Kreu i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, njëherësh zv/ministër i Turizmit në një analizë për "Gazeta Shqiptare" paralajmëron lëvizjet politike apo "lojën e shahut", siç e cilëson, që pritet të bëjnë Berisha dhe Rama sa i takon zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Nga Nikollë Lesi
Shumë herët ka filluar lakimi për emra seriozë e përbashkues për detyrën e lartë të Kryetarit të Shtetit, pasi normalisht procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Natyrisht që secili mund të propozojë emra në këto muaj të nxehtë vere, mundet edhe për të mbushur faqet e gazetave, të cilat në kohë vere kanë nevojë për skupe apo mbushur rrjeshtat, porse në të vërtetë emri për kandidatin për President Republike është një gjetje e lodhshme, por mbi të gjitha konsensuale. Presidenti i Republikes përfaqëson unitetin e popullit, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës, ndaj përpjekjet për ta zgjedhur krejtësisht partiak, ndonëse me emër publik, mendoj se nuk do të jenë të suksesshme, aq me tepër për emra konfliktual. Hamendjet dhe lakimet e shumë emrave që kanë dalë e do të dalin pafund deri në maj të vitit të ardhshëm nuk do të ndalojnë të propozojnë edhe Hysni Milloshin e Partisë Komuniste, votat e të cilit i hoqën pa hezitim mandatin Edi Ramës. Por, me aq sa e njoh politikën e kulisat e saj në këto 21 vjet mendoj se emri nuk do të dalë nga rradhët e PD-së, ndonëse i kanë numrat për në raundin e katërt dhe të pestë të votimit. Duke parë evoluimin e politikës, ndonëse me përplasje të forta, duke ndjekur raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 8 majit të këtij viti, duke vështruar ardhjen e "politikës së re" të Edi Ramës në këtë shtator, duke mos lenë mënjanë ndërhyrjen e fortë të ndërkombëtarëve vitin e ardhshëm për një President konsensual, por mbi të gjitha vendimin e padiskutueshëm të kryeministrit aktual z.Berisha për gjetjen me çdo kusht e çdo mënyrë të marrëveshjes me opozitën, qoftë për reformën zgjedhore, por mbi të gjitha për emrin e Presidentit të Republikës, mund të them se asnjë emër që ka dalë në treg e do të dalë nuk mund të jetë në lojë. Emri do të jetë në momentin e fundit, pak para hyrjes në Parlament, mes Berishës e Ramës. Dikush mund të thotë se PS-ja e Ramës do të përdorë të gjitha truket dhe lëvizjet për të dështuar procesin e zgjedhjes së Presidentit e si pasojë të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Mendoj se jo, nëse "politika e re" e Ramës do të mbizotërojë në Kongresin e këtij viti. Lideri i opozitës, z.Rama, me aq sa kam informacion (dhe nuk e kam të paktë) do të synojë vitin 2013 për marrjen e pushtetit e jo zgjedhje të parakohshme. Ai po luan të gjitha kartat dhe është e drejtë e tij, që çdo individ me vlerë kombëtare parti apo përbashkim partish t'i marrë në opozitë, qoftë edhe duke qetësuar kryetarët e tyre me marrëveshje me shkrim se do të jenë në listën e deputetëve të PS-së, natyrisht pas ndryshimit të një neni përkatës në Kodin Zgjedhor. Nisur nga kjo lëvizje e tij, pa harruar edhe faktorin anti-LSI me një parti të re të së djathtës e cila do të dalë në skenë pas largimit të zotit Topi nga Presidenca, e cila synohet të marrë dyfishin e LSI, por nga e djathta; pra me këtë "politikë të re", pragmatiste, ai, Rama synon të marrë pushtetin. E gjithë kjo skemë e tij, ende e pa bërë publike, që po rajivizohet në kulisat e këtyre ditëve mund të çojë në reagimin e Berishës që kulisës t'i përgjigjet po me kulisë; që të ripropozojë Bamir Topin, duke ia zbehur lojën e Ramës për "anti-partinë LSI" në gjirin e së djathtës. Hamendjet se kjo gjë mund të zgjojë reagime të kundërshtarëve të zotit Topi brenda PD-së harrojeni se mund të ketë votë kundër nga demokratët nëse z.Berisha vendos për t'iu përgjigjur lojës dinake të Ramës. Përderisa jemi në lojën e hamendësimeve dhe hipotetikimit presidencial kemi të drejtën të themi se loja për emrin e Presidentit ka filluar, por emrin asnjë nuk e di saktësisht, bile as vetë zoti Berisha. E kur themi as vetë zoti Berisha, që mbetet burrë shteti dhe i plotfuqishëm merreni me mend se sa këtë emër e dinë të tjerët. Loja e dy frontëve, këtë herë, do të jetë më shumë "lojë shahu elektoral" se sa përballje forcash, të dhunshme e me protesta pambarim. Natyrisht që opozita do të luajë kartat e saj që çdo opozitë përdor, por, mendoj se dinakëria e Ramës do të aplikojë kartën e mospropozimit as vetë, por as nga PD të emrit të Bamir Topi me synimin që ta copëtojë frontin e djathtë. Siç thuhet, por që do të bëhet, partia e re e z.Topi me emra VIP nga e djathta e më koalicion partish të vogla do ta fragmentizojë të djathtën e PD-së në dy pjesë; në pjesën e "luanit" të Berishës, por edhe "të të urtit djathtist" Topit. Kjo duket se do të jetë njëra pjesë e taktikës së Ramës. Ndërsa varianti tjetër që nëse Bamir Topi ridel në lojën presidenciale ka të bëjë me tratativat e përditshme për të afruar LSI-në dhe partinë e çamëve në frontin e majtë me disa kushte. Çamëve pakt për dy ministri, kurse LSI-së t'i japë më shkrim kryeministrin, duke ruajtur vetë kryetarin e Parlamentit dhe shumicën e ministrave të rëndësishëm. Me këtë variant PS-ja vjen në pushtet, sipas tyre, kurse Rama ruan karriken e kryetarit të PS-së, ndonësë humb postin e Kryeministrit. Dhe parimi "ka llokume për të gjithë" gjen zbatim duke thirrur front të madh opozitar për të marrë pushtetin në vitin 2013. "Politika e re" e Ramës nuk do të jetë ajo ç'ka do të thuhet në media. "Politika e re" mbetet ajo ç'ka po luan vetëm ai me variantin të "japim gjithçka nga pushteti që të rrëzojmë Berishën". Por shahu nuk luhet vetëm. Ka dy vetë! Edhe në kompjuter ta luash përsëri janë dy vetë; ti dhe kompjuteri. Nisur nga loja e kundërshtarit Rama, kryeministri Berisha nuk është se po merret vetëm me ekzekutivin. Duke qenë mjeshtër me eksperiencë të madhe dhe unike në Europën Juglindore, ai, pra Berisha jo vetëm që ka informacion për këto lëvizje dinake të së majtës, por ka në kokë edhe kundërveprimin. Ndonëse nuk e thotë, por shumë veta në PD të cilët nuk i sollën vota e pushtetin në disa bashki e komuna bastione demokrate ose do t'i spostojë me kujdes ose nuk do t'i vendosë fare në listat e deputetëve në vitin 2013. Analizën e zgjedhjeve, për secilin, Ai e ka bërë brenda vetes dhe për hir të vazhdimit të reformave për vendin e me synimin për rifitimin e zgjedhjeve në vitin 2013 do të bëjë çdo hapje apo thithje të emrave VIP, të cilët i japin pushtetin, duke anashkaluar disa emra "historikë", të cilët prodhojnë vetëm konflikte e tituj gazetash, por jo vota në koshin e PD-së. Por përsëri shahu luhet për të zënë mat "mbretin" kështu që z.Berisha për hir të stabilitetit, ruajtjes së ekuilbrit të institucioneve e rimarrjes së pushtetit në vitin 2013 ka mundësi të bëjë lëvizjen e papritur për cilindo, edhe për Ramën vetë, që t'i thotë në momentin e fundit liderit të opozitës "gjeje t'i emrin e Presidentit!" dhe t'ia shkërmoqë të gjitha planet. A nuk folëm se në fund të fundit rëndësi ka fitimi i lojës, ndonëse luan duke humbur shumë ushtarë, bile edhe vetë mbretëreshën e bërë gati për "mbret"?!
*Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit "Lojë shahu për Presidentin e ri"
No comments:
Post a Comment