Në fjalët e Falcone-s fshihej një e vërtetë e frikshme. Ky shërbëtor i ligjit ishte në dijeni të plotë rreth nyjes së tmerrshme që lidhte pushtetin mafioz me atë politik. Ai ishte ndër të paktët ligjvënës që besonte në zgjidhshmërinë e kësaj nyje, çka do të përbënte edhe thelbin e misionit të tij. Ai gjithashtu e dinte se kjo nyje do të spërdridhej me një shtrëngim mbytës rreth tij dhe kujtdo që do të përpiqej ta zgjidhte. Dhe shtrëngimi fatal nuk do të vononte. Me 23 maj të vitit 1992, pesë kuintal tritol të vëna në njërën prej galerive të autostradës ku do kalonte eskorta e Falcone-s, do ti jepnin fund misionit të tij në kërkim të së vërtetës. Giovani Falcone nuk është më. Ky kalorës i drejtësisë që luante shah me vdekjen do të mbyllte sytë një herë e përgjithmonë në atë që mbahet mend si “Masakra e Kapaçit”.
As Skerdilajd Konomi nuk është më. Ky ligjvënës i ri, emri i të cilit ishte i panjohur për shumëkënd deri në ditën e tij të kobit, u shua dy ditë më parë në një atentat të ngjashëm me atë të Giovani Falcone-s. Në fakt, nuk është ngjashmëria mes vrasjes së këtyre dy magjistratëve që të sjell ndërmend Falcone-n. Eshtë vrasja e një njeriu të ligjit që është vënë në atë detyrë për të ruajtur të drejtat e çdo qytetari, që ngacmon ndërgjegjen e gjithsecilit (nëse vazhdojmë ta kemi një të tillë). Ngjarja e paprecedent e eliminimit fizik të një gjykatësi, e ndodhur vetëm dy ditë më parë në mes të Vlorës, nuk është një mandatë që i përket vetëm Skerdilajd Konomit, apo familjes së tij. Është një mandatë që pikë së pari i përket të gjithë shoqërisë shqiptare, sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor. Sot, e gjithë Shqipëria zhytet në rrethin e fundit të ferrit kriminal, të terrorizmit, frikës dhe pasigurisë. Vrasja e gjykatësit Skerdilajd Konomi shënon grushtin e "knock down"-it dhe për pasojë shkërmoqjen përfundimtare të asaj që quhet "shteti ligjor".
“Kufoma të shkëlqyera” është titulli i filmit që i kushtohet viteve të fundit të jetës së Giovani Falcone-s, i bazuar në librin me të njëjtin titull të Alexander Stille. Ky libër trajton vrasjet e njerëzve me pozita të larta shtetërore, si politikanë dhe gjykatës. Këta njerëz, këta kufoma të shkëlqyera, janë kurdoherë viktimat e një vendi ku sundon anarkia dhe krimi. Janë kurdoherë viktima të një rendi të kalbur shoqëror dhe politik. “Ai që hesht dhe ul kokën vdes çdo herë që e bën këtë. Ai që ngre zërin dhe ecën me kokën lart vdes vetëm një herë”. Giovani Falcone e besonte këtë dhe eci i sigurtë e kryelartë përmes luginës së hijeve të vdekjes. Kjo thirrje e tij nuk ishte vetëm për qytetarët e Palermos, por për të gjithë qytetarët e botës.
Skerdilajd Konomi ishte biri i dikujt, bashkëshorti i dikujt, babai i dy fëmijëve të vegjël. Por ai ishte edhe një ligjvënës, një gardian i drejtësisë, i zgjedhur nga shteti për t’i shërbyer ligjit dhe për të mbrojtur të drejtat e gjithsecilit prej nesh. Dhe vrasja e tij na pakëson të gjithëve. Na pakëson ndjenjën e të qenurit të sigurtë. Na pakëson besimin te shteti dhe ligjet e tij. Na pakëson guximin për të vërtetën.
No comments:
Post a Comment