Wednesday, September 7, 2011

Skandal kuqezi,na mund dhe Luksemburgu





Shqipëria ka zhvilluar ndeshjen më të dobët të dekadës së fundit, duke u mposhtur edhe nga një ekip amator

Ajo që ka ndodhur mbrëmë në Luksemburg me përfaqësuesen kuqezi do të mbahet mend gjatë. Futbolli shqiptar është në momentin e tij më të errët, teksa mundet nga një skuadër modeste, madje amatore, siç është përfaqësuesja e Luksemburgut. Nuk mund të ketë justifikime për mungesën e disa lojtarëve titullarë si Cana, Curri dhe Dallku, as për kartonët e verdhë ndoshta të tepëruar të kryesorit të takimit.
Drejtuesit e futbollit shqiptar, ata që kanë tagrin për të zgjedhur trajnerin e lojtarët, duhet të reflektojnë thellë, të japin llogari për këtë mynxyrë dhe të nxerrin përgjegjësitë për çka ka ndodhur. Tashmë eliminatoret për Shqipërinë kanë përfunduar. Kuqezinjtë, si gjithmonë, duhet të pranojnë fatit që e kanë ndërtuar vetë: vendin e parafundit në tabelë, duke lënë pas vetëm Luksemburgun.
Pjesa e parë
Para se të nisim me atë çka dhanë futbollistët në fushë, duhet analizuar formacioni që Kuzhe ka hedhur në fushë. Një Shqipëri sulmuese, me tre sulmues të deklaruar dhe me një mesfushë që u lihet në dorë tre futbollistëve 34 dhe 35-vjeçarë: Lalës, Skelës dhe Duros. Sa i përket mbrojtjes, në mungesë të tre titullarëve, kroati e ka “arnuar” me lojtarët që kishte në dispozicion: me Vangjelin, Telin, Veliun dhe Agollin.
Ndeshja nis me kuqezinjtë në sulm, të cilët fitojnë menjëherë terren, ndërsa kundërshtarët luksemburgas, si amatorë që janë, mundohen të mbrohen mirë, duke luftuar fort për topin e parë. Deri në minutën e 15-të ka një supermaci të kuqezinjve, që më shumë vjen për shkak të frikës që ndiejnë vendësit.
Por, pak e nga pak, duke parë mangësitë fizike të futbollistëve shqiptarë, sidomos në mesin e fushës, skuadra e Luksemburgut fillon të guxojë. Kuzhe ka gabuar rëndë duke rreshtuar pranë njëri-tjetrit lojtarë me mangësi të theksuara fizike, si Skela dhe Duro, të cilët e kanë të vështirë ta furnizojnë sulmin me topa të shtruar e të saktë, por mundohen me topa të gjatë, ku Bogdani dhe Kapllani gjenden të mbuluar rreptë nga disa lojtarë luksemburgas.
Edhe krahët e mbrojtjes, Vangjeli dhe Agolli, nuk janë eficientë në fazën sulmuese, pasi mungojnë krosimet e sakta nga krahët për Kapllanin, Bogdanin dhe Salihin. Madje sulmuesi i Çezenës shpesh detyrohej t’i afrohej mesit të fushës për të kontrolluar topin. Rastin e parë të pastër e ka Luksemburgu, që e gjen të çarë qendrën e mbrojtjes, por është i saktë portieri Ujkani.
Vetëm disa minuta më pas, Luksemburgu, në një moment përgjumjeje të mbrojtjes sonë, përfiton dhe shënon me anë të Betmerit. Kuqezinjtë shokohen dhe nuk dinë të reagojnë. Edhe pse kanë shumë minuta në dispozicion në pjesën e parë, nuk arrijnë të krijojnë raste të pastra. Një roveshatë e mrekullueshme e Salihit, pas krosimit të Duros, është shumë pak për të shkuar në dhomat e zhveshjes të paktën me rezultat të barabartë.
Pjesa e dytë 
Disavantazhi në pjesën e parë e ka shkundur trajnerin Josip Kuzhe, i cili ndryshon krejtësisht taktikë me dy ndryshime të menjëhershme në formacion. Sulmuesi Edmond Kapllani, i cili thuajse nuk u duk fare në pjesën e parë, ia la vendin Gjergji Muzakës, ndërsa Klodian Duro u zëvendësua nga Elis Bakaj. Tashmë nga skema 4-3-3 kuqezinjtë kthehen në 4-4-2, me një mesfushë më të dendur dhe më efikase nga krahët, për t’i shërbyer si duhet dyshes sulmuese Salihi-Bogdani.
Por përsëri kuqezinjtë janë apatikë në fushë, shfaqen nervozë, pa mundur t’i afrohen portës luksemburgase. Atëherë kur pritej që Shqipëria të kthente rezultatin, vjen ndëshkimi i Ansi Agollit me karton të kuq, në një situatë krejt të parrezikshme për portën tonë.
Futbollisti i Karabakut tregohet amator në një dyluftim thuajse në vijën fundore pranë portës sonë, teksa në nervozizëm e sipër bën një veprim të shëmtuar, duke goditur me bërryl kundërshtarin. Sjellja e Agollit sigurisht që ishte e dënueshme, por në kufijtë e kartonit të verdhë.
Dalja e Agollit nga loja prish ekuilibrat në skuadër, por Kuzhe ndërhyn menjëherë, duke hedhur në fushë Ervin Bulkun në vend të mbrojtësit Veliu. Shqipëria rrezikon gjithçka, pasi luan me vetëm dy mbrojtës të deklaruar, ndërsa Muzaka detyrohet të përshkojë metra pafund në krahun e djathtë, për t’i ardhur në ndihmë Telit (Vangjeli spostohet nga e majta).
Reagimi i kuqezinjve është më i mirë pas daljes së Agollit me të kuqe. Në një aksion nga e majta, Skela lëviz shumë bukur në hyrje të zonës, godet dobët, por topi i devijuar nga portieri shtyhet në portë nga Erjon Bogdani. Shqipëria barazon dhe rrit shpresat për të marrë të paktën një barazim. Por vetëm kaq. Sepse në minutën e 78-të, pas një aksioni pa shumë pretendime, Luksemburgu shënon golin e dytë me anë të Hoakimit.
Ky futbollist, krejtësisht i pambuluar në vijën e 16-shes, ka kohë ta ndalë topin me gjoks dhe me gjysmëkthesë të godasë fort drejt portës, ku portieri Ujkani gabon rëndë, thjesht duke e devijuar topin, por pa shmangur golin. Ujkani do t’i mbajë mend gjatë dy ndeshjet e fundit, pas ka përgjegjësi në rastin e golit të parë të Francës, në “Qemal Stafa” dhe në momentin e pësimit të golit të dytë në Luksemburg.
Shqipëria mundohet të reagojë për të barazuar, por nuk ka qartësinë për të shkuar deri te goli. Me kalimin e minutave rritet nervozizmi te kuqezinjtë, që kulmon me ndëshkimin me karton të kuq te Erjon Bogdanit, i cili merr dy kartonë të verdhë njëri pas tjetrit brenda pak sekondave. Edhe në këtë rast gjyqtari mund ta kishte kursyer kartonin e kuq.
Dalje me të kuqe edhe e Bogdanit ishte vetëvrasje për Shqipërinë, që me dy lojtarë më pak as mund t’i afrohet portës së Luksemburgut. Vërshëllima e fundit e gjyqtarit i çon në ekstazë vendësit, që nuk fitonin një ndeshje eliminatore brenda fushës së tyre qysh nga viti 1995 (mundën Maltën), ndërsa kuqezinjtë, pas një starti mbresëlënës të këtyre eliminatoreve, duhet të pranojnë pa kushte vendin e pestë në grup dhe, ç’është më e keqja, shpërfilljen e tifozëve kuqezi, që nuk janë kursyer as në ndeshjet në transfertë.
Konkluzioni
Kombëtarja shqiptare është në pikën më të ulët të epokës “Duka”. Besimi te lojtarët me përvojë, por në fund të karrierës së tyre, një strategji e gabuar, që u bazua vetëm te rezultatet e momentit, sollën këtë zhgënjim të madh në këto eliminatore, edhe pse kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur.
Para se të flitet për të ardhmen e trajnerit Josip Kuzhe, drejtuesit e FSHF-së duhet të marrin përgjegjësitë për degjenerimin deri në këtë pikë dhe të hartojnë një platformë apo strategji afatgjatë, që kombëtarja jonë të mos kapet te rezultatet rastësore

No comments: