Monday, September 5, 2011

Kristaq Mitro: Më vjen të kem njëherë një palë gërshërë


Nga filmi "Duaje emrin tënd" i Kristaq Mitros



Elsa Demo
Nga filmi “Njeriu i mirë” njerëzit mund të kujtojnë kollaj si batuta: “Djalë i mbarë, shtroju punës dhe lëri pehlivanllëqet shkencore” ose “Vera me Mollasin të mos presë, personi nuk është paraqitur”.
Problemet që ngre një film si ky në kuadrin e një kinemaje të indoktrinuar dhe të një traditë me kontribute nga më të ndryshmet, nuk janë pak.
Gjetëm rastin e homazhit që Festivali i Filmit të Durrësit i bëri aktorit Vangjush Furxhi, protagonist te “Njeriu i mirë” me rolin e Kiços, të bisedonim me një nga regjisorët, Kristaq Mitron (Ibrahim Muçaj nuk jeton më). Filmi u shfaq në ekranin e madhe të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Mitro e Muçaj janë të dy autorë të “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Apasionata”,
“Duaje emrin tënd”, “Një djalë dhe një vajzë”. Prej vitit 1990, Mitro nuk është marrë më me filmin artistik. Aktualisht është pedagog në Degën e Regjisë në Akademinë e Arteve, Tiranë.

Njeriu i mirë është realizuar në Tiranë më 1982. Si e shikoni tani?
Isha gati të çohesha dhe të prisja, të ndërtoja në formë tjetër, jo për të xhiruar, për të spostuar sidomos. Kishte gjëra që për mua ishin tepër.

Do donit të ndryshonit mënyrën e të bërit të filmit, po përmbajtjes, ç’mund t’i bënit?
Kam rezerva edhe për historinë, për konfliktin bazë, të cilin unë dhe kolegu, Ibrahim Muçaj, kemi dashur që ta heqim. Të them të drejtën nuk dua t’i them të gjitha.

“Njeriu i mirë” është bazuar në tregimin e Dritëro Agollit, ju keni respektuar përmbajtjen e tij?
Po, kemi lëvizur fare pak nga tregimi.

Nuk mund ta kursenit konfliktin klasor-politik, por edhe qesharak, për shkak të “një daje me Ballin”?
Ne kemi dashur ta bënim, por nuk e lëviznim dot, sepse nuk na lejonin ta lëviznim.

Filmi është i konceptuar fund e krye me atë frymë: njeriu i mirë është njeriu i ri i socializmit. Përderisa pranuat të bënit një film të tillë, do pranonit edhe të fusnit në skenar gjëra që nuk do donit.
Patjetër, ne nuk mund të dilnim dot nga ku ishim futur. Ishte e vështirë. Po ju tregoj një detaj. Në dekor ishte një bust i Enver Hoxhës, të cilin e kemi hequr me shumë kujdes dhe në film nuk ka bust të Hoxhës. Vetëm kur vjen Teloja në dhomë, pranë kalendarit shohim se është ngjitur një fotografi e Enver Hoxhës. Nuk ishte, e ngjitën, rekuizitori. Të gjithë ishin të formatuar. Por ka momente që filmi merr mirë. Është ndërtuar me elipsë dhe është elipsë e mirë. Ju kujtoj edhe një moment në filmin tonë “Apasionata”, kur  Kastriot Çaushi i thotë Matilda Makoçit, “të dua” dhe shkund pemën.

Dolët te teknika: lëvizja e kamerës mbrapa shpinës së Vangjush Furxhiut i mbetur vetëm në korridor, i shton tensionin personazhit. Sot kjo gjë është më se e zakonshme për kinemanë tonë, por jo dje. Pse ishte e vështirë të realizohej skena me karelë?
Këto dy momente, elipsën dhe karelën, kur i ripashë, falënderova veten. E diskutuam që në fillim me kolegun që karela do ta ndihmonte tronditjen e personazhit tonë, mjeshtërinë e aktorit. Kinemaja ka mjetet për ta bërë këtë gjë. Thënë ndryshe, kinemaja është për mua melodia e syrit dhe janë pikërisht këto instrumente që e çojnë aty.
Dekori është kërkuar, siç e vutë re, i tillë që të shihen paralelisht veprimet e dy personazheve që ndodhen në dy dhoma të ndryshme. Kjo krijonte një mizanskenë të këndshme. Prej këtej personazhi i Kiços do të vinte në korridor ku ne duhej të punonim me karelë.
Fillimisht duhej ndërtuar karela e cila realizohej nga një mjeshtër në ofiçinë. Ishte e vështirë sepse në atë pozicionin duhej të bëheshin harqe, ndërtuam rotativin e vogël, vendosëm boksin që është shumë i madh, një aparat silencioz që e mbanin katër vetë. Arriti të bëhej kjo pjesë me stativë, me kamerë të vogël. U bënë disa dubla. Vangjushi e ndjeu rëndësinë e kësaj pune dhe filloi t’i jepte përgjegjësi vetes. Mirëpo nganjëherë këto përgjegjësi e bënin më të mirë Vangjushin. Dhe thoshte: do të më falni, kërkoj një kujtesë emocionale. Ishte aktor që e kërkonte sinqeritetin. Unë them që aktori është atlet i zemrës.

Është agresiv portreti i tij në dialogun me Eva Alikajn në tavolinën e kuzhinës ku Vangjushi shikon në kamerën që ndodhet në anën e spektatorit.
Kjo është kamera subjektive.

Pak u fol për aktorin në homazhin që i kishte kushtuar Festivali i Filmit në Durrës.
Edhe pse në ceremoni u ngjit në skenë Mihal Luarasi, regjisori i “Njollave të murrme”, drama e dënuar rëndë në plenumin IV. Furxhi kishte qenë protagonist dhe siç dëshmojnë bashkëkohësit, kjo e dëmtoi shpirtërisht e psikologjikisht aktorin.
Vangjush Furxhi ishte një libër që nuk u shkrua i gjithë. Akoma te ne nuk po piqet kultura për të folur hapur se çfarë është njeriu dhe çfarë është artisti. Në këtë mënyrë shpjegohen më mirë rrethanat, në çfarë kushtesh kanë punuar këta artistë dhe si kanë ndikuar në krijimtarinë e tyre.
E di? Kishte raste që me Vangjushin nuk punohej. Ai binte në një depresion të madh. Unë e Ibrahimi shikonim njëri-tjetrin dhe na duhej të anulonim xhirimin, sepse nuk punohej.
Ai ishte shumë fëmijë. Besonte në atë që i thoshe, hapte sytë, të shikonte me habi e pas kësaj fillonte tek ai dyshimi i madh. Nga gëzimi kalonte në dyshim. Ai jetonte me një frikë të madhe pas asaj që kishte ndodhur me “Njollat e murrme”.
Vangjushi nuk u vlerësua për rolin e Kiços te “Njeriu i mirë” sepse u vlerësuan të tjerë në atë film dhe ngaqë mendohej si personazh negativ.
Ai e kishte zakon t’i linte rolet. Është njëlloj si Robert Ndrenika e Sulejman Pitarka. Këtë të fundit donim ta merrnim te “Dimri i fundit”, u hoq kaq i sëmurë dhe paraqiti para nesh kaq lloj sëmundjesh sa besuam se e kishte keq punën.

Si ishin raportet në role mes Vangjushit dhe partneres së tij Eva Alikaj?
Nganjëherë kishim probleme sepse Eva ishte e vrullshme, goditëse, ndërsa Vangjushi e merrte rolin thellë brenda vetes së tij, dhe herë e pranonte, herë nuk e pranonte. Kishte dilema. Vangjushi shfrytëzonte imagjinatën. Siç thotë Bela Balazh, kinemaja ka vetëm të tashme, edhe Vangjushi është i të tashmes në kinema dhe do të jetë i kësaj kohe. Ky është Vangjushi.

Gjëja që e ka dëmtuar kinemanë dhe duke përfshirë “Njeriun e mirë”, ishte paraqitja e një realiteti që nuk ekzistonte. Që ky Teloja nuk mund të ishte i gëzuar që po e transferonin…
Një manipulim i jashtëzakonshëm i të vërtetave. Kinemaja është vërtet manipulim i realitetit, për të parë në mënyrë më estetike dhe emocionale një të vërtetë, por jo për ta shtrembëruar dhe për të gënjyer me të.
Por më duhet të pohoj se shumë gjëra deshëm t’i bënim ndryshe dhe nuk ishim të zotët t’i bënim ndryshe.

Edhe të donit ta zëvendësonit konfliktin që e shkëput Verën me Telon, nuk do mundeshit?
Ne donim ta zëvendësonim me një konflikt tjetër, por autori, Kryetar i Lidhjes atë kohë nuk pranoi. Nuk u lejua as nga Këshilli Artistik i Skenarit. Luftuam të tre, bashkë me Nexhati Tafën me të cilin kishim punuar për “Dimrin e fundit”, “Apasionatën”.

Konflikti që gjeneron Kiço me të motrën i cili për karrierë kërkon ta martojë me një njeri me pushtet, është edhe konflikt prej natyrës së këtij karakteri, prej instinktit, për të qenë protektor ndaj motrës. Në familje është gjithnjë dikush që do të zotëroj njeriun e vet, babai fëmijën, vëllai motrën. Por kjo mezi duket sepse boshti ideologjik i mban urtë këto anë psikologjike të raporteve njerëzore.
Në drejtim të personazheve kishte edhe diçka tjetër. Personazhi i Eva Alikajt duhej që ta sfidonte vëllanë, duke kuptuar disa gjëra të karakterit të tij, por ndoshta këto nuk kanë dalë. Mund të jetë dhe mangësia jonë. Por ishte gjithmonë mendimi për të nxjerrë në këtë rast njëfarë emancipimi të femrës. Dhe kjo duket deri–diku.
Ju thashë pak përpara, tek e shihja filmin më hanin duart.

Filmi vuan hera-herës nga ritmi i ulët. Përveç detyrave që duhej të përmbushte në drejtim të metodës së realizmit socialist e të partishmërisë, është thënë që ritmi ka qenë një problem për kinemanë shqiptare të para nëntëdhjetës. Është e përulur ajo që thatë pak më përpara: ne edhe po të donim të punonim ndryshe, nuk do të mundeshim. Çfarë kishte humbur kineasti gjatë riprodhimit të kësaj stampe?
Te ritmi jo, aq dinim, aq kishim mësuar.

Nuk mund të thuhet kjo gjë për një film me seri si “Liri a vdekje”?
Te ai film dhamë gjithçka. Ne nuk donim të ishte me dy seri. Na erdhi urdhri, ishte çështje norme. Janë dy versione të këtij filmi, ekziston diku dhe njëri me një pjesë që ka më tepër edhe më tepër ritëm. Kur shihja “Njeriu i mirë” më vinte të kisha një palë gërshërë.

Gërshërët do ta preknin mënyrën e të jetuarit, të të veshurit?
Meqë përmendët të veshurën: kështu visheshin njerëzit, kostumet rrinin keq. Dhe ato rroba ne mezi i gjenim, sepse në jetë njerëzit visheshin edhe më keq.

Golfi me zinxhir nga pas si eunuk i Bujar Asqeriut, Eva Alikaj me pallto shajak i bardhë…
E qethura po ashtu. Ne mundoheshim për më të mirën, të bënim disa gjëra jo si në jetë, por… Ju kujtoj rastin e filmit “Telefoni i një mëngjesi”. Anastas Kondo, anëtar i Komitetit Qendror, ankohet: Ç’janë ata semaforë që na keni vënë në film dhe ato vetura? Në të vërtetë unë kisha kërkuar të merreshin veturat nga parku i delegacioneve që kishte afro 100 vetura për njerëzit që vinin nga jashtë. Mora 20 makina për të krijuar lëvizje në qytet, sepse Tirana ishte bosh. Unë e kisha tmerr nuk e duroja dot, e kisha ritmin në sytë e mi dhe doja ta bëja prezent në film. Ne e krijuam jetën për atë film. Akuza ishte mos do të na tregosh ti si është jeta jashtë në Perëndim? Ne kemi fizionominë tonë, më tha Kondo. Kështu që u prish skena gjithë jetë që kishim krijuar. Ju e shikoni se sa bosh është kuadri te “Njeriu i Mirë”, kur Asqeriu dhe Alikaj kalojnë afër korpusit universitar.

Edhe skena e fundit, bashkimi i tyre, duket si një gabim. Sfondi është i vdekur… Ju keni punuar me aktoret e një brezi si Rajmonda Bulku, Matilda Makoçi, Eva Alikaj. Çfarë mund të thoshit për secilën?
Matilda ishte një xham që thyhej shumë shpejt, një engjëll, maksimalisht e besueshme. Eva erdhi si një gjetje në kinema por u keqpërdor, nuk luajti por bëri të njëjtën gjë. Është vlerësuar me kupën e festivalit si aktorja më e mirë për rolin e Verës.
Rajmonda nuk erdhi nga shkolla. Erdhi si një vajzë e bukur. Punuam bashkë te “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”.

Të gjithë filmat që përmendën i keni realizuar me Ibrahim Muçajn. Si kanë qenë raportet tuaja?
E kam dashur dhe më ka dashur po aq, pavarësisht se hynë të tjerë dhe kanë prishur shumë gjëra midis nesh. Më vjen shumë keq. (Preket) Ibrahimi ishte djalë që më kuptonte shumë mirë. E dinim vendin e njëri tjetrit. Ai kishte nën kontroll dramaturgjinë, kurse unë imazhin. Të dy kishim studiuar aktrim. Ai kishte qenë student i Mihal Luarasit, unë i Drita Agollit, Kujtim Spahivoglit, Pirro Manit. Ibrahimi kinemanë e kishte projektuar në kokën e tij që fëmijë, sepse i ati kishte projektuar filma pa fund në Vlorë.

Si ushqeheshit shpirtërisht?
E tmerrshme t’i përgjigjesh kësaj pyetje. Atëherë ka pasur zhurmues. Unë kisha ngritur një antenë të gjatë në oxhak dhe arrija të shikoja Beogradin dhe i shikoja me kujdes filmat. Në Kinostudio shihnim filma që nuk qarkullonin dhe mbi të gjitha ka qenë profesori im absolut, Kristaq Dhamo. Ai më futi në shkollë prapë për të dytën hyrë. Nga Instituti i Lartë i Arteve, pastaj asistent në Kinostudio dhe më vonë sërish në Akademi një vit e gjysmë regji. Ishte dhe biblioteka e pasur e Kinostudios që në mesin e viteve shtatëdhjetë, u dogj pjesërisht dhe u shpërnda poshtë e përpjetë.

Filmi i fundit ka qenë “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990, mendoni t’i ktheehnie kinemasë?
Gjatë kësaj kohe jam marrë me shkollimin e vajzave të mia dhe me shkollën publike ky përgatiten kineastët e rinj. Po, kam në dorë diçka dhe kam dëshirë t’i kthehem kinemasë.

No comments: