Friday, September 9, 2011

* Kujtesë Post-tragjedia, lojtarët afrohen të luajnë për Lokomotivën




Përgatiti GENTI  SPIRI
Pezullohet kampionati rus i hokejit, ndërkohë që nxirren trupat e 43 të vdekurve
Rusia është ende në gjendje shoku pas tragjedisë ajrore, ku humbën jetën të gjithë lojtarët e stafi i skuadrës së hokejit Lokomotiv Jaroslav. Por dëshira për të reaguar pas incidentit është e madhe, teksa lojtarë nga skuadra të ndryshme të kampionatit rus janë vetafruar që të luajnë për ngjyrat e Lokomotivës dhe për të rithemeluar sërish skuadrën.
Presidenti i Federatës Rusë të Hokejit u shpreh: “Brenda 2-3 ditësh, skuadra e Lokomotivës do të jetë sërish pjesë e kampionatit. Shumë lojtarë janë të gatshëm të luajnë për këtë skuadër dhe kjo është tepër domethënëse. Solidariteti që ekziston mes lojtarëve tanë të hokejit është për t’u admiruar,” – tha Viaçeslav Fetisov.
Lajmi se lojtarë të skuadrave të ndryshme kanë shprehur dëshirën që të luajnë për Lokomotivën e Jaroslavit është përkrahur edhe nga tifozë të skuadrave të tjera. Mbështetësit e skuadrës së Spartakut të Moskës së hokejit kanë propozuar që lojtarët që më parë kanë luajtur me Lokomotivën apo kanë dalë nga ky ekip, të rikthehen të luajnë për të. Trajneri i ri i skuadrës së Lokomotivës do të jenë Pjotr Vorobjov, trajneri i skuadrës së të rinjve.
Hetimet  Dje janë nxjerrë trupat e 43 personave të vdekër (45 vetë ishin në avion, dy janë të mbijetuarit, njëri prej të cilëve sulmuesi Aleksandër Galimov, në gjendje të rëndë), ku mes viktimave është edhe trajneri kanadez i ekipit, Brad McCrimon, si dhe 7 lojtarë të huaj.
Të huajt janë portieri suedez, 3 lojtarë çekë (një prej të cilëve kapiteni i ekipit, Karel Raçunek), një sllovak, një gjerman dhe një letonez (Karlis Skrastins), që konsiderohej ylli i këtij sporti. Kampionati rus i hokejit është ndërprerë, madje në mes është lënë edhe ndeshja e parë e kampionatit, që sapo kishte nisur, midis Oufa dhe Mytishçi.
I pranishëm në vendin e ngjarjes ka qenë edhe presidenti rus Dmitri Medvedev, ndërkohë që incidenti ka ndodhur më pak se një kilometër nga pista, teksa avioni ishte duke u ngritur. Ai ka kërkuar një hetim të menjëhershëm, duke kërkuar që të zbardhet sa më shpejt ngjarja.

No comments: