovica” tha për Kosovapress se ndihmat do të mblidhen deri në fund të muajit shtator dhe do të dorëzohen tek familja Zymberi.

Ndryshe, heroi i Kosovës, Enver Zymberi, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës, është vra më 26 korrik, në një pritë të organizuar nga serbët në veri të Kosovës, derisa Policia e Kosovës kishte ndërmarr aksion për shtrirjen e autoritetit shtetëror edhe në këtë pjesë të vendit./Kosovapress/

No comments: