Wednesday, September 7, 2011

Afera Olldashi, ministri shkel katër urdhrat e tij


Ministri Sokol Olldashi


Sikur të mos ekzistonte urdhër-kontrata ekskluzive, e gjithë procedura e ndjekur nga ministri Sokol Olldashi për tregun e internetit në Shqipëri do të ishte pro konkurrencës.Por, shkresat e ministrit të Transporteve kanë të shkruar akuzën për monopolizim të tregut dhe favorizim të një kompanie ndaj vetë Olldashit. Zbardhja e katër urdhrave të formuluar njësoj, të cilët kanë pezulluar dhe bërë nul kontratat e Drejtorisë së Rrugëve me katër firma për mungesë konkurrence, dhe zbardhja e urdhrit për vendosjen e monopolit 40-vjeçar për një firmë të vetme nga vetë Olldashi, e ndriçojnë qartë të gjithë këtë aferë të pastër.
Anulimi i 4 kontratave për konkurrence
Drejtoria e Rrugëve rreth 2 vjet më parë pati lidhur katër kontrata me katër firma private për përdorimin e rrugëve kombëtare. Të katër firmat do të hapnin rrugën (anash asfaltit) dhe do të shtronin fibra optike. Këto fibra optike shërbejnë për lidhje të shpejta interneti. Drejtoria e Rrugëve ia kishte dhënë këtë të drejtë katër firmave, të cilat në mënyrë të pavarur kishin kërkuar të kryenin këtë investim në favor të tyre. Ministri Olldashi, në fund të vitit 2009, dërgon katërt urdhra në Drejtorinë e Rrugëve dhe i bën nul të katër kontratat. Gazeta zbardh sot pjesë të urdhrave, të cilët janë të katër të njëjtë dhe janë lëshuar në të njëjtën ditë. Sipas shkresës së Olldashit, një firmë e caktuar nuk mund të përfitojë të drejtën ekskluzive, pasi ligji parashikon që të ketë konkurrencë në fushën e telekomunikacioneve. Ai shton se e vetmja mënyrë për të përfituar këtë të drejtë, është që firma të gëzojë të drejta ndërkombëtare, si pjesë e OKB, Kryqi i kuq apo të tjera të këtij lloji. Ja çfarë shkruhet në shkresën e ministrit për anulimin e kontratave të lidhura nga DPRR: “Në propozimin e pakërkuar për këtë marrëveshje, subjekti shprehte dëshirën të përdorë asetet publike, rrugët kombëtare në dobi të zhvillimit të tij tregtar, duke investuar me fondet e veta për vendosjen, ngritjen e rrjetit në pronësi ekskluzive të tij, nën rrugë. Pra, investohej në një procedurë ku lidhen të drejta reale të shtetit. Subjekti rezulton se është lejuar të ushtrojë veprimtari tregtare në fushën e komunikimeve, në një fushë ku ligjvënësi ka garantuar përmes ligjit konkurrim mes subjekteve në një treg të hapur, me një numër të mjaftueshëm operatorësh privatë. Sipas dokumentacionit të administruar, rezulton se subjekti nuk gëzonte në momentin e aplikimit asnjë privilegj, ekskluzivitet ligjor në raport me subjektet e tjera që ushtrojnë të njëjtin aktivitet… Subjekti nuk gëzon asnjë përjashtim ligjor për një trajtim të posaçëm për shkak të statusit ligjor të tij… Subjekti nuk gëzon asnjë trajtim preferencial në zbatim të angazhimeve të OKB-së”. Olldashi i thotë Drejtorisë së Rrugëve, se në fushën e komunikimeve, pra të fibrave optike, është e ndaluar dhënia e të drejtave pa konkurrim. Dhe këtë logjikë, pra ndalimin e monopoleve, ai e shton në paragrafin tjetër të letrës drejtuar DPRR. “Evidentojmë se dhënia e autorizimeve individuale (licencave), sipas ligjit  nr.9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, nuk nënkupton në asnjë rrethanë në qëllimin e ligjvënësit, detyrimin e ndonjë autoriteti tjetër shtetëror për të pajisur me të drejta ekskluzive subjektet tregtare.” Logjika e ministrit duket e saktë. Nuk mundet që e drejta, edhe pse e për një punë të pakërkuar për hapjen e rrugëve dhe shtrimit të fibrave të jetë monopol. Pra, “pa konkurrim mes subjekteve”, siç thotë ai në shkresë, nuk mund të jepet asnjë e drejtë biznesi. Nga ana tjetër, ai nënvizon vetë në shkresë se ligji nuk “jep të drejtë ekskluzive tregtare”. Paradoksi qëndron se e njëjta shkresë, por me emrat e katër firmave të ndryshme, ka shkuar në të njëjtën ditë në Drejtorinë e Rrugëve, por me tre numra të ndryshëm protokolli. Urdhrat 150-151-152-153 mbajnë datën 9.12.2009. Duket qartë se Olldashi e ka ditur se kanë qenë katër firma që po ushtronin aktivitetin në fushën e shtrimit të kabllove optike. Edhe pse logjika e moskonkurrencës është e drejtë për secilën nga firmat, përdorimi i kësaj logjike katër herë tregon se ministri e ka ditur se të paktën ka pasur katër konkurrentë në këtë fushë. Por nuk është ky problemi. Afera qëndron në urdhrin tjetër, tetë muaj më vonë, kur duket se ministri i ka harruar të gjitha pengesat ligjore dhe ka vendosur vetë monopol në fushën e fibrave optike.
Urdhri për monopolin
Shqetësimi i Olldashit për monopolin e krijuar nga Drejtoria e Rrugëve, e cila i dha të drejtën katër firmave për hapjen e rrugëve dhe shtrimin e kabllove optike, zgjati nga dhjetori 2009 deri më gusht 2010. Më 23 gusht, Olldashi, me urdhrin NR. 120, i jep të drejtën një firme të vetme, pra jo katër, për përdorimin e rrugëve kombëtare në shtrimin e kabllove optikë. Dhe, këtë të drejtë, ndryshe nga urdhri që i shkonte DPRR për mungesë konkurrence në katër raste, e jep në mënyrë ekskluzive për minimalisht 40 vjet. Në pikën e parë të urdhrit Nr. 120, thuhet: “Dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar, të përcaktuar sipas pikës 2, të kësaj leje, shoqërisë “Albanian Telecommunications Union”, për vendosjen e rrjetit privat të fibrave optike, me kundërshpërblim dhe me destinacion përdorimi ekskluziv, mënyrë menaxhimi dhe mirëmbajtjeje sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në shtojcën 1, bashkëngjitur dhe pjesë përbërëse…”. Pra, Olldashi shkel me të dyja këmbët urdhrat e tij të mëparshëm, ku specifikonte se DPRR kishte dhënë pa konkurrencë përdorimin e rrugëve kombëtare për fibrat optike. Nga ana tjetër, ai specifikon se firma “ATU”, jo vetëm që do të përdorë për minimalisht 40 vite rrjetin kombëtar, por gjatë kësaj kohe do të jetë e vetme. Pra, nuk do të ketë konkurrencë. Dhe monopoli, i ndaluar me shkresat e Olldashit kur konkurronin katër firma, i jepet po me firmën e Olldashit një firme të vetme, për të njëjtin objekt, në të njëjtat rrugë kombëtare për 40 vite me radhë. Arsyeja tjetër e habitshme është se dhënia e përdorimit të rrugëve për shtrimin e fibrave optike qenka e papërcaktuar në ligj. “Asnjë procedurë tjetër e parashikuar shprehimisht në ligj si ankand, prokurim, koncesion qiradhënie, nuk është i zbatueshëm në këtë rast, pasi procedura është “sui generis”, thuhet në justifikimin e Olldashit për dhënien e të gjithë të drejtës së fibrave optike një firme. Pyetja është, në rast se kjo procedurë është “sui generis”, pse nuk ishte e tillë për të katër kontratat e firmosura nga Drejtoria e Rrugëve, të cilat të paktën siguronin konkurrencë në shërbimin e internetit?
Pikat e urdhrave
Arsyet e anulimit të 4 kontratave me Drejtorinë e Rrugëve
• “Subjekti rezulton se është lejuar të ushtrojë veprimtari tregtare në fushën e komunikimeve, në një fushë ku ligjvënësi ka garantuar përmes ligjit, konkurrim mes subjekteve në një treg të hapur, me një numër të mjaftueshëm operatorësh privatë”.
• “Subjekti nuk gëzon asnjë përjashtim ligjor për një trajtim të posaçëm për shkak të statusit ligjor të tij”.
• Subjekti nuk gëzon asnjë trajtim preferencial në zbatim të angazhimeve të OKB-së”
• Sipas ligjit “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” nuk nënkupton në asnjë rrethanë në qëllimin e ligjvënësit, detyrimin e ndonjë autoriteti tjetër shtetëror për të pajisur me të drejta ekskluzive subjektet tregtare”.
Arsyet e urdhrit për lidhjen e kontratës monopol
• “Për shkak të mungesës së kompetencës nga DPRR, Ministria kryesisht në periudhën nëntor-dhjetor 2009, revokoi leje dhe autorizime të dhëna nga DPRR, në përgjigje të detyrimit ligjor dhe qëndrimit të një shteti të së drejtës se çdo subjekt duhet t’i paguajë detyrime Buxhetit të Shtetit për çdo të drejtë që përfiton nga përdorimi i aseteve publike”.
• “Kuadri ligjor në fuqi, respektivisht Kodi Civil, dispozitat e nenit servituti, uzufrukti, qiraja nuk mund të zbatohen dhe Ministria e kërkuesi janë të vetëdijshëm se prona shtetërore publike, rrugë, nuk mund të kufizohet nga interesat privatë”.
• “Ligji për koncesionet, sipas komunikimeve për këtë çështje me ATRKO, nuk është i zbatueshëm për rastet e vendosjes së (rrjetit), tubave nën shtratin e rrugës”.
• “Asnjë procedurë tjetër e parashikuar shprehimisht në ligj si ankand, prokurim, koncesion qiradhënie, nuk është i zbatueshëm në këtë rast, pasi procedura është “sui generis”.
• “Të mirat publike janë të kufizuara dhe është detyrim i çdo organi përgjegjës të maksimalizojë dhe të përdorë me dobi të plotë këto të mira për të krijuar të ardhura publike”.
Cila është “Albanian Telecommunications Union”
Në ekstraktin e publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, firma “Albanian Telecommunications Union” figuron e krijuar në 24/02/2010. Ajo është në zotërim të dy ortakëve, Foto Zbogo, me 20 për qind të aksioneve dhe Isuf Ahmetaj, me 80 për qind të aksioneve. Adresa e kompanisë është në Tirane, rruga “Papa Gjon Pali II”, ndërtesa ABA Business Center. Në ekstraktin e saj thuhet se objekti i biznesit është kryesisht ai në fushën e energjisë elektrike dhe minierave, por në paragrafin e fundit shkruhet edhe për “Operimin dhe ofrimin e shërbimeve të telekomunikacionit/komunikacioneve elektronike në përputhje me legjislacionin në fuqi, në territorin e Republikës së Shqipërisë.” Sipas të dhënave nga QKR, shtetasi Isuf Ahmetaj figuron me shtetësi amerikane. Firma gjatë vitit të kaluar ka bërë disa transaksione me aksionet e veta. Është shtuar ortaku TISPOLE Ltd, i cili ka marrë 20 për qind të aksioneve dhe më pas është larguar sërish, duke i rishitur aksionet.
Çfarë tha Olldashi para katër ditësh
katër ditë më parë, në 3 shtator, në një dalje publike ministri olldashi  tha tekstualisht këto fjali: “Pavarësisht burimit apo spekulimit, momenti që një ministër përmendet për akuza të tilla monstruoze, kjo meriton një shqyrtim dhe unë jam plotësisht i gatshëm të vihem në dispozicion qoftë të institucioneve, duke filluar nga institucionet e drejtësisë, jam i gatshëm të raportoj përpara Kuvendit të Shqipërisë, jam i gatshëm të raportoj përpara Kryeministrit, dhe jam i gatshëm të raportoj përpara çdo qytetari shqiptar mbi 18 vjeç, jam i gatshëm të vë në dispozicion të gjithkujt që do të dijë, se në ç’mënyrë,  me ç’procedurë  dhe ç’aktivitet ka ushtruar një nëpunës publik, një funksionar publik, sikurse është ministri i Punëve Publike, në rastin konkret Sokol Olldashi. Jam i gatshëm të ballafaqohem me të gjitha të vërtetat dhe, në qoftë se cilido shqiptar, ndërkombëtar, alien arrin të vërtetojë qoftë edhe një grimcë të vetme fajësie, jo vetëm për ato që përmenden aty, për çdo shkelje ligji të çfarëdo lloji, për çdo akuzë të secilit prej neneve të Kodit Penal te Shqipërisë, pra në qoftë se më provon një grimcë të vetme fajësie, unë jam i gatshëm të mbaj të gjitha përgjegjësitë e mia ligjore, politike, qytetare”.

No comments: