Para krishtlindjeve, pa viza në Europë, i "Sëmuri": Do bëj luftë
Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme i PE ka miratuar rezolutën për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, me 49 vota pro dhe 2 abstenim e cila hap rrugën regjimit pa viza të shqiptarëve në BE para Krishtlindjeve. Pas kësaj vote pro, pritet që javën e parë të tetorit të jetë Parlamenti Europian ai që do të certifikojë pozitivisht këtë proces për t'ia kaluar vendimin final ministrave të Brendshëm të BE.
Vendimi pozitiv i Parlamentit Evropian që pritet të merret konkretisht më 7 tetor është deklaruar si një lajm shumë i keq nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili me këtë rast ka shpallur dhe nisjen e protestave. I acaruar dhe i tmerruar nga ky sukses si i qeverisë ashtu edhe i vet qytetarëve, Rama po mobilizohet për të prishur imazhin e vendit me anën e politikës së rrugës pikërisht kur kanë nisur procedurat përfundimtare të lëvizjes së lirë. Kjo dëshmohet edhe në thirrjet që ai u bën qytetarëve për të dalë në rrugë për të protestuar duke përdorur dhunë dhe forcë në rrëzimin e qeverisë. "Ne duhet ta ndalim me çdo çmim dhe me çdo kusht, duke e larguar qeverinë, duke u ngritur në protesta kudo, duke u ballafaquar me kurajo dhe me forcë kudo, në rrugë, në çdo qytet dhe në çdo fshat, sepse nuk ka rrugë tjetër" është shprehur Rama vetëm dy ditë më parë ndaj qytetarëve të cilët janë në pritje të procesit të liberalizimit të vizave. Ndryshe nga reagimet antishqiptare të kreut të PS, janë eurodeputetët që garantojnë se ky proces nuk do të mund të bllokohet nga askush dhe madje shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza në BE para Krishtlindjeve duke patur mundësi për ti festuar ato me njerëzit e tyre më të afërt që janë jashtë Shqipërisë. "Unë pres që Parlamenti Evropian të votojë pozitivisht çështjen e vizave javën tjetër dhe që pastaj shtetet anëtare të ndjekin rrugën tonë për ta përfunduar këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur, duke hequr vizat për të dyja vendet në fund të vitit, ose edhe më parë, për periudhën e Krishtlindjeve, siç u bë edhe vitin e kaluar me tre vendet e tjera" tha eurodeputetja Tania Fajon. Ndërkohë që gjatë mbledhjes komisioni hodhi në votë amendamentin e paraqitur nga deputeti i majtë holandez, Daniel Van der Stoep. Sipas këtij amendamenti, si Shqipëria ashtu dhe Bosnja më parë duhet të tërhiqen nga Organizata e Konferencës Islamike, në mënyrë që kjo rregullore për heqjen e vizave të zbatohet. Por, gjatë votimit amendamenti i Van der Stoep është rrëzuar me vetëm dy vota pro dhe 49 kundër. Tashmë, rezoluta pritet të kalojë për votim në Parlamentin Europian në seancat e 6 dhe 7 tetorit, dhe më pas miratimi final në 7 dhe 8 nëntor nga ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian. Ndërkohë që me shumicë votash heqja e vizave për Shqipërinë është miratuar pak javë më parë edhe nga Komiteti i Çështjeve të Jashtme në PE. Komisioni votoi pro edhe për opinionin e miratuar nga Komisioni i Jashtëm, në të cilin thuhet se ky proces duhet të kryhet sa më shpejt. Vota pro heqjes së vizave Shqipëri-BE nga Komiteti për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në PE erdhi edhe pasi u njoh me një raport faktmbledhës të ekspertëve të KE, lidhur me punën e bërë nga qeveria shqiptare për përmbushjen e kushteve të mbetura në kuadër të heqjes së vizave. Rezultatet e paraqitura nga misioni i KE kanë qenë tërësisht pozitive, duke konstatuar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se është gati për heqjen e vizave.
Këshilli i Ministrave në BE do të votojë në mbështetje të plotë të rezolutës për regjimin pa viza
Eurodeputetët: Jemi gati që të heqim regjimin e vizave
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon njëkohësisht edhe raportuese për Shqipërinë, vlerësoi dje se me miratimin e rezolutës komisioni po i dërgon Shqipërisë dhe Bosnjës një mesazh të qartë. Fajon tha se, "jam e kënaqur që kolegët e mi të komisionit LIBE dhanë një mbështetje shumë të madhe për vizat. Me këtë mbështetje, ne i çojmë një sinjal shumë të fortë qytetarëve të Bosnjës dhe Shqipërisë, që ne jemi gati që të heqim regjimin e vizave". Eurodeputetja Fajon theksoi se pas dritës jeshile të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, edhe nëse ka patur ndonjë shtet pak të lëkundur, ato pritet t'i thonë po procesit. Eurodeputetja Fajon u shpreh se, "unë do të habitesha nëse disa shtete anëtare do të bllokonin procesin, sepse s'ka arsye për këtë. Është një proces teknik. Komisioni thotë që kushtet teknike janë përmbushur dhe mbi këtë bazë do të jetë shumë e vështirë për disa shtete që të thonë, se ne nuk duam të heqin regjimin e vizave për njërin, tjetrin, ose të dyja vende së bashku. Pra, unë pres që ta mbështesin, por sigurisht që ne nuk flasim ende për një proces të mbaruar, pasi monitorimi vazhdon". Vendimin e komisionit për heqjen e vizava e ka përshëndetur edhe eurodeputetja Emine Bozkurt, i cila u shpreh se ky proces duhet të ndodhi sa më shpejt për këto dy vende. "Shpresoj që ata ta bëjnë, pasi Komisioni dhe Parlamenti janë në të njëjtën linjë. Komisioni ishte shumë pozitiv. Parlamenti votoi me një shumicë dërrmuese dhe jam e sigurtë që në seancën plenare do të jetë e njëjta mbështetje. Këshilli i Ministrave duhet të ndjekë shembullin tonë dhe të votojë sa më shpejt, pasi është shumë e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës", tha eurodeputetja Bozkurt. Në raportimet e tyre, përfaqësuesit e Komisionit Evropian u shprehën se në 25 maj, KE identifikoi disa çështje ende të pambyllura dhe këto kritere u adresuan nga të dy vendet gjatë muajit korrik. Ekspertët e KE pas monitorimit të bërë vlerësuan se brenda një kohe rekord qeveria shqiptare përmbushi të gjitha kërkesat e komisionit.
Heqja e vizave, Topalli: Kjo stinë do jetë historike për shqiptarët
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti dje votimin me 49 vota pro dhe 2 kundër të rezolutës për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën nga Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme i Parlamentit Europian. Duke i falënderuar kolegët e PE për vendimin që morën në LIBE për heqjen e vizave, Topalli, menjëherë pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave pati një bisedë telefonike me Tanja Fajon. Gjatë bisedës Topalli e falënderoi në mënyrë të veçantë raporteren e PE, Fajon për punën dhe përkushtimin e saj në mbështetje të heqjes së vizave për shqiptarët, por dhe shprehu mirënjohjen për Kryetarin e Komisionit (LIBE), Aguilar, si dhe të gjithë kolegët e tjerë në PE që kanë mbështetur lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Nga ana e saj, raporterja Fajon tha se ky është një votim i rëndësishëm dhe një mesazh shumë i fortë pozitiv për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, kryeparlamentarja e ka cilësuar këtë stinë si historike për shqiptarët, pasi ata po shohin sesi po bëhet realitet ëndrra e tyre shekullore për të lëvizur të lirë. Kryetarja Topalli u shpreh gjatë bisedës se Kuvendi i Shqipërisë do të ketë kënaqësinë të mirëpresë në Tiranë zonjën Fajon bashkë me kolegët e tjerë të delegacionit të PE. Komisioni i Lirive Civile votoi me 49 vota dhe vetëm 2 kundra heqjen e vizave, ndërsa Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi popozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë 20 ditë më parë.
Hungaria mbështetje integrimit të Shqipërisë gjatë presidencës së BE
Hungaria, vendi i të cilit pritet të marrë presidencën e radhës së BE në gjysmën e parë të vitit që vjen, shpreh mbështetjen e plotë të saj për procesin e integrimit të Shqipërisë। Ky është mesazhi që ambasadori i Hungarisë në Tiranë, Sandor Molnari i ka shprehur ministrit të Jashtëm, Haxhinasto gjatë një takimi të zhvilluar me të. Gjatë këtij takimi, ministri i Jashtëm vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe përcolli mirënjohjen për mbështetjen që ka ofruar Hungaria për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, dhe në veçanti për liberalizimin e vizave me BE. Ambasadori Molnari konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së gjithanshme të Hungarisë, si në aspektin dypalësh ashtu edhe atë evropian, rajonal dhe shumëpalësh. Ai i përcolli ministrit Haxhinasto ftesën e homologut të tij për të vizituar Hungarinë në muajin nëntor, në prag të marrjes së presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, të cilën Hungaria do ta kryesojë për herë të parë. Ambasadori Molnari u shpreh se liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën do të jetë kontribut i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, dhe evidentoi se presidenca hungareze e BE do të vazhdojë ta ketë rajonin si një nga prioritetet e programit të saj. Më tej, në takim u diskutua për bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve, si dhe rreth vizitave që pritet të shkëmbehen në nivele të ndryshme si në Tiranë ashtu edhe Budapest. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, ministri i Jashtëm, Haxhinasto zhvilloi edhe një takim me ambasadorin e Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen. Ambasadori danez vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar eksperiencën e shkëlqyer 10-vjeçare daneze në fushën e diplomacisë ekonomike. Ai gjithashtu, theksoi se mbledhja e forumit të përbashkët të biznesit do të ketë një impakt të menjëhershëm dhe direkt për ardhjen e investitorëve danezë në Shqipëri./RilindjaDemokratike /
No comments:
Post a Comment