Sunday, August 21, 2011

Kryetari i Bashkisë Shkodër shtron iftarin e Ramazanit


Ditën e enjte, më 18 gusht 2011, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, ka shtruar një iftar me rastin e muajit të begatë të Ramazanit. Në këtë sofër të bujarisë ishte i pranishëm edhe Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal e vendor në Shkodër, përfaqësues të besimeve të tjera, tarikateve, imamë, teologë, intelektualë e besimtarë të shumtë, të cilët kanë ndarë sëbashku kënaqësinë e këtij iftari.

Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Bashkisë Shkodër, ka theksuar se kjo mbrëmje është një dëshmi e vlerësimit ndaj besimit në Zotin, bashkëpunimit ndërmjet besimtarëve dhe një mirënjohje për të gjithë ata që punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë fetare në vend.

Iftarin e ka përshëndetur edhe Famullitari i Shkodrës dom Gjovalin Sukaj, që ka shprehur kënaqësinë e tij për këtë pjesëmarrje në iftarin që shtron Bashkia Shkodër.

Ndërsa Imam Muhamed Sytari, pasi ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë iftar të shtruar nga kryebashkiaku i Shkodrës, ka theksuar se falë Zotit, në Shkodër dhe Shqipëri njerëzit jetojnë me besim dhe respekt ndaj fesë dhe mësimeve të saj. Sikurse është lutur që Zoti t’i begatojë të gjithë ata që punojnë për të mirën e komunitetit dhe ruajtjen e harmonisë dhe bashkëpunimit të sinqertë në të.

I pranishëm në këtë iftar ka qenë edhe një ekip i televizionit France 2, të cilët kanë filmuar momentet më interesante të kësaj mbrëmje të këndshme Ramazani, që i bashkoi njerëzit në dashurinë për Zotin dhe respektin ndaj muajit të madhnueshëm të Ramazanit.

No comments: