Monday, August 22, 2011

Kabashi dëshmon kundër vullnetit të tij


Në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë sot ka vazhduar shqyrtimi i pjesshëm i rastit Haradinaj e të tjerët.

Në seancën e sotme filloi marrja në pyetje e dëshmitarit Shefqet Kabashi, i cili konsiderohet si dëshmitar kyç për rigjykimin e pjesshëm të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe bashkëluftëtarëve të tij, Idrez Balaj e Lahi Brahimaj.

Që në fillim të seancës së sotme, Kabashi bëri të qartë se ai po merret në pyetje kundër vullnetit të tij. Ai kontestoi deklaratat dhënë hetuesve të Tribunalit, duke pretenduar se edhe ato i kishte nënshkruar kundër vullnetit të tij.

Prokurori i çështjes, në pyetjet drejtuar dëshmitarit Kabashi, është fokusuar në atë që është cilësuar si burg i Jabllanicës. Dëshmitari e ka mohuar ekzistencën e burgut në Jabllanicë dhe.

“S’ka pasur persona të burgosur në Jabllanicë. Ka pasur vetëm kazerma ushtarake”, ka deklaruar Kabashi.

Ai nuk ka dashur t'u përgjigjet pyetjeve të prokurorit, i cili insistonte të sqaroheshin deklaratat dhe skicat e nënshkruara prej tij, në fazën e hetimeve.

“Nuk kam çfarë të përgjigjen. Nëse doni në çoni në burg”, ka thënë Kabashi. Ai i ka akuzuar rëndë hetuesit e Tribunalit, duke i cilësuar madje edhe “më të këqij” se hetuesit e ish-regjimit të Millosheviqit.

Kabashi e ka akuzuar Tribunalin e Hagës se deri më tash nuk ka bërë asgjë për ndriçimin e krimeve serbe në Kosovë.

Në këtë kontekst ai e ka përmendur masakrën e kryer në Burgun e Dubravës, në vitin 1999. “Ju nuk keni bërë asgjë për krimet e Serbisë... 200 vetë janë vrarë në burgun e Dubravës... dhe nuk është bërë asgjë në lidhje me këtë”, i është drejtuar Kabashi prokurorit.

Pjesa më e madhe e seancës së sotme ka qenë e mbyllur për publikun, për shkak të nevojës për ruajtjen e konfidecialitetit të dëshmive dhe dëshmitarëve.

* * * * * * *

Kabashi paraqitet sot para Tribunalit të Hagës

Sot, para Tribunalit të Hagës pritet paraqitja e parë e dëshmitarit Shefqet Kabashi. Paraqitja e tij duhet të bëhej të premten, por u shty me kërkesë të avokatit mbrojtës, i cili kishte thënë se klienti i tij nuk ishte në gjendje të rëndë psikike dhe fizike, pas arrestimit dhe transferimit të tij në Hagë.

Shefqet Kabashi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohet për shpërfillje të Tribunalit.

Ai kishte refuzuar të dëshmonte në procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, me arsyetim se Tribunali nuk ofronte siguri të mjaftueshme për dëshmitarët.

No comments: