Sunday, September 26, 2010

Kristine Elezaj, shqiptarja që po bën histori në muzikën botërore


Kristine Elezaj ka rreth dy vjet që këndon nëpër skena të ndryshme në mbarë Amerikën, për të krijuar bazën e fansave të saj dhe për të provuar veten si këngëtare dhe artiste. Tashmë gjithçka duket gati. Ka realizuar disa video, ka marrë pjesë në evenimentet më të njohura të muzikës botërore, këngët e saj janë radhitur në top listat e radiove amerikane dhe videoja është shfaqur në televizionet amerikane dhe pritur me sukses. Revista "Billboard" e ka krahasuar me Britney Spears dhe Rihanna, muajin që vjen Elezaj do të hedhi në tregun muzikor albumin e saj të parë...e ne do jemi të parët që do ta blejmë duke i uruar suksese të mëtejshme në karrierën e saj muzikore!

Për më tepër informacion rreth këngëtares me origjinë shqiptare, vizitoni faqen e saj në internet www.KristineElezaj.com


Çfarë ju shtyu që të bëheshit këngëtare dhe pse?

Jam rritur me dashurinë për muzikën dhe ndjenjën që më jep. Mënyra sesi më bën të ndjej emocionet nëpërmjet të kërcyerit dhe të kënduarit, çdo hap, çdo fjalë... Mendoj se është diçka e mrekullueshme të arrish të lidhesh me kaq shumë njerëz nëpërmjet diçkaje që të frymëzon kaq shumë. Ideja sesi mund të ndryshosh një moment në jetën e dikujt, nëpërmjet muzikës tënde...


Di që për herë të parë jeni ngjitur në skenë në "Sugar Bar" të Ashford and Simpson. Si u ndjetë kur i takuat?

Në fakt, ata janë miq të babait. Në fillim, kur shova atje, kujtova se thjesht do të haja darkë me babanë e pastaj do të këndoja për qejf, por u befasova kur Nick dhe gruaja e tij, Valerie, filluan të më shoqëronin teksa këndoja "Respect" të Aretha Franklin. Ata janë të mrekullueshëm dhe gjithmonë më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time!


Kënga juaj e re "Warpath", tashmë po fillon të dëgjohet kudo. A mendonit se do të bëhej hit dhe pse?

Kurrë nuk i dihet se cila këngë do të bëhet hit apo jo, por kur dëgjova "Warpath" për herë të parë dhe pashë reagimin e të gjithëve, mu krijua një ndjesi pozitive që më bëri të kuptoj se ishte një këngë speciale.


Po kënga e ardhshme, a do të jetë ritmike apo do të publikoni ndonjë baladë?

Po mendojmë se do të jetë një tjetër këngë ritmike, e cila titullohet "Barbwire" dhe më pas do të publikojmë një baladë. Ka shumë mundësi të jetë "Light Years". Një këngë shumë e këndshme, të cilën e kam shumë për zemër!


Çfarë duhet të presin fansat tuaj nga albumi debutues "No Questions Remains"?

Për mua, ky album është një balancë perfekte midis fantazisë sime për tu dëfryer dhe ndjenjave personale. Kam shkruar shumë në këtë album dhe kam gjetur vetveten si shkrimtare. Ky album është me tërë mend fëmija im dhe për këtë jam krenare. Puna është bërë në mënyrë të tillë që, njerëzit t'i dëgjojnë këngët dhe në ato të gjejnë vetveten. Jam rritur si kërcimtare dhe shumica e këngëve në album më japin kënaqësinë që të bëj dy prej gjërave që kam më për zemër; të këndoj dhe të kërcej. Në të njëjtën kohë, jam përpjekur që dëgjuesi të njihet dhe me vokalin tim, ndaj kam realizuar dy balada të mrekullueshme "Light Years" dhe "Momentum". "Always" gjithashtu ishte një baladë fantastike, por që ne më pas e shndërruam dhe në një këngë dance.


Cilët janë producentët e albumit tuaj?

Kam punuar me disa producentë të mrekullueshëm në këtë album. Brandon Beal, Goodwill&MGI që kanë punuar dhe me Sean Kingston, Justin Beiber, Chris&Teeb, të cilët janë punuar me 50Cent,


Shpesh herë ju kanë krahasuar me Britney Spears, Rihanna, Lady Gaga, Pink apo Shakira. Si ju duken këto krahasime?

Mendoj se është kënaqësi! Ata më kanë krahasuar me disa prej femrave më të bukura dhe më të talentuara në industrinë muzikore!


Cila nga këngët e albumit që preferoni ta këndoni më shpesh?

Nuk zgjedh dot, sepse çdo këngë ka energjinë e saj. "Let You Know" ishte kënga e parë që shkruajta për albumin në një moment kur po i jepja fund një kapitulli dhe po nisja një të ri në jetën time. "Ligh Years" më bën të dorëzohem përpara të gjithëve, kurse "kidnap The Dj" është një këngë për të festuar. Plus, që kam këngë në album, të cilat nuk i kam interpretuar akoma për publikun dhe po vdes nga dëshira.


Nëse do të kishit rastin të interpretonit me një artist të njohur, cili do të ishte dhe pse? (Jep tre emra)

Janet Jackson - Sepse ajo është një prej të preferuarave të mia të të gjitha kohërave dhe shumë do të kisha dëshirë të ndaja skenën duke kërcyer dhe kënduar me të.
Prince - Gjithmonë më ka pëlqyer Prince si artist, por kur e pashë në koncert në Las vegas disa vite më parë po mendoja "Sa cool do të ishte të interpretoja me të! Ai është shumë unik!" Një emër të tretë... është pak vështirë, sepse ka shumë artistë të preferuar sa do të vazhdoja e do të vazhdoja të flisja hahaha.


Kë do të donit të falënderonit për realizimin e ëndrrës suaj si këngëtare?

Së pari dhe mbi të gjithë, dua të falënderoj prindërit e mi. Jam me fat që kam një nënë e babë, të cilët më kanë mbështetur që prej fillimit. Më ndihmojnë dhe gjithmonë kanë fjalët e duhura si për momentet e mira ashtu dhe për momentet e këqija, në të cilat më vendos ndonjëherë biznesi muzikor. Sigurisht që falënderoj dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Roy, menaxherin tim, producentët, koreografët, kërcimtarët dhe në veçanti fansat. Ata e bëjnë këtë ëndërr të duket dhe më e vërtetë, pasi nuk mund ta realizoja pa ta.


E pasi të largoheni prej nesh, çfarë punësh ju presin?

Kam për të punuar për promovimin e këngës "Warpath". Kam koncerte në shumë klube dhe një turne është në projekt e sipër. Albumi im "No Question's Remains" del në treg (Amerikë) më 5 tetor!!!


No comments: