Monday, September 27, 2010

“Besa” shqiptaro- serbe në “Oskar”


Filmi i regjisorit serb Srdjan Karanovic “Besa” konkurron në edicionin e 83-të të çmimeve të “Academy Awards” Oskar në kategorinë e filmave të huaj. Filmi i merr ngjarjet nga Lufta e Parë Botërore, kur Filip, një serb nga një qytet i vogël i Serbisë, fillon të shërbejë në shërbimin ushtarak. Ai nuk ka se kujt t’ia lërë gruan e tij të bukur, sllovenen Lea. Ajo është një grua e bukur, një mësuese e vallëzimit, të cilën ai e kishte takuar në Evropën Perëndimore. Azemi, një shqiptar i pashkollë, roje i një shkolle, ia jep besën Filipit që do të kujdeset për Lean dhe se asaj nuk do t’i ndodhë asgjë. Dy evropianë, nga dy kultura të ndryshme me shprehi të ndryshme, detyrohen të bashkëjetojnë në një shkollë pa nxënës. Ndërsa lufta bëhet gjithnjë edhe më e ashpër mes Leas dhe Azemit, njëra një grua e krishterë, kurse tjetri një burrë mysliman, nis një marrëdhënie dashurie. Më shumë se një histori dashurie, ky film është një paradigmë e thellë etike e ndarjes së klasave dhe shoqërive gjatë shekullit XX në Evropë, shumica e të cilave ekzistojnë edhe sot.
Pas marrjes së këtij lajmi, Karanovic ka folur për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ku ka thënë se pavarësisht dëshirës së mirë të Akademisë së Serbisë, filmi i tij ka shumë pak mundësi që të jetë në konkurrencën e filmit të huaj “Oskar”. “Ky është një nder i madh për mua dhe më bën shumë të lumtur. Por mendoj se ende kam punë për të bërë këtu dhe se filmi tani duhet të dalë në shitje në DVD apo të shfaqet në televizion”, ka thënë Karanovic.
Rreth 150 filma nga gjuha e huaj konkurrojnë për këtë çmim, ndërkaq nominohen vetëm pesë prej tyre. Në rolet kryesore të filmit “Besa” rolet kryesore luhen nga Miki Manojloviç, Iva Krajnc, Nebojsha Dugaliç dhe Radivoje Bukvic. Pavarësisht se ka të bëjë me shqiptarë, në film nuk luan asnjë aktor nga Kosova apo Shqipëria, ndërkaq filmit i ishte dhënë Çmimi i Publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Gjatë pjesëmarrjes në këtë festival, filmi kishte pasur kritika të ndryshme nga regjisorët, ndërsa mediat në Serbi e kanë lavdëruar atë për nxitjen e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve.
Karanovic, nga ana tjetër, kishte thënë më parë se filmi përkon me realitetin e Luftës së Parë Botërore dhe se nuk ka të bëjë më të tashmen, edhe pse mund të prekë gjithashtu realitetin e sotëm.

No comments: