Ministri i Brendshëm informon ndërkombëtarët mbi rezultatet në luftën ndaj krimit
Zilie Feçi
Ministri i brendshëm Lulëzim Basha, gjatë takimit me strukturat evpropiane të Policisë Pameca 3, kërkoi një intensifikim të luftës kundër krimit të organizuar, ndërsa nuk la pa përmendur edhe presionin e disa njerëzve të politikës mbi Policinë. Gjatë takimit të pestë të bordit të palëve të interesuara të Pameca 3, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha përshëndeti suksesin e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Prokurorinë për evidentimin dhe goditjen e aseteve kriminale. Duke përmendur ndjekjen me sukses të 8 rasteve deri më tani, si dhe të shumë rasteve të tjera, të cilat pritet të përfundojnë me sukses para gjykatave në muajt që vijojnë, ministri Basha u shpreh se goditja e aseteve të krimit është për Ministrinë e Brendshme dhe për qeverinë shqiptare prioritet kryesor në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është një fazë shumë e komplikuar dhe e vështirë në luftën kundër krimit të organizuar. Është një faze, e cila nuk kërkon vetëm përkushtim por profesionalitet dhe dedikim të plotë të të gjitha burimeve njerëzore dhe materiale. Është një fazë në të cilën nuk kanë munguar dhe me gjasa nuk do të mungojnë presionet e krimit të organizuar apo dhe të ardhura nëpërmjet politikës, por vullneti i qeverisë shqiptare është i qartë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe aseteve të tij do të vazhdojë me tolerancë zero, asetet e krimit do të goditen, identifikohen dhe konfiskohen dhe kjo luftë do të vazhdojë duke shpërfilluar çdo presion të krimit të organizuar apo dhe të përfaqësuesve të tij publikë. Do të vazhdojë pavarësisht prej tendencave për të kamufluar, ndryshuar apo transferuar asetet brenda dhe jashtë territorit të vendit - tha Basha. Sipas tij, në këtë luftë Policia e Shtetit dhe drejtuesit e saj kanë mbështetjen e plotë jo vetëm të qeverisë por edhe të publikut shqiptar sepse është e qartë për çdo qytetar se është pikërisht lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, një nga faktorët kryesorë të përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian dhe në veçanti drejt arritjes së një stacioni të rëndësishëm pranë të cilit gjendemi tashmë siç është lëvizja e lirë e qytetarëve,-deklaroi Ministri Basha. Basha shprehu në fjalën e tij edhe angazhimin për të vijuar punën me të njëjtin përkushtim e profesionalizëm edhe pas konkretizimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Për Ministrinë e Brendshme në veçanti vendimi për heqjen e vizave do të thotë më shumë përgjegjshmëri, më shumë përkushtim, më shumë punë për të rritur dhe konsoliduar më tej bashkëpunimin me organizatat partnere të Bashkimit Europian dhe për të ofruar në vijimësi siguri brenda dhe jashtë Shqipërisë.Në analizë të veprimtarisë gjashtëmujore që prej takimit të mëparshëm të bordit të Pameca 3, Ministri Basha vlerësoi se janë arritur objektiva të rëndësishëm dhe është bërë progres i dukshëm në plotësimin dhe konsolidimin e standarteve të BE në punën e strukturave të Policisë së Shtetit. Ministri Basha theksoi se ristrukturimi i Departamentit të Luftës Kundër Krimit të organizuar ka reflektuar prioritetin kryesor që kjo luftë përbën për qeverinë dhe nga ana tjetër bashkëpunimi i kësaj strukture me strukturat homologe të vendeve partnere ka rezultuar i suksesshëm, ku rasti më i freskët ishte arrestimi në Vlorë i një eksponenti të organizatës kriminale italiane Sacra Corona Unita. Një vlerësim të posaçëm Ministri Basha shprehu edhe për luftën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, falë së cilës këtë vit rezulton një rënie 70-80 për qind e kultivimit të kanabis sativa ç’ka përbën një rekord historik në drejtim të realizimit të objektivit për ta hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit të kësaj bime. Në takimin e pestë të bordit të palëve të interesuara të Pameca 3 u diskutua gjerësisht mbi problemet e rendit e të sigurisë, implementimin me sukses të strukturës së qarkullimit rrugor, rritjen e efektivitetit të patrullës së përgjithshme, përdorimin efikas të sistemit MEMEX për të goditur krimin e organizuar dhe po kështu për vijueshmërinë e trajnimeve për rritjen e mëtejshme profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit.
No comments:
Post a Comment