Sunday, August 21, 2011

Mikrofoni është magjik, mbase do i kthehem sportit por pa tradhëtuar Fokusin


INTERVISTË/ Robert Papa rrëfen kohët e arta të intervistave me yjet Gazetari i mirënjohur Robert Papa, në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, rrëfen emocionet dhe historitë e pazakonta të përjetuara në kohën e diktaturës, në zyrat e shtypit të “Sportit Popullor”, apo nga shkallët e stadiumeve tona ku transmetoi shumë ndeshje për Radio Tiranën. Papa ishte ndër ata të paktë gazetarë që patën fatin e madh të intervistonin lojtarë e personalitete të mëdha të sportit botëror në atë kohë, si Bekenbauer, Platini, Lineker etj, me të cilët ka ndarë jo vetëm shijet e një gazetari të thjeshtë, por ka mësuar edhe rreth jetës së tyre, veprimtarisë dhe raporteve që kanë ndërtuar me Shqipërinë.

Nën survejimin e vazhdueshëm të organeve të Sigurimit, Papa ia ka dalë,s sidoqoftë, të sjellë për lexuesit informacione të një lloji të veçantë për kohën, atë që lexuesit e donin shumë, por që nuk pëlqehej nga udhëheqja radikale. Ai tregon për shkaqet pse nuk e linin të udhëtonte jashtë shtetit, dhe se si shembja e regjimit e gjeti në Londër. Tregon për raportet e tij me gazetarë të njohur të BBC-së dhe “L’equipe”, por edhe për batutat unikale e mjaft tërheqëse me anëtarët e Byrosë Politike në kohën e monizmit. Kurajoz, këmbëngulës, i pasionuar, por disi edhe aventurier, Robert Papa krijoi profilin e tij të gazetarit, duke u bërë jo vetëm i njohur për shkrimet e tij në shtypin sportiv të kohës, por edhe i dashur ndër njerëzit. Mbi të gjitha, Robert Papa është një komentator i talentuar i ndeshjeve sportive. Ai nuk e fsheh që mikrofoni i futbollit e bën xheloz dhe e ndjen se ai duhet të jetë pronë e tij.

Ju ishit personazh i njohur në gazetarinë sportive. Keni mundur të intervistoni disa prej figurave më të mëdha të futbollit botëror kur ata ndodheshin në Tiranë, në një kohë kur kontakti me të huajt ishte, në mos i pamundur, mjaft i vështirë. Kur ju ka ndodhur të shoqëroni apo të intervistoni një sportist apo një të huaj që merrej me sportin?
Intervistën e parë të plotë me kolegë të huaj e kam bërë me gazetarin e “Francë Futboll”, Frensis Huertos, në vitin 1986, por kontakti im me sportistët e huaj ka qenë shumë më përpara, që nga viti 1980 ose 1981. Trajnerin e skuadrës së Malmoes, Hodson, e kam takuar në sezonin 1980-1981. Ndoshta ky ka qenë kontakti im i parë si gazetar me sportistë apo teknikë të huaj.

Keni përjetuar ndonjë emocion të veçantë gjatë intervistës?
Unë nuk kam pasur emocione gjatë kohës që intervistoja. Të bëja intervistë ishte e thjeshtë, por vështirë ishte t’i takoje. Mjafton që t’u flisje në anglisht dhe ata përgjigjeshin. Duhet të pranojmë se tutela e sportit ishte më e lirë në krahasim me sektorët e tjerë të shoqërisë.

Një nga kulmet tuaja si gazetar në këtë drejtim ishte intervista që i keni bërë të famshmit Lineker. Si vepruat që ta bindnit, kur të gjithë e dimë se ai ka qenë tip i vështirë për gazetarët?
Ai erdhi këtu me Barcelonën, në vitin 1987. Do të ndesheshin me Flamurtarin në Vlorë. Ne ishim si staf te “Sporti Popullor” i kohës të angazhuar, por nuk kishim makina. Vetëm një kishte kryeredaktori. Ish-kolegu Bashkim Tufa më thotë se do të bëjmë intervista. Ndër gazetarët Albert Karanxha dinte disa gjuhë dhe shihej si më i përshtatshëm. Vendosëm që të shkonim te 15-katëshi, aty ku u grumbullua pas ndeshjes skuadra e Barcelonës dhe ku ndodhej dhe Lineker. Aty ishte polici e madhe. Po prisnim. Ata ishin në autobus. Që të shkoje te ata nuk të linin. Por më në fund u futëm në autobus. Lineker ishte i ulur vetëm. Miku im Karanxha shkoi të intervistonte Zubizaretën. Dua të them që në fillim se Lineker ishte një anglez i ftohtë. Nuk i bënin përshtypje ngjarjet. I them jam gazetar. Ai më thotë se nuk i pëlqente gazetarët dhe se ishte i lodhur. Por unë insistova, duke thënë se isha i shkollës angleze, jo spanjolle, pasi dukej qartë se në Spanjë gazetarët e mërzisnin. Më pyeti nëse ishte kaq i njohur në Shqipëri. Po, ju përgjigja, jeni shumë i famshëm. Ai dëshironte të më vinte në provë dhe unë i thashë: të them dy gjëra të veçanta, a do pranosh të më japësh intervistën? Ai, më në fund, pranoi.

Ju njihnit veprimtarinë e tij futbollistike, por a kishit realisht të dhëna për jetën e tij?
Unë pata lexuar rreth jetës së tij në një revistë të huaj. Babai i tij kishte dashur që ai të ishte një fermer lakrash. Kur unë ia thashë këtë, ai mbeti pa fjalë. Në këtë moment futet brenda një spanjoll, nga stafi, dhe donte të na nxirrte jashtë. Por Lineker ndërhyri dhe tha është me mua. Përfundimisht vijova ti bëj intervistën. Gjatë kohë që intervistoja Sigurimi ishte kudo, nuk të linte, por unë rezistova. Sidoqoftë, i thashë të më priste në aeroport. Pastaj së bashku me gazetarët spanjollë shkuam në Rinas. Kolegu im Karanxha udhëtoi me një çift spanjoll. Dua të shtoj se në Rinas ishte mbushur plot me ushtarë. Te dera e aeroportit, ushtari me armë qëndronte përballë Linekerit, një pamje unikale. Atje sigurimsat nuk na linin të intervistonim. Madje ata u bënin kontroll të imtësishëm çantave të tyre. Kur kjo u bë e pamundur, atëherë Lineker më dha numrin e shtëpisë së tij, të cilin unë e kam ende në bllokun e shënimeve. Gjatë kësaj kohe, Tufa kishte intervistuar Shusterin, por ky ishte jo i mirë për gazetarët. Karanxha kishte intervistuar Zubizaretën.

Por a e morët në telefon Linekerin më pas?
Unë kthehem në redaksi dhe pasi kisha matur pak a shumë kohën, i rashë telefonit. Më del e shoqja dhe më thotë se ai ende nuk është kthyer. Ajo u interesua kush jam dhe i them gazetar nga Shqipëria. Më vonë e mora sërish dhe e intervistova, bisedova më shumë se një orë me të. Në mbrëmje vonë e mbylla intervistën, por çe do, në gazetë kishim shumë pak vend për intervistën me një lojtar të tillë të madh. Duhet të pranojmë se Lineker ishte anglez dhe anglezët nuk ishin të preferuar në Shqipëri, gjithnjë ishin të fundit në gazetë. Bëra në të vërtetë një intervistë shumë të mirë, që ishte ndryshe nga herët e kaluara. Madje një intervistë e tillë nuk njihej në Shqipëri, me shumë pyetje e përgjigje. Ishte në një farë mase një variant i huaj. Vetë Lineker më kishte kërkuar që intervistën t’ia dërgoja, që ta shihte.

Dhe ia dërguat?
Jo, nuk bëhej fjalë.

E keni takuar më pas?
Po, e kam takuar disa muaj më pas. Ai erdhi sërish këtu, këtë herë me kombëtaren angleze. Ishte dimër. Unë isha i veshur me pallto dhe shkova në stadium ku po bëhej ndeshja. Ai më pa dhe u shkëput menjëherë. Nuk e mbaj mend në më thirri me emër, por më priti miqësisht. Pastaj më ftoi ta takoja në darkë. U bë shumë miqësor me mua.

Në atë periudhë keni takuar dhe Trevor Bruking, një lojtar i njohur i kohës. Ç’mund të na tregoni për të?
Unë Bruking e kisha në foto. Kur ai e pa u gëzua shumë. Më mbajti për darkë. Intervista me Bruking u botua te “Studenti i Bujqësisë”. Bruking ka qenë ndër lojtarët më të mirë të Anglisë. Ai është ende komentator te BBC.

Por në atë kohë ka pasur edhe gazetarë të huaj që vinin këtu për qëllim jo sportiv, apo jo?
Bill Hamilton, ishte gazetar politik. Ai shfrytëzoi rastin për të bërë një shkrim për Shqipërinë e kohës. Ka qenë gjithashtu dhe Xhemi Bejker, gazetar i njohur. Ai dëshironte të vinte këtu, por nuk i jepnin vizë. Atje i kishin dhënë numrin tim. Foli me mua dhe më kërkoi të vizitonte Shqipërinë. Shkova u interesova dhe më dhanë leje ta ftoj në vendin tonë. Por ndodhi që unë që e kisha ftuar, të mos e shoqëroja, por ta shoqëronte dikush tjetër. Sidoqoftë, unë munda ta takoja dhe ai më ftoi në Angli, duke më dhënë garanci.

Dhe erdhi momenti të shkonit për herë të parë jashtë...
Po, ishte viti 1990. Mu dha pasaporta dhe vajta në Angli, atje takova Linekerin, Bekenbauerin. Atje luhej një ndeshje: Totenhem-Sandërlend që me sa mbaj mend përfundoi 3-1. Luante dhe Shilton që atë ditë do të linte futbollin. Linekerin e takova sërish dhe ai më ftoi në shtëpi. Ishte muaji dhjetor. Isha i ftuar në BBC nga Brukling. Në Shqipëri ndërkohë kishte plasur lëvizja e dhjetorit. Në orën 6 të mëngjesit unë dhashë një intervistë në BBC. Kisha ikur pa leje. Paralajmërohem për pushim nga puna dhe motivacioni ishte se kisha ikur jashtë shtetit, pa lejen e shtetit.

Më vonë do të shkëputeshit nga gazeta e sportit dhe do të ishe në një institucion drejtues sporti, por pasioni për të intervistuar emra të njohur nuk ishte shteruar. Si ka ndodhur që folët dhe intervistuat Bekenbauerin?
Ai erdhi këtu me Olimpikun e Marsejës. Kishte dalë kampion bote me Gjermaninë dhe kishte marrë drejtimin e Marsejës. Unë kisha ikur nga “Sporti” dhe punoja në BFSSH. I afrohem Bekenbauerit dhe i them se jam tifoz juaji. Ai ishte xhentëlmen. Më kërkoi foton e një miku të tij. Ne menduam se ai do Panajot Panon, me të cilin ishte përballur. Por në realitet miku i tij kishte qenë një dentist. E kishte takuar që më 1974 dhe e kishte mik të madh. Dua të shtoj se Bekenbaueri ishte njeri i madh, tejet modest. Unë e takova po atë ditë në në darkë dhe ai më ftoi në tavolinë, ku pimë dhe nga një gotë vere. E kam intervistuar për një orë, pothuajse për të gjithë karrierën e tij. Intervista u botua te “Tirana”, jo te gazeta e sportit. Në atë periudhë në Tiranë kishte shumë sigurimsa, por Beknebaueri ishte i qetë. Të nesërmen luhej ndeshja Dinamo-Marseja. Ai më tha se nuk i kishte punët mirë te skuadra franceze dhe më pyeti nëse mund ta ndihmoja me ndonjë informacion për skuadrën kundërshtare, pra Dinamon. Në këtë rast bëra dhe unë “spiunin”. Mora Bejkush Birçen në telefon dhe ai më dha informacion të detajuar për ekipin. Unë ia kalova Bekenbauerit. Ai më falënderoi të nesërmen tej mase. Ndeshja doli barazim, por ai mbeti shumë i kënaqur. Për të treguar miqësinë ndaj meje, qëndrova pranë tij 15 minuta në pistën e “Qemal Stafës”. Byroistët shihnin me kërshëri miqësinë time me Bekenbauerin.

Të ka rastisur ndonjëherë të kishe kontakt me klubet e huaja, apo me gazetarët që mbulonin klubet e tyre?
Tiranës i bie në kupat e Europës të luajë me Bajernin e Mynihut. Te banka qendrore në Tiranë kishte teleks. Unë futem atje dhe u shkruaj, duke i pyetur nëse donin informacion për skuadrën shqiptare. Ata më kthejnë menjëherë përgjigje. Më pas vjen teleksi që konfirmon se kam bërë shkrime në gazetat gjermane. Informacioni vjen shpejt te gazeta e sportit dhe ishte gati heqja nga puna. Pasojat diheshin. Unë shkova në Komitet Qendror në atë kohë dhe takova Vladimir Prelën. Më tha ç’ke bërë? I thashë e teprova. Për politikë ke shkruar? Jo i thashë, për sport. Mirë më tha, mos e çaj kokën, por paske guxim të tepruar. U ktheva në redaksi dhe atje kërkohej sqarim, por unë thashë kam marrë leje në Komitet Qendror. Këtu u mbyll çështja, s’kishte më diskutime. Por pasojat u dukën. Më hoqën nga faqja katër dhe me lanë te aktivitetet sportive.

Për shkrimet që bënit në gazetat gjermane ju paguanin?
Duhej të merrja honorare dhe në fakt kishte. Gjermanët donin të më paguanin, por unë refuzova, duke thënë se dëshiroja libra. Të paktën këtë gabim nuk e bëra, pra që të merrja para.

Në përgjithësi, intervistat tuaja a janë botuar të gjitha te “Sporti Popullor”?
Mendoj se intervistat e mia më të mëdha e më të mira janë botuar te “Tirana”. Aty më vlerësonin. Ndoshta te “Sporti” kishte dhe xhelozi.

Pas kësaj ju keni takuar Pol Brajder, shumë i njohur për kohën...
Ai ishte kampion bote më 1974. Shkova te 15-katëshi dhe pyeta në më kanë kërkuar. Prisja librat. Atje ishte mbushur vendi me sigurimsa. Njëri nga ata më dha librat. Ishte gazetar politik. Duke parë situatën më tha se kur do të bjerë regjimi. Unë i thashë jam i sportit, nuk kuptoj. Ishte viti 1987. Dua të them se ishte njeriu i parë që më tha se në këtë vend do të ndryshonte shumë shpejt diçka. Gjatë një udhëtimi që bëmë bashkë, pranë hotel “Dajtit”, pa ca minj dhe në shkrimin që kishte bërë më pas, ndër të tjera shkruante: “Shqipëria vendi i shqiponjave? Jo, vendi i minjve”. Ishte cinik, nuk i donte shqiptarët. Me atë ziheshim me fjalë.

Të ka rastisur që të shohësh nga afër se si i trajtonte lojtarët e huaj që vinin këtu?
Paragjykimi ndaj nesh ishte i dukshëm. Kishte vlerësim negativ. Mbaj mend që më 1990 Spanja dhe Franca ishin në grup me ne. Trajneri i Spanjës Suarez erdhi këtu për të parë ndeshjen Shqipëri-Francë, siç bëjnë zakonisht trajnerët e huaj që dëshirojnë të dinë rreth kundërshtarëve në grup. Mua s’më linin të shoqëroj të huaj. Por Suarezin dola ta pres në Rinas. Atje i kontrollonin të gjithë. Platini bërtiste sa fuqi kishte. Ndërsa sigurimi më bërtiste mua çfarë bën këtu. Por kur sigurimsi ynë bërtiti, ata u trembën, në veçanti Platini u tremb rëndë. E mora Suarezin dhe e çova te 15-katëshi. Gjatë rrugës e mësova të mos fliste për politikën, pasi kjo ishte e dëmshme për mua. Suarez më tha që francezët nuk duan as spanjollët, e jo më shqiptarët. Franca u grumbullua në Durrës dhe unë kam intervistuar Platininë për një çerek ore në këmbë. Një ditë para ndeshjeve të Kombëtares, luanin shpresat. Shpresa jonë luajti në Berat. Na çuan te kalaja e Beratit. Ishin përgatitur si për dasmë. Sekretari i parë i Beratit donte patjetër të bënte një foto me Suarezin. I thashë pranë tij jam unë i pari dhe ai u largua.

Pse keni përshtypje jo të mira për Platininë?
Platini është njeri cinik, por ka qenë lojtar i madh.

Megjithatë ai ka qenë shpesh në Shqipëri vitet e fundit dhe madje ka premtuar mbështetje...
Tani është i mirë se është çështja e stadiumit. Ka interes për stadiumin e ri.

Ju keni pasur mik dhe Edi Ramën. Si i kujtoni raportet me të?
Një pjesë e gazetarëve kishin monopolin e shtypit të huaj. Me Edi Ramën njiheshim, ishim miq. Ai ishte basketbollist dhe luante me Dinamon. Mu lut për revistën ku fliste për basketbollin. Ishte kurioz.

Po me të tjerët që kishin lidhje me jashtë, si i kishit raportet?
Shumë të mira. Dhimitër Gazhga ishte shok i Sokol Hoxhës, ai kishte telefon me jashtë. Ishte njeri shumë i mirë. Unë përdorja telefonin e tij, ishte telefon i kuq. Një ditë më gjeti në zyrë duke folur me Anglinë. Nuk e bëri mall aty për aty, por më pas s’munda të shkoja atje.

Ju ka rastisur që duke takuar gazetarë të huaj sportivë, ndonjëri prej tyre të mos ketë qenë realisht i tillë?
Po, ka pasur raste të tilla. Mbaj mend që kur erdhi Olimpiku i Marsejës këtu më 1990, një gazetar politik na ka përdorur në ndonjë moment. Madje njëri nga gazetarët ishte i “L’Equipe”. Qëllimi i tyre nuk ishte më shumë ndeshja se sa çfarë ndodhte në Shqipëri në atë kohë. Ja, përshembull, Barcelona qëndroi dy orë në ajër se Rinasi ishte mbyllur dhe ata ishin mërzitur shumë. Shumë prej gazetarëve që vinin bënin dokumentarë. Xhejm Bejker ishte një ndër ta. Kisha krijuar miqësi, por i thashë hapur se nuk mund ta ftoja në shtëpi se kaloj caqet. Të huajt na mirëkuptonin. Natyrisht që ishim të survejuar në çdo kohë. Na ndodhi që pas ikjes së Anglisë mua e Karanxhën na thirrën me shqetësim, diçka kishim folur, pasi edhe kishim pirë. U trembëm shumë. Pastaj na survejonin. Dy vjet rresht na ndiqnin. Unë deri në janar të vitit 1991 isha në përgjim.

Megjithatë, duhet pranuar se në sektorin e sportit kishte më shumë liri...
Pas 1985 Ramizi (Alia) e liroi shumë. Shkruanim rehat. Shkruanim dhe për të huajt. Por vetëm për amerikanët dhe rusët jo. Kur ndodhte që ata të zinin vendin e parë ose të dytë në aktivitete, ne e nisnim transmetimin nga vendi i katërt, pra ku nuk kishte rusë e amerikanë. Ata nuk përmendeshin fare.

Ju e keni ndjekur dhe BBC-në në gjuhën shqipe?
BBC ishte mjet informimi i madh, por emisioni në gjuhën shqipe ishte jo tërheqës, pasi spikerët flisnin një gjuhë të vjetër dialektore dhe kjo e bënte aspak tërheqëse.

Kujtoni ndonjë nga aventurat e Kombëtares tonë jashtë shtetit?
Unë personalisht kam shkuar jashtë për herë të parë në vitin 1990. Por informacione kishim plot për ecurinë e skuadrës tonë atje. Madje shtypi anglez shkruante se kombëtarja shqiptare, para se të zhvillonte ndeshjen me Anglinë, bëri një vizitë te varri i Marksit. Kjo bënte jehonë. Në stadium ama kishte dhe shqiptarë që ishin arratisur nga sistemi, por që bënin tifozllëk për Shqipërinë. Kishte gjëra interesante që shkruante shtypi i huaj.

Ç’mendim keni për gazetarët e sotëm sportivë?
Gazetarët sportivë sot nuk lexojnë, atëherë ishte kohë tjetër. Kur erdhi demokracia kam realizuar shumë projekte. Një miku im, Albert Minga, më tha ç’të duhet që i bën të gjitha. I thashë të gjitha do t’i bëj. Por pavarësisht vështirësive, në atë kohë sporti ka pasur liri, kjo pasi kishte lidhje të shumta.

Ju keni punuar dhe në radio, si komentator. Si e mendoni sot eksperiencën e atëhershme?
Isha në vitin e parë fakultet. Imitoja Ahmet Shqarrin. Ai vjen e më takon dhe më kërkon ta imitoj, por unë i them je i dobët. Më futi direkt në transmetim. Bëra një transmetim të një versioni të shpejtë, të huaj për kohën, por tërheqës. Pastaj më mori në Radio. Shkova në Burrel. Kishte një lloj pazari për skuadrat që rrezikonin rënien dhe më prenë linjën që të mos dihej rezultati. Por unë shkova e transmetova nga posta. Burreli shpëtoi. Kur unë transmetoja, sekretari i parë vinte në kabinë. Komentatorët ishin shumë të vlerësuar. Merrnim dhe dieta. Isha student, por me rrogë.
Ju ka rastisur që të kontaktoni me udhëheqësit e kohës, pasi një pjesë e tyre e ndiqnin shumë sportin?
Natyrisht po. Ne e kishim të ndaluar të ndesheshim me rusët. Binte shorti, por nuk luanim. Më dhanë porosi të flas me kryeredaktorin e “Zërit të Rinisë”, Remzi Llani. Porosia kishte ardhur nga shefi i madh (Ramiz Alia). Në tavolinë ku po bisedonim vjen dhe Berisha, të cilin unë e njihja që më parë. Berisha u fut direkt në bisedë. Kishte autoritet. Unë e njihja Berishën nëpërmjet Agim Fagut. Folëm për sportin. Unë përmenda tenisin dhe Berisha më pyeti a e njeh këtë sport. Përgjigjen nuk e mbaj mend, por vetë Berisha më vonë ma ka kujtuar përgjigjen: “Që të shkruaj për Luftën e Dytë Botërore, duhet të kem qenë patjetër partizan?”.

Ju ka ndodhur gjatë intervistave me lojtarë e trajnerë të huaj që të gënjejnë?
Po, madje Bobi Robsonit i kam thënë një herë: pse edhe ju anglezët gënjeni? Ai pa shumë njerëz në seancën stërvitore dhe shtoi: kaq shumë të papunë ka Shqipëria? Por ne survejoheshim gjithandej dhe unë i përgjigjem: “Këta janë turni i dytë”. Në të vërtetë në atë kohë nuk mund të lije punën, por për sportin kishte një qasje të veçantë. Shoqëria e donte shumë sportin.

Nuk u përgjigjët se ç’raporte keni pasur me udhëheqësit e kohës?
Histori pa fund dhe mjaft të bukura. Foto Çami më thërriste me emër: Bert ç’kemi? Ata e donin sportin dhe unë isha popullor. Sporti kishte lidhje me RTSH-në dhe ishte e pamundur që ata (udhëheqësit e kohës) të mos gjendeshin kudo. Foto më merr një herë në redaksi. Thotë jam Foto Çami, unë i them jam Ramiz Alia. Ai më merr sërish, unë prapë të njëjtën përgjigje dhe e mbyll. Për herë të tretë sqarohet dhe kuptova se ishte ai vërtet. Por e mori me të qeshur. Manush Myftiu këmbëngulte për shkrimet. Madje në një mbledhje që bëmë në prani edhe të ministrit të asaj kohe të arsimit, Skënder Gjinushi, për topat që do të prodhonte “Hamdi Shijaku”, bëra dhe një batutë atje, e cila nuk i pëlqeu Manushit, por Gjinushi ndërhyri dhe tha se e kam sjellë unë në mbledhje. Pra më mbrojti. Gjinushi më njihte se i çoja gazetën e sportit. Një herë në vit bëheshin mbledhjet e forta dhe ndër të tjera kishte pasur kritikë dhe për mua se shkelja shapkat. Zura mend dhe se bëra më. Kam pasur dhe me Besnik Bekteshin diçka të bukur. Një ditë ai fut kokën te kabina e transmetimit, por unë e përzura. Pas tre muajsh bëhet anëtar byroje dhe kur erdhi më tha: Bert djali, të vij brenda? I thashë që do të dal unë tani e do të shkoj te dhjetëshja (shkallët anësore në stadium). Me Besnikun ndodhi dhe një incident i vogël pranë kodrave të Liqenit, ku njëri që nuk e njihte dhe që përgatiste bërxollat diçka i tha. Unë iu ktheva: “Po ç’i ke bërë vetes tani, ky është Besnik Bekteshi”. E kujtoj si tani, e kishte emrin Liu, dhe Liun e morën e se pashë më.Kam pasur histori të shumta nga këto. Madje kujtoj që Ramiz Alia po kalonte me vajzën e tij pranë shtëpisë dhe u shkëmbyem. Më drejtohet me emër: Ç’kemi Bert? Kush fiton këtë javë? Luante Dinamo-Tirana dhe unë i them do të fitojë Tirana, pasi isha tifoz i Tiranës. Ndërsa ai ishte me Dinamon e më tha do të fitojë Dinamo.

Si ishin raportet që kishin klubet në gazetën e sportit?
Dinamo mbante vend të privilegjuar. Dihej kjo, por edhe Vllaznia nuk ishte keq, pasi kryeredaktori (Dizdari) ishte nga Shkodra. Me Partizanin nuk kishte diskutim se do të mbusheshin faqet, pasi ishte pushteti, ndërsa Tirana edhe në gazetë ishte inferiore, nuk shihej me sy të mirë. Madje Tirana dhe kur shkonte në Durrës flinte në çadra, Partizani në konvaleshencë.

Duke bërë një kthim në kohë, sa popullor keni qenë në atë periudhë?
Unë di të them se shumë vetë linin mbledhjet në atë kohë, se kishte ardhur Bert Papa. Por mendoj se avantazhet e tona ishin gjuhët e huaja. Dizdari, kryeredaktori, nuk e besonte se unë di anglisht dhe në një ndeshje të Shpresave që luhej në Berat ndaj Suedisë, ai më dëgjoi dy orë duke folur në anglisht me një të huaj. Më pyeti ku e kisha mësuar, i thashë në Londër. Më pas i foli mikut të huaj në italisht dhe e pyeti si e flet anglishten Roberti. Ai u përgjigj: Perfekt.

E megjithatë jashtë shtetit nuk të nxirrnin?
Kisha disa probleme në biografi. Madje dhe më 1990 kur unë i gjeta vetë paratë e udhëtimit, prapë s’më çuan. E kuptoja që nuk kishte të bënte me punën, por ishin justifikime, e dija këtë. Në atë kohë dalja jashtë shtetit ishte për opinion, që do të thoshte se ishe në rregull. Por nga një anë mendoj se më mirë që s’më dhanë vizë se do të isha arratisur dhe do të kisha marrë në qafë familjen. Kur shkova unë më pas në Angli, nuk ishte nevoja për azil, pasi duhesha të isha këtu se kishte ndryshime të mëdha.

Keni nostalgji për transmetimet në radio?
Kur shoh mikrofonin e futbollit jam xheloz, ai është mikrofoni im. Kam transmetuar shumë ndeshje, madje të plota, por nuk të linin shumë hapësirë të vjetrit. Kisha pasion të veçantë. Kur mbarova shkollën më ndihmuan që zborin ta bëja në Tiranë, për nevojat e sportit, por Kiço Mustaqi tha të shkoja në Pukë. U shtirëm se isha i sëmurë dhe duhej të shtrohesha në spital në gjendje të rëndë. Pra nuk shkova, qëndrova në Tiranë. Pas 1992 kam transmetuar gjithçka, futboll amerikan, NBA, shumë gjëra, të gjitha. Por mendoj se transmetimi i ndeshjes Milan-Olimpik Marsejë në Champions League më 1993 ishte fantastike.

Çfarë emocionesh mund të na sillini nga vizita juaj në Angli?
Kur erdhën anglezët këtu pata thënë se kam një ëndërr: Ose do të shoh “Wembley”-in ose vdes. Një miku im kishte bërë shkrim në Angli, ku, bazuar në shprehjen time, ai kishte vënë këtë titull: “Kam një ëndërr, të sjell Robert Papën të shohë “Wembley”-in. Më në fund mu dha mundësia dhe u nisa. Në një nga rrugët e Londrës pyes një grua me ngjyrë ku është stadiumi “Wembley”. Ajo qesh me të madhe. Kishte të drejtë, pasi të pyesje për të ishte e pazakontë, pasi të gjithë e dinin. U ula në stolin ku ulej mbretëresha. Nuk lejohej të shkelje në fushë, por unë e hodha hapin dhe e shkela me forcë, madje doja të bëja dhe një xhiro nëpër bar. Në Londër mësova për herë të parë pse makinat ecnin në krahun e majtë, e jo në të djathtin si gjetkë. Një shofer taksie ma qartësoi këtë, duke thënë se kjo ka mbetur nga koha e kalorësve mesjetarë që luftonin në duel. Interesante shumë.

Po niveli i tyre i gazetarisë?
Jashtë mase i avancuar. Ne ishim në stadium dhe pamë Liverpulin. Ndodhi që pak minuta më pas shkrimi për ndeshjen ishte botuar. Madje e kishin nisur që në pushim të pjesës së parë. Aty u befasova plotësisht. Ishte viti 1990.

Raportet tuaja me lojtarët shqiptarë?
Shumë miqësore, shumë të mira. Kam një histori të bukur me Ylli Shehun. Ishte lojtar mjaft driblues. Presidenti i Atalantës e pa në një ndeshje dhe pas takimit, meqë flisja në gjuhë të huaj, më tha që jam i gatshëm të paguajë për të në çast 2 milionë dollarë. Ishte viti 1988. I them Yllit atë që më tha italiani dhe Ylli më thotë se po të ndodhte kështu, gjysmën do të mi jepte mua. Ishin momente të paharruara.

Keni ndonjë peng, apo diçka që do të donit ta korrigjonit nga shkrimet tuaja?
Për sportin borgjez shkruanim me shkronja të zeza. Madje nën emrin tim është shkruar se Xhorxh Best po vdes për bukë. Sot u kërkoj falje lexuesve, pasi Xhorxh Best ishte në të vërtetë si kokrra e kumbullës. Te “Zëri i Popullit” rroga ishte më e mirë dhe më ftuan të bëj redaktorin e sportit. Por më kërkuan më parë një shkrim. E bëra dhe ua dërgova. Por ata kishin ndërhyrë shumë në të. Arshin Xhezo ishte kryeredaktor. I thashë të nesërmen se nuk vij, pasi e kishin djallosur fare. Në shkrim ishte si të lexoje skenarë lufte. “Sportistët tanë të Kombëtares duhet të luajnë në fushë si Vojo Kushi e Qemal Stafa...”. Sipas tyre, Kola e Minga duhet të ishin në karakter si Vojoja e Qemali, partizanët e luftës. Por unë kisha stil tjetër, diçka të re, diçka ndryshe nga të tjerët.

Intervistoi: Adriatik BALLA

No comments: