Sunday, August 21, 2011

Zgjedhje “transparente e konkurruese”

KRESHNIK ÇOLLAKU

Kohë më parë bisedoja me një përkthyes të vjetër të njërit prej teksteve më të përkthyera në botë e në çdo gjuhë të saj, Biblës.
Përkthyesi më tregonte një histori që shtjellon thjesht për ata jo specialistë të traduktologjisë, siç mund të jetë shumëkush që lexon këto radhë, apo përpiqet të kuptojë rëndësinë dhe thjeshtësinë e përkthimit kontekstual.
Përkthyesi, i cili, ndër të tjera, ishte dhe një klerik katolik, tregonte se ai dhe disa bashkëpunëtorë të tij po përpiqeshin të bënin një përkthim të Biblës në një gjuhë të rrallë (nuk më kujtohet emri) që flitej nga disa tribu afrikane. Konkretisht duhej të përkthenin shprehjen e Biblës ku flitej për rëndësinë e besimit dhe fjalës së Krishtit pak a shumë në këtë formë: “fjala (e Krishtit) është si fara dhe besimi i njerëzve, besimi në të është si uji i nevojshëm që nga fara të rritet një bimë”. Përkthyesi këtu kishte ngecur. Vështirësia kishte dalë te përkthimi i fjalës “ujë” jo se nuk e dinin në gjuhën që duhej ta përkthenin, por te vlera simbolike e tij, krejt e ndryshme për banorët e asaj tribuje, të cilët jetonin në një zonë me shumë lagështirë, ku lumenjtë përmbysnin shpesh tokat e të mbjellat e tyre dhe pasi largoheshin ujërat, ato linin sëmundje e ndillnin vdekje. Pra, për këtë fis, uji, ndryshe nga simbolika që ai ka për popuj si i yni e shumë të tjerë, pra si burim mirëqenieje e jete, për atë tribu uji simbolizonte vdekje, varfëri, fatkeqësi. Si mund të përdornin fjalën “ujë” e të shpresonin se ajo tribu do ta përdorte këtë për të kuptuar rëndësinë e besimit, kur për ta uji ishte simbol i fatkeqësisë? Vështirësinë, përkthyesi i vjetër, e kishte zgjidhur duke përdorur “përkthimin kontekstual”. Për shkak të lagështirës, ajo tribu, në mënyrë që bimët që mbillnin t`i mbijetonin lagështisë së madhe, u lidhnin nga një shkop të fortë që t’i ndihmonin bimët të qëndronin në këmbë dhe sa më larg lagështirës (pak a shumë si mbillet domatja në vendin tonë). Këtu kishin zgjidhur dhe dilemën, përkthyesi kishte ndërruar ujin te shprehja biblike me shkopin, dhe përkthimi kishte dalë “fjala e Krishtit është si fara dhe besimi i njerëzve do të jetë si shkopi që ndihmon bimën të rritet”. Rezultat i njëjtë, pasi kuptimi biblik mbetet i pandryshuar dhe mjeti që ishte përdorur përbën një sinonim kontekstual.
Duket se temperatura politike në Tiranë këto ditë është ngritur vrullshëm për shkak të raportit përfundimtar të OSBE/ODHIR-it mbi zgjedhjet e 8 majit. Është e pritshme ngritja e temperaturës, pasi të gjitha palët e prisnin këtë si moment kritik në zhvillimet e ardhshme politike në vend. E priste e tensionuar opozita, pasi po t’u referohemi deklaratave të fundit të saj, ato të korrikut, nga raporti do të përcaktohej fort linja politike që do të ndiqte opozita. Madje pati dhe një ultimatum nga lideri i opozitës për ndërkombëtarët, ku u kërkohej këtyre të fundit të shkruanin një raport negativ mbi 8 majin, për t‘i dhënë opozitës një alibi e motivim moral për humbjen e 8 majit, e sidomos në Tiranë. Madje, konstruktiviteti ose jo i sjelljes së ardhshme politike të opozitës do të përcaktohej nga ky raport. Kërkesë naive, por e sinqertë në thelb.
Por dhe maxhoranca, edhe pse në dukje më e qetë, e priste jo pa merak raportin. Një raport kritik do të ishte një armë shumë e fortë në dorë të opozitës për çdo lloj trazire politike në vend. Dhe raporti doli. Të dyja palët e përshëndetën si objektiv dhe korrekt. Raporti në mënyrë të qartë i vlerëson zgjedhjet si më të mirat, ndërsa kritikat raporti duket se në mënyrë ekuidistante ua dedikon të dyja palëve politike dhe formulave të përzgjedhura prej tyre për administrimin e zgjedhjeve. Por, përveç kritikave ekuidistante për palët dhe rekomandimeve gati krejt të arsyeshme në të tilla raporte, raporti pohon një lajm të mirë për Shqipërinë, mbase më të mirin dhe më të priturin në këta 20 vjet: “Zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese”.
Rreth kësaj fraze po luhet këto ditë në mënyrë krejt të panevojshme, e gati jo racionale, beteja mediatike opozitare, duke filluar nga figura politike deri te analistë e media mbështetëse të saj. Në mënyrë intelektualisht të pandershme, varianti që po i paraqitet publikut është se edhe këtë radhë shprehja aq standarde dhe aq e kërkuar “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, mungoi.
Aq i pandershëm është ky pohim, po aq sa mund të akuzohet padrejtësisht si heretik përkthyesi i vjetër në përkthimin e shprehjes biblike jo më “ujë”, por “shkop”. Në traduktologji dhe në mendjet e arsyeshme rëndësi ka pasur e do të ketë për aq sa do të eksitojë arsyeja njerëzore, kuptimi, pra ideja përpara formës e mjetit që përdoret për ta shprehur sa më të vërtetë atë.
E njëjta mungesë arsyeje, ose në rast të keq, arsye e mbrapshtë, është të komentosh se, “transparente dhe konkurruese“ nuk është veçse sinonimi kontekstual i “të lira e të ndershme” (Free and Fair).
Në kontekstin zgjedhor, për një proces të ndershëm, kushti i parë dhe themelor është “transparenca”. I vetmi element që na garanton “ndershmërinë” e një procesi zgjedhor është transparenca, mundësia e publikut për të parë, ndjekur e vëzhguar ç`ndodh në çdo fazë të procesit. Në këtë pikëpamje, më 8 maj ndodhi një ngjarje e paprecedentë në historinë tonë 20-vjeçare. Çdo qytetar i këtij vendi ndoqi çdo sekondë numërimin e çdo vote të veçantë, ndoqi çdo procedurë, çdo debat e diskutim, çdo kuti, çdo procesverbal… A ka dikush kurajë të arsyeshme të mos vërë barazi midis kësaj transparence dhe ndershmërisë së procesit? I paprecedentë dhe me vlerë rekordi bëhej kjo në kontekstin shqiptar, ku të gjithë ne kishim qenë dëshmitarë të votave që numëroheshin në furgonët e policisë, deri te mandate që ndaheshin nga një kryetar gjykate kushtetuese, si autorizimet e televizorëve “Iliria”, dikur.
Gjithmonë në kontekstin zgjedhor, pjesa e dytë e sintagmës “Konkurruese” s`ka veçse të jetë një tjetër sinonim i “të lira”, në cilësimin e standardit. Thelbi i lirisë në një proces të tillë, ajo çka garanton rivalitetin, alternativat, programet, pjesëmarrjen e njerëzve në to, me simpatitë dhe antipatitë e tyre, në këto zgjedhje, ashtu si në çdo proces zgjedhor të çdo vendi, është Konkurrenca. Konkurrenca është thelbi dhe garantuesi i Lirisë për të marrë pjesë në një proces zgjedhor, është konkurrenca e kandidatëve dhe strukturat që këta krijojnë, që nga fushatat, programet që shpalosin, përfaqësuesit e tyre nëpër qendra votimi, që garantojnë lirinë tonë individuale e qytetare për të plotësuar e përmbushur misionin tonë në një proces zgjedhor, që është ai i të ndjekurit, vlerësuarit, mbështeturit, bindurit në alternativat e kandidatëve dhe në ditën finale për të votuar e për të përcaktuar fatin e kandidatëve në fitues apo humbës. Kjo liri garantohet vetëm e mbi të gjitha nga konkurrenca. Asnjë strukturë shtetërore, sado me vullnet apo pa të, nuk mund të garantojë lirinë tonë për t’u bërë pjesë e një procesi zgjedhor, në çdo nivel të tij, përveçse gara e rivalëve dhe vetë sistemi garantist që ata në mënyrë të balancuar krijojnë, e reciprokisht, vetë monitorojnë.
Edhe në këtë pikëpamje, niveli i garantimit dhe bipartizanshipit, në çdo fazë të këtij procesi, ishte në masën më të lartë e të plotë të mundshme. Këtë e ndjeu çdo votues, këtë kuptuan dhe miqtë e mëdhenj ndërkombëtarë të këtij vendi. Kjo u shpreh dhe në raportin e OSBE/ODHIR-it. Zgjedhjet ishin “transparente dhe konkurruese”, pa asnjë dyshim, një shprehje kontekstualisht sinonimike me formulën standarde “free and fair” (të lira dhe të ndershme), dhe diplomatikisht e formuluar mençur në një vend ku humbësi shpeshherë dalldiset dhe kërcënon të djegë shtëpinë nëse nuk merr lodrën e preferuar…

No comments: