Saturday, August 27, 2011

Gara me Ardit Gjebrenë? Adi Krasta: Konkurrenca është e hapur!


Gara me Ardit Gjebrenë? Adi Krasta: Konkurrenca është e hapur!

I vlerësuar si prezantuesi më i mirë i vitit nga AKT, i mirënjohuri i ekranit, Adi Krasta, rrëfen për çmimin, për televizionin sot në Shqipëri, konkurrencën dhe vijimësinë e tij televizive. Shumë kuriozitete që ai vetë i ka rrëfyer për revistën kulturore AKT.

Cili është përjetimi juaj për çmimin e AKT-it, si njeriu televiziv i vitit?

Do të duhej të isha në sallë për të marrë cçimin, çmimi duhet të merret ose të refuzohet, nuk është se gjendet një rrugë e mesme diplomatike. Por ka probleme të tmerrshme në Shqipëri në lidhje me humbjen, pranimin e saj dhe fitoren me çdo kusht. Është si çdo gjë shoqërore, panshqiptare dhe individuale te çdo shqiptar. Për të qenë i çiltër, duhet të them se nuk kam kërkuar kurrë çmim, aq më pak kur nuk e kam merituar. Mund të jem lënduar për pak minuta ose orë, kur ndodhi që në një ceremoni çmimesh u hoq brenda natës e gjithë kategoria e çmimeve të prezentatorëve nga konkurrimi, sapo u morr vesh me sms që juria ma kishte dhënë mua çmimin. Sepse më vjen të qesh për dikë që një çmim e ka marrë prej meje ose e merr pas meje. Po t’ju kisha thënë një emër me siguri do të më kishit dhënë të drejtë...

Ka kolegë që i kërkojnë çmimet në tavolinë. Ka që bëhen agresivë nëse nuk i marrin kur i duan. Kam parë sjellje fëmijërore, inatçore, që nuk i lejon të paqtohen kurrë… ka kolegë që (sipas standardeve të sotme) janë të suksesshëm, marrin pagesa ekstravagante, por nuk e pranojnë dot faktin që nuk janë popullorë ose që nuk plotësojnë kuadrin duke dalë në një skenë për të tundur një trofe, kjo ma bën marrjen e çmimit komplekse. Ndihem jo gati, jo i plotë, jo i justifikuar për të dalë në podium për të marrë atë trofe. Për fat, këtë e di një pjesë e jurive dhe nuk afrohen.

Tanimë çdo televizion ka një figurë qendrore të vetën. Si e gjeni veten në këtë komunitet?

Është një komunitet i vështirë. Bëhemi spitullaqë dhe sistematikisht përkëdhelemi duke ia bërë me sy egos sonë. Nuk njoh ndonjë eksponent të këtij komuniteti jo të madh, që të mendojë, sidomos të pranojë, se vjen i dyti apo i pesti në radhën e vlerësimit të publikut apo të kritikës. Është një konfiguracion njerëzisht që mezi i flasin njëri-tjetrit, nuk mungon ndonjë ngërdheshje në ambientet publike, pastaj përsëri izolacionizëm në kullën e fildishtë të vetëbesimit dhe të ambicies së sëmurë. Kam ndonjë emër që realisht e vlerësoj, por është një, e shumta dy. Të rrallë.

Çfarë mendoni për njeriun televiziv në Shqipëri?

Një teknologji haluçinante gëlon brenda njeriut të vogël të një populli të vogël. Edhe ne sillemi sikur jemi VIP-a të mëdhenj, edhe audienca sillet sikur është audiencë e madhe e një vendi të madh. Në jetën e zakonshme nuk jam entuziast për televizionin në Shqipëri. Si konsumator më duket i dobët, jo profesional, nën nivelin mesatar kulturor të vendit, drejtuar më së shumti nga pronarë pothuaj injorantë dhe që në mënyrë fare të paturpshme “merr në mbrojtje” publikun me shije të papërpunuar. Televizioni në Shqipëri nuk ka qenë bashkues i shqiptarëve dhe është i paaftë të përpunojë platforma kombëtariste.

Është thënë nga një mogul i televizionioneve shqiptare: “Manastiri të qëndrojë, murgjit shkojnë e vijnë”. I referohet logos së televizionit dhe figurave të tij. Ndonjë koment për këtë?

Duhet të ketë qenë ndonjë pronar televizioni dhe madje në fillimet e tij. Jo, nuk jam dakord me këtë. Manastiri bëhet bosh, i zymtë dhe i trishtë pa murgjit që i japin jetë me sakrificat, lutjet dhe këmbënguljen e dashurinë e tyre për tempullin. Kam pasur një përballje njëherë me pronarët e një stacioni dhe kur më thanë me inat se ai ishte televizioni i atyre iu përgjigja: Jo, zotërinj, ky është televizioni im, sepse aty punoj unë (dhe ndoshta ju jo) dhe aty unë rris fëmijët e mi. Murgjit e mbajnë manastirin. E mbajnë sakrificat, këmbëngulja, dashuria, pasioni.

Ishte e natyrshme që ju të punonit në stacionin më të ndjekur në vend? Do të mundnit të punonit në një stacion të vogël televiziv?

E konsideroj krejt të natyrshme të punoj aty ku punoj. Marr nga logo dhe jap nga emri im. Natyrisht, do të kisha punuar kudo. Nuk ka televizione të vegjël. Ka drejtues të vegjël.

A do ta fillonit nga e para?

Pa as më të voglin dyshim. Ka shumë njerëz të televizioneve në botë që kërkojnë në një moment të karrierës së tyre t’ia nisin nga e para (por ky është një luks). Oprah Winfrey i dha fund programit të saj personal sepse do të merret me kohë të plotë me kanalin që tanimë mban emrin e saj. Fillim i ri…

Çfarë nuk shkon me program-bërjen në Shqipëri?

Një pjesë e mirë e programeve janë dukshëm të varfër financiarisht. Nuk kalojnë sitën e vlerësimit paraprak. Nuk praktikojnë regjistrimet pilot dhe vlerësimin e kritikës. Programet në Shqipëri janë të rrëmujshëm, pa shije, të kolauduar dhe me vendime pothuaj diktatoriale personale të atyre që japin apo gjejnë financimin.

Po për program-bërësit çfarë mund të thuhet?

Nuk jemi të kulturuar. Nuk dëgjojmë shumë. Na pëlqen mendja jonë. Nuk flasim me pasion dhe gjatë. Jemi të kërcënuar nga axhenda kohore e lidhur me marketingun. Jemi të bindur se e duam televizionin më shumë se kolegët dhe se të tjerët bëjnë më shumë dëme sesa sjellin vlera. Është marrëdhënia e gabuar. D.m.th, është marrëdhënia njerëzore ajo që shpesh kushtëzon atë profesionale.

Ju qëllon që të lexoni komente armiqësore ndaj jush në rrjete sociale?

Kam lexuar rrallë. Ka diçka që nuk shkon me identitetin e këtyre sulmeve që, më së shumti , i konsideroni të ulëta. Janë të paprincipta, aq sa janë pa emër ose me emra të shpikur… Unë them hapur se i respektoj si shikues, por i neglizhoj si “specialistë” të një zejeje të cilën nuk e njohin dhe me shumë gjasë nuk do e njohin kurrë.

Mund të ketë diçka në personalitetin e prezantuesit që mund të antipatizohet, duke ngjizur një armiqësi të plotë te shikuesit?

Si në çdo veprimtari të jetës, edhe në kontaktin televiziv vepron një mekanizëm automatik përzgjedhës mbi bazën e pëlqim-mospëlqimit. Është një fushë magnetike, që nuk përcaktohet detyrimisht nga aktorët në lojë. Mospëlqimi më duket një ndjenjë krejt e justifikueshme. Mospranimi i autoritetit që njeriu televiziv do të duhej të kishte në publikun e tij, ia vlen të diskutohet. Nuk jam që ky pranim të kërkohet me lutje, sikurse jam kundër arrogancës dhe mungesës së etikës për të pasur atë. Është fjala për një segment ende të papërcaktuar, që më shumë sesa vetë shkencës së komunikimit ia shton detyrat e studimit sociologjisë dhe psikologjisë së komunikimit.

Edhe pse tingëllon si këmishë force, nuk është e rastit që në shkollat amerikane të komunikimit një nga lëndët që vlerësohet më shumë është Etika e komunikimit. Etika mësohet me kujdes dhe aplikohet me vëmendje në seanca të tëra të lodhshme praktike. Ndaj ata që diplomohen për t’u përballur me detin e dallgëzuar të televizionit e dinë çfarë nuk duhet të bëjnë ose si të veprojnë për të mos ndëshkuar që në fillim.

Po cilën kritikë “dëgjoni” ju? Si reaguat nga vlerësimet e zotërinjve Pepo, Plasari, Velo, Kasoruho e Kule në një program televiziv?

Vërejtje kemi marrë gjithmonë. Shpesh nga njerëz që nuk e kuptojnë televizionin. Por gjithçka justifikohet me atë mekanizmin e pëlqim-mospëlqimit. Ndërkohë, kam mbetur i mrekulluar nga vlerësimet pozitive që pesë figura me peshë të televizionit dhe komunikimit kanë bërë në adresën time gjatë programit “Pasdite në TCH “. Ishte hera e parë që u artikulua një vlerësim i tillë, për këtë arsye e quaj një arritje shumë të madhe e të vërtetë. Janë ca emra që i çmoj shumë. Më i hapur e direkt në këtë vlerësim ishte Ylli Pepo, një shtyllë e fortë e historisë së televizionit në Shqipëri. Padyshim jam i lumtur dhe i përulur për çka vlerësuan me shumë dashuri zotërinjtë Plasari, Velo, Kasoruho e Kule, për të cilët ruaj një konsideratë të veçantë dhe respekt të plotë.

Është bërë e njohur se tashmë, pas 3 vjetësh, vendosni të largoheni nga “E Diell”. Ndërkohë, “E diela shqiptare” e Ardit Gjebresë do të vazhdojë. Cili ka humbur?

Në televizionin e sotëm (edhe të dikurshëm) humb ai që ka shifra më të ulëta të audiencës. Ndërkohë “E diell” vazhdon. Konkurrenca është e hapur!

No comments: