Kur Matteo Brossette ngrihet më në fund nga shtrati në mëngjes, nuk ka më kohë. Shpejt në dush, vesh diçka me nxitim dhe pi një gllënkë kafe, e pastaj niset! Në shumicën e rasteve zilja e shkollës bie pikërisht në momentin kur ai del nga dera e shtëpisë. „Sa mirë që banoj vetëm 20 metra vijë ajrore larg shkollës. Për këtë arsye rruga deri në shkollë është po aq e gjatë sa ajo nga dhoma e mësuesve deri në klasë."
Matteo shkon në gjimnazin St. Irmgardis në Köln. Shkolla ndodhet në lagjen Bayenthal në jug të qytetit të Kölnit. Këtu jetohet me dëshirë, por është kryesisht shtresa e mesme që mund t'ia lejojë vetes këtë.Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Gjimnazi St. Irmgardis-në Këln
Për nxënëset dhe nxënësit është thjesht histori
Petra Linßen jep mësim në një kurs bazë në histori. Tema sot është e kaluara e afërt gjermane. Ajo pyet se kush e ka vizituar ndonjëherë murin e Berlinit. „Janë gjysma apo rreth dy të tretat“, konstaton ajo. „Muri në Berlinin perëndimor ishte plot ngjyra, a keni ndonjë ide se si ishte ai në pjesën lindore?“ Një nxënës përgjigjet: “Atje s'kishte asgjë.“ Jo, atje nuk kishte mundësi të pikturohej – përse jo, kërkon të dijë Petra Linßen. „Askush nuk vinte dot deri tek muri“, thotë një nxënëse. Është e vërtetë, pasi atje gjendeshin brezi i vdekjes dhe kullat e vëzhgimit.Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Nxënësit e gjimnazit në orën e historisë
RDGJ, rënia e murit, ribashkimi – të rinjtë 17 dhe 18 vjeçarë i njohin këto para së gjithash nga filmat. Real për ta është bashkimi: „Unë nuk besoj se ekziston edhe një mur në mendjet e njerëzve. Unë jam rritur me mendimin që Gjermania është një e vetme.“ Të tjerët tundin kokat në shenjë pohimi.
Ndryshime nuk ka më thuajse fare
Thomas Gensicke është sociolog në institutin TNS Infratest Studime Sociale në Mynih. Atje ai kryen studime lidhur me të rinjtë. Ai thotë se 20 vjet pas bashkimit të rinjtë në Lindje dhe në Perëndim janë bërë një grup homogjen. Arsyeja për këtë është se kushtet dhe rrethanat në këtë fazë të rritjes janë thuajse identike. Por një vështrim më i vëmendshëm nxjerr në dritë një tendencë: financiarisht të rinjtë në perëndim të Gjermanisë janë më mirë. Kështu edhe të rinjtë nga Lindja shohin me më pak optimizëm drejt së ardhmes se sa ata në Perëndim, dhe kanë më shumë frikë për ekzistencë. Për Thomas Gensicke kjo nuk është aspak e habitshme: “Në Lindje papunësia tek të rinjtë është dy herë më e lartë.”Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Matteo dhe motra e tij e vogël, Carla Brossette
Mattheo nuk ka shqetësime materiale, pasi familja e tij është në gjendje të mirë. Matteo kërkon patjetër të arrijë notat më të larta në maturë, dëshiron të studiojë arkitekturë dhe më vonë të jetojë jashtë – në qytetin e tij të ëndrrave, Madrid.
Gjithçka rrotullohet rreth muzikës
Pasdite vjen Josephine, një shoqe nga një periferi e Këlnit. Të dy të rinjtë shkojnë në garazhin e përshtatur, laboratori muzikor i Matteos me pult për miksazhin e muzikës, gramafon dhe laptop. Matteo është DJ në disa klube në Këln dhe prodhon edhe vetë muzikë, një përzierje mes „minimal-techno“ dhe „house“. Sot ai i luan disa pjesë Josephine-s.Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Matteo dhe shoqja e tij, Josephine në rrugë për të shkuar tek shokët
Në jetën e Matteos gjithçka rrotullohet rreth muzikës. Ai interesohet vërtet për politikë, por nuk angazhohet politikisht. Aq më tepër i ra atij në sy së fundi në një koncert elektro-punk pranë Leipzig-ut se të rinjtë nga Lindja janë dukshëm më të dhënë pas politikës. „Atje kishte shumë që mbanin veshur bluza me sloganet „Rave kundër së djathtës” dhe „Make love, not war“. Tek ne kjo bëhet në një demonstrim. Në Lindje ata i mbajnë bluzat e tyre politike vazhdimisht“, mendon Matteo. Me sa duket në Lindje mendimi politik shpallet hapur, publikisht.
Një përvojë të ngjashme ka edhe Josephine – edhe pse në kahun e kundërt politik. Të rinjtë, që ajo i kishte parë në një fshat në Usedom në landin Mecklenburg-Vorpommern, e patën tronditur pak. „Kur isha në Usedom qendrova në një fshat shumë të vogël, ku të gjithë dëgjonin Böhze Onkelz.“ Grupi muzikor, i cili nuk pranon se i përket ekstremit të djathtë, është popullor në skenën e djathtë. Josephine thotë: „Për mua ishte shumë e fortë. Ata silleshin vërdallë me bluza të grupeve muzikore të ekstremit të djathtë.“Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Matteo dhe Josephine. Shokët e miratojnë entuziazmin e Matteos për muzikën
Rinia në Perëndim është më pranë “sistemit republikë federale”
Ekstremistët e djathtë janë edhe në Lindje në minorancë, thotë studiuesi i rinisë Gensicke. Por ai konstaton tendencën, që të rinjtë nga Lindja bëjnë më shumë pyetje për politikën, ekonominë dhe shoqërinë se sa moshatarët e tyre në Perëndim. Shkak për këtë është që prindërit, shkolla dhe mediet në Gjermaninë Perëndimore përcjellin në masë shumë më të madhe një qëndrim vetëkuptues, miratues ndaj sistemit, se sa në Lindje.
Josephine megjithatë mendon se mund të shkonte të jetonte në Lindje, por vetëm në një qytet të madh. Shumë pak të rinj në Gjermaninë Perëndimore janë kaq të hapur ndaj Lindjes sa Josephine. Pjesa më e madhe mendojnë se perëndimi i Gjermanisë ofron perspektiva më të mira kualifikimi dhe punësimi. Në këtë qëndrim nuk janë të vetëm: edhe vetë të rinjtë nga Lindja e shohin të ardhmen e tyre më shumë në Perëndim, atje ku sipas tyre sistemi ekonomik i Republikës Federale fuksionon më mirë.
Autor: Birgit Görtz/Benjamin Hammer
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora
No comments:
Post a Comment