Në muajt e fundit të mandatit të tij, Bamir Topi lëkundet mes ambicieve për një mandat të dytë në Presidencë dhe planit “rezervë” për të krijuar një parti me mbështetësit e tij të djathtë. Projekti i ri politik synon të mbledhë figura të njohura të së djathtës, të pakënaqura me PD-në dhe së bashku me Aleancën Kuq e Zi të Spahiut, të krijojë një pol të ngjashëm me LSI-në
Në vitin e fundit të mandatit të tij si President i Republikës, janë shtuar hamendjet dhe pikëpyetjet mbi të ardhmen politike të Bamir Topit. Zhvillimet e muajve të fundit, e veçanërisht pas zgjedhjeve të 8 Majit, duket se kanë minimizuar shanset për një mandat të dytë, ndërsa krejt ndryshe nga paraardhësit e tij, Presidenti Topi është shumë i ri për të shijuar pensionin politik, pas verës së vitit 2012. Në këto rrethana duket se po ravijëzohet projekti i ri i Bamir Topit, i nxitur edhe nga katapultimi në skenën politike të Aleancës Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut, që konsiderohet si krahu i djathtë i Presidentit në administrimin e drejtësisë. Këtij puzzle për fatin e ardhshëm politik të Presidentit i shtohen edhe akuzat e sulmet e fundit të kryeministrit Sali Berisha, i cili ashpërsoi gjuhën ndaj kreut të shtetit, duke e konsideruar linjën e ndjekur prej tij si “kacavjerrje për shkak të mandateve që po bien”. Por cilat janë ambiciet e Topit, në këtë moment të karrierës së tij politike? Një mandat i dytë në Presidencë, edhe pse jo i pamundur, duket i vështirë për Topin. Përveç “shigjetave” të kohëve të fundit, kryeministri Sali Berisha ka lënë qartazi të kuptohet se Topi nuk do të jetë më kandidati i PD-së për President. Kandidimi i tij i dytë është kundërshtuar në ligjëratë të drejtë nga eksponentë të lartë të PD-së, si Astrit Patozi, Jozefina Topalli e Sokol Olldashi. I vetmi zë publik që ka mbështetur rikandidimin e Topit ka qenë kreu i PDK-së, Nard Ndoka, por preferenca e tij nuk ka pasur asnjë rezonancë te pjesa tjetër e opozitës, e cila ka lënë kështu të kuptohet se edhe në rast se arrihet një marrëveshje PD-PS për Presidentin e ardhshëm, emri i Bamir Topit nuk hyn në interesin e partisë më të madhe të opozitës. Dilema e debatit mbi Presidentin lidhet tashmë me sulmet që sa vijnë e shtohen mbi Bamir Topin, në një kohë kur të gjitha rrugët e tij për një mandat të dytë në Presidencë kalojnë nga Sali Berisha. Arsyet lidhen me mundësinë reale të një lëvizjeje politike që mund të ndërmarrë kreu i shtetit, Bamir Topi, e që për të djathtën mund të sjellë të njëjtin efekt që shkaktoi LSI-ja në krahun e majtë të politikës shqiptare. Ky projekt i Presidentit Topi është paralajmëruar në median e shkruar edhe nga Nikollë Lesi. Por ndryshe nga sa është komentuar këto kohë, kjo lëvizje e Bamir Topit pritet të jetë më e gjerë sesa thjesht shndërrimi i Aleancës Kuq e Zi në një forcë politike, që do të tentonte të merrte vota në të djathtën nacionaliste. Burime pranë Presidentit kanë bërë të ditur se Bamir Topi nuk do ketë të bëjë me Aleancën Kuq e Zi, që pritet të shndërrohet në një parti. Pasi paralelisht me të, ai do të synojë të krijojë një parti të vetën, me pjesëmarrjen e një sërë figurash të njohura të së djathtës, të cilat kanë mbetur të pakënaqura apo të papërfaqësuara në PD. Ky duket se është projekti “rezervë” i Bamir Topit, që pritet të vihet në jetë, në rast se ambiciet e tij për një mandat të dytë në Presidencë nuk do të përmbushen. Në një rast të tillë, burimet pohojnë se kreu i shtetit ka vendosur të hyjë në lojë me anë të një partie të re, por me figura të njohura tashmë për publikun si mbështetës të Presidentit. Burime të afërta pranë Presidentit kanë pohuar se ekziston një plan i tillë dhe për të kreu i shtetit mësohet se është konsultuar edhe me figura të njohura të së djathtës, me të cilët ai natyrshëm do bashkëthemelojë këtë parti politike. Topi pritet të ftojë në këtë projekt figura të tilla si ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj; ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa; ish-anëtarin e kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj; si dhe ish-deputetë demokratë, që gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009-s nuk e gjetën veten në listat e kandidatëve për deputetë. Madje, nuk përjashtohet që pjesë e kësaj force politike të bëhet edhe ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami. Ky skenar politik është parashikuar të jetë gati për zgjedhjet e vitit 2013, ku presidenti Bamir Topi synon të krijojë atë lob të së djathtës, që do ta bëjë përcaktues në Kuvend, edhe falë aleancave me lëvizjen e Kreshnik Spahiut, partive të tjera të djathta apo ndoshta edhe me LZHK-në e Dashamir Shehut.
No comments:
Post a Comment