Nga GJERGJ KOLA
Kryebashkiaku i Shkodrës ka premtuar mbështetje maksimale për Vllazninë, në mënyrë që ajo të jetë protagoniste si gjithnjë
Për kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, që njëkohësisht është “de jure” edhe presidenti aktual i Vllaznisë, e rëndësishme mbi të gjitha është të kthehen tifozët në stadium sërish. “Puna jonë më e madhe do jetë të kthejmë tifozët në stadium. Ata mund të jenë larguar nga Vllaznia për një arsye apo një tjetër, por ne duhet të ndërhyjmë në këtë mes.
Duhet të sjellim në stadium jo vetëm ata tifozët e zjarrtë, por edhe ndonjë kategori tjetër njerëzish që e duan Vllazninë dhe kanë dëshirë ta mbështesin këtë skuadër. Prandaj dhe futbollistët besoj se kanë për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës, në mënyrë që t’i kënaqin tifozët dhe ta shtojmë numrin e tyre në shkalla nga ndeshja në ndeshje,” – u ka thënë Luka lojtarëve. Kjo kërkesë e numrit 1 të bashkisë, njëkohësisht edhe të klubit shkodran, është bërë në takimin e djeshëm që ai ka pasur me ekipin e Vllaznisë në zyrën e tij.
Takimi Një takim i tillë është thirrur nga ai vetë me qëllim për ta uruar atë për një nisje të mbarë të sezonit të ri futbollistik. Kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët e federuar me skuadrën shkodrane, stafi drejtues dhe krerët e klubit. Takimi ka qenë shumë entuziast dhe të dyja palët janë dukur shumë të kënaqura me mënyrën si po rrjedhin ngjarjet që në momentin e ardhjes në krye të klubit të bashkisë, e cila është zotëruese 100 për qind.
Por nga ana tjetër, ai u ka kujtuar atyre se, ashtu siç po bën bashkia maksimumin e mundshëm për këtë skuadër, ashtu duhet të bëjnë edhe ata maksimumin, sepse për shkodranët fanella e Vllaznisë është e rëndë. Puna ndërkohë do vazhdojë për ristrukturimin sërish të klubit dhe shumë shpejt, sipas numrit 1 të bashkisë, do të kalohet në procesin e kalimit të tij në duart e biznesmenëve.
Aksionarët “Po bëhemi gati për procesin e dytë, atë të kalimit të klubit nga duart e bashkisë, në atë të investitorëve të ndryshëm që duan të financojnë për këtë skuadër dhe besoj se gjërat kanë për të shkuar ashtu siç duhet dhe Vllaznia ka për të qenë më e fortë në të ardhmen,” – ka dhënë garancinë e duhur kryebashkiaku.
Në këtë takim ka folur edhe trajneri Josa, që në emër të skuadrës ka theksuar se ajo do bëjë më të mirën e mundshme, në mënyrë që emri i Vllaznisë të jetë në vendin që i takon. “E mira do ishte që të mos kemi pretendime të mëdha që në fillim, por t’i marrim gjërat shtruar një e nga një.
Ashtu siç kërkojmë t’i fitojmë ne ndeshjet, ashtu edhe kundërshtari kërkon të na mundë, prandaj duhet të tregohemi të fortë në çdo ndeshje për të treguar se kush është Vllaznia në të vërtetë,” – ka thënë drejtuesi i pankinës kuqeblu. Edhe kapiteni Belisha, në emër të futbollistëve, ka falënderuar bashkinë për gjithçka ajo po bën këtë periudhë dhe ka siguruar se paraqitjet e ekipit do jenë gjithnjë dinjitoze. Zhvillimi i këtij takimi në fakt flet vetë. Gjërat kanë filluar mirë te Vllaznia. Të shohim sa do shkojnë në këtë mënyrë.
No comments:
Post a Comment