Kronologjia e marrëdhënieve të ish-nënkryetarit me partinë që e propozoi dhe e zgjodhi në detyrën më të lartë të shtetit
Teksa kuzhina politike gatuante kombinacionet e mundshme dhe bënte bilance votash për emrin e Presidentit të ri, 30 qershorin e vitit 2007, Bamir Topi realizoi një lëvizje befasuese. Duke mbledhur 20 deputetë të grupit parlamentar, për një drekë në Radhimë të Vlorës, ai lëshoi mesazhin më kërcënues që kishte dhënë ndonjëherë për kryetarin e partisë së tij. Bamir Topi kishte shpallur ambicien për të marrë karrigen e kreut të shtetit dhe Sali Berisha duhet thjesht të pranonte. Teksa mori mesazhin politik dhe nën presionin e këtij grupimi brenda mazhorancës, shefi i selisë blu bëri llogaritë, duke i dhënë dritë jeshile numrit dy të partisë, drejt karriges së Presidentit. Vetëm pak kohë më pas, Berisha do të merrte “dhuratën” e parë të Topit, në cilësinë e kreu të shtetit. Teksa kishte vuajtur për shumë kohë për të bindur ish-presidentin Alfred Moisiu, që të shkarkonte kryeprokurorin Theodhori Sollaku, firmën do ta hidhte Bamir Topi, në nëntorin e vitit 2007. Shefja e re e organit të akuzës do të merrte epitetin nga Berisha, si “Silvia Konti e Shqipërisë”. Detaj i mjaftueshëm për të kuptuar se mes dy palëve po niste një marrëdhënie e re dhe e ngrohtë. Këtë ngrohtësi nuk do ta zbehte pas detyrimi kushtetues i Topit, për të festuar festat e 28-29 Nëntorit, ndryshe nga partia prej të cilës ishte zgjedhur. Në dhjetorin e vitit 2007, Prokuroria i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për shkak se ishte person nën hetim për atë çka u cilësua dosja “Rrëshen-Kalimash”. Nuk munguan deklaratat mbi dhe nën tavolinë, për një shtytje që Presidenti i bënte kryeprokurores me qëllim “djegien” e figurës së Bashës. Shpërthimi në Gërdec, marsin e vitit 2008, dhe tragjedia që shkaktoi, ishin një pikë kthesë nga ku Bamir Topi do të niste të reagonte në lartësinë e Presidentit. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Topi kërkoi gjetjen e përgjegjësve dhe zbatimin e ligjit. E nxitur edhe nga kreu i shtetit, Prokurorja e Përgjithshme nisi hetimet për tragjedinë dhe zbardhjen e gjithçkaje që ndodhi në Gërdec. Kjo fazë do të shënonte nisjen e konfliktit mes Sali Berishës dhe Ina Ramës, por jo vetëm kaq. Te veprimet e organit të akuzës, shefi i qeverisë shihte vazhdimisht portretin e kreut të shtetit. Kur Kryeministri mendonte se kishte njeriun e tij në Presidencë, gjithçka do të vihej në dyshim. Në prillin e vitit 2008 Sali Berisha dhe Edi Rama do të binin dakord për të firmosur ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit. Pjesë e amendamenteve preknin institucionin e kreut të shtetit, zgjedhja e të cilit përcaktohej shumë më e thjeshtë. Nëse votimet e para dështonin, sipas Kushtetutës, Presidenti zgjidhej në raundet e fundit me shumicën e thjeshtë të votave, pa pasur nevojë për shifrën magjike 84. Në prononcimet e tij publike Bamir Topi la të kuptohet se nuk ishte këshilluar dhe se kishte rezerva në raport me propozimet. Vota konsensuale në Kuvend, mes pozitës dhe opozitës, dobësoi zyrtarisht staturën e kreut të shtetit, 21 prillin e vitit 2008. Bamir Topi nuk do të ngurronte të kundërpërgjigjej dhe më 30 prill vendosi të kthente mbrapsht në Kuvend një nga ligjet më të rëndësishme të mazhorancës së PD-së, atë të legalizimeve. Më 12 dhe 22 maj, Topi propozoi pesë emra të rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ky ishte momenti i artë për Sali Berishën, që të tregonte supremacinë e tij mbi kreun e shtetit. Me një vendim politik, Kuvendi rrëzoi pesë emrat: Altina Xhoxhaj, Artan Zeneli, Kristaq Traja, Medi Bici dhe Zamir Poda, duke i shpallur “luftë” kreut të shtetit. Publikisht Berisha deklaroi se Bamir Topi kishte tentuar të organizonte një pakicë bllokuese në grupin parlamentar të PD-së dhe se kishte marrë përgjigjen e merituar. Artileria e rëndë e deputetëve të PD-së dhe mbi të gjitha e kryeparlamentares Jozefina Topalli, nuk kurseu aspak presidentin Bamir Topi. Ky i fundit u detyrua që dy muaj më pas të dorëzonte në Kuvend pesë emra të rinj, që kishin tanimë mbështetjen e lidershipit të selisë blu. Në muajt e fundit të vitit 2008 Bamir Topi do të mbështeste fuqishëm prokurorinë në hetimet e saj, për tragjedinë e Gërdecit, por edhe fenomenin “Fazlliç”, i cili pushtoi faqet e shtypit të shkruar, për shkak të lidhjeve të tij të aluduara me familjen kryeministrore. Dhjetorin e po të njëjtit vit, Bamir Topi i dha një shuplakë koalicionit të votave PD-PS, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke e kthyer mbrapsht për probleme formulimi ligjor. Janarin e vitit 2009, një tjetër betejë e egër mes Topit dhe Berishës u zhvillua për ligjin e lustracionit. I shumë kritikuar nga ndërkombëtarët dhe nga opozita, ky ligj nuk mori firmën e Presidentit, i cili preferoi ta linte të hynte në fuqi pa u shprehur “pro” apo “kundër”. Ky ligj më tutje u shfuqizua prej Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi si jo në përputhje me dokumentin themeltar të shtetit. Në prillin e vitit 2009 Bamir Topi dhe Sali Berisha do të rivalizonin njëri-tjetrin në samitin e NATO-s, teksa, ndryshe nga delegacioni kroat, do t’i shfaqeshin medias të ndarë e jo bashkë. Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike do të rriste tensionin e brendshëm në selinë blu dhe numri më i madh i atyre që ishin shfaqur si mbështetës të Bamir Topit, u lanë jashtë kandidimit. Një sinjal ky mjaft i qartë për kreun e shtetit, që në çdo rast do të kishte më pak zëra “pro” brenda grupit të ardhshëm parlamentar. Pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, Topi bëri disa deklarata që vlerësonte procesin zgjedhor, duke dhënë kështu një mesazh në mbështetje të qeverisë, ndërsa opozita po intensifikonte reagimin publik. Teksa klima politike u tensionua me kalimin e muajve, Bamir Topi thërriti në tryezë Sali Berishën dhe Edi Ramën, por nuk arriti t’i bindte ata që të dilnin në një qëndrim kompromisi për transparencën e zgjedhjeve. Diçka të tillë nuk do ta bënte dot as me ndihmën e delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës, që mbërriti në Tiranë. Tryeza e restorant “Krokodilit”, në fund të muajit maj të 2010-ës, do të linte në hije presidentin Topi, teksa Edi Rama dhe Sali Berisha udhëtuan drejt Strasburgut. Në muajin maj mazhoranca rrëzoi një prej tre kandidatëve të Presidentit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke dhënë dritë jeshile për Altina Xhoxhajn dhe Bashkim Dedjan, ndërsa drita e kuqe u ndez për Vangjel Kostën. Vetëm një muaj më pas, Kuvendi rrëzoi dy kandidatë të tjerë të Topit për Gjykatën e Lartë (Sokol Çomo e Vexhi Muçmata), ndërsa miratoi emrin e Mehdi Bicit. Katër kandidatura të tjera, të firmosura nga Topi, për Gjykatën Kushtetuese: Artan Hoxha, Edlira Jorgaqi, Ardian Leka dhe Fatmir Hoxha. Tre të parët u rrëzuan, ndërsa i fundit mori dritë jeshile. Kreu i shtetit shkoi më tutje, duke propozuar në Kuvend tre emra për vendet bosh në Gjykatën e Lartë: Edmond Islamaj, Manjola Bejleri dhe Shkëlzen Selimi. Procesi u pezullua pasi PD-ja kërkoi interpretim kushtetues, për procedurat e emërimit të anëtarëve të gjykatave prej kreut të shtetit. Partia Demokratike akuzoi presidentin Bamir Topi se kishte shkelur dokumentin themeltar të shtetit, ndërsa kishte vonuar dekretin për kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese. Në kulmin e debatit për ndryshimet në ligjin e SHISH-it, Bamir Topi doli hapur kundër PD-së, duke u shprehur se është me parimet e NATO-s. Ai nuk foli konkretisht për ligjin e SHISH-it, por la të nënkuptohej qartë se do të kthente pas pa dekret, nëse ky ligj i vinte nga ana e Parlamentit, pa u bërë më parë konsultime me faktorin ndërkombëtarë. Sakaq, presidenti Bamir Topi intensifikon dozat e reagimit në përplasjen me Kryeministrin, pasi nuk dekreton ligjin për pronat dhe e kthen atë për rishqyrtim në Kuvend. Presidenti thekson se ndryshimet e propozuara në ligj bien ndesh me Kushtetutën. Sakaq, ngjarja e 21 Janarit duket se ka shënuar pikën kritike në luftën mes Sali Berishës dhe presidentit Bamir Topi. Kryeministri ka akuzuar direkt Topin se ka marrë pjesë në atë çka ai e cilësoi grusht shteti, që kishte për qëllim rrëzimin e dhunshëm të qeverisë. Berisha këmbënguli se ka pasur edhe plan për eliminimin e tij, në rast se nuk rrëzohej nga puçi i shtetit dhe për këtë ka qenë në dijeni presidenti Bamir Topi. Ajo çka do t’i vinte kapakun marrëdhënies problematike të Topit me partinë që e propozoi dhe nga e cila doli, ishte procesi elektoral i 8 Majit. PD-ja pretendoi se publikisht u zbulua fakti se Topi kishte hedhur votën “pro” Edi Ramës për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe se kishte ushtruar presion ndaj Kolegjit Zgjedhor për vendime në favor të opozitës në ankimimin për kryeqytetin. Që prej zgjedhjeve, janë shtuar ndjeshëm thirrjet dhe deklaratat publike të eksponentëve të PD-së kundër Bamir Topit. Akuza që e bëjnë tejet të qartë tanimë fatin e tij, pas përfundimit të mandatit që nisi në vitin 2007. Rikandidimi duket krejtësisht mision i pamundur, të paktën jo prej Partisë Demokratike, ndërsa rikthimi i tij në partinë nga ku doli pritet të ketë edhe më pak shanse.
No comments:
Post a Comment