Kompjuterët e pikave të kalimit në kufirin shqiptaro-grek janë prishur sërish pardje, në të njëjtën kohë të verës, në gusht, për të njëzetenjëtin vit rresht. Kompjuterët nuk kanë punuar për 12 orë, duke i zgjatur radhët me kilometra dhe duke lënë në pritje familje të tëra refugjatësh me gra, pleq, fëmijë. Një karvan makinash që të kujton trishtueshëm fatin e emigrantëve për të cilët nuk përkujdeset askush. Emigrantë që sfiliten mes mallit për vendin që kanë lënë, të cilin e vizitojnë rregullisht çdo verë, dhe vendit të ri ku jetojnë e kanë ngritur të ardhmen e tyre, dhe më shumë atë të fëmijëve. Fatkeqësisht, kjo histori e përsëritur dhe që ngre shumë pikëpyetje, nuk mund të kalojë edhe këtë herë kaq thjesht. Askush nuk mund të thotë se si shpjegohet që çdo vit, kompjuterët e kufirit grek kolapsohen në gusht, ndërsa ato të postave kufitare shqiptare punojnë normalisht?! Përse defekti vjen nga ajo anë e kufirit dhe asnjëherë nga e jona?! Si shpjegohet që një defekt elektronik nuk riparohet dot për 12 orë rresht? Si shpjegohet që edhe kur puna fillon sërish, Shqipëria punon me 6 sportele dhe Greqia me 3?! Aq më e trishtë bëhet kjo histori kur mëson se gjithë ajo radhë makinash me targa greke transporton emigrantë shqiptarë, por që paguajnë taksa dhe kontribuojnë në shtetin grek. Pra duhet të jenë ata të parët që duhet të marrin shërbimet e shtetit ku kontribuojnë.
Duke perifrazuar titullin, që pa dyshim ka brenda tij edhe ironi, duhet të thuhet e kundërta. Kompjuteri i kufirit shqiptaro – grek është një kufi i Shengenit. Ai është kufiri i hapësirës së Bashkimit Europian. Ai duhej të ishte kompjuteri europian i një Greqie që, për fatin e saj të keq, ka mbetur po aq ballkanike në mentalitet. Por ai është shndërruar në një kompjuter ballkanik i asaj që zyrtarisht është Greqia europiane.
A qëllon që në një vend tjetër hyrës të Bashkimit Europian kompjuteri të prishet për 12 orë!? A do të ishte kjo një katastrofë në një sezon të ngarkuar veror? Pa asnjë dyshim që po. Nuk e di se si, por Greqia nuk ka dëshmuar deri më sot që kompjuteri hyrës të jetë bllokuar në Aeroportin e Athinës, as në atë të Selanikut, as në pikat e tjera kufitare të Greqisë. Që, në fakt, nuk janë pika kufitare të saj, por të hapësirës së përbashkët europiane. Dhe duhen trajtuar si të tilla.
Kjo histori e përsëritur, që prodhon trishtim, vuajtje, fëmijë që qajnë dhe ankohen për një pikë ujë dhe emigrantë që mallkojnë fatin e tyre të trishtë, fatin e njerëzve të mbetur pa një atdhe të vërtetë, duhet të marrë fund. Përpara se sa të luajë rolin e lypësit në dyert e bankave gjermane, franceze dhe britanike, përpara se të vajtojë në Bruksel fatin e një shteti që po kolapsohet ekonomikisht duke kërcënuar gjithë stabilitetin e komunitetit, Greqia duhet të mësojë të zbatojë detyrimet e saj në Bashkimin Europian. Duhet të dijë të mirëmbajë kompjuterët e kufirit dhe, nëse nuk ka specialistë për këtë, le t’ia kërkojë ata Policisë shqiptare, që jam i sigurt se do t’ia vinte në dispozicion me shumë dashamirësi. Siç na vunë grekët ne shumë gjëra në fillim të viteve ’90.
Nëse policia kufitare greke nuk arrin të organizojë më shumë se tre policë për të përballuar fluksin e një pike të rëndësishme kufitare si ajo e Kakavijës, ajo mund të huazojë skemën e kufirit malazez, kroat e madje edhe kosovar, vende joanëtare të BE-së që dinë të jenë shumë më efikase dhe të shërbejnë me një standard të përafërt me atë të vendeve europiane.
Greqia është vendi i parë ballkanik i Bashkimit Europian. Ka qenë pjesë e tij kur gjithë vendet e tjera, me përjashtim të Turqisë, dominoheshin nga diktaturat komuniste, kur këto vende qenë tejet të izoluara dhe ekonomitë e tyre përpëliteshin në skamjen që kish prodhuar ekonomia e centralizuar. Njëzet vjet më vonë, disa prej tyre janë edhe vetë anëtarë të BE-së, të tjera aspirantë për në BE. Të gjitha këto vende kanë ndryshuar, por, për fatin e keq, Greqia vijon të sillet dhe të mendojë si 20 vjet më parë. Duke mbetur po 20 vjet larg mendësisë së BE-së. Nëse legalizimi i emigrantëve shqiptarë është në Greqi me ritmin më të ulët se në gjithë vendet e tjera të botës, së paku shërbimi ndaj tyre si kontribuues të ekonomisë greke dhe taksapagues të saj duhet të jetë në nivelin europian. Ndryshe, nuk është çudi që lajmet për zhvillimet ekonomike greke të jenë më të trishta dhe trokitja në dyert e BE-së të mos japë më lëmoshën që duket se po e shpëton përkohësisht nga falimentimi i plotë.
Dhe, së fundi, trimërimi me vende që ngjajnë më të dobëta, si Shqipëria, apo kapardisja para ca mijëra emigrantëve të shkretë që e duan vendin e ri po aq sa vendlindjen e tyre, nuk është as një gjest fisnik, as një parim dhe vlerë europiane, aq më pak një detyrim reciprok. Është një mendësi e vjetër, një stil i dalë boje që të bën të besosh se katastrofa dhe rrokullisja ekonomike greke nuk ka qenë rastësi, por fryt i kësaj mendësie që s’ka aspak të bëjë as me BE-në dhe as me parimin e “fqinjësisë së mirë”!
No comments:
Post a Comment