Saturday, September 10, 2011

Afera, Olldashi ia dha monopolin firmës pa licencë



Jo vetëm monopol, jo vetëm në shkelje të të gjitha rregullave të konkurrueshmërisë, por edhe pa dokumente.Grykësia është mëkati më i madh. Në dokumentet që gazeta disponon për aferën Olldashi në lidhje me monopolin e internetit, dalin qartë edhe shkelje të tjera të ligjeve. Kontrolli i faqeve zyrtare të internetit edhe në Ministrinë e Olldashit tregon që firma, të cilën ministri e zgjodhi pa konkurrencë të kryejë investimet e fibrave optikë nën rrugët kryesore të vendit, jo vetëm ka qenë e vetme, por nuk ka pasur as dokumentet e nevojshme. Dy institucionet përgjegjëse për pajisjen me licencat e duhura janë Ministria e Punëve Publike dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Por, me sa duket, fshehtësia dhe shpejtësia e lidhjes së kontratës e kanë nxituar jashtë mase edhe kontrollin e dokumenteve që duhen në këtë rast.
Licenca e parë
Të gjitha firmat shqiptare, që duan të kryejnë punime, duhet të pajisen me licencë. Kjo licencë, në bazë të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998 – Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, jepet nga Ministria e Punëve Publike. Licenca jepet për të vërtetuar aftësitë e firmës për të kryer këto punime. Të nxitur nga Kryeministri për transparencë edhe on-line, faqja zyrtare e Ministrisë së Transporteve ka të vendosur edhe të gjitha firmat, që kanë licencë për punime në ndërtim. Gazeta kontrolloi dhe zbuloi se regjistri i rifreskuar, deri në janar 2011 nuk e kishte firmën ATU si pjesë të saj. Duke u bazuar te ky regjistër dhe te data e dhënies të së drejtës firmës, pra në muajin gusht 2010, del qartë se Olldashi në urdhrin e tij numër 120 për lidhjen e kontratës ekskluzive, ka shkelur ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”. Habia është se licencën e jep vetë Olldashi dhe, sigurisht, kur favorizoi nxitimthi firmën, mund të favorizonte nxitimthi edhe dhënien e licencës, por të paktën sipas regjistrit të Olldashit kjo nuk ka  ndodhur.
Licenca e dytë
Detyrimi dytë, të cilin duhet të plotësonte firma, të paktën para se të aplikonte dhe të firmoste kontratën ekskluzive për shtrimin e fibrave optike nën rrugë, është regjistrimi në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Autoritet i krijuar pikërisht për këtë detyrë. Gazeta kontrolloi listën deri dje pasdite në adresën e AKEP dhe rezultoi se “Albanian Telecommunications Union” ishte regjistruar atje më 1 dhjetor 2010, pra shumë më vonë sesa 23 gushti 2010, kur ministri i dha të drejtën ekskluzive për punimet e fibrave optike nën rrugë. Sipas ligjit 9918, datë 19/05/2008 “Për Komunikimet Elektronike ne Republikën e Shqipërisë”, duhet që firma përpara se të merrte këtë të drejtë, të ishte pajisur me këtë dokument.
Sidoqoftë, gazeta i ka bërë këto hulumtime në faqet zyrtare të dy institucioneve përgjegjëse për këto detyra. Është edhe detyrë e AKEP të kontrollojë se si një e drejtë ekskluzive që kryhet nga një firmë për shtrimin e fibrave optike, nuk është në regjistrin e saj që nga fillimi i punimeve.


No comments: