Friday, September 9, 2011

Josip Kuzhe, dhe basti i tij i fundit

Josip Kuzhe
Shkruan:
Jeton Selimi





Trajneri kroat i kuqezinjve, Josip Kuzhe, është tipiku i një gambler-i perfekt, njeriut në gjendje që të rrezikojë gjithçka për diçka. Ai, i ardhur në krye të stolit të Shqipërisë si rekomandim i plakushit Bariç, njeriut që fitoi respektim e mbarë tifozëve kuqezinj, vendosi të luante një bast të madh: të merrte përsipër dëshirat e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, dëshira të pompuara në media dhe të ëndërruara nga adhuruesit e përfaqësueses së Shqipërisë. Kuzhe, the gambler, nuk mund të hiqte dorë aq lehtë nga vesi i tij prej kumarxhiu të thekur. Kontrata me Shqipërinë për të nënkuptonte një rimëkëmbje ekonomike pas milionave të hedhura dëm nëpër kazino. Ai dhe bashkëshortja e tij do të shpreheshin të lumtur pas këtij emërimi, çka do t’u sillte në xhep diçka rreth 20 mijë euro në muaj, pa lënë mënjanë bonuset e ndryshëm. Kuzhe, i vënë nën presion nga media për shkak të të shkuarës së tij si kumarxhi, do ta kalonte situatën me një batutë: “lekët nuk do t’i marr me vete në varr”
E të mendosh se për ato para 59-vjeçari kroat ka kaluar 40 vjet në fushat e futbollit. Karrierën si futbollit do ta niste dhe mbyllte te Dinamo e Zagrebit, në vitet 1971-1981, karrierë e shkurtër kjo për një futbollist, aq më tepër për një mbrojtës. Kuzhe do të koleksiononte 384 ndeshje dhe 14 gola. Një vit më pas, në moshën 29-vjeçare do të niste karrierën si trajner profesionist. Në 30 vjet kroati ka drejtuar 16 ekipe, mes të cilave dy herë Dinamon e Zagrebit. Në krye të Shqipërisë do të vinte pasi do të mbyllte para kohe kontratën me skuadrën japoneze të JEF United Ichihara Chiba.
Ishte viti 2009 dhe presidenti Duka, njeriu që ka ekskluzivitetin e zgjedhjes së trajnerit të kombëtares, shkarkoi nga detyra Ari Han, holandezin që vetëm fluturues nuk ishte në aventurën e tij me kuqezinjtë, dhe solli Kuzhen. Duka vendosi t’i besonte skuadrën të rekomanduarit të Bariçit: një bast me një kumarxhi të thekur!
Por Kuzhe, që shpejt do të fitonte edhe ky respektin e tifozëve, do të përkrahej në ditët më të vështira pas hemorragjisë cerebrale të kaluar vitin e shkuar dhe do të lihej në baltë menjëherë pas dështimit kundër Bosnjës dhe Francës. E para transfertë në një fushë ku vetëm Franca ka mundur të fitojë, dhe e dyta liderja e grupit D, që përpos përçarjeve mes lojtarëve, ka ditur të ecë para. Mëkat? Jo, aspak. Pakujdesi, sepse the perfect gambler nuk duhej të vinte bast mbi ata që e kanë kaluar gjithë jetën duke u marrë me këtë pjesë jo të denjë të sportit. Një njeriu, që jeta e kishte rrahur me “vaj e me uthull”, nuk duhej kurrsesi të vendoste gjithçka mbi kokat e disa elementëve që një pjesë të bashkëjetesës me kombëtaren kuqezi e kanë kaluar në kazinotë e hoteleve ku grumbulloheshin. Duhet të ruhesh nga i yti, nga ai që ka të njëjtën mendësi si ty. Kuzhe duhej ta dinte këtë, ndonëse vetë e kishte pranuar se kumari nuk bënte më pjesë në jetën e tij prej vitesh. Kësaj radhe, basti ishte shumë i rëndë, ishte njëfarë ruletë ruse, ku lojtarët luanin karrierën e tyre me kuqezinjtë dhe trajneri postin në krye të Shqipërisë. Ai që ka në dorë fatet e trajnerit nuk është shprehur ende. Natyrisht kërkon të fitojë kohë, të studiojë terrenin përqark. I intereson të dijë se çfarë mendojnë tifozët pas humbjes në Luksemburg dhe kë fajësojnë. Por mekanizimi kishte disa ditë që ishte vënë kundër të ardhmes kuqezi të Kuzhes. Kësaj radhe, duket se në folenë që pret goditjen e thepit, po fle shkarkimi i kroatit.

No comments: