Thonë se çudia më e madhe tri ditë zgjat. Ylli Pangos iu deshën tre vjet. Pas një procesi të gjatë gjyqësor në Tiranë, ish-ministrit të Kulturës iu desh të niste luftën kundër një rrjeti televiziv francez që kishte publikuar video-skandalin e tij. Këtë vit, Gjykata Franceze i dha të drejtë Pangos. Vendimi i gjykatës
Shtohet me 1 euro pasuria e Ylli Pangos. Një pagesë që do t’i bëhet nga televizioni FRANCE 24, për shkak se ka publikuar në vitin 2009 atë që tashmë njihet si video-skandali “Pango”. E njëjta video për të cilën televizioni shqiptar “Top Channel” u dënua me 400 mijë euro. Dy dënime të ndryshme nga dy gjykata të ndryshme, në shtete të ndryshme. Dhe diferenca e këtyre ndryshimeve është plot 399 mijë euro… Një shumë e konsiderueshme, që burimin e kanë nga ajo, që në fillim u prezantua si vajza X, ose “Vajza e mbërtheckave”, deri në zbulimin e identitetit të vërtetë, gazetarja Alkida Budini. Me kamera të fshehta në trup, e infiltruar qëllimisht, ajo kërkonte punë në shtëpinë e Ylli Pangos, ministër Kulture në atë kohë. Videoja u shfaq për herë të parë në televizionin “Top Channel” dhe më pas u hodh nëpër sajte interneti, që siç duket kanë depërtuar deri në televizionet e huaja.
Padia në Francë
Pas një beteje ligjore 3-vjeçare, gjykata franceze ka vendosur të dëmshpërblejë ish-ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, që mbajti këtë post nga viti 2007-2009. Ashtu si edhe në Gjykatën e Tiranës me rastin e “Top Channel”, prof.dr Pango ka kërkuar gjobitjen e televizionit francez FRANCE 24. Me të njëjtat argumentime si në Tiranë, Pango ka theksuar në gjykatën franceze se publikimi i kësaj videoje ishte dhe është i paligjshëm, për shkak të imazheve private në zyrën dhe shtëpinë e tij. Pasi bën një pasqyrim të gjithë ngjarjes në fjalë, ndër të tjera ish-ministri thotë se “kjo video e dëmtoi psikologjikisht, i shkatërroi karrierën dhe e largoi nga miqtë në atë kohë”. Me këto fakte dhe të tjera, ish-ministri i kërkoi gjykatës franceze të shkallës së parë qysh në tetor të vitit 2009, që televizioni FRANCE 24 të hiqte këto imazhe nga sajti i tij, si dhe të mos e shfaqte më asnjëherë në televizion. Gjykata franceze i dha të drejtë Pangos, por TV FRANCE 24 e ankimoi në Gjykatën e Lartë një vit pas fillimit të procesit të parë. Televizioni francez u mbrojt duke argumentuar se “nuk ka pasur shkelje të privatësisë”. Si politikan, z.Pango përbën kuriozitet për publikun dhe faktet e paraqitura në televizion janë të lidhura me funksionin e tij si titullar. Videoja ofron ndihmë dhe pasqyron gjendjen reale të grave në Shqipëri, në kërkim të një pune…”. Gjyqi mes palëve vijoi dhe për një vit, derisa në shkurt Gjykata e Lartë i dha të drejtë ish-ministrit Pango, duke i vënë disa gjoba televizionit francez. Po ashtu, ngarkoi edhe shoqërinë anonime FRANCE 24 që të dëmshpërblejë atë me shumën e kërkuar nga vetë ai, vetëm 1 euro. Më poshtë, po botojmë vendimin e kësaj gjykate që në total është disa fletë, në dy pjesët më të rëndësishme të saj: argumentimet pse u mor vendimi në favor të Pangos dhe vendimi final.
Argumentimi mbi paragjykimet
Gjykata argumenton: “I vetmi konstatim që kishte të bënte me respektimin e jetës private dhe të imazhit nëpërmjet shtypit i jep të drejtën që të kërkojë dëmshpërblim, ndërsa shuma është e përcaktuar nga gjykatësi në lidhje me përmbajtjen e publikimit, përhapjes së tij të Francë dhe nëse paraqitet nevoja e elementëve që u diskutuan nga palët. Është e udhës që të saktësohet se ky juridiksion nuk është kompetent nga ana territoriale për të dëmshpërblyer lidhur me paragjykimet morale që ka pësuar ankuesi, i cili jeton jashtë Francës. Meqë bëhet fjalë për dëmtim të imazhit dhe të jetës private, nuk është me vend që të merren në konsideratë përhapja e videos që ka të bëjë me nderin dhe reputacionin e ankuesit. Ky i fundit mund të dëmshpërblehet vetëm për shqetësimin që i ka shkaktuar videoja në misionet e tij në Francë apo në takimet me francezët. Kjo video kishte të bënte me thënie apo propozim seksual. Imazhet e shtëpisë janë të shkurtra, tregohen vetëm dera dhe muret. Veshja se si ai shfaqet është jokorrekte për një njeri politik. Për Ylli Pangon përhapja e numrit të tij të telefonit nuk është një problem. Ai justifikohet duke thënë se ka një paragjykim principesh që mund të dëmshpërblehen nga shoqëria France 24, që t’i paguajë atij 1 euro, por dhe ky televizion nuk duhet të përdorë më këtë video. Kërkesa për tërheqjen e videos nga faqja e internetit të kësaj shoqërie është e pabazuar, pasi nuk është hedhur poshtë fakti se kjo shoqëri ka bërë heqjen e videos, fill pasi ka marrë kërkesën për heqjen. Nuk është me vend kërkesa për të hequr dhe komentet që shoqërojnë këtë video. Këto komente kanë shërbyer si shembull për dorëheqjen e ankimuesit, e cila u bë publikisht, për të trajtuar rolin e gruas në Shqipëri, një temë aktuale e mbrojtur nga liria e shtypit”.
Vendimi i Gjykatës
Gjykata ka vendosur të mos marrë parasysh kërkesën për prishjen e vendimit të kërkuar nga shoqëria anonime FRANCE 24 dhe dënon këtë shoqëri t’i paguajë 1 euro Ylli Pangos për dëmtim të imazhit moral.
E pengon shoqërinë anonime France 24 të publikojë videon në çdo lloj mënyre. Dhe të paguajë 1000 euro gjobë për shkelje të ligjit, kur në video shfaqet Ylli Pango duke folur me Alkida Budinin, gazetare e televizionit shqiptar në zyrën e tij dhe në shtëpinë e tij. Kjo shoqëri është e detyruar ta paguajë këtë gjobë. Sipas vendimit dënohet shoqëria anonime të paguajë shpenzimet e gjyqit, po kështu kjo shoqëri do t’i paguajë 2000 euro Ylli Pangos në bazë të nenit 700 të Kodit të Procedurës Civile. Ky vendim të ekzekutohet menjëherë.
Shndërrimi i Alkidës, zbulohen fotot e “Karlës Shqiptare”
Protagonistja e video-skandalit “Pango” bëhet sërish protagoniste… e jetës së natës në Paris
U largua me urgjencë nga Shqipëria me motivin se “ndihej e rrezikuar nga ish-ministri Ylli Pango”, por duket se Alkida Budini i ka shpëtuar njëherë e mirë këtij rreziku të pretenduar. Pas një ndalese të shkurtër në Greqi, që e përdori si tranzit, ajo prej 3 vitesh është vendosur në Francë. Shtet, në të cilin Alkida tashmë
ka përfituar azil politik, por edhe mundësi më të mira për të bërë jetë nate, ashtu siç e shohim në këto foto të reja. E trukuar me kujdes, me trupin e tonifikuar që i del në pah nga një fustan me dekolte të hapur, i kuq dhe i shkurtër, ajo është fotografuar duke kërcyer në mënyrë provokuese. Në pub-in ku në sfond duken pijet alkoolike, e shkujdesur në lëvizje dhe e qeshur, Alkida Budini, tashmë 27-vjeçare, nuk ngjan aspak keq, si një azilante që është. Përkundrazi, duket se “arratia” i ka prirë në pamjen e jashtme, por edhe me argëtimin e shoqërinë. Përveç fotove joshëse në pub, ajo ka pozuar edhe në vende të ndryshme nga xhirot nëpër Paris. Pranë kullës Eiffel, brigjeve të lumit Senë etj., ajo shfaqet në formë shumë të mirë me miq të ndryshëm të saj. Në disa të tjera, Alkida bën performanca me veten, që nga gërshetat e njohura të rrepistëve e deri të pikturimi i fytyrës së saj. Të gjitha këto foto, përveç atyre të pub-it, ajo i ka përmbledhur në një album me emrin “Karla shqiptare”. Është ky pseudonimi i saj për sitet në internet, por vetëm ato të huaja. Me sajtet shqiptare dhe rrjetin social Facebook, ku ka qenë e regjistruar para ikjes në Francë, i ka mbyllur hesapet me kohë. “Mbyllje hesapesh” Alkida duket se ka bërë edhe me pamjen e saj të dikurshme, nga një flokëgështenjë me tipare të qeta adoleshenteje, ajo tashmë vjen krejt agresive. Herë me flokë të zinj e herë me të kuq, Alkida guxon edhe të provojë nuanca të ndryshme biondesh. Një “kameleon” i vërtetë sa i përket transformimit të vetes. Ajo gati nuk ka më asgjë të përbashkët me atë vajzën që erdhi nga Suçi i Burrelit për herë të parë në Tiranë, 8 vjet më parë. Ishte periudha kur Alkida 19-vjeçare iu përgjigj njoftimit të televizionit “News 24” për të marrë pjesë në reality show-n “Kafazi i Artë”. Pikërisht në këtë emision ajo u njoh me Ylli Pangon, i cili ishte i përzgjedhuri i televizionit nga jashtë për t’u kujdesur për Alkidën. “Tutor” quhej në këtë rast Pango, një emërtim televiziv ky, ashtu si çdo i përzgjedhur tjetër që korrespondonte për secilin banor.
Pas përfundimit të edicionit “Kafazi i Artë”, ku Alkida u skualifikua nga mesi i garës, ajo tentoi të nisë shkollën e lartë. Duke qenë se gjatë emisionit kishte shprehur dëshirën për të ndjekur Sociologji, atëherë Pango e ndihmon për të realizuar universitetin. Paralelisht, Alkida tenton që të punojë në gazetari. Nga një televizion në tjetrin dhe pas disa provash në radio, më në fund ajo arrin të punësohet në televizionin “Top Channel”, si gazetare investigative në emisionin “Fiks Fare”. Më 11 shkurt 2009, ajo merr detyrën që të shkojë në shtëpinë e ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Pjesën tjetër besoj e dinë të gjithë tashmë. Rreth asaj që u shfaq si “skandali seksual i Pangos”, në internet ka pasur klikime me mijëra herë, por që dëshmitarja kryesore nuk u pyet asnjëherë.
Skeda e prezantimit tek “Kafazi i Artë”
Hera e parë e Alkidës pranë meshkujve të panjohur
Në prezantimin që bëri në moshën 19-vjeçare, Alkida Budini u duk si më e “pafajshmja” e reality show-t “Kafazi i artë”. Për të, ky show do të ishte dhe hera e parë që do të jetonte me djem të panjohur, ashtu siç e ka pohuar edhe vetë ajo. Ja se çfarë u shkrua zyrtarisht për Alkidën në atë kohë: “Nuk është e dashuruar dhe nuk ka qenë kurrë e tillë. Suçi është vend i vogël dhe atje çdo gjë merret vesh. Për të është hera e parë që jeton kaq pranë meshkujve të panjohur. Ka dy vëllezër e dy motra. Ëndrra e saj është të vazhdojë shkollën e lartë në Tiranë ose të shkojë te vëllai në Angli, i cili jeton atje prej vitesh dhe është martuar me një vajzë spanjolle, të quajtur Stephany. Ka dashur gjithmonë të merret me art, por kjo ka qenë për të veçse një ëndërr e parealizuar. Jeta e saj në Suç është shumë monotone dhe dëshiron ta ndryshojë sa më shpejt. Është në dietë të vazhdueshme dhe, siç thotë e ëma: “Alkida ujë të pijë, i bëhet shëndet”. Do të donte të lexonte libra, por nuk ka vullnet. Ka dëshirë të bëhet sociologe”.
ELISABETA ILNICA
No comments:
Post a Comment